Reagim ndaj “veprimtarit të madh”, që nuk e njeh as lagjja e vet – Kujtim Lusha

18
Aug
2025
Shkruan: Xhemil Zeqiri


Nuk kisha ndërmend të reagoj, por shumë miq të indinjuar më telefonuan duke më thënë: “Mos u shqetëso, i dimë kush është ai dhe kush janë ata”.
Për këtë arsye u detyrova ta bëj këtë reagim.
Prej kohësh nuk kam hasur sulme direkte të paskurpullta nga “veprimtarë të mëdhenj”, -siç po paraqiten në RTV Istogu Chanel, Nexhmedin Gërlica nga Kosova, mërgimtar në Gjermani dhe Kujtim Lusha nga Kosova, mërgimtar në Belgjikë.
Personalisht, nuk i njoh këta luftëtarë fjalë-mëdhenj të çështjes kombëtare, ndërsa ata më “njohin” në mënyrën e tyre, krejt së prapthi. Jam i bindur thellësisht që, nëse do të më njihnin realisht, nuk do të më sulmonin me shpifje të ulëta dhe pa asnjë argument.
Akuzat të tipit: “Enverist i qelbur, stalinist, leninist, agjent i sllavo-maqedonëve, agjent i Gligorovit”, “Taksist i Beogradit” e të tjera,– të gjitha këto akuza të pa baza, nuk mund t’i thonë njerëzit normalë. Këto janë vetëm shpifje dhe trillime të mendjeve të tyre të sëmura.
Jo, mor zotërinj ! Nuk mundet të fshihet historia me një të rënë të lapsit, ajo luftë heroike që ka ndodhur gjatë luftës anti-fashise; nuk zhbëhet ajo, për huqet tuaja prej “veprimtarësh të mëdhenj”. Prandaj, ju sugjeroj miqësisht, uleni kokën, lexoni historinë e atyre viteve. Aty do të mësoni që, Enveri dhe Stalini ishin aleatë të mëdhenj anglezëve dhe të amerikanëve. Kur bota u rrezikua nga egërsirat fashiste, Hitler-Musolin & Co, udhëheqësit mendjendritur, nga të gjitha meridianet, pa dallim të ideve divergjencave politike dhe ideologjike; ata, ditën dhe mundën, morën guximin për t’u bashkuar në aleancën e madhe të shteteve sovrane, që ta ndalin të keqen e madhe që po i rrezikonte popujt liridashës dhe këto shtete. E përsëris; historia nuk ndryshohet sipas dëshirave tuaja donkishoteske.
Për veprimtarinë time politike më njohin të gjithë ata që duan të më njohin realisht dhe shqiptarisht. Madje, në fillim, kur dëgjoja përmes valëve të Istog Channel me moderatorin, Luard Mehmetajn, vetë i kërkova miqësi Kujtim Lushës në Facebook. Ai më pranoi, por pas një dite më bllokoi pa asnjë arsye. Sigurisht, kjo është e drejta e tij – siç thotë populli: “Vëllanë ta lind nëna, ndërsa mikun e zgjedh vet”.
Por, tjetër është të mos pranosh dikend si mik, e tjetër është të shpifësh kundër njerëzve që kanë dhënë kontribut të madh për çështjen shqiptare. Këto dy “personalitete” shkojnë aq larg, sa hedhin baltë edhe mbi heronjtë kombëtarë e ndërkombëtarë që e kanë udhëhequr dhe përkrahur popullin shqiptar në momentet më kritike të ekzistencës së tij.
Poashtu, ata sulmojnë edhe kryeministrin shqiptar Edi Rama me fjalorin më të pistë. Unë, gjithmonë kam kërkuar që, çdo figurë publike të kritikohet me argumente, jo me fyerje as me shpifje. Ndaj, kur ata përdorin gjuhën e Sali Berishës – njeriut që shkatërroi Shqipërinë në vitet 1991–92, duke rrënuar mbi 500 fabrika, kooperativa, plantacione e duke prerë mijëra pemë ulliri me parullën “të shkatërrojmë komunizmin” – e kuptoj qartë, se çfarë mentaliteti mbartin.
Kujtim Lusha, në deklaratat e tij, mundohet të shitet si zëdhënës i NATO-s, i Departamentit të Shtetit apo i Shtëpisë së Bardhë. Herë pas here thotë: kinse, iu ka shkruar krerëve politikë të Kosovës dhe të Shqipërisë. Kjo është puna e tij; mua kjo, nuk më intereson. Por, kur kalon në shpifje personale dhe më akuzon se jam, “i biri i shkjaut”, atëherë kjo nuk është më kritikë, por, është urrejtje primitive dhe thirrje e maskuar për dhunë.
Unë i them qartë: syri për sy, nuk më bën përshtypje. Misionin tim politik e kam kryer. Për më shumë se 40 vitesh jam në shërbim të popullit e të atdheut tim; brenda dhe jashtë atdheut e kam demaskuar politikën shoviniste serbo–malazezo–maqedonase në diplomacinë daneze dhe evropiane. Rreth 60% të këtyre qëndrimeve i kam botuar në 8 librat e mi, si: “Kosova jonë”, “Në mbrojtje diplomatike të çështjes shqiptare”, “Drejt Vetëvendosjes”, “Debate, intervista dhe letra” “E vërteta bën armiq”, “Arsyetimi të çon pranë së vërtetës”, ” Si ta shpjegojmë këtë lloj urrejtje e të tjerë.
Kjo urrejtje juaja nuk buron nga argumentet politike, por kjo më zgjon dyshimet, më shumë buron nga mentaliteti i atyre kanibalistëve, që gjithmonë kanë punuar kundër shqiptarëve atdhetarë. Në radaket e tyre; ka zënë myk është urrejtja me ide të huaja që përthithet nga disa pusa shqiptarë dhe kthehet në sulme ndaj vëllezërve të vet.
Me këta dy “personalitete” nuk munda të komunikoj dot as privatisht – nuk kanë adresë, nuk gjenden as në Google, as në YouTube, as realisht në Facebook. Prandaj, vendosa të shkruaj publikisht. Ju mund të vazhdoni të fshiheni pas emrit të Rugovës e të Kurtit, por sulmet e pamatura që keni bërë e po bëni ndaj meje, natyrisht që e tregoni fytyrën tuaj të vërtetë. Shpifësit dhe trilluesit, gjithmonë janë humbës, ata i ka dënuar populli dhe historia.
-Këtyre “analistëve” dhe zhurmuesve steriotipë, dua t’ju përkujtoj dhe kërkesën time; ju që po më akuzoni mua së koti me shpifjet të cekura më lart; dilni dhe faktoni ato me dokumente, me video, po deshët edhe me personazhe konkrete, atëherë nga ana ime; nëse pa qëllim; siç shprehet një personazh në një film shqiptar: “Kujdes ,mos e ha një lugë helm, se pastaj të të vijë era tërë jetën”!
Pra, nëse unë paskam gabuar ndokund pa dijeninë time; “paskam ngrënë ndonjë lugë helm” për të më ardhur era tërë jetën”; jam në gjendje të kërkoj falje publike popullit tim dhe të marrë mbi vete çdo përgjegjësi morale dhe penale. Unë, pra dola me qëndrimet dhe zotimet e mia me fakte, pa dorashka…
-Kjo, tani më detyron që të kërkoj prej jush, jo qëndrimet tuaja ndaj meje, sepse ato po dihen; por, i qëndrimet tuaja ndaj popullit e atdheut: kush jeni ju, çfarë keni bërë dhe po bëni në shërbim të popullit e atdheut, apo ishit dhe jeni në shërbim të “djallit e të birit”?! -siç thotë populli.
Mos harroni, mua dhe juve nëse jo askush tjetër; mesiguri, si individë të mirë apo të këqijë, si atdhetarë apo tradhtarë na njohin njerëzit tanë dhe më gjerë…
-Unë, nuk ndaloj, do të vazhdoj më tutje të jem avokat i kombit shqiptar, një prej kombeve më të lashta të Evropës dhe më gjerë.
18. 08.2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 18/08/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk