Identiteti i një populli nuk është i caktuar njëherë e përgjithmonë. Identiteti i një populli është kategori historike: në procesin historik ai vjen duke u pasuruar apo, madje, duke u varfëruar dhe, rrjedhimisht, më pak a më shumë, duke ndryshuar. Në procesin historik identitetet e kombeve marrin dhe japin, sepse fatmirësisht marrin dhe japin kulturat e tyre, qytetërimet e tyre në takime e dialogë me kultura e qytetërime të kombeve të tjera. Shqiptarët e sotëm kanë shumë të përbashkëta me shqiptarët e kohës së Rilindjes Kombëtare, fjala vjen, por shqiptarët e sotëm me shumëçka edhe dallojnë prej tyre, sepse shumë nga shqiptarët e sotëm kanë marrë shumëçka prej kombeve në shtetet e të cilave kanë jetuar një kohë apo edhe vazhdojnë të jetojnë edhe më tutje.
Këto janë ndryshime të natyrshme, të vetvetishme, që ndodhin në identitetet e kombeve gjatë jetës së tyre historike.
Por, të ndërhysh në përbërjen e identitetit në mënyrë të shtirë, të panatyrshme, për shkaqe politike, ideologjike, fetare e të tjera do të thotë të bësh dhunë ndaj tij. Dështimi historik i komunizmit, i këtij besimi të mbrapshtëkthyer, është pasojë, përpos të tjerash, edhe e ndërhyrjes së tij në identitetin kombëtar, e dhunës së tij të vazhdueshme ndaj këtij identiteti me fenë e quajtur komunizëm dhe me gjethe kulturore sovjetike!
Sado konvertimi fetar është e drejtë vetjake e njeriut, ftesat për konvertim në fenë e të parëve, në mënyra të ndryshme të përsëritura jo një herë në Kosovë, janë propagandë, që nuk mund të trajtohet ndryshe përpos si përpjekje për ndërhyrje në vetëdijen fetare, prandaj edhe në identitetin kombëtar, në të vërtetë në përbërjen e tij!
Nuk ka nevojë të theksohet posaçërisht se ndërhyrjet e tilla kanë çmim psikologjik, shpirtëror, moral dhe, pse jo, historik, që paguhet gjatë.
Për këtë arsye është shumë e vështirë, në mos edhe e pamundur, të përfitohet opinion më i gjerë për përkrahjen e këtyre ndërhyrjeve.
E kuptueshme.
Për përkrahjen e këtyre ndërhyrjeve të jashtënatyrshme, në thelb të dhunshme, mund të përfitohen vetje dhe grupe për të cilat të flasësh shkencërisht dhe të flasësh politikisht, njësoj, do të thotë të flasësh anshëm, duke pasur parasysh vetëm dobinë pushtetore vetjake, grupore, a partiake. Predikuesit dhe përkrahësit e ndërhyrjeve të tilla, prandaj, edhe gjenden në cerdhet e mimikrisë, në përgjithësi, të njerëzve lokalistë dhe partiakë! Prej andej më së shpeshti edhe vijnë ata që, rëndom, nuk duan a nuk mund të shohin përtej kthesës së parë, sepse pamëria e tyre, për shkaqe partiake, lokaliste e karrieriste, është e rrudhur!
Pavarësisht pse në idetë dhe në përpjekjet për ndryshimin e gjuhës standarde, të krijuar në Kongresin e Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, në Tiranë, në vitin 1972; për tejshquarjen e vetëdijeve fetare dhe favorizimin politik të krishterimit; për krijimin e identitetit të ri kombëtar kosovar – pavarësisht, pra, pse në të gjitha këto ide dhe përpjekje janë të inkuadruar, kush haptas e kush ende fshehtas, jo vetëm pjesëtarë të klasës politike dhe intelektuale, po edhe disa institucione politike e shkencore, numri më i madh i shqiptarëve jo vetëm se qëndron larg tyre, por është kundër tyre.
Është e qartë se populli shqiptar mbetet i përkushtuar ndaj gjuhës ekzistuese standarde, ndaj gjendjes ekzistuese fetare dhe ndaj identitetit historik kombëtar.
E kuptueshme.
Dështimi i ideve dhe i përpjekjeve të sipërtrajtuara është i koduar në separatizmin e tyre.
E kuptueshme.
Ky separatizëm është në kundërshtim me zhvillimin e sotëm dhe të nesërm të kombit shqiptar si një e tërë; është në kundërshtim me idenë që e ka lëvizur historinë shqiptare: me idenë e bashkimit shqiptarë.
Ky shkrim është i paramenduar si kontribut për dështimin më të shpejtë të atyre ideve dhe përpjekjeve çintegruese.
Ashtu qoftë!
…..
Ky është FUNDI i librit të Rexhep Qosjes.
Kritikë e trajtesës nga Mekuli Press:
Në këtë vepër polemike dhe ideologjikisht të angazhuar, Rexhep Qosja kundërshton ashpër idenë e krijimit të një “kombi kosovar” si identitet i veçantë kombëtar nga ai shqiptar. Ai e konsideron këtë përpjekje si një projekt çintegrues, të dëmshëm për unitetin historik, kulturor dhe politik të shqiptarëve.
Qosja argumenton se:
Shtetet kombëtare nuk janë tejkaluar historikisht, përkundrazi, shekulli XX dhe fundi i tij dëshmojnë krijimin e dhjetëra shteteve të reja kombëtare, përfshirë Kosovën, e cila është fryt i drejtpërdrejtë i luftës kombëtare të shqiptarëve.
Kosova nuk është krijuar si projekt shumetnik neutral, por si rezultat i identitetit dhe shumicës shqiptare; kufijtë e saj administrativë janë përcaktuar mbi këtë bazë historike.
Shembujt ndërkombëtarë (Gjermania, Koreja, Kina-Tajvani, Bosnja) tregojnë se ndarja shtetërore nuk prodhon domosdoshmërisht identitet të ri kombëtar.
Krahasimi me Austrinë është i gabuar, sepse ai i përket një konteksti feudal historik, jo realiteteve moderne të kombeve.
Qosja argumenton se, “kosovarizmi” nuk është koncept modern qytetar, por:
një ideologji feudale e re, që shërben interesa të ngushta politike, ekonomike dhe karrieriste të disa elitave në Kosovë;
një mjet për të dobësuar idenë e një kombi shqiptar, një gjuhe standarde, një kulture dhe një historie të përbashkët;
një përpjekje për të zëvendësuar idealin e bashkimit kombëtar me fragmentarizim identitar.
Qosja e lidh këtë prirje edhe me:
sulmet ndaj gjuhës standarde shqipe,
theksimet e qëllimshme të ndarjeve fetare,
dhe qëndrime institucionale që prodhojnë përçarje.
Në përfundim, Rexhep Qosja arrin të sqaroj dhe argumentoj se përpjekjet për krijimin e “identitetit kosovar” nuk burojnë nga nevoja historike apo shkencore, por nga mimikria politike, frika nga tërësia kombëtare dhe dëshira për pushtet mbi pjesë të vogla, sipas logjikës së vjetër:
“më mirë i pari në fshat sesa i fundit në Romë.”
Libri mbyllet si një thirrje e fortë kundër çthurjes kombëtare dhe si mbrojtje e palëkundur e identitetit shqiptar si kategori historike, kulturore dhe politike e pandashme.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
