Reagim ndaj shkrimit ”Mjerim intelektual” të Ibrahim Xhemajlit

02
Jan
2023

Shkruan: Beqir Elshani
Me vëmendje e lexova kundërshtimin (…) të Ibrahim Xhemajlit ndaj librit ”Arsyetimi të çon pranë së vërtetës” të Xhemil Zeqirit, si dhe zemërimin e tij ndaj redaktorëve të librit. Sipas këshillës letrare se në mesin armiqve duhet përfituar miq, reaguesi ka bërë të kundërtën, për skaj autorit të librit ka humbur edhe miq tjerë. Prandaj Ibrahimi duhet të ballafaqohet me autorin e librit, jo me recensentin, redaktorët dhe botuesin. Një gjë dihet, Xhemili përveç aktivitetit të tij kombëtar, kujtesën historike dhe oratorinë e ka të fortë. Duket se reaguesi është zemëruar pse kemi marrë pjesë në redaktimin e librit, megjithëse asgjë nuk ka të bëj me ne. Edhe më keq, Ibrahim Xhemajli shkon aq larg, sa që recensentin, Afrim Morinën, e akuzon dhe lëndon pa arsye, i cili ka bërë punën e tij profesionale, dhe nuk kishte të bënte aspak me reaguesin. Ngjashëm edhe unë me Fadil Shytin si redaktorë kemi bërë detyrën tonë fisnike, librin e mikut tonë – Xhemil Zeqirit, e kemi lexuar dhe redaktuar me kujdes të madh, siç thuhet fjalë për fjalë. Megjithatë, reaguesi shkon edhe më larg, e akuzon edhe botuesin Demir Reshitin, i cili me kërkesën e Ibrahim Xhemajlit mund ta botojë edhe librin e tij. Veprimi i reaguesit më përkujtoi trimat, kur armiku i falë po qe se distancohen prej udhëheqësit të tyre, mirëpo ata nuk dorëzohen, prandaj as unë me bashkëpunëtorët e mi nuk dorëzohemi! Në shkrim shihet se si reaguesi veten e mbiçmon, ndërkaq të tjerët i përbuzë, prandaj dikush ka nevojë për mjek, dhe ky është vetë reaguesi. Nëse shkrimet në libër janë gënjeshtra dhe shpifje, reaguesi ka punë me autorin, jo me redaksinë dhe botuesin. Që kundërshtimi i Xhemajlit është emocionues dhe nuk ka erën e kritikës letrare, duket qartë, pa nevojë flet për emrin e autorit në ballina të librit.
Sa i përket komentuesit të fundit, i cili duke i bërë lajka Xhemajlit, shkruan se Xhemili nuk mund të qëndrojë në këmbë, jo më të shkruajë, vlen t’ia përkujtoj se është shkelje e etikës njerëzore, për të cilën mban përgjegjësi. Pastaj komentuesi tjetër duke kërkuar që Xhemili të deklarohet rreth botimit të librit, autori përgjigjen ia kthen me anën e poezisë së poetit hungarez, Shandor Petëfi, mirëpo komentuesi duke mos kuptuar metaforën poetike, e përsërit kërkesën e tij të “guximshme”. Këtu e ka vendin frazeologjia “fshati që shihet nuk do kallauz”.
Reaguesi ankohet sikur në tërë librin e Xhemil Zeqirit flitet vetëm për të, ndërkohë që për keqpërdorimin e fondit Vendlindja thërret në Danimarkë flitet në faqen e vetme. Prandaj reaguesi plumbat e shumtë le t’i kursejë kundër armikut tonë shekullor – Serbisë gjakatare, jo kundër vëllezërve shqiptarë: Afrimit, Fadilit, mua, (Beqirit) dhe Demirit. Që zemërimi i reaguesit është i skajshëm shihet edhe “selami” i tij drejtuar profesorit të frytshëm, Ahmet Qeriqi, vetëm pse autori atdhetar ka zënë vend në TV ”Dielli”. Pikërisht titulli i reagimit “Mjerim intelektual” është një armë e rrezikshme që vret pa zë. Autori i pamfletit duhet pasur parasysh se Afrim Morina, Demir Reshiti dhe Ahmet Qeriqi janë më atdhetarë se ne që jetojmë jashtë atdheut.
Në mesin e komentuesve zgjodha komentin e Bashkim Arsllanit, i cili përkujton se si akademiku danez kishte deklaruar që e njeh vetëm një person të respektuar shqiptar dhe ai është Xhemil Zeqiri! Prandaj të keni kujdes mos i fyeni dhe mos i përbuzni njerëzit që tërë jetën veprojnë në shërbim të kombit dhe atdheut. Në fund shtoj se reaguesi nuk ka arsye të habitet për emrin tim si redaktor dhe lektor në librat e autorëve të ndryshëm që botohen, të cilën e bëj me kënaqësi. Si stafist në faqen albaniapress me dhjetëra shkrime i kam redaktuar dhe korrigjuar, jo për t’ua bërë vollën autorëve, por e kam bërë në të mirën e lexuesit dhe në shërbim të kulturës kombëtare. Dëshiroj që gjuha shqipe të bëhet e fortë dhe e qëndrueshme siç është gjuha letrare suedeze.
Me sa po shoh, më shumë po kërcen reaguesi si kundërshtar se Xhemil Zeqiri si viktimë, përkundrazi autori i librit të mrekullueshëm është i qetë, këtë e tregon më së miri poezia e poetit kombëtar, Hysni Milloshi, që ia kushton dy poezi të hekurta, të cilat besoj t’i ketë lexuar.
Suedi, 10 nëntor 2022

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 02/01/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk