Reagim përkitazi me “Reagimin e Mexhlisit të Xhamisë në Zhelinë”.

08
Feb
2026
Shkruan: Xhemil Zeqiri
Kopenhagë 08-02-2026
 
Eeee, mjerë populli ynë që ka këta klerikë që, në radhë të parë, nuk e kuptojnë se çfarë është besimi?!
Ne, shqiptarët kemi një fe,-kemi-Shqiptarinë. 
Ndërsa, besimet  janë të shumta: myslimane, të krishtera, katolike, ortodokse; e të tjera.
Ajo që ndodhi tani, me reagimin krejt të pakuptim ndaj meje, është një turp i tyre.
Nuk di nëse atë reagim e kanë nënshkruar edhe dy hoxhallarët e xhamive, apo ndoshta të dy “avokatët e gjallë”, Nezir Baftjari dhe Enes Hasani, të cilët dolën me reagimin ndaj meje me titullin:
“Reagim Publik – Mexhlisi i Xhamisë Zhelinë”?!!!
Dolën kundër  artikullit tim, “Pse po varroset tradita dhe kultura shqiptare, nga klerikët islamistë”? 
-Personalisht, kam pritur që të dalin atdhetarët e vërtetë, me guxim për të thënë të vërtetën, realitetin çfarë po ndodh, jo, që të më mbrojnë mua,–Xhemil Zeqirin, me një veprimtari 44  vjeçare, në mbrojtje të çështjes kombëtare shqiptare.
E gjithë rinia ime në Danimarkë, kaloi duke protestuar dhe duke punuar me Organizata të ndryshme përparimtare në shërbim të popullit dhe të atdheut tim. Prej vitin 1981,kam vepruar edhe  me miqtë e mi danezë, themelova “Komitetin  Miqtë e Kosovës”. Jam themelues i shoqatës “Kulturore Besa”, në Kopenhagë, të cilën e ngrita me financat e mia personale. Kam qenë veprimtar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, si dhe për disa vite Nënkryetar i Organizatës daneze “STS International Solidaritet”. Poashtu, kam themeluar Këshillin e Lëvizjes Vetëvendosje, në Danimarkë Këshilli i parë në Skandinavi dhe në Evropë. Jam marrë me publicistikë dhe shumë veprimtari të tjera…
Asnjëherë nuk kam mbajtur qëndrim kundër banorëve të zonave rurale apo popullit në përgjithësi; përkundrazi, kam qenë dhe mbetem kundërshtar i klerikëve manipulues dhe i aktorëve politikë që historikisht kanë shërbyer si mbështetje e interesave të pushtetmbajtësve.
Gjatë gjithë këtyre viteve kam zhvilluar veprimtari me Ministritë e Jashtme të Danimarkës dhe të Suedisë; duke ngritur çështjen shqiptare në instancat më të larta ndërkombëtare: në Këshillin e Evropës, Parlamentin Evropian, OSBE, e deri në OKB, në Nju Jork.
Këto nuk i përmend për lavdinë time personale, por për t’ua kujtuar hoxhallarëve të fshatit tim të lindjes dhe rritjes sime, të cilëve, fatkeqësisht, –as që u ka interesuar veprimtaria atdhetare e një bashkëfshatari të tyre. Përkundrazi, në heshtje më kanë luftuar, gjë që dëshmohet edhe nga reagimi i tyre. Si mund të shpjegohet fakti i mjerë, kur në atë reagim steril, më quajnë “anti-kombëtar” dhe “anti-fetar”?!!!
Feja ime është Shqiptaria; ndërsa besimi është çështje personale. Ju, me qëllim, i ngatërroni këto dy gjëra me shumë me rëndësi.
Unë kam besuar gjithmonë në Zot, por, s’ kam besuar  në mashtruesit që tallen me popullin në emër të Zotit! Pikërisht, të tillë janë dy përpiluesit e këtij reagimi, i cili në fakt nuk është gjë tjetër veçse një peticion publik i mbushur me mllef dhe hipokrizi.
Madje, për këtë çështje as nuk isha i njoftuar. Për këte “Peticion” më informoi bashkëfshatari ynë, Bashkim Arsllani, i cili kishte debatuar në faqen e Facebook-ut të xhamisë së fshatit.
Në  artikullin tim, unë i sqarova qartë qëndrimet dhe procedurat për çështjen e varrimit, duke marrë shembull rastin e babait tim të ndjerë. Ceremonia e varrimit u zhvillua, sikur të ishim në Arabi?!!! Të gjitha lutjet dhe ritualet tjera ishin në  gjuhën arabe!!! Ato, rituale ishin pa asnjë lidhje me traditën tonë as në interesin tonë kombëtar shqiptar.
E, pastaj, këta zotërinj marrin guximin moral që, mua të më quajnë anti-kombëtar?!!!
Qenkam anti-kombëtar dhe i pa fe, “për mëkatet” e mia, sepse nuk jam arab, pse desha që lutjet dhe ritualet për babain të ishin në gjuhën shqipe. Unë, nuk  e kuptoj arabishten, pse të dëgjoj lutje dhe rituale të tjera, në një gjuhë që s’e kuptoj? Apo, qenkam i pa fe, pse jam shqiptar dhe flas shqip, prandaj, ritualet e varrimit të babit tim, doja t’i kuptoja?!!!
Jam i bindur se publiku e di mirë kush jam. Më njohin shqiptarët, jo vetëm në katundin tim dhe në rrethinë, por më njohin nga të gjitha trojet shqiptare dhe nga mërgata, deri përtej të oqeanit. Për mua kanë shkruar me admirim të madh, mbi 50 intelektualë shqiptarë dhe më shumë se 10-të intelektualë dhe akademikë danezë. Kam botuar rreth 250 artikuj për vuajtjet e shqiptarëve në trojet tona etnike në Ilirik (Ballkan) dhe jam autor i nëntë librave publicistike.
Po citoj dy rreshta nga një shkrim i Prof. Dr. Hulusi Hakos, ish-rektor i Universitetit Bujqësor të Tiranës, i cili shkroi pa më njohur nga afër, vetëm kur në Bibliotekën e Tiranës e kishte lexuar librin tim: “Këto janë disa nga mesazhet e vëllait tonë, Xhemil Zeqiri, nëpërmjet librit ‘Kosova Jonë’. Mund t’i themi me pak fjalë: Hallall gjiri i nënës në Zhelinë të Tetovës!” Pra, fshatit tim ia kam ngritur emrin dhe nderin në Shqipërinë tonë dhe në mbarë globin.
-Nuk kërkoj që dikush të më mbrojë! Mua, më mbron veprimtaria ime atdhetare 44-vjeçare.
Kërkoj vetëm që e vërteta të thuhet, ashtu siç e meriton secili që ia ka kushtuar jetën kombit; dinjitetit dhe identitetit shqiptar.
Ndërsa, shpifjet, intrigat dhe trillimet, janë si flluska sapuni, ato do të shkrihen së shpejti, do të mbeten veçse, njolla turpi për dështakët…

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 08/02/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk