Nga: Ardita Shkodra.
Gani Geci ishte përgatitur gjatë për të dalë në sallën e gjyqit si dëshmitar i prokurorisë kundër krerëve të UÇK-së.
Sikur të mos ishte ky raport, ai, bashkë me dëshmitarët Predrag Dediq, Zoran Stankoviq, Dragan Ivanisheviq, Stamena Jeliq etj., do të ishte ulur në të njëjtën karrige për të dëshmuar kundër krerëve të UÇK-së.
Kur prokuroria e Hagës e mori në pyetje Thaçin dhe nisi t’i parashtrojë pyetje për Gani Gecin, mbrojtja e Thaçit ia ofroi prokurorisë këtë dokument, përkatësisht raportin psikologjik dhe psikiatrik, dhe ai u diskualifikua. Këtë e tha gjyqtari zviceran Mettraux, kur po merrej në pyetje Fadil Geci, vëllai i Gani Gecit.
Prokuroria ishte bërë nervoze që nuk do të mund ta shfrytëzonte Ganiun në sallën e gjyqit. Raporti ia rrëzoi kredibilitetin dhe prokuroria e zëvendësoi Ganiun me Fadilin.
Raporti ishte publikuar më herët në RTK dhe në media të tjera të Shqipërisë.
Raporti i datës 19 nëntor 2014, ndër të tjera, thotë se Gani Geci ka devijime psikopatike dhe flet për vlera të larta në shkallën e psikopatisë.
Si ishte nxjerrë raporti?
Në kohën kur po zhvillohej gjyqi për vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, Instituti i Psikiatrisë Forenzike ia kishte dërguar këtë raport prokurorisë.
Ka dyshime që edhe kjo ishte lojë e EULEX-it për t’ia mbuluar Gani Gecit vrasjen e Ruzhdi Shaqirit, ashtu siç ia mbuloi vrasjen e Abedin Rexhës – Sandokanit.
Fillimisht, prokuroria e kishte kualifikuar vrasjen e Ruzhdi Shaqirit si “vrasje e rëndë”.
Pas këtij raporti, kryetari i trupit gjykues, norvegjezi Vidar Stensland, e kishte ndryshuar kualifikimin dhe ia kishte lehtësuar jashtëzakonisht shumë veprën penale. E kishte cilësuar si “vrasje e kryer në gjendje afekti të rëndë mendor” dhe dënimi ishte shumë i lehtë, rreth 3–4 vjet burg, shumicën e të cilave i kaloi në liri.
Ky pseudo-gjyqtar i EULEX-it, pra Vidar Stensland, sot është kryetar i Gjykatës Kushtetuese në Gjykatën Speciale. Pra ka pozitë kryesore në këtë institucion juridik. E frikshme!
EULEX ia kishte mbyllur Gani Gecit edhe rastin e vrasjes së Sandokanit.
Kur ishte zhvarrosur trupi i Sandokanit, EULEX kishte dalë me një ekspertizë (autopsi), ku kishte konstatuar se “shkaqet e vdekjes së Abedinit janë të panjohura”.
Pavarësisht se dy plumba të Ganiut ishin në trupin e Abedin Rexhës (Sandokanit), misioni i EULEX-it konstatoi se shkaqet e vdekjes nuk dihen, duke lënë të nënkuptohet se, para se t’i binin plumbat e Ganiut në trup, ai mund të kishte pësuar infarkt. Skenar filmi që mund ta prodhojnë vetëm idiotët pro-serbë të EULEX-it, këtij misioni evropian me mendësi ruse.
Fatkeqësisht, shteti i Kosovës dhe e gjithë shoqëria iu nënshtruan Gani Gecit. Qytetarët, nga frika, nuk guxuan ta hapin gojën. Gojën nuk guxuan ta hapin as shokët e Sandokanit.
Gani Geci tashmë i kishte dy elemente të rrezikshme në duar: EULEX-in dhe raportin mjekësor. Të vret dhe nuk mban përgjegjësi. Madje edhe tallet me kufomën duke thënë “ka vdekur prej vdekjes”.
Duke mos folur, ai ka arritur ta manipulojë një pjesë të opinionit se kinse ishte viktimë dhe kishte rënë në dy rastet në pritë. Në fakt, në të dy vrasjet, ky ishte pritëzënësi.
Duke mos folur, një shoqëri e tërë i është nënshtruar një njeriu dhe një familjeje. Gazetarët e thërrasin në studio, në kundërshtim të plotë me kodin e etikës.
A ka veti psikopatike, siç e ka konstatuar raporti, le ta vlerësojnë qytetarët, por unë besoj që po. Shihet. A ishte nxjerrë raporti për t’ia mbuluar atë vrasje, pikërisht në atë kohë? Mendoj që po.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!