REAGIM PUBLIK – GJAKU DHE KUJTESA E LIRISË

30
Sep
2025
Shkruan: Rudi Berisha

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

I dashur luftëtar, ish-epror i UÇK-së, Salih Mustafa – “Cali”
Ne jemi në rrugën e lumturisë dhe nuk po kemi kohë t’ju përgjigjemi kërkesave dhe lutjeve tuaja. Ju po na luteni, por ne nuk po kemi kohë të merremi me ju, sepse na kanë mashtruar rrobat e zeza dhe xhipat e zinj.
Ne jemi duke u marrë me disa ura të mbetura gjysmake, me disa kocka trotuaresh të thyera dhe me disa hajna që përpiqen t’ua fshehin gjurmët e veprimeve të tyre.
Tani na duhet të mbrojmë një botë që duket e qetë, por që është mbushur me gënjeshtra, intrigë dhe indiferencë.
Ne nuk kemi kohë për ju… na fala a!
Ju që na sollët lirinë, nuk na duheni më, nuk ju duam më, sepse ne tash jemi “të mençur” dhe po udhëheqim, po udhëheqim me grusht në dorë e në zemër.
Ne po e gëzojmë lirinë, atë liri që për shumëkënd ka qenë ëndërr, por që u bë realitet nga pushka juaj, gjaku dhe sakrifica juaj.
Ne jemi mirë, jemi në liri dhe po i shijojmë rrezet dhe virtytet e lirisë, këtu në atdhe, me gra, fëmijë dhe familjen tonë.
Ah, sa e bukur është liria kur nuk e ke fituar duke u munduar e sakrifikuar për të! Kur ajo duket një dekor për ditët e diellit, por harron se çmimi i saj është gjaku dhe djersa e njerëzve të guximshëm.
Ne e kuptojmë se çka është liria, por nuk po e kuptojmë thelbin e saj.
Si erdhi liria? Si u bëmë të lirë? Çfarë tragjedish, dhimbjesh, plagësh, vdekjesh dhe dhunimesh kaloi populli shqiptar që ju të mund të merrni pjesë e të gëzoni lirinë?
Çdo rrugë që e shkelim, çdo hap që bëjmë në këtë tokë të lirë, është mbushur me kujtime të dhimbshme. Dhe megjithatë, shumëkush nuk e shikon këtë çmim të dhimbshëm, nuk e sheh sakrificën, nuk e njeh gjakun e derdhur për të mbajtur flamurin kuq e zi lart.
Por disa prej njerëzve, fatkeqësisht me kombësi shqiptare, janë kundër jush.
Ata nuk e durojnë guximin tuaj, nuk e durojnë drejtësinë që përfaqësoni. Ju ia keni prishur bashkim-vëllazërinë e gënjeshtërt, ju ia keni prishur kumarin me Serbinë.
Të tillë ka shumë, janë bërë shumë, janë në pozita dhe hapësira institucionale, në media, në kulturë dhe në çdo vend tjetër.
Janë bërë zëra sikur korbat që vjellin vrer përditë, kundër jush, kundër atyre që luftuan, kundër vashave dhe djemve, kundër luftëtarëve të UÇK-së.
Ata përdorin fjalë të mëdha për drejtësinë dhe ligjin, por i fshehin gjërat e vogla, të vërtetën e shpirtit të njerëzve dhe guximin e atyre që sakrifikuan.
Po këta njerëz të poshtër, si për çudi, shkojnë dhe i vizitojnë varret e dëshmorëve. Flasin për dëshmorë, mbajnë lule në dorë dhe i vendosin mbi varre. Por për ta, vetëm të vdekurit meritojnë nderim, ndërsa të gjallët meritojnë fyerje, përbuzje dhe burgosje.
Dhe për luftëtarin tonë, kjo padrejtësi ka arritur deri në burg, me akuza të rrejshme, të trilluar, duke harruar çdo gjurmë të sakrificës suaj të lavdishme. Ironia e jetës është se ata që nuk respektojnë jetën e gjallë, flasin për nderimin e të vdekurve, si të ishte një maskë e turpshme.
I dashur vëllai im, miku, luftëtari i UÇK-së, Cali,
Kërkojmë falje që jemi kaq larg për të qenë afër, por me shpirt dhe zemër jemi gjithmonë me ty. Jemi larg me trup, por kurrë me mendje e me shpirt. Jemi larg me kilometra, por afër me dashuri dhe nderim për atë që ke bërë.
Afër teje janë kujtimet e luftës, sakrifica jote dhe vlerat që na i solle, afër teje është mirënjohja jonë e pashuar, edhe pse shpesh e heshtur.
Ti je më shumë se një luftëtar, je simboli i krenarisë dhe i besnikërisë, i guximit dhe i vendosmërisë. Ti na mëson se kur nderohet një komb, nuk janë vetëm flamujt që valëviten, por kujtimet, gjaku dhe sakrifica e secilit që luftoi.
Ne që kemi në vena dhe në trup gjak shqiptar, prapë ti je kala e jonë, je simboli i madhështisë së shpirtit, i guximit dhe i vendosmërisë, qoftë në ditët e ftohta, me acar dhe në borën e përgjakur, qoftë në ditët me diell dhe me rreze lirie.
Liria që na erdhi falë gjakut të dëshmorëve dhe sakrificës suaj të lavdishme, ajo liri që na siguroi të flasim, të lëvizim, të shkruajmë dhe të mësojmë shqip, është fryma që na mban gjallë çdo ditë.
Çdo fjalë që thua, çdo kujtim që ngjall, çdo histori që tregon për betejat e luftëtarëve, është një dritë që ndriçon errësirën e indiferencës. Edhe kur hapat tanë janë të ndotur nga gënjeshtra, mashtrimet e pushtetit dhe harresa e njerëzve, ne ndjejmë praninë tënde me çdo frymëmarrje të mësimit të historisë.
Ti je kujtesa jonë e gjallë, ai që na tregon çmimin e vërtetë të lirisë, dhimbjen e saj dhe vlerën e çdo sakrifice. Dhe për këtë, edhe pse larg fizikisht, ne jemi gjithmonë me ty duke ruajtur krenarinë, nderin dhe shpirtin që ti na ke dhuruar me shembullin tënd.
Heroi im luftëtar, të mbajtur në burg padrejtësisht nuk mund të shlyejë asnjë gjurmë të lavdisë tënde. Në çdo ditë të lirisë, secili hap i bërë nga ne, secila fjalë shqip, secili kujtim për të rënë, është nderim për ty dhe për të gjithë ata që sakrifikuan.
Liria është e fituar me gjak, dhe ajo nuk mund të mohohet nga asnjë padrejtësi njerëzore.
Ne do të qëndrojmë gjithmonë pranë teje, me shpirt dhe zemër, duke mbajtur gjallë kujtesën e sakrificës dhe drejtësinë që meriton çdo heroi i këtij vendi.
Sepse heronjtë nuk mbahen prapa grilave të padrejtësisë, ata jetojnë në zemrat tona (në zemra të popullit), në kujtesën e çdo shqiptari që di të njohë dhe të nderojë lirinë e tij.
E di, e di luftëtar, që disa shokë të tut, disa të afërm dhe bashkëluftëtarë, tashmë e kanë harruar emrin tuaj, kurrë nuk të përmendin, por janë të zënë me ca biznese dhe interesa personale.
Janë duke u orvatur për ta ruajtur dhe mbrojtur atë që e kanë fituar jashtëligjshëm dhe me padrejtësi. Për atë nuk kanë kohë të kujtojnë dhe të merren me ju.
Është ironike, por tragjike: ata që dikur ndanë betejat me ju, tashmë ndajnë vetëm privilegje të fituara padrejtësisht.
Dhe ndërkohë, luftëtar, ju mbeteni i gjallë në kujtesën tonë, i paharruar, simbol i lavdisë dhe i drejtësisë që nuk mund të blihet me asnjë pasuri të ndërtuar mbi mashtrime.
Luftëtar, shpesh shumë nga ne numërojmë vetëm nga njishi deri në katër për ju që jeni në Hagë, por emrin tuaj, që ishte në radhë pas këtyre numrave, nuk e themi. Nuk e di, a me qëllim, a pa dashje, por është sikur të kemi hequr dorë nga ju, nga hija dhe trupi yt, nga ekzistenca jote fizike dhe shpirtërore.
Sikur jemi pajtuar me fatin dhe me padrejtësinë, sikur kemi pranuar heshtur që ju duhet t’i takoni burgut, që aty të rrini, i ndarë nga jeta, nga shokët, nga familja, nga rruga për të cilën sakrifikuat. Si një hero i heshtur që qëndron në errësirën e qelive, ndërsa disa këtu, me gojën plot, ju quajnë “kriminel” dhe fshihen pas fjalëve dhe posteve.
Por luftëtar, ne e dimë se e vërteta nuk rri kurrë e fshehur përgjithmonë. Ne e dimë se ju nuk jeni aty për fajin tuaj, por për turpin tonë. Turpin e një shoqërie që harron ata që i dhanë gjakun e tyre dhe u munduan t’i nxjerrin nga errësira. Turpin e atyre që ndërtojnë kulla mbi harresën e sakrificës së tjetrit.
Ne që e ndjejmë këtë, kemi ende zë për të folur. Kemi ende zemër për t’ju kujtuar. Sepse ju nuk jeni numër në një listë, nuk jeni hijë që duhet harruar, por jeni mishërimi i asaj që kjo tokë e quajti liri.
Edhe nëse institucionet nuk i përgjigjen kërkesës që shkon deri në lutje, mos harro luftëtar, që ne jemi këtu. Një shtresë njerëzish të varfër, por me shpirt dhe zemër, që jemi me ju. Ne nuk kemi poste, nuk kemi pasuri, nuk kemi fuqi politike, por kemi kujtesën, nderin dhe zemrën që nuk blihet.
Ne ju kujtojmë dhe do t’ju nderojmë përjetësisht sa të jemi gjallë, sepse ju jeni kalorësi i ditëve të vështira dhe të rënda, dhe heroi i ditëve tona të sotme. Ju na dhatë dritën e lirisë, edhe kur ajo dukej si një rreze e zbehtë në horizontin e errësirës. Ju qëndruat nëpër furtuna, kur shumë të tjerë u tërhoqën. Ju mbajtët gjallë shpresën, kur ne s’kishim as bukë, as armë, as fjalë.
Prandaj, edhe kur ju lënë vetëm, edhe kur institucionet heshtin, edhe kur mediat fshihen pas zhurmës së tyre, ne – njerëzit e thjeshtë, jemi këtu, me kujtimet tona, me dashurinë tonë, me respektin tonë të pashuar.
Sepse heronjtë nuk maten me aktet e padrejtësisë që iu bëhen, por me dashurinë që mbetet në zemrat e popullit. Dhe kjo dashuri për ju, komandant, nuk do të shuhet.
E kush më mirë se unë i kupton dhimbjet e luftës? Kush më mirë se unë e ndien se çfarë është padrejtësia e asaj kohe?
Nga familja ime kemi njerëz të zhdukur, kemi njerëz të vrarë dhe invalidë, plagë që ende nuk janë mbyllur.
E kush më mirë se unë e di ç’është dhimbja, kur në ditët e rënda të 1 shtatorit të vitit 1996, pata një aksident të rëndë, me shumë dhimbje koke, e rashë në komë mbi dhjetë orë.
Veç pse isha djalë shqiptari, më larguan ashtu pa vetëdije nga spitali i Prishtinës, dhe atje – në mesin e tyre – serbët thanë: “Le të vdes ky shqiptari”.
Këto nuk janë thjesht kujtime, por plagë të gjalla që nuk shërohen as me kohë, as me heshtje. Këto janë dëshmi që liria nuk erdhi me fjalë, as me favore, por me gjak, dhimbje dhe sakrifica njerëzish të gjallë, që ende sot mbajnë mbi vete pasojat e asaj kohe. E pikërisht për këtë, luftëtar, dhimbja ime më bën edhe më afër teje. Dhimbja ime më detyron të mos hesht, të mos bëhem pjesë e harresës.
Dhimbja ime më thotë se nuk ka drejtësi pa kujtesë, nuk ka liri pa nderim të atyre që sakrifikuan, nuk ka paqe të vërtetë pa e thënë të vërtetën.
Prandaj e shkruaj këtë letër jo vetëm si nderim për ty, por edhe si zë për të gjithë ata që u harruan padrejtësisht, që u flijuan dhe u sakrifikuan, por ende quhen “kriminelë” nga ata që sot janë të fuqishëm.
Luftëtar, edhe nëse ne, njerëzit e gjallë, të harrojmë, ty kurrë dhéu i kësaj toke nuk do të harrojë.
Luftëtar, e di që ti na fal, se ne po jetojmë në liri, lirinë që e fitove me mund, me plagë, me gjak, por sot nuk po kemi kohë të merremi me ty. Kemi hyrë në rrugë për “zhvillim të vendit”, për projekte dhe punë të mëdha, por nuk po zhvillojmë kujtesën tonë historike. Nuk po ia pasojmë brezave të rinj atë kujtesë që është gjaku i kësaj toke, rrënja e kësaj lirie.
Ende u mësojmë fëmijëve në Abetare për Pulat e Petritit, për gjëra të vogla e të padëmshme, por harrojmë t’u flasim për ty, për shokët e tu, për ata që dhanë gjithçka që sot ne të kemi Alfabet e Shkolla, Libra e Rrugë.
Harrojmë e shkelim mbi gjakun e dëshmorëve, e lëmë në mëshirë të fatit Kullat e Jasharajve, e lëmë Kullën e Zahir Pajazitit vetëm si gurë të ftohtë, pa asnjë gjurmë brenda historike, pa asnjë frymë të sakrificës që bëri ajo shtëpi, ajo tokë, ajo familje.
Ky nuk është vetëm turpi ynë, por është edhe rreziku ynë: kur një popull e humb kujtesën, e humb edhe rrugën; kur një komb nuk nderon sakrificën, humb të ardhmen, kur një brez nuk di ç’ka ndodhur me fatin e tij, bëhet lehtë rob i padrejtësive të reja.
Luftëtar, ky është borxhi ynë ndaj teje dhe shokëve të tu: ta mos e lëmë të shuhet kujtesa, ta kthejmë historinë në frymë, jo vetëm në gurë. Sepse gurët e ftohtë nuk flasin, por brezat e gjallë mund të flasin, mund të mësojnë dhe mund të nderojnë.
O populli im i dashur, o rini e nderuar, dëgjoni këto fjalë:
Nëse nuk nderojmë kujtesën tonë historike, nëse nuk nderojmë heronjtë tanë, atëherë ne do të mbesim të varfër, të varfër në shpirt, të varfër në dinjitet dhe të varfër në frymë.
Siç tha edhe Adem Jashari: “Ndoshta liria do të vijë me bisedime, por Kosovës i mungojnë dëshmorët.”
Kjo nuk është vetëm një kujtesë për të kaluarën, por një thirrje për të ardhmen. Brezat e rinj duhet të mësojnë, të kujtojnë dhe të nderojnë, sepse vetëm kështu mund të mbajnë gjallë frymën e lirisë dhe të drejtësisë. Pa kujtesë dhe pa nderim, çdo liri bëhet bosh dhe çdo fitore harrohet.
Prandaj, o populli im, o rini e dashur, mos lejoni që gjaku i dëshmorëve të harrohet, mos lejoni që heronjtë tanë të bëhen hijet e të shkuarës. Mbani gjallë kujtesën, mbani gjallë krenarinë, dhe në çdo hap që hidhni, mos harroni sakrificën që e solli këtë liri.
Luftëtar, kjo është për ju, për ne dhe për çdo shqiptar që di të njohë dhe të nderojë historinë e vet.
–––––––––––––––––––––––––––––––––––––––––––
Me nderim dhe mirënjohje,
poeti, shkrimtari dhe publicisti i vogël në këtë botë të madhe,
Rudi BERISHA
Drejtor i Shtëpisë Botuese “Dardania” – Podujevë

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 30/09/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk