Replikë shoqërore me z. Ali Ahmeti Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.

06
Nov
2023
Shkruan: Gjon BRUÇI

Replikë shoqërore me z. Ali Ahmeti
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim.
——————————————-
Ali Ahmeti:
Nisëm ta bëjmë Maqedoninë Shqipëri,
por ndryshuam rrugës
05/11/2023 18:12
Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti nuk e fsheh se qëllimi i veprimtarisë së tij dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, ishte bashkimi i trojeve shqiptare në Maqedoninë e Veriut me Shqipërinë.
Por sipas tij, ky objektiv ndryshoi rrugës dhe më pas ata zgjodhën që përpara nacionalizmit dhe fanatizmit të zgjedhin pragmatizmin dhe që shqiptarët të jene popull shtetformues edhe në Maqedoninë e Veriut.
“Kur e kemi filluar veprimtarinë, e kemi filluar për ta bërë Shqipëri, por politikat ndryshuan dhe ne zgjodhëm pragmatizmin dhe jo fanatizmin. Ne zgjodhëm që shqiptarët në Maqedoni të jenë shtetformues, të jenë zot e ti dalin zot vetes në vendin e vet dhe ky flamur sot është zyrtar dhe i paprekshëm. Këtu është gjaku i qindrave ushtarëve, patriotëve dhe shqiptarëve. Gjuha shqipe është zyrtare dhe e paprekshme.”
Sipas tij, tani nuk është më e nevojshme që të ndryshohen kufijtë dhe se bashkimi i shqiptarëve do të bëhet nën flamurin e Bashkimit Europian.
“Ne kufijtë do t’i heqim siç i ka hequr Evropa. Sepse borxh kërrkujt nuk i kemi, që ne të rrimë të izoluar dhe të strukur. Ne të ardhmen e kemi në Evropë. Shqiptarët i heqin kufijtë me anëtarësimin e tyre në Evropë, ashtu siç jemi ne NATO bashkë me Shqipërinë dhe nesër me Kosovën. Për mua nuk është arritje e madhe se do të bëhet kufiri njëkahësh, për mua arritja më e madhe është kufijtë të hiqen, sepse rënia e kufijve është ardhmëria e popujve dhe liria e popujve.”
(Këto komente, Ali Ahmeti, i bëri në Kompleksin Memorial në fshatin Sopot, ku u përkujtua masakra e vitit 1944).
——————————————————-
Nga: Gjon BRUÇI
DISA ARGUMENTE HISTORIKE
PËR BASHKIMIN KOMBËTAR!
Kurrë ndonjëherë gjatë historisë shumshekullore të popullit shqiptar, çështja e tij kombëtare nuk ka qenë sa sot, kaq afër zgjidhjes së plotë dhe në të njëjtën kohë edhe kaq në zgrip për t’u gremisur përgjithmonë në humnerë. Falë rrethanave historike, të cilave edhe vetë shqiptarët u erdhën në ndihmë, për herë të parë shanset ishin dhe janë në krahun tonë. Por në paradoks të kësaj, vetë ne shqiptarët këto shanse nuk po i administrojmë si duhet.
Çlirimi i Kosovës në vitin 1999 ishte sinjali i parë dhe tepër i qartë se, çështja jonë kombëtare hyri në rrugën e zgjidhjes së plotë. Këtë ngjarje të madhe historike, produkt i përpjekjeve të shumë brezave për gjatë një shekulli, duhej festuar, dhe ne e festuam. Madje me një dasëm të madhe, të ngjashme me dasmat Iliro-Dardane. Por të nesërmen e “Dasmës së fitores”, në vend që t’i përvisheshim punës për ta çuar atë gjer në fund, siç synonin Rilindasit tanë, ne ramë në rutinën e zakonshme e në pritje se “çdo na sjellë moti”. Rreth tetë vite na u deshën të realizonim atë që duhej të shpallnim në ditën e fitores. Ishin përsëri “rrethanat”, që mundësuan Republikën e Kosovës, dhe ne sigurisht “i ndihëm ato”. Po vallë, a nuk do të tentojmë të dalim nga roli i “ndihmësit”? Nga ana tjetër, vetëm deri tek një Republikë tjetër e shqiptarëve ishte amaneti i Rilindasve tanë? Po bashkimi Kombëtar?!
Dy janë rrugët e mundshme, të cilat thuhet se na çojnë drejt bashkimit kombëtar: Njëra nëpërmjet integrimit institucional në BE, ku mund të “takohen” e të “bashkohen“ të gjithë shqiptarët, dhe e dyta: Integrimi fillimisht mes veti (mes shqiptarëve), e mandej integrimi në BE. Rrugën e parë e përkrahin politikanët dhe pushtetarët e dy Republikave Shqiptare, por edhe qytetarë të painformuar për rreziqet e mundshme të kësaj rruge. Ndërsa rrugën e dytë e përkrah shumica e shqiptarëve dhe “Amaneti” i Rilindasve dhe Luftëtarëve tanë për Liri e Pavarësi.
Aktualisht Shqipëria po ecën drejt integrimit në BE. Edhe Kosova, e ka drejtimin për në Bruksel. Në të njëjtën linjë janë dhe shqiptarët në Maqedoni, Mal të Zi, Preshevë e gjetkë me shtetet ku inkuadrohen. Sipas kësaj skeme, shqiptarët do të udhëtojnë drejt Brukselit, jo me një “autobus” të përbashkët, por sejcili me “kerrin” e vet, siç thonë kosovarët. “E çë pastaj?, – do të thoshte politikani shqiptar i karierës, – rëndësi ka të hyjmë në BE”. Pas kësaj, – do të vijojë ai, – plagët tona qindra vjeçare do të mbyllen përgjithmonë “!
Ky konkluzion është sa naiv, aq dhe djallëzor. Është naiv për ata politikanë, të cilët nuk shohin e nuk vlerësojnë një situatë që shkon tej hundës së tyre; por edhe djallëzor për rrufjanët politikë, që i kanë lidhur “Atllarët” në Bruksel (apo dhe gjetkë), dhe nëse gjenden ende midis nesh, janë vetëm për të plotësuar “detyrat e shtëpisë” që u japin padronët, me të cilët mund të kenë edhe ndonjë “lidhje të shkurtër”.
Hyrja të coptuar e sejcilit me “kerrin” vet në BE, nuk do t’i mbyllë plagët tona shekullore, por vetëm do t’i mbulojë ato me një kore të hollë, e cila, në tronditjen më të parë do të plasaritet e do të kullojë gjak. A nuk luftuan të parët tanë për rreth njëqind vjet kundër romakëve për mbrojtjen e Ilirisë? Pasi u mundën, ilirët u detyruan të integrohen në perandorinë romake, dhe falë vitalitetit të tyre, arritën dhe qendrën e saj me Konsuj e Perandorë. Por kur Perandoria Romake ra, ndërsa qendra (Roma) mbijetoi, Iliria jonë u coptua. A nuk luftuan për njëçerek shekulli Arbërit nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit kundër Perandorisë Osmane; pastaj kur vdiq Kryetrimi e vendi u pushtua, arbërit u integruan duke arritur t’i jepnin perandorisë në fjalë, jo pak por rreth tridhjetë Vezirë (Kryeministra) dhe dhjetra gjeneralë të përmendur? Por edhe perandoria Osmane, si çdo perandori tjetër e plotësoi ciklin e saj dhe u përmbys, duke ruajtur qendrën e duke shitur anët (shqiptarët), të cilët, të ndarë në katër Vilajete, u bënë plaçkë lufte për ndërluftuesit e Luftës Ballkanike e asaj Europiane. Dhe sot pas një shekulli nga gremisja e perandorisë osmane, shqiptarët ende nuk kanë mundur të rreshtohen krahas popujve europianë në rrugën e zhvillimit, paçka se nga raca dhe vitaliteti janë në radhët e para të europianëve, e ndoshta paraardhësit e tyre origjinalë.
BE, pavarësisht pelerinës së saj blu, me yje të bardhë, që ke hedhur përsipër, është një perandori si somotrat. Si çdo perandori ajo ka një fillim, por do të ketë edhe një sosje.. Kjo “sosje” do të vijë shumë më shpejt se në rastin e perandorive të mëparshme, sepse në kohët moderne ndryshimet vijnë rrufeshëm. Madje “sosja” e saj ka nisur. Sinjalin e parë e dha para do vitesh Mbretëria e Bashkuar. Duke parashikuar këtë rrezik jo të largët, pse të mos punojmë për integrimin mes vetit, dhe pasi të konsolidohemi si komb e si shtet, të “mësyjmë” drejt BE. Nëse nuk realizojmë këtë “integrim mes vetit”, shëmbja e pashmangshme e “Perandorisë Europiane” do të na gjejë të pakonsoliduar si komb, duke përsëritur skemat e shekujve të kaluar. Se kur shembet “Kasollja” e përbashkët, sejcili komb do të rrëmbejë sa më shumë “inerte” të kasolles së madhe për të ndërtuar kaliben e tij. Në këtë “luftë”, shqiptarët që janë në pakicë dhe jo të unifikuar, do të mbeten në diell të hapur, duke e nisur nga e para si Sizifi me gurin e tij të famshëm.
Por edhe në pozicionin e pragmatistit, shqiptari i vërtetë nuk mund të pajtohet me hyrjen “sa më shpejt” e me çdo kusht në BE. Situatat gjeostrategjike mund të diktojnë hyrjen para kohe (para plotësimit të standardeve) të Shqipërisë e të Kosovës në BE. A nuk hymë në NATO për këtë arsye? Dhe ndonëse kemi plot 14 vjet në këtë organizatë Politiko – Ushtarake, vendi ynë ende nuk ka ushtri të tij. Në këtë rast Shqipëria dhe shqiptarët do të hynin në BE pa emër e pa dinjitet të tyre, dhe do të detyroheshin të uleshin në karriken e fundit të sallës së madhe Europiane, aty pranë derës, të destinuar që pas çdo mbledhje, të përlajnë fshesën për të pastruar sallën dhe koridoret e saj. Ky lloj integrimi në BE dhe në “Globalizmin” e sotëm, na çon me siguri, jo drejt bashkimit e unifikimit si shqiptarë, por drejt asimilimit si komb.
Populli shqiptar, në momentet vendimtare ka realizuar me vetmohim misionin e tij historik. Por, midis momenteve madhore, populli delegon përfaqësuesit e tij, të cilët marrin përsipër drejtimin e punëve për konsolidimin e fitoreve të arritura. Këta të deleguar, në të gjitha rastet janë elita e inteligjencës së kombit. Në inteligjencë (njerëz me shkollë) futen edhe politikanët e pushtetarët, por për fatin tonë të keq, kjo inteligjencë politiko-shtetare në këta tridhjetë vitet e fundit është gjendur jashtë “kuadratit” të çështjes kombëtare. Në vend të idealit kombëtar, kjo skotë politikanësh aktualë, kanë sindromën e pushtetit. Dhe këtë e vertetojnë çdo ditë, me fjalë e më vepra. Ndaj është vendi dhe koha t’u drejtohemi intelektualëve të vërtetë të popullit shqiptar. Dhe të tillë Shqipëria ka me qindra e me mijëra, të të gjitha fushave, por që janë mënjanuar e injoruar nga politika dhe inteligjenca e rrugës. Është momenti që intelektualët e vërtetë dhe me reputacion e influencë në popull, të lënë mënjanë prononcimet, intervistat, deklaratat patetike nga larg; të lënë mënjanë përpjekjet për suksese individuale, të lënë mënjanë përkohësisht edhe profilin e tyre të krijimtarisë, për t’iu përkushtuar pa rezerva interesit të Kombit. intelektualët tanë, duhet ta vlerësojnë dhe t’i përgjigjen situatës që kalon vendi ynë dhe çështja jonë kombëtare, e cila do të quhet e zgjidhur vetëm me bashkimin e të gjitha trojeve dhe popullsisë etnike shqiptare.
Në mendjen e zemrën e çdo shqiptari, tej e matanë kufirit tashmë formal, duhet të ngulitet ideja dhe aksioni konkret për “NJë KOMB, NJë SHTET” – ëndrra e Rilindasve tanë, tashmë plotësisht e realizueshme. Vetëm në këtë rrugë do të arrihet edhe integrimi dhe unifikimi i shpejtë i kombit tonë, domosdoshmëri për të hyrë me dinjitet në familjen e madhe europiane. Dhe këtë, siç duken punët, nuk do ta bëjnë politikanët liliputë e të shitur, por duhet dhe do ta bëjnë intelektualët e vërtetë të kombit shqiptar.
Koha punon për ne! Ta administrojmë atë si duhet!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 06/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk