1. Çfarë po ndodh ?
Irani po përjeton një nga valët më të gjera dhe më të ashpra të protestave shoqërore dhe politike të dekadave të fundit. Që prej fundit të dhjetorit 2025, demonstratat janë përhapur në dhjetëra qytete dhe provinca të vendit, duke përfshirë qendra urbane, rajone periferike dhe zona tradicionalisht të konsideruara si bastione të regjimit. Ajo që nisi si revoltë kundër përkeqësimit të kushteve ekonomike, inflacionit dhe rënies së monedhës, është shndërruar shpejt në një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj strukturës së pushtetit të Republikës Islamike. Përgjigjja e autoriteteve iraniane ka qenë e shpejtë dhe e ashpër. Forcat e sigurisë, përfshirë strukturat e Gardës Revolucionare dhe milicitë Basij, kanë përdorur mjete represive në shkallë të gjerë për të shtypur demonstratat: armë zjarri, arrestime masive, ndërprerje të internetit dhe ndjekje penale të protestuesve, gazetarëve dhe aktivistëve civilë.
Raportimet nga mediat prestigjioze ndërkombëtare dhe organizatat e të drejtave të njeriut flasin për qindra deri në mijëra viktima, mijëra të plagosur dhe dhjetëra mijëra të arrestuar, ndërsa qeveria iraniane vazhdon të mohojë ose minimizojë përmasat reale të dhunës. Këto zhvillime nuk përfaqësojnë thjesht një krizë të brendshme, por pasqyrojnë një përplasje më të thellë midis shoqërisë iraniane dhe një sistemi politik të ndërtuar mbi kontrollin ideologjik, autoritetin fetar dhe aparatin e sigurisë. Protestat dhe represioni që po i shoqëron ato e vendosin Iranin në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke ngritur pyetje thelbësore mbi stabilitetin e regjimit, të ardhmen e të drejtave të njeriut dhe rrezikun e një përshkallëzimi të brendshëm dhe rajonal.
2. Demostratat në Iran: [vrasjet-plagosjet-arrestimet]
Nuk ka një numër total zyrtar “sa protestues gjithsej” në nivel kombëtar. Mediat dhe institucionet serioze zakonisht raportojnë shtrirjen (qytete/provinca) dhe intensitetin ditor, jo një shifër unike pjesëmarrësish. Shtrirja e protestave (si tregues i pjesëmarrjes): AP (explainer, javën e kaluar) raportoi se aktivistët flasin për protesta në mbi 220 lokacione në 26 provinca.¹ CTP-ISW (Iran Update) regjistroi një kulm me 156 protesta në 27 provinca më 8 janar, pastaj rënie në 14 protesta në 6 provinca më 12 janar (që tregon ritëm të luhatshëm, jo domosdoshmërisht fund të lëvizjes).² Disa raportime mediatike (duke iu referuar HRANA-s) flasin për përhapje në 185 qytete në të gjitha 31 provincat.³ Pjesëmarrja llogaritet si dhjetëra mijëra deri qindra mijëra në ditët kulmore, por pa “numër kombëtar” të certifikuar-sepse ka bllokime interneti, represion dhe mungesë verifikimi të pavarur në terren.², ⁴ Të vrarë (deaths): Vlerësimi më i lartë i cituar gjerësisht nga media perëndimore (HRANA / AP): mbi 2 000 të vdekur që nga 28 dhjetor 2025, me ndarje të raportuar nga HRANA (p.sh. rreth 1 850 protestues, 135 të lidhur me qeverinë, dhe 9 fëmijë).⁵ Vlerësimi i kujdesshëm ndërkombëtar (OKB/UN Human Rights, përmes Reuters): “qindra” të vrarë; raporte nga grupe të të drejtave sugjerojnë mbi 500, ndërsa një zyrtar iranian ka përmendur rreth 2 000.⁶ Ka disa qindra deri mbi 2 000, në varësi të burimit dhe metodës së numërimit.⁵ ⁶ Të plagosur (injured): Nuk ka total kombëtar të verifikuar. Por ka tregues të fortë për shkallë masive plagosjesh: The Guardian raportoi se një spital në Teheran ka parë mbi 400 dëmtime në sy nga armë zjarri (tregues i përdorimit të force të rëndë dhe i numrit të lartë të të plagosurve, të paktën në një qendër).⁴ Të plagosurit janë të paktën qindra dhe me gjasë mijëra, por pa shifër të unifikuar të verifikuar.⁴ ⁶ Të arrestuar (detained/arrested): HRANA (cituar nga Reuters dhe AP) raporton rreth 16 700-16 800 të ndaluar/arrestuar.⁵ ⁷ OKB paralajmëron për rrezik përdorimi të dënimit me vdekje ndaj mijëra të ndaluarve dhe kërkon ndaljen e “ciklit të dhunës”.⁶ ⁸ Burime të ndryshme japin shifren e protestave në 26 provinca (AP),¹ 27 provinca në ditë kulmore (CTP-ISW),² dhe raportime të tjera që pretendojnë 31 provinca (përhapje kombëtare).³
3. Irani është sërish në pikë kthese.
Që nga fundi i dhjetorit 2025 Irani ka hyrë në një valë protestash të gjera që nisën nga kriza ekonomike (rënia e monedhës, çmime, papunësi, “rrënim i jetesës”) dhe shumë shpejt morën karakter politik: thirrje kundër elitës qeverisëse dhe vetë institucionit të Republikës Islamike. Raportimet e mediave ndërkombëtare dhe vlerësimet e organizatave të të drejtave të njeriut flasin për një përshkallëzim të fortë të dhunës, një shtim të viktimave dhe një ndërprerje/limitim të rëndë të internetit e komunikimeve-një skemë e njohur e menaxhimit të krizës nga Teherani.¹ ² ³Në të njëjtën kohë, Irani mbetet nyje e krizave rajonale (rrjetet e aleatëve/prokurave-“axis of resistance”), si dhe një dosje e ndezur bërthamore me monitorim të tensionuar nga IAEA dhe vlerësime të kujdesshme nga shërbimet/inteligjenca perëndimore.⁴ ⁵ ⁶
4. Situata (fundi 2025 – Janar 2026)
Kanë shperthyer protesta masive dhe zhvendosje e bazës shoqërore. Një element domethënës i kësaj vale është përfshirja e grupeve që historikisht kanë qenë pjesë e “bllokut shoqëror” që e mbështeti revolucionin e islamik në 1979-ës-p.sh. tregtarë të pazarit (bazaar), të cilët sipas raportimeve kanë dalë hapur kundër establishmentit klerikal tani të shtyrë nga humbje ekonomike, pasiguria e çmimeve dhe perceptimi se ekonomia po kontrollohet gjithnjë e më shumë nga aparati i sigurisë/IRGC.¹
Çfarë është IRGC? Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC, në persisht Sepāh-e Pāsdārān-e Enqelāb-e Eslāmi) është Korpusi i Gardës Revolucionare Islamike të Iranit, një forcë ushtarake-politike-ekonomike e krijuar pas Revolucionit Islamik të vitit 1979 për të mbrojtur regjimin islamik, jo thjesht shtetin iranian. IRGC Themeluar në 1979, me urdhër të Ajatollah Ruhollah Khomeinit. Dhe ka si Misioni bazë ruajtjen e Revolucionit Islamik, mbrojtja e velāyat-e faqīh (kujdestaria e juristit) dhe neutralizimi i kundërshtarëve të brendshëm e të jashtëm.
5. Struktura e IRGC [e Korpusit të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit]
Struktura kryesore e IRGC është paralel me ushtrinë e rregullt iraniane (Artesh), por me rol politik më të fortë: ka strukture Forcat Tokësore, Ajrore & Detare (veçanërisht aktive në Gjirin Persik). Forcën Quds për operacione jashtë Iranit, lidhje me aleatë me prokurë rajonalë. Basij – milici masive për kontroll të brendshëm, ndaj protestave, dhe çdo mobilizimi shoqëror. Aparat inteligjence dhe kibernetike, për survejim, kundër-opozitë, dhe operacione informative. IRGC ka dhe fuqia ekonomike. Ai kontrollon dhe ndikon ndikon: energjinë, ndërtimin, transportin, telekomunikacionet; rrjete import-eksporti dhe kompani “gjysmë-shtetërore”.Kjo i jep peshë financiare dhe e lidh drejtpërdrejt stabilitetin ekonomik me interesat e tij. IRGC ka roli politik dhe shoqëror dhe ka: Ndikim i madh në vendimmarrje, zgjedhje, media dhe drejtësi. Është instrument kyç në shtypjen e protestave dhe menaxhimin e krizave të brendshme dhe është garanti praktik i mbijetesës së regjimit.
6. Statusi ndërkombëtar i IRGC [Garda Revolucionare Islamike të Iranit]
SHBA (2019): e shpalli IRGC organizatë terroriste. BE & të tjerë i kanë venë sanksione të gjera ndaj individëve dhe njësive të lidhura me to. Akuzohet për operacione rajonale, sulme asimetrike dhe mbështetje të grupeve aleate. Pse IRGC është thelbësor për të kuptuar Iranin sot? Sepse IRGC nuk është vetëm ushtri: është shtylla e pushtetit, nyja që lidh sigurinë, politikën dhe ekonominë. Çdo krizë e madhe në Iran—protesta, sanksione, përshkallëzim rajonal kalon domosdoshmërisht përmes IRGC. Pra e thënë shkurt, IRGC është shteti brenda shtetit në Iran-forca që mbron ideologjinë, kontrollon levat kryesore të pushtetit dhe projekton ndikim brenda e jashtë vendit.
7. Shkaqet strukturore që kanë ndikur protestat
Raportimet theksojnë se ka prani masive të forcave të sigurisë, arrestime, përdorim force vdekjeprurëse, ndërprerje interneti dhe retorikë zyrtare që e paraqet lëvizjen si të nxitur nga “armiq të jashtëm”.²,³ Ky kombinim (represion + izolim informativ + kriminalizim) është tipik për mënyrën se si Republika Islamike ka tentuar të “shkallmojë” ciklet e protestave edhe në episode të mëparshme (2009, 2019, 2022).⁷ Shkaku i menjëhershëm i shperthimt të demostratave ishte goditja ndaj mjeteve të jetesës dhe ndryshimi dhe goditja e kursit të monedhës, e përkthyer në një krizë “të së përditshmes”.¹,³ Shkaqet strukturore që kanë ndikur jane: sanksione afatgjata, keqmenaxhim, korrupsion i perceptuar, dhe një ekonomi ku roli i aparatit të sigurisë (IRGC) në sektorë kyç dhe në rrjete të të ardhurave (përfshirë energjinë dhe eksportet) shihet si janë rritur ndjeshëm.¹ ⁸ ⁹
Para 1979: monarkia, modernizimi autoritar dhe “hija” e 1953-shit. Viti 1953 sherbau nyje historike për qasjen politike iraniane që ishte rrëzimi i Kryeministrit Mohammad Mosaddegh dhe rikthimi dhe forcimi i Shahut, me ndihmen e ShBA dhe Britanisë sipas burimeve të njohura historike.¹⁰ Kjo ngjarje u bë “mit themelues” i mosbesimit ndaj Perëndimit dhe argument i brendshëm për domosdoshmërinë e një shteti sigurie.¹¹
Në dekadat pasuese, Shah Mohammad Reza Pahlavi realizoj një projekt modernizimi “të qenderzuar” (bëri reforma ekonomike dhe shoqërore), por këto masa u shoqëruan me autoritarizëm, polarizim shoqëror dhe represion politik, çka krijoi një koalicion të gjerë kundërshtarësh.¹²,¹³ ( Por shoqëria që lulezoj ishte në dukje me standarte perendimore nga kultura dhe menyra e Konceptimit të perditshem të jetes.
Në vitin 1978-79 u bë Revolucioni dhe rrëzimi i monarkisë dhe lindja e Republikës Islamike. Sipas përmbledhjeve standarde historike, revolucioni ishte një kryengritje popullore e gjerë që rrëzoi dinastinë Pahlavi dhe solli një rend të ri, të udhëhequr nga Ajatollah Ruhollah Khomeini.
Shkaqet kryesore ishin autokracia, ndërhyrja e huaj e perceptuar, vështirësitë ekonomike dhe represion sociopolitik.¹²,¹⁴ Në thelb të rendit të ri qëndroi koncepti i velāyate faqīh (kujdestaria e juristit), i artikuluar nga Khomeini dhe i institucionalizuar si bazë e pushtetit të Udhëheqësit Suprem.¹⁴ ⁷
8. Velayat-e Faqih është doktrina politike-teologjike
Velayat-e Faqih është doktrina politike-teologjike mbi të cilën bazohet shteti iranian pas vitit 1979. Ajo thotë se, në mungesë të Imamit të fshehur, pushteti suprem duhet t’i takojë një juristi islam (faqīh) që garanton zbatimin e ligjit fetar dhe mbrojtjen e rendit islam. Sipas një shpjegim të thjeshtë: Populli voton, qeveria administron, por një klerik i lartë (Udhëheqësi Suprem) ka fjalën e fundit mbi gjithçka që prek “interesin e Islamit dhe të shtetit”. Pra, demokraci e kufizuar nga autoriteti fetar. Në praktikë udhëheqësi Suprem (faqīh): emëron krerët e ushtrisë, IRGC, drejtësisë, medias shtetërore; ka veto politike përmes institucioneve mbikëqyrëse; përcakton drejtimin strategjik të vendit. Institucionet e zgjedhura (presidenti, parlamenti) veprojnë brenda kornizës së miratuar prej tij.
Ky institucion u krijua: Për të shmangur “kaosin laik” pas revolucionit. Për të siguruar që shteti të mos largohet nga parimet islame. Si reagim ndaj ndërhyrjeve të huaja dhe përvojës së monarkisë autoritare. Përkrahësit thonë se garanton stabilitet dhe identitet islam. Kritikët thonë se përqendron pushtetin, kufizon demokracinë dhe liritë civile. Edhe brenda klerit shiit ka pasur kundërshtime ndaj këtij interpretimi. Pra nëse bëjmë një krahasim kemi: Demokraci klasike-sovraniteti = populli. Velāyat-e faqīh: sovraniteti = ligji hyjnor, i interpretuar nga një jurist. Pra, Velāyat-e faqīh do të thotë që pushteti më i lartë në Iran i takon një kleriku-jurist, i cili mbikëqyr shtetin dhe politikën për të ruajtur rendin islam, edhe mbi vullnetin elektoral kur e sheh të nevojshme.
Pasi revolucioni islamik fitoj 1979,u krujia shteti i sigurisë, [IRGC] për të menagjuar ciklet e krizës (luftë, sanksione, problemet bërthamore). IRGC u krijua si garant i rendit të ri dhe me kohë u shndërrua në një aktor kyç jo vetëm ushtarak, por edhe politik-ekonomik.¹⁵ ⁹ Kjo arkitekturë e pushtetit (institucione të zgjedhura + institucione të emëruara/mbikëqyrëse + aparati i sigurisë) e bën sistemin rezistent ndaj trysnisë, por edhe prodhues tensioni të vazhdueshëm legjitimiteti sa herë kriza ekonomike ose represioni rritet.⁷ Institucionet strategjike dhe inteligjencës perendimore bejnë Vlerësimet e tyre.
Përfundimëte përmbledhura të inteligjencës amerikane (p.sh. Annual Threat Assessment 2025) e trajtojnë Iranin si aktor që kombinon instrumente konvencionale, asimetrike dhe rrjete partnerësh rajonalë, me rrezik të vazhdueshëm për interesat e ShBA dhe aleatëve.⁶ ¹⁶ Po ashtu, dëshmi/raporte të DIA-s,(DIA është syri dhe truri i inteligjencës ushtarake të SHBA-së.) theksojnë se dinamika e goditjeve dhe kërcënimeve direkte mund ta shtyjë Iranin drejt qasjeve më proaktive për parandalim dhe demonstrim force.⁵
9. Probelemet me pasurimin e Uraniumit 60%
IAEA (International Atomic Energy Agency (IAEA) është Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, organ i OKB-së që mbikëqyr përdorimin paqësor të energjisë bërthamore) : ka raportuar në 2025 mbi prodhimin/stokun e uraniumit të pasuruar deri në 60% dhe mbi sfidat e verifikimit/monitorimit, në një mjedis të tensionuar.⁴ ¹⁷ Këto të dhëna janë themeli mbi të cilin institute të specializuara bëjnë llogaritje të “kohës teknike” dhe potencialit, megjithëse interpretimet ndryshojnë dhe varen nga skenarët e mëtejshëm të pasurimit dhe nga infrastruktura.¹⁸Një dimension i ri që futet në analizat e 2026-ës është fakti se në 2025 janë raportuar goditje ndaj programit bërthamor iranian dhe pasoja politike/ekonomike (përfshirë sanksione) në disa vlerësime perëndimore.¹⁹,²⁰
10. Goditjet ndaj programit bërthamor iranian në 2025?
Nuk ka një pranim zyrtar publik, por analizat perëndimore (IISS, institute strategjike dhe media prestigjioze) janë pothuajse unanime në këtë vlerësim: Izraeli përcaktohet si Aktor kryesor i dyshuar. Izraeli ka doktrinë të deklaruar për të mos lejuar Iranin të arrijë kapacitet bërthamor ushtarak. Ka precedent të qartë: operacione të fshehta, sabotime, sulme ajrore të kufizuara, operacione kibernetike (p.sh. më herët Stuxnet). Vlerësimet e IISS flasin për goditje precize ndaj infrastrukturës dhe zinxhirit teknik (jo luftë e hapur).¹⁹ Shtetet e Bashkuara: Nuk ka prova për goditje direkte ushtarake amerikane në 2025.
Roli i SHBA-së vlerësohet si: mbështetje inteligjence, mbulim diplomatik, presion ekonomik dhe sanksione pas goditjeve. Analizat flasin për koordinim strategjik, jo domosdoshmërisht për pjesëmarrje direkte.²⁰ Aktorë të tjerë? Sabotime të brendshme, operacione të shërbimeve të huaja, ose rrjete opozitare nuk përjashtohen, por nuk konsiderohen aktorë kryesorë në vlerësimet serioze. Sipas analizave perëndimore u goditen elementë të zinxhirit të pasurimit, infrastrukturë mbështetëse (energji, logjistikë, sensorë), kapacitete kërkimore/teknike, jo domosdoshmërisht reaktorë aktivë, pra goditje për vonesë dhe paralajmërim, jo shkatërrim total.¹⁹ Goditjet rritën tensionin ndërkombëtar, i dhanë bazë sanksioneve të reja,forcuan linjën e ashpër në Teheran, dhe lidhen drejtpërdrejt me retorikën paralajmëruese të 2026-ës (SHBA-Izrael).
Analiza të instituteve si CSIS e shpjegojnë ndikimin iranian përmes rrjeteve aleate/prokurë (Hezbollah, milici irakiane, Houthis, etj.) si mjet presioni strategjik dhe parandalimi, por edhe si burim risku për përshkallëzim.²¹ Ndërkohë, zhvillimet e 2024-2025 në rajon kanë prodhuar konsum të burimeve dhe goditje ndaj disa prej këtyre rrjeteve, çka rrit presionin e brendshëm dhe e bën “bilancin kosto-përfitim” më të vështirë për Teheranin.²⁰ ²²
11. Axis of Resistance (Boshti i Rezistencës) [rrjet politik-ushtarak i udhëhequr nga Irani]
Axis of Resistance (Boshti i Rezistencës) është një rrjet politik-ushtarak i udhëhequr nga Irani, që bashkon shtete dhe grupe të armatosura në Lindjen e Mesme me synim kundërshtimin e Izraelit, SHBA-së dhe ndikimit perëndimor në rajon.
Bërthama dhe aleatët kryesorë të «Boshtin e Rezistencës» janë: Irani – udhëheqësi strategjik (financim, armatim, trajnim). Hezbollah (Liban) – forca më e fortë ushtarake e boshtit; Hamas dhe Palestinian Islamic Jihad (Gaza); Popular Mobilization Forces (Irak); Houthi movement (Jemen); Siria -territor kyç logjistik.
Funksionimi strategjik: Koordinim bëhet indirekt nga Irani, kryesisht përmes «Quds Force». «Quds Force», është “krahu ushtarak i jashtëm” i Iranit: vepron jashtë Iranit, ndërton dhe drejton aleatë «me prokurë», kryen operacione të fshehta për interesat strategjike të Teheranit. Konkretisht QF: Trajnon, financon dhe armatos grupe aleate (p.sh. Hezbollah, milici irakiane, Houthis). Koordinon luftë asimetrike: raketa, dronë, sulme indirekte.Planifikon operacione inteligjence dhe ndikimi politik në rajon. Është shtylla operative e Axis of Resistance. Ky organ i raporton drejtpërdrejt Udhëheqësit Suprem të Iranit, jo qeverisë civile.Ka autonomi të lartë operacionale. Sipas statusit ndërkombëtar nga SHBA dhe disa vende të tjera e konsiderojnë organizatë terroriste (si pjesë e IRGC (Gardës së Revolucionit Islamik Iranian, që trajtuam më lart).
Është akuzuar për sulme ndaj forcave perëndimore dhe izraelite përmes rrjeteve aleate.
Figurë kyçe historike ka qënë Qasem Soleimani, komandant legjendar i Forcës Quds (vrarë nga SHBA në 2020), simbol i strategjisë rajonale iraniane. Pra, «Quds Force» është njësia sekrete dhe ekspedicionare e Iranit, që projekton fuqinë iraniane jashtë vendit përmes aleatëve dhe operacioneve të fshehta, pa hyrë në luftë të drejtpërdrejtë.
Bën luftë asimetrike më raketa, dronë, sulme ndaj objektivave ushtarake/energjitike, presion detar. Mohim i besueshëm (plausible deniability): Irani shpesh nuk merr përgjegjësi direkte për veprimet e aleatëve. Kjo forcë u krijua: për të ndërtuar element parandalimi kundër Izraelit dhe SHBA-së pa luftë të drejtpërdrejtë. Për të zgjatur dhe zgjeruar frontin e presionit në disa vende njëkohësisht, si përgjigje ndaj izolimit dhe sanksioneve, duke krijuar levë veprime të luftes hibride rajonale. Kjo paraqet rrezik përshkallëzim rajonal: një incident lokal mund të hapë disa fronte njëherësh.
Goditje ekonomike: rrezik për energjinë dhe lundrimin (p.sh. Deti i Kuq/Gjiri) e shumë problene te ndryshme diplomatike qe veshtisrojnë stabilitetin. E përmbleshur me një fjali «Axis of Resistance» është rrjeti i aleatëve ushtarakë të Iranit, i ndërtuar për të ushtruar presion të shumëfrontshëm ndaj Izraelit dhe SHBA-së, duke shmangur luftën e drejtpërdrejtë, por duke rritur rrezikun e përshkallëzimit rajonal të një luftë asimetrike me metodeat e strategjisë së luftes Hibride të kombinur me aksione ushtarake. Faktorët që e rrisin rrezikun e përshkallëzimit janë: Ekonomia: kur kriza prek segmentet urbane, tregtinë dhe shtresat që zakonisht kërkojnë stabilitet, protestat fitojnë shtrirje dhe këmbëngulje.¹ Legjitimiteti: përsëritja e cikleve të represionit ul hapësirën për reforma graduale dhe e radikalizon gjuhën politike.²³ Sistemi i sigurisë: kur IRGC/strukturat e sigurisë shihen si përfitues ekonomik dhe si “mjet i fundit” i mbijetesës së sistemit, polarizimi rritet.⁹,¹⁵ Historia iraniane e 20-25 viteve të fundit tregon se regjimi ka kapacitete të larta të mbijetesës (kontroll komunikimesh, aparati i sigurisë, fragmentimi i opozitës), por edhe se krizat përsëriten kur ekonomia bie dhe hapësira politike ngushtohet.², ⁴, ⁷
12. Skenarë e mundshëm (2026) për përfundimin e krizes
Skenarë të mundshëm (2026) – të bazuar në logjikë strategjike, jo “parashikime të sigurta” Skenari A: shtypje + stabilizim i përkohshëm (më i mundshmi afatshkurtër): represion, arrestime, rikthim gradual i internetit, paketa të pjesshme ekonomike.² ³ Skenari B: cikël i gjatë protestash: valëzim periodik, greva sektoriale, përçarje në elitë; rritje e kostos së qeverisjes.²³, ²⁵ Skenari C: përshkallëzim rajonal: një incident në rajon ose goditje reciproke e kthen krizën e brendshme në krizë sigurie ndërkombëtare-sidomos nëse lidhet me dosjen bërthamore.²⁰, ⁴, ⁵
Çfarë po ndodh sot në Iran nuk është thjesht “një protestë e radhës”. Është bashkimi i një krize ekonomike të mprehtë me një krizë legjitimiteti dhe me një shtet sigurie që ka marrë peshë ekonomike e politike-në një mjedis ku presioni ndërkombëtar (bërthamor/rajonal) e ngushton hapësirën për kompromis. Për analizë strategjike, ky është kombinimi që zakonisht prodhon ose “ngrirje të dhunshme” të situatës, ose një periudhë të gjatë paqëndrueshmërie me rreziqe për përshkallëzim.
13. Paralajmërimet e Presidentit Donald Trump ndaj Iranit (Janar 2026)
Sipas raportimeve të mediave ndërkombëtare me reputacion të lartë, Donald Trump ka mbajtur një qëndrim publikisht mbështetës ndaj protestave që po zhvillohen në Iran gjatë janarit 2026. Në deklaratat e tij, ai ka shprehur solidaritet të hapur me protestuesit iranianë dhe i ka inkurajuar ata të vazhdojnë protestat, duke e paraqitur lëvizjen si një reagim legjitim kundër dhunës shtetërore dhe represionit politik. Këto qëndrime janë raportuar nga media si AP News, The Guardian, Time dhe Financial Times.
Në të njëjtën linjë, Trump ka përdorur një gjuhë simbolike dhe mobilizuese, duke deklaruar se “ndihma është në rrugë” për protestuesit iranianë. Kjo frazë është interpretuar nga analistët si një sinjal politik dhe diplomatik, që lë të kuptohet mbështetje ndërkombëtare dhe presion të shtuar ndaj regjimit të Teheranit. Edhe kjo deklaratë është cituar dhe analizuar nga AP News, Time dhe Financial Times.
Një element më i fortë i retorikës së Trump ka qenë paralajmërimi i drejtpërdrejtë ndaj autoriteteve iraniane, ku ai ka deklaruar se regjimi iranian do të “paguajë një çmim të rëndë” nëse vazhdojnë vrasjet dhe përdorimi i dhunës ndaj protestuesve paqësorë. Kjo deklaratë, e raportuar nga Washington Post, është parë si një sinjal se Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin instrumente ndëshkuese politike, ekonomike apo strategjike në rast të përshkallëzimit të represionit.
Në funksion të këtij qëndrimi të ashpër, Trump ka marrë edhe masa konkrete diplomatike, duke anuluar takimet dhe kontaktet zyrtare me përfaqësues të Teheranit, me arsyetimin se nuk mund të ketë normalizim diplomatik për aq kohë sa vazhdon shtypja e dhunshme e protestave. Ky veprim është raportuar nga AP News dhe interpretohet si pjesë e një strategjie presioni të shumëfishtë ndaj regjimit iranian.
14. Disa përfundime të përgjithshme
Zhvillimet e muajve të fundit në Iran tregojnë se vendi ndodhet në një fazë strukturore krize, ku janë ndërthurur njëkohësisht kriza ekonomike, kriza e legjitimitetit politik dhe mbizotërimi i shtetit të sigurisë mbi institucionet civile. Protestat e shpërthyera që nga fundi i dhjetorit 2025 nuk përfaqësojnë një episod të izoluar social, por një shfaqje të përsëritur të tensionit të akumuluar midis shoqërisë iraniane dhe modelit të pushtetit të Republikës Islamike, të ndërtuar mbi doktrinën e velāyat-e faqīh dhe mbi rolin dominues të Gardës Revolucionare Islamike (IRGC).
Të dhënat e raportuara nga media prestigjioze ndërkombëtare, organizatat e të drejtave të njeriut dhe institutet strategjike tregojnë se represioni shtetëror është përdorur si instrument kryesor i menaxhimit të krizës: forcë vdekjeprurëse, arrestime masive, izolim informativ dhe kriminalizim i protestës. Kjo qasje ka rritur koston njerëzore të përplasjes, por nuk ka adresuar shkaqet strukturore të pakënaqësisë—përkundrazi, ka thelluar hendekun midis shtetit dhe shoqërisë.
Në planin institucional, IRGC shfaqet qartë si aktor qendror i pushtetit real, duke ndërthurur funksione ushtarake, politike dhe ekonomike. Ky “shtet brenda shtetit” garanton mbijetesën afatshkurtër të regjimit, por njëkohësisht prodhon tension të vazhdueshëm legjitimiteti, sidomos në kushtet e përkeqësimit të jetesës dhe të sanksioneve ndërkombëtare. Historia e dekadave të fundit dëshmon se ky model e bën sistemin rezistent ndaj presionit të menjëhershëm, por të brishtë në afat të mesëm dhe të gjatë.
Kriza e brendshme iraniane lidhet drejtpërdrejt me dimensionin rajonal dhe ndërkombëtar: dosjen bërthamore, veprimet e “Boshtit të Rezistencës”, goditjet ndaj infrastrukturës strategjike dhe rritjen e presionit diplomatik e ekonomik nga Perëndimi. Kjo ndërthurje e rrit rrezikun që një konflikt i brendshëm të transformohet në krizë sigurie rajonale, veçanërisht nëse shoqërohet me incidente ushtarake ose përshkallëzim në frontet me prokurë.
Në përfundim, ajo që po ndodh sot në Iran nuk mund të reduktohet në “protesta sociale” apo në “reagime të përkohshme”. Bëhet fjalë për një krizë sistemike, ku mungesa e reformës politike, mbizotërimi i aparatit të sigurisë dhe presioni i jashtëm krijojnë një cikël të mbyllur pa zgjidhje të shpejtë. Në këtë kontekst, skenarët më të mundshëm për vitin 2026 mbeten ose një stabilizim i përkohshëm përmes represionit, ose një paqëndrueshmëri e zgjatur me valë të përsëritura protestash dhe rreziqe të përshkallëzimit të brendshëm dhe rajonal.
Nga këndvështrimi analitik, Irani gjendet sërish në një pikë kthese historike, ku aftësia e regjimit për të mbijetuar nuk përkon më domosdoshmërisht me aftësinë e tij për të prodhuar stabilitet afatgjatë.
_________
I- FUSNOTAT/BURIME E PËGJITHËSHME
1.Reuters, “Iran’s traders, frustrated by economic losses, turn against clerics,” 12 Janar 2026.
2.Associated Press, “Death toll from nationwide protests in Iran spikes to at least 2,000, activists say,” 13 Janar 2026.
2.The Guardian, “Iran holds pro-government rally as regime seeks to downplay protests,” 12 Janar 2026.
3.International Atomic Energy Agency (IAEA), “Update on Developments in Iran,” 19 Qershor 2025.
5.U.S. Defense Intelligence Agency (DIA), “2025 Worldwide Threat Assessment” (Statement for the Record), 2025.
6.Office of the Director of National Intelligence (ODNI), Annual Threat Assessment of the U.S. Intelligence Community (Unclassified), 18 Mars 2025.
7.PBS Frontline, “The Structure of Power in Iran,” (përmbledhje e rolit të Udhëheqësit Suprem dhe arkitekturës kushtetuese).
8.Reuters, “Iran’s Revolutionary Guards extend control over Tehran’s oil exports, sources say,” 18 Dhjetor 2024.
9.Council on Foreign Relations, “The Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC),” përditësuar 13 Qershor 2025.
10.Encyclopaedia Britannica, “1953 coup in Iran.”
11.Associated Press, “CIA publicly acknowledges 1953 coup it backed in Iran was undemocratic…,” 2023.
12.Encyclopaedia Britannica, “Iranian Revolution | Summary, Causes, Effects, & Facts.”
13.Cambridge Core (kapitull), “Muhammad Reza Shah’s White Revolution” (material akademik mbi modernizimin shtetformues dhe rritjen e aparatit).
14.Encyclopaedia Britannica, “Ruhollah Khomeini.”
15.Council on Foreign Relations, “The Islamic Revolutionary Guard Corps (IRGC).”
16.ODNI, Annual Threat Assessment… (Testimony as Prepared), 25 Mars 2025.
17.IAEA, “Verification and monitoring in the Islamic Republic of Iran…” (GOV/2025/24), 31 Maj 2025.
18.Institute for Science and International Security (ISIS), “Analysis of IAEA Iran Verification and Monitoring Report (May 2025),” 9 Qershor 2025.
19.UK House of Commons Library, “Iran: What challenges face the country in 2026?” 9 Janar 2026.
20.International Institute for Strategic Studies (IISS), “Iran’s nuclear programme after the strikes,” 15 Korrik 2025.
21.CSIS, “Iranian Networks in the Middle East,” 6 Mars 2025.
22.ISPI, “Crisis to Watch in 2026: Iran,” 24 Dhjetor 2025.
23.Carnegie Endowment, “Iran’s Protests Are Following a Familiar Pattern,” Janar 2026.
24.Encyclopaedia Britannica, “20th-century international relations: The Iranian revolution.”
25.Institute for the Study of War (ISW), “Iran Update, January 2, 2026.”
Zhvillimet kryesore (Janar 2026)
_____________
II- FUSNOTAT/ BURIMET PËR VRASJET PlAGOSJET, ARRESTIMET
1. Associated Press, “What to know about the protests shaking Iran,” (explainer), publikuar javën e kaluar (aksesuar më 13 janar 2026).
2. Institute for the Study of War / Critical Threats Project (CTP-ISW), “Iran Update, January 12, 2026,” (të dhëna ditore për protesta sipas provincave).
3. The Independent, raportim që citon HRANA mbi shtrirjen “185 qytete / 31 provinca,” publikuar më 12 janar 2026 (aksesuar më 13 janar 2026).
4. The Guardian, “Hundreds of gunshot eye injuries found in one Iranian hospital amid brutal crackdown on protests,” 13 janar 2026.
5. Associated Press, “Death toll from Iranian protests surpasses 2,000, activists say…,” 13 janar 2026.
6. Reuters, “UN rights office says hundreds killed in Iran protests,” 13 janar 2026.
7. Reuters, “Trump urges Iranians to keep protesting…,” (përfshin shifrën e HRANA për të ndaluarit), 13 janar 2026.
8. Office of the UN High Commissioner for Human Rights (OHCHR), “Experts urge Iran to break cycle of violence, create space for dialogue,” 13 janar 2026.
___________
@Shenim: Të nderuar lexues! Këtë artikull mund t’a komentoni dhe perhapni lirshëm por natyrisht duke ruajtur etiken dhe të drejten e autorit !
___________
@N/ Kol. Kol Marku
Itali 14/01/2026


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
