REXHEP QOSJA: LE TË FLASË ADEM DEMAÇI

24
Jul
2023

Nga pasthënia: Myrvete Dreshaj-Baliu&Begzad Baliu

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Lëreni, le të flasë Adem Demaçi! – kështu i përgjigjej Profesor Qosja propozimit të anëtarëve të kryesisë së Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, sa herë kërkohej prej tij apo prej Adem Demaçit, që të flasin për një çështje letrare, për një dukuri apo fenomen shoqëror, kulturor apo politik.

Kemi folur gjatë ne, – thoshte Profesor Rexhep Qosja, – kur Adem Demaçit në burgjet jugosllave i është ndaluar fjala; kemi shkruar gjatë ne, kur Adem Demaçit në burg i është marrë edhe fija e shkrepsës, nga frika se mund të shkruajë ndonjë mesazh në margjinat e gazetës ditore; kemi botuar ne, pothuajse krejt çka kemi dashur, në një kohë kur Adem Demaçit, i është ndaluar të lexojë çka ka dashur në burgjet jugosllave. Le të flasë prandaj sot Ai, Adem Demaçi, për letërsinë, për filozofinë, për çështjet politike dhe intelektuale, për dukuritë dhe fenomenet shoqërore, për Kosovën dhe Shqipërinë, për bashkimin kombëtar dhe rrugët që duhet të ndiqen, për marrëdhëniet shqiptaro-serbe, për Europën dhe Amerikën, për demokracinë dhe shpërdorimin e saj, për kulturën, librin, kritikën dhe perspektivën e saj. Lëreni, le të flasë Adem Demaçi edhe kur pajtohemi edhe kur nuk pajtohemi me mendimet e tij! Lëreni, le të flasë Ai, mendimin e të cilit nuk e kemi dëgjuar dhe nuk kemi mundur ta dëgjojmë shpesh, e megjithatë për më shumë se një shekull jemi udhëhequr prej idealeve të tij, prej filozofisë së mesazheve të tij, prej koncepteve përbashkuese të romanit të tij Gjarpijt e gjakut, prej prirjeve moderne të tregimeve të tij, prej atdhetarizmit të tij, prej sakrificës së tij.

Le të flasë Ai, Adem Demaçi, dhe ne le të dëgjojmë!
Sot që e kemi në dorë këtë vëllim me titull “Rexhep Qosja për Demaçin”, të përgatitur nga bashkëveprimari i Adem Demaçit, Selatin Novosella, me tekste të llojeve e zhanreve të ndryshme, të shkruara nga Profesor Qosja në një periudhë prej rreth gjysmë shekulli, e kuptojmë arsyen tonë memorizuese të kërkesave të tij, që Bacës Adem t’i jepet hapësirë më shumë në jetën publike, kulturore, institucionale e politike. Megjithëse, janë artikuj të vjelë prej veprave shkencore, letrare e politike të botuara në tri dekadat e fundit, megjithëse pjesa më e madhe e tyre janë artikuj të vjelë nga Ditari i tij me titull Dëshmitar në kohë historike, I-IX, dhe megjithëse janë artikuj të shkruar për çështje kur e kur të ndryshme, ata përplotësojnë njëri-tjetrin dhe krijojnë portretin shumëdimensional të Adem Demaçit, të raporteve të tij personale me Profesor Qosjen, të diskutimeve me bashkëpunëtorët e tij, të marrëdhënieve me rrethet a grupet politike të Kosovës, të Shqipërisë dhe madje të qëndrimit të tij ndaj diplomacisë Euro-Amerikane.
Takimet e Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes, në Kryesinë e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, shpesh një orë më herët, nuk ishin takime të rastit, ishin takime të titanëve: Që të dy formimin fillestar e kishin në shkollat shqipe të “tokave të çlirueme” të Luftës së Dytë Botërore; pastaj në Gjimnazin e Prishtinës, përkatësisht Normalen e Prishtinës; ndërsa studimet e larta në Beograd (i pari, Adem Demaçi, në letërsinë botërore, ndërsa i dyti, Rexhep Qosja, në Albanologji). I pari për letërsinë, si shprehëse estetike e përmasave botërore në shërbim të kombit, ndërsa i dyti për studimin e saj, për mendimin kritik për të, në kontest të adhurimit të letërsisë dhe filozofisë franceze, me synim letërsinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. I pari, student i letërsisë botërore në vitet ‘50, pasionant i letërsisë gjermane dhe epokës “Sturm und drang”, sjellës i letërsisë moderne në Kosovë; i dyti, studiues i letërsisë shqipe në raport me letërsinë europiane dhe krijues i letërsisë moderne/postmoderne në fillim të viteve ’70.
Megjithëse rrugët e tyre “të ndara”, në fund të viteve ’50, ato, në të vërtetë, do të jenë një vazhdimësi paralele në shërbim të kombit, që do të bashkohen edhe fizikisht në fillim të viteve ’90-të. Dekada me radhë fati i Adem Demaçit dhe fati i Rexhep Qosjes bëhen fate individuale të tragjedisë historike të një ‘populli të okupuar’ dhe fate intelektuale të një ‘populli të ndaluar’. Adem Demaçi, i formuar në frymën e filozofisë dhe letërsisë gjermane, bëhet Feniksi i idealeve të tij, i flijimit për liri dhe bashkim kombëtar, ndërsa Rexhep Qosja, i formuar në frymën e letërsisë iluministe franceze dhe letërsisë së romantizmit shqiptar, bëhet ridimensionuesi i mendimit shkencor, si dije integrale e kulturës dhe e shkencës kombëtare, drejt bashkimit kombëtar.
Idealet e Adem Demaçit dhe të brezit të tij, të heronjve të sakrificës për flamurin kombëtar, për gjuhën e përbashkët, për Universitetin e Kosovës dhe institucionet kombëtare, të kërkuara në fillim të viteve ’60, Rexhep Qosja dhe brezi i heronjve të mendimit, i realizojnë ato në fund të viteve ’60 dhe gjatë periudhës së Rilindjes së dytë.
A është e rastit, pse për kaq shumë vjet Adem Demaçi identifikohet me murgun e idealit për ‘bashkimin kombëtar’, ndërsa Rexhep Qosja, me murgun e mendimtarit për bashkimin e ‘popullit të ndaluar’; a është e rastit pse i pari bëhet Feniks i sakrificës për çështjen kombëtare, ndërsa i dytë bëhet Feniksi, i cili punoi pa e tradhtuar kurrë të vërtetën dhe vetëm të vërtetën në jetën intelektuale dhe shkencore.
A është e rastit pse rrugët e Adem Demaçit dhe Rexhep Qosjes do të bashkohen në fillim të viteve ’90, në mbrojtje të pluralizmit të mendimit politik në Kosovë e Shqipëri, dhe do të ribashkohen në fund të viteve ’90, në mbrojtje të kauzave të tyre të përbashkëta, luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e Kosovës dhe bashkimin kombëtar.
A është e rastit prandaj, pse të dy, ndonëse pa ndikim partiak, Feniksët e deridjeshëm, atëherë kur do të besohet se nuk kanë fuqinë e pushtetit politik, me diskursin e tyre, me veprën e tyre letrare, publicistike, dokumentare e filozofike, do të bëhen Zeusët e gjithëkohshëm: zotëruesit e tokës dhe të qiellit!
A është e rastit pse në kthesat e mëdha të fatit të Kosovës, pse në momentet më vendimtare të historisë së Kosovës dhe së fundi, në Ditën e Madhe të historisë së popullit shqiptar, më 17 shkurt 2008, Ditën e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës, do të gjenden pranë e pranë:
“Ngjitem shkallëve përpjetë pas një djaloshi që na prin (…) që na çon në galeri dhe na tregon vendet ku do të ulemi.
Jemi në rendin e parë të galerisë.
Midis meje dhe Azemit është vendi i Bacës Adem, Adem Demaçit.
Ka ardhur para nesh.
Gëzohem shumë që e gjej aty”.
Profesor Qosja: Portreti jetësor i Adem Demaçit

Megjithëse ka folur në takime e tryeza të ndryshme për Adem Demaçin, megjithëse ka folur pothuajse në të gjithë përvjetorët e tij duke bërë portretin moral e filozofik, jetësor e atdhetar, kulturor e letrar, Profesor Qosja, në disa tekste të veçanta mund të thuhet se ka bërë sintezën e madhe të biografisë së Demaçit, e cila mund të vendoset në krye të të gjitha jetëshkrimeve historike, politike dhe letrare, që do të shkruhen më tej.
Sintezën e parë e ka bërë në vitin 1996, me rastin e 60 vjetorit të lindjes, në të cilën ka identifikuar përbërësit më të rëndësishëm të biografisë jetësore të tij: paradigmën historike të apostullit të lirisë, portretin jetësor të tij, vetjen dhe shkrimtarinë e tij, të burgosurin politik si individ dhe përmasën e sakrificës në emër të popullit, i cili “qëllim të parë dhe të fundit kishte çlirimin e krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimit të këtyre krahinave me nanën e vet – Shqipninë”.
Sinteza e dytë sjell modelin e portretit të tij prej idealisti dhe iluzionisti. Ai bënë sakrificën jetësore prej idealisti dhe projekton historinë e të ardhmes së popullit të tij. Adem Demaçi ishte intelektual, i cili prej letërsisë së përbotshme, prej filozofisë europiane dhe prej trashëgimisë kombëtare e kishte dëgjuar zërin e historisë dhe e kishte mësuar ‘misionin’ e letërsisë, prandaj nuk e kishte të vështirë të bëhej ndërgjegjja e tyre prej idealisti dhe Marthonomaku i saj.
Sinteza e tretë e Profesor Qosjes, shtron natyrën e heroit moral në jetën e Adem Demaçit të ndërlidhur thellë me sakrificën dhe qëndrimin mitik të tij në burgjet serbe. Sa të rinj e të reja, sa studentë, sa intelektualë janë burgosur rreth një gjysmë shekulli, duke pasur model idealet e tij, iluzionet e tij dhe në mënyrë të veçantë natyrën e heroit moral të tij. Jeta e tij sa edhe vepra bashkohen në modelin e portretit të tij prej heroi dhe në shembullin moral të mesazhit letrar të veprës së tij. A është e rastit prandaj që mesazhet e veprës së tij letrare kundër gjakmarrjes, në jetën e popullit shqiptar të jenë transformuar në mesazhe për pajtim kombëtar, herën e parë; për bashkim kombëtar, herën e dytë dhe për unitet politik në perspektivën historike të Lëvizjes kombëtare për liri.
Sinteza e katër e Profesor Qosjes për portretin e Adem Demaçit, ridimensionon pjekurinë historike të tij nga përmasa individuale në përmasën kombëtare. Profesor Qosja, duke u mbështetur në argumentet historike, në paradigmën e idealeve kombëtare dhe në horizontin aktual të gjendjes së popullit shqiptar, e rindërton trekëndëshin funksional: heroi-populli-horizonti i pjekurisë, të ndërlidhura ngushtë me njëri-tjetrin, ku pjekuria kombëtare nënkupton edhe dimensionin e pjekurisë së heroit të saj. Megjithëse, popull jashtëzakonisht i rrëgjuar gjeografikisht, ekonomikisht dhe politikisht në dy shekujt e fundit, populli shqiptar edhe në fillim të gjysmës së dytë të shekullit XX, mbahej ashtu sikur mbaheshin të gjithë popujt me pjekuri të gjatë historike, me gjuhë historike, me trashëgimi dhe kulturë historike, prandaj edhe në këtë rast s’kishte si të mos e nxirrte nga gjiri i saj një hero me pjekuri të përmasave historike, me guxim historik dhe me vetëdije historike, sikur ishte Adem Demaçi.

Sinteza e pestë e përbërësve të portretit të Adem Demaçit në sinorin e Profesor Qosjes është humanizmi i tij. “Adem Demaçin, – shkruan Profesor Qosja, – e shquan sot një baraspeshë shembullore shpirtërore. Ai jeton pa brejtje të ndërgjegjes. Pse jo? Ai ka jetuar me shumë vuajtje, por ai ka jetuar në pajtim me ndërgjegjen e vet, në të vërtetë në pajtim me vullnetin historik të popullit të vet”.
E vërtetë, shumë e vërtetë.
Para se të shkruajë romanin e humanizmit të përmasave historike, Gjarpijt e gjakut (1958), shkrimtari Adem Demaçi, ka shkruar shumë tregime, të cilat në rrafshin estetik sjellin a risjellin letërsinë moderne në letrat shqipe, në rrafshin sociologjik shquajnë gjendjen e vështirë ekonomike, sociale dhe shoqërore të popullit shqiptar në Kosovë, ndërsa në mënyrë të veçantë ato shquhen për mesazhin humanist të tyre. Pas rreth njëzet tregimeve dhe romanit të tij të njohur Gjarpijt e gjakut, Adem Demaçi mes burgut të parë dhe të dytë shkruan Programin Nacional të Lëvizjes Kombëtare në ish-Jugosllavi dhe për rreth tri dekada merr përsipër misionin e sakrificës, si kusht i natyrshëm për realizimin e këtij Programi në jetën tonë kombëtare. A nuk është e mjaftueshme kjo, që sikur shprehet Profesor Qosja, Adem Demaçi të “jetojë pa brejtjeje të ndërgjegjes” dhe a nuk është e mjaftueshme kjo, që ai të shquhet atëherë dhe sot për humanizmin e tij.
Pas daljes nga burgu ai mori përsipër që popullit serb dhe popujve të tjerë në ish-Jugosllavi tua shpjegoj me fjalën e tij të vërtetën e përpjekjes historike të popullit shqiptar për çlirim, ndërsa gjatë luftës mori misionin e përgjegjësit të Zyrës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Prishtinë, duke u bërë referenca e vetme e qytetarëve të Kosovës, kryesisht në radhën e qytetarëve serbë për të mësuar për fatin e bijve të tyre, të cilët me urdhër të policisë, ushtrisë apo sigurimit serb detyroheshin të shkonin në zonat e luftës për të kryer misione të ndryshme. A nuk është edhe ky një përbërës i misionit të tij jetësor për të shtrirë humanizmin e tij përtej rrafshit nacional.
Nëse e vërteta dhe vetëm e vërteta, sado e hidhur të jetë, brenda saj, madje në thelbin e saj, ka humanizmin si domosdoshmëri, atëherë Adem Demaçi dhe autori i këtyre teksteve Rexhep Qosja, me jetën dhe me veprën e tyre kurrë të tradhtuar, e kanë përmbushur misionin e tyre prej humanistësh.

Adem Demaçi: atdhetaria dhe parimësia

Duke lexuar veprën shkencore, letrare, dokumentare, publicistike, historike e memoarizuese, si dhe Ditarin e Profesor Qosjes, në të vërtetë duke lexuar vlerësimet e tij e të bashkëkohësve të tij, ne kuptojmë karakterin e fortë të Adem Demaçit dhe perceptojmë synimet e tij. Profesor Qosja për Adem Demaçin flet duke e parë atë në kontekst të sakrificës së tij, atdhetarisë së tij, të parimësisë së tij, të sjelljes së tij. “Të jesh atdhetar i dinjitetshëm në çdo situatë do të thotë të jesh atdhetar i dinjitetshëm edhe në situatat më të vështira, siç thuhet, ishte Adem Demaçi. Të jesh atdhetar i dinjitetshëm edhe në situatat më të vështira do të thotë të jesh i parimshëm me vetëdije për kuptimin historik të një sjelljeje të tillë, dhe i tillë ishte Adem Demaçi”, -shkruan në Ditarin e tij Rexhep Qosja, ndërkohë që pothuajse të gjitha veprat e tij letrare, shkencore, dokumentare e publicistike, i ndërtonte mbi tri paradigmat themelore: vetëdijen historike, të vërtetën si koncept dhe si parimësi, si dhe perceptimin estetik, si domosdoshmëri e përbërësve universalë të kulturës intelektuale dhe letrare të tij.
Profesor Qosja shkruan për dënimin e tretë të Adem Demaçit dhe të grupit të tij, për qëndrimin e intelektualëve puthadorë ndaj këtij vendimi, si dhe ndikimin e qëndrimit të tij në zhvillimet politike të kohës; ai shkruan për qëndrimin e politikbërësve shqiptarë të kohës ndaj tij, e pret me gëzim dhe me drojë lirimin e tij nga burgu, duke e konsideruar atë “Adem Demaçin figurën politike, kombëtare dhe etike më të merituar, më të rëndësishme, për t’u bërë prijës i lëvizjes sonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të vërtetë për bashkimin e popullit shqiptar. Burgjet e kanë bërë emrin e tij historikisht jashtëzakonisht të kuptimshëm, jashtëzakonisht të merituar”. Me këtë shkallë të vlerësimit, Profesor Rexhep Qosja, e ka mbajtur edhe fjalën kryesore, më 19 dhjetor 1990 para studentëve të Universitetit të Prishtinës, dhe ka shprehur drojën, se: “A do të dijë Kosova, a do të dinë ata që janë turrur në politikën e sotme edhe më tej nënshtruese shqiptare, ta çmojnë Adem Demaçin sa duhet e si duhet, dhe ta përdorin si duhet lavdinë e tij, burgjet e tij për idealin shekullor të Kosovës? Kam drojë se jo! Jo!”; Më tej Profesor Qosja shkruan për “krahasimin e tij me Nelson Mandelën e Afrikës”, duke ia kujtuar dëgjuesit dhe lexuesit se nuk mund të krahasohen burgjet angleze, ku i burgosuri shkruan dhe lexon lirshëm, me burgjet serbe, ku i burgosuri as me fëmijët nuk mund të flitet pa prezencën e policisë. Ai, Profesor Qosja, flet para studentëve, flet në përurimin e veprave të tij, duke mos e ndarë asnjëherë veprën e tij prej përpjekjeve liridashëse të tij, prej krajatave të burgjeve të tij, prej sakrificës së tij, prej deklaratave burrërore të tij, prej dashurisë së tij të pasosur ndaj Nënës Shqipëri etj.
Duke shkruar për Adem Demaçin, Profesor Qosja shkruan njëkohësisht për disa zhvillime politike të viteve ’90, sikur është Këshilli Kombëtar i Kosovës, për të cilin opinioni është pak apo aspak i njoftuar, sjell dokumente dhe dëshmi të përpjekjeve të tij e të shumë atdhetarëve të tjerë për të lëvizur përpara, ndërkohë që partitë politike po e bënin politikën e filozofisë së durimit nacional, ndërsa Serbia filozofinë e nënshtrimit politik, ushtarak, policor, ekonomik, kulturor e psikologjik etj.
Megjithëse ka shkruar gjithnjë e më shumë për lirinë, për demokracinë, për çështjen shqiptare, në të vërtetë për çështjen shqiptare në Kosovë, sidomos pas vitit 1981, Profesor Qosja, tek shkruan dhe bën vlerësime për Adem Demaçin, për politikat partiake dhe të grupeve a intelektualëve të caktuar, kujton se çështjet të cilat po i shtrojmë dhe të cilat po i kërkojmë ne, Adem Demaçi i ka shtruar dhe i ka kërkuar që nga viti 1958, kur doli për herë të parë para gjykatave serbe-jugosllave.

Në Ditarin e tij, Profesor Qosja shkruan edhe për një dukuri posaçërisht të ulët në mendësinë tonë institucionale, politike, shkencore e kulturore. Shkruan dhe shkruan jo njëherë për fushatën politike ndaj ish të burgosurve atdhetarë, ndaj Adem Demaçit dhe ndaj vetë atij. Fjala është për njërën prej marrëzive më të mëdha dhe më të afatgjata të të ashtuquajturve intelektualë, politikanë e politkbërës, gazetarë, publicistë e analistë, të cilët gjatë, tepër gjatë, kanë shkruar kundër Adem Demaçit si individ dhe kundër Adem Demaçit si bartës i Lëvizjes Kombëtare për Çlirim, për të vazhduar më tej edhe kundër Profesor Qosjes në veçanti dhe kundër të gjithë ish-të burgosurve politikë në përgjithësi. Autorët e këtyre teksteve smirëzeza, do të thoshte Profesor Idriz Ajeti, të fjalimeve të shumta dhe propagandës së gjatë, fillimisht (pas vitit 1958) shkruanin, flisnin dhe propagandonin e bëheshin dëshmitarë në gjykatat jugosllave kundër Adem Demaçit “antijugosllav” dhe sidomos “antikomunist”; më tej (pas vitit 1976), kundër Adem Demaçit “antijugosllav”, “antivetëqeverisës” dhe “antikomunist” duke artikuluar mendimet propaganduese të tyre edhe në shtypin ditor e letrar të Kosovës e ish-Jugosllavisë; për të kulmuar pas vitit 1990, kur Adem Demaçin, po këta shkencëtarë, publicistë e politikanë pa pushtet, do ta akuzojnë pikërisht për “të kuq” dhe “komunist” e “antidemokrat”! Nuk e dimë a është e domosdoshme të thuhet këtu, se të parët ishin kryesisht bashkëpunëtorë të sigurimit rankoviqist; të dytët, të angazhuar e të përkushtuar pas teorisë vetëqeverisëse jugosllave, që mbuloheshin nën ombrellën e identitetit jugosllavë dhe liberalizmit europian; ndërsa të tretët, nostalgjikë të Jugosllavisë, të bashkuar rreth koncepteve të Lidhjes Demokratike të Kosovës: “Kosova e hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë”), si dhe satelitëve të saj! Në rastin e parë (1976) Profesor Qosja do ta mbrojë Adem Demaçin duke shkruar në Ditarin e fshehtë të tij, në rastin e dytë (1990) do të shkruajë në shtypin ditorë dhe do ta mbrojë Adem Demaçin e të burgosurit e tjerë politikë, duke folur para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ndërsa më tej, kryesisht pas vitit 1995, do të shkruajë e do të flasë për të mbrojtur Adem Demaçin, të burgosurit politikë dhe frymën atdhetare të kësaj Lëvizjeje. Duke e mbrojtur Adem Demaçin dhe ish të burgosurit politikë, Rexhep Qosja, më parë se sa me burgjet, identifikohej gjerësisht me ta e me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, që ishin thelbi i kësaj Lëvizjeje atdhetare në Kosovë, në Maqedoni e në Luginë të Preshevës.
A është e rastit, prandaj, që Profesor Qosja do të ngritët kundër kësaj propagandeje, e cila në shtypin tonë, në mendësinë tonë politike dhe kulturore, i printe madje lirimit të të burgosurve politikë dhe sforcohej ende pa arritur ata në shtëpitë e tyre!

Përpjekjet e Adem Demaçit për të lëvizur nga vendi

Një vend të rëndësishëm në veprat e tij shkencore, historike, dokumentare, letrare, publicistike e filozofike, si dhe në Ditarin e tij, Profesor Qosja ja ka kushtuar përpjekjes së pasuksesshme të Adem Demaçit për ta takuar Zaifin (sikur e quante Ibrahim Rugovën), për ta bindur atë që të marrë përgjegjësinë ndaj të ardhmes së Kosovës, për formimin e një mekanizmi të ri politik për të shpëtuar Kosovën prej katandisjes së mëtejshme të kotësisë partiake, për ta lëvizur popullin shqiptar në raport me dhunën serbe dhe së fundi për krijimin e një partie të re.
Fjala është për përpjekjet e Adem Demaçit, Pajazit Nushit, Rexhep Qosjes dhe Mahmut Bakallit për formimin e një Partie të re në Kosovë dhe idenë e tërheqjes së ish të burgosurve politikë prej Kryesisë dhe prej Këshillit Qendror të LDK-së. Ashtu, pa ish të burgosurit politikë, Fehmi Agani dhe Ibrahim Rugova do të bëheshin të dyshimtë në sytë e popullit, mendonte Profesor Qosja, ndërsa Adem Demaçi vazhdonte të mendonte që të burgosurit politikë duke qenë edhe më tej në Lidhjen Demokratike të Kosovës, mund të mbanin Rugovën edhe më tutje larg kurtheve të Serbisë, në një kohë që “Rugova do të vazhdojë si deri sot duke mos bërë asgjë! E kjo domethënë duke ia ruajtur paqen Millosheviqit në Kosovë!”.
Në këtë rrjedhë Adem Demaçi vazhdonte të mbante qëndrimin e tij konsistent ndaj Kosovës dhe popullit të tij në raport me zhvillimet politike. Kultura politike, -thoshte Demaçi, – e kërkon që ata të cilët e mbajnë pushtetin, qoftë ky edhe pushtet në thonjëza (domethënë pushtet nën pushtim), të japin llogari para popullit. Këtë llogari shumë kohë e kërkonte nga Rugova, por ai nuk pranoi të takohej asnjëherë duke e shtyrë atë, “jo sot, po nesër”. I gjetur para një situate të re dhe pa shpresë, Adem Demaçi provoi të themelojë një parti të re politike, por pa sukses; të organizojë një Këshillim politik ndërpartiak në Partinë Parlamentare, por pa sukses; ndërkohë që Lidhja Demokratike e Kosovës, që mban paqen shqiptare në Kosovë, që mban zgjedhje “të lira e demokratike”, nën dhunën e terrorin serb, ka përkrahjen dhe, madje, patronazhin e regjimit të Slobodan Millosheviqit; dhe sikur të mos mjaftonte kjo LDK-ja, ka përkrahjen edhe të regjimit despotik të Sali Berishës në Tiranë”, vlerëson Profesor Qosja!

Por as kjo nuk do ta ndali Adem Demaçin dhe bashkëpunëtorët e tij. Për më tej, Adem Demaçi në rrugëtimin e tij nuk ka zgjedhur luftëtarë të pushtetit po luftëtarë të lirisë. Eseja e Profesor Qosjes Maskat bien ngadalë (1996), e shkruar me rastin e kandidimit të Adem Demaçit për deputet të Parlamentit të Republikës së Kosovës, e dëshmon këtë më së miri. Por, si edhe më parë, edhe në këtë përpjekje për të mbledhur Parlamentin e Kosovës prej tij, historia do të përsëritet sepse ashtu dëshironte Kryesia e LDK-së, e cila “e mashtronte opinionin shqiptar, se Parlamenti i Republikës së Kosovës do të mblidhet sot, do të mblidhet nesër, do të mblidhet pasnesër!” Në të vërtetë, më parë se sa Parlament i Republikës së Kosovës ai ishte Parlament i Autonomisë së Kosovës, me të cilin nuk mund të pajtoheshin ish të burgosurit politikë, Adem Demaçi dhe Rexhep Qosja, e sidomos nuk mund të pajtohej populli tashmë i rreshtuar pas Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e sapoparaqitur publikisht.
Dalja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e faktorizoi pozitën e Adem Demaçit, prandaj jo rastësisht do të bëhen përpjekje ndërkombëtare, që t’i afrohen ‘me shkop dhe me karotë’, me qëllim që të vendosej në pozitën e Ibrahim Rugovës. Ishte një ironi e llojit të saj: Adem Demaçi, sikur do të shprehej Profesor Qosja, shkrimtari me jetëshkrimin politik më dhembjemadh prej kohës së Lidhjes së Prizrenit e këndej, nuk do të pranojë që të hyjë në gara partiake, qoftë edhe për pozitën e kryetarit të Kosovës. Ishte koha kur ai do të merrte Fronin e hapur të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për lirinë e saj, ishte koha kur para diplomacisë ndërkombëtare ai duhej të dilte dhe të mbronte synimet e kësaj Ushtrie, që ishin njëkohësisht edhe idealet e tij e të popullit të tij, sakrifica e tij dhe beteja historike e popullit të tij, investimi jetësor i tij dhe i brezit të tij.
Ndërkohë që bashkëluftëtarët e tij pothuajse mezi prisnin të bëheshin faktorë të këtij komunikimi, të bindur se me fjalën e tyre do ta ngrenë më lartë shkallën e këtij ndikimi, Adem Demaçi tregohej shumë më i matur, duke theksuar faktin se ata, ndërkombëtarët, në radhë të parë do të përpiqen që përmes tij të paqësojnë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, sepse tani këtë nuk mund ta bënin me “fakirin – Rugovën dhe me bashkëpunëtorët e tij”. Kjo sigurisht krijoi moskuptime mes pushtetarëve të deriatëhershëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës, përkatësish individëve të rreshtuar pas rugovizmit – si koncept i paqes, si dhe qëndrimit të krahut të luftës nga kjo parti, të cilët tashmë kishin lënë radhët e saja. A është e rastit prandaj, pse në një periudhë vendimtare, në një kapërcyell historik, ndërmjet nënshtrimit dhe kryengritjes, më parë se sa nga Serbia, kryengritës, si Adem Demaçi, Rexhep Qosja, Hydajet Hyseni, Mehmet Hajrizi, Ramë Buja etj., kërcënoheshin me vdekje nga individë dhe struktura të caktuara, brenda grupeve, klaneve e partive shqiptare. Këto synime nuk do të kenë sukses me gjasë për disa arsye: e para, ata u bënë faktorë në raport me diplomacinë ndërkombëtare; në radhë të dytë, sepse me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës i ishte venitur mbështetja në popull; dhe në radhë të tretë, sepse Adem Demaçi u zgjodh përfaqësues i UÇK-së. Prandaj, nuk është e rastit që po atë ditë “Televizioni i Serbisë shprehu shumë fjalë, shumë cilësorë politikë e shoqërorë mirëkuptues për kryetarin e LDK-së Ibrahim Rugovën e nënkryetarin Fehmi Agani dhe shumë fjalë kritike sulmuese, kërcënuese për Adem Demaçin e Rexhep Qosjen”.
Faktorizimi i tij falë daljes në dritë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe formimit të Lëvizjes së Bashkuar Demokratike, të cilën do ta drejtojë Profesor Rexhep Qosja, do të nxjerrë në pah dy pamje në shoqërinë shqiptare: e para, daljen në skenën ndërkombëtare të tij dhe uljen e primatit të Rugovës e të Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila do të kulmojë në Konferencën e Rambujesë; dhe e dyta, bashkimin serbo-shqiptar të kundërshtimit të kësaj fryme deri në ironi. Mendohej madje për themelimin e Qeverisë së Kosovës, në të cilin do të përfshihej edhe UÇK-ja, ndërkohë që kushtëzoheshin edhe bisedimet me qeverinë serbe, me praninë e saj.

Prej Ditarit të Profesor Qosjes, sot mund të shohim se si shtypi serb dhe ai shqiptar, atë kohë, botonin artikuj të pafund kundër nacionalistëve Demaçi-Qosja-UÇK, ndërsa shtypi shqiptar botonte madje artikuj të pafund kundër, siç i cilësonin ata “antirugovistëve” “enveristëve”, “të kuqve” dhe “grupeve që veprojnë si dorë e zgjatur e Millosheviqit, për të prishur paqen në Kosovë”! Reagimet madje shkonin nga ato me karakter nacional deri tek ato me karakter individual e komik! Në mitingjet e Fushë Kosovës, shovinistët serbë brohorisnin: Ubiqemo Demaçia i Qosju, ndërsa në Prishtinë, nga nostalgjikët shqiptarë të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë kërkohej që “Demaçi e Qosja të varen para Komitetit Krahinor të Lidhjes së Komunistëve të Kosovës”, pa çka që ai institucion më nuk ekzistonte!

Ditari i Profesor Qosjes në përgjithësi dhe tekstet për Adem Demaçin, të zgjedhura për këtë vëllim nga atdhetari dhe kronisti Selatin Novosella, si dhe zhvillimet politike të kohës, nxjerrin në plan të parë edhe atmosferën politike në prag të mbajtjes së bisedimeve serbo-shqiptare në Rambuje (Francë). Ngjarjet shfaqen më se dramatike: refuzimi i Adem Demaçit që të shkonte në këto bisedime, përpjekjet e Bujar Bukoshit për t’i takuar Adem Demaçin dhe Rexhep Qosjen, hapja e frontit të luftës në gjithë Kosovën nga UÇK-ja, tentimi për themelimin e të ashtuquajturës Polici e Kosovës, formimi i Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës etj., shfaqen jo vetëm si shënime ditari po edhe dokumente të dorës së parë. Kosova po hynte në dy fronte të frikshme: rrezikun që vinte nga refuzimi i komunikimit me diplomacinë ndërkombëtare dhe për më keq, rrezikun e hyrjes në një luftë të brendshme, tashmë jo vetëm partiake po edhe qytetare. Serbia, edhe mund të mos e lejonte hyrjen e një ushtrie sikur ishte FARK-u, por Serbia për kompromis, mund të lejonte të funksiononte një “Polici e Rugovës”, në funksion të ruajtjes së rendit edhe ashtu të brishtë, pas daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shpalljes së disa zonave të lira.

Në këto rrethana dhe në këtë gjendje përfaqësuesit shqiptarë të UÇK-së (Hashim Thaçi etj), të Lidhjes së Bashkuar Demokratike (Rexhep Qosja etj.) dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës (Ibrahim Rugova etj.), do të shkojnë në Konferencën e Rambujesë, sikur do të shprehet Profesor Qosja “për të bërë betejën politike për Kosovën, më të rëndësishmen pas Konferencës së Ambasadorëve në Londër, në vitin 1912-1913”. Adem Demaçi është i vetmi personalitet, që nuk pajtohet me frytet e asaj Konferenceje, e megjithatë Konferenca dhe përfundimet e këtyre bisedimeve do të bëhen nën hijen e tij. Do të duhen jo vetëm shumë bisedime të brendshme të anëtarëve të delegacionit nga radhët e shqiptarëve, si dhe takime mes delegacionit tonë e të ndërkombëtarëve, po edhe shumë konsultime e bisedime mes delegacionit shqiptar e Adem Demaçit për të përmbyllur Rezolutën Ndërkombëtare të Rambujesë për Kosovën, e cila sikur dihet i hapi rrugë bombardimit të Serbisë nga forcat ushtarake të NATO-s.

Adem Demaçi parakalon Aradhen e Nderit

Për ironinë e fatit, shumë pjesëmarrës të Konferencës së Rambujesë, çlirimi i Kosovës, do t’i gjejë jashtë saj. Është Adem Demaçi, Ai, i cili do ta presë çlirimin e saj në qendër të Prishtinës. Është Adem Demaçi, Ai, i cili duke qëndruar në Prishtinë, do të bëhet dëshmitari më i madh i historisë së Kosovës gjatë bombardimeve të NATO-s, si dhe ditëve të para të çlirimit të saj.
“Në ditarin e mbrëmjes, në TVSH, – shkruan Profesor Qosja në Ditarin e tij, – shoh një pamje interesante: Adem Demaçi parakalon Aradhen e nderit që ia ka rreshtuar Komandant Remi – m’u duk se u tha – në Prishtinë. Duke e shikuar ashtu trupvogël, dorëngritur e disi të shtangur para rreshtit të madh të luftëtarëve të UÇK-së, mes tij dhe meje dalin pamje nga filmat historikë për Napoleon Bonapartin. Adem Demaçit me këtë rast i mungon vetëm kali i bardhë që të jetë Napoleoni ynë! Mund të jetë se vetë Adem Demaçin nuk e ka munduar kjo ngjashmëri nga pak komike!” Me gjithë këtë pasuri të jashtëzakonshme jetësore, historike e letrare, nuk ka ndonjë vepër letrare për Adem Demaçin. Ky fragment i Profesor Qosjes mund të ishte teksti i parë i një kapërcyelli nga dokumenti historik në tekstin letrar. E, Adem Demaçi, pjesëmarrësit e Rambujesë nuk do t’i pres vetëm në Prishtinës, do t’i presë edhe atje ku dëshironin të shkonin sa më parë të gjithë, të gjithë shqiptarët kudo ishin, në Prekaz, në odën e Familjes Jashari. Këtu do ta gjejnë edhe Profesor Qosja e miqtë e tij.

Për këtë vlerësim dhe për vlerësime të kësaj natyre, ndërkaq, nuk kishin lexuar dhe nuk kishin dëgjuar politikanët tanë, partiakët tanë ose nuk ishin në gjendje ta bënin vetë. Diskursi i tyre ishte ndërtuar prej porosisë së individëve dhe grupeve të interesit. Prej shtypit, i cili vite me radhë kishte bërë punën e djallit, prej shtypit, grupeve të interesit, nënbishtave partiakë, klaneve, të cilat pas luftës “kishin marrë përsipër mbledhjen e të dhënave për krimet e UÇK-së”; prej shtypit dhe gazetave sikur ishte gazeta Bota sot, që kishte marrë përsipër t’u shërbente qeverive, organizatave të ashtuquajtura joqeveritare, si dhe individëve çfarë ishte Dik Marti; prej shtypit që “nën ombrellën” e Lidhjes Demokratike të Kosovës përgatiti dëshmitarët e sotëm të Hagës kundër drejtuesve kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, çka mund të pritej e çka s‘mund të pritet!
Profesor Qosja ka sjellë shumë shembuj të kësaj përvoje dhe në këtë drejtim mbetet Dëshmitari më i Madh i kësaj historie, ndërsa njëra prej kësaj dëshmie është e lidhur ngushtë me emrin e Adem Demaçit. “Ilir Meta i theksoi meritat e Rugovës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës, – shkruan ai, – duke harruar se ndërkombëtarizimi i çështjes së Kosovës është arritur me burgjet e Adem Demaçit, të shokëve të tij e të shumë të tjerëve, me demonstratat e rinisë studentore e shkollore në mars të viti 1981 dhe, pas këtij viti, me shkrimet e Rexhep Qosjes, të emetuara në një varg mediash evropiane, me protestat e demonstratat e shqiptarëve të Amerikës në Nju Jork e në Uashington dhe të shqiptarëve të Evropës nëpër qytete të ndryshme evropiane e jo në asnjë mënyrë, jo, me politikën nënshtruese, mashtruese të udhëheqjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, e cila ia mbante paqen dhe qetësinë regjimit të Millosheviqit me gjithë dhunën e terrorin që bënte ai në Kosovë!”
Vlerësime të tilla për Ibrahim Rugovën dhe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Demaçit e Rexhep Qosjes nuk do të ndalen, përkundrazi do të përsëriten shumë nga individët, grupet, partitë e mediat vendore e ndërkombëtare. Vlerësimet e tilla do ta përmbysin realitetin shoqëror në kontekstin politik, kulturor, filozofik e historik. Në Kosovë, ashtu sikur edhe në asnjë vend të Ballkanit, Europës Lindore postkomuniste dhe për të shkuar më larg, Europës Perëndimore postfashiste të Luftës së Dytë Botërore, në zgjedhjet e para politike në Kosovë, do të triumfojë Partia kundërshtuese e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Sintezën e kësaj gjendjeje në kontekst edhe të vlerësimit të Adem Demaçit dhe të zgjedhjeve të para në Kosovën e pasluftës e ka artikuluar më së miri dëshmitari Rexhep Qosja në Ditarin e tij: “As njëzetetetë vjet burgje të Adem Demaçit, as shumë e shumë vite burgje të shumë e shumë djemve e vajzave të Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve, prej vitit 1912, as shumë vrasjet e të rinjve e të rejave tona prej policëve, ushtarëve e udbashëve serbë e jugosllavë, as shpërnguljet e shumë e shumë familjeve shqiptare në Anadoll e në vende të tjera në Evropë e në kontinentin amerikan, as shumë e shumë shkrimet, shumë e shumë librat e shkruara prej një varg autorësh nga Kosova e Shqipëria shtetërore kundër pushtimit serb e jugosllav ndaj popullit shqiptar, as gjithë librat dhe shkrimet e mia me të cilat mbrohet e drejta e popullit shqiptar për të qenë popull e jo pakicë kombëtare dhe për të pasur të drejtën shtetkrijuese, as shumë e shumë ide, veprimtari, veprime, vepra, shkrime, burgje, sakrifica, përndjekje, nuk ndryshuan atë mentalitet që s’pajtohet me UÇK-në e me luftën çlirimtare!”

Adem Demaçi e Rexhep Qosja – frymëzues dhe ndërtues të Rilindjes së Dytë dhe të mëvetësisë së Kosovës

Duke shkruar për zhvillimet politike, arsimore, shkencore dhe kulturore në Kosovë, Profesor Rexhep Qosja ju bën një vlerësim të veçantë këtyre zhvillimeve të çerekut të fundit të shekullit XX: “Rilindja e dytë, -shkruan Profesor Qosja, – shtrihet pothuaj në gjithë çerekun e fundit të shekullit XX dhe në fillimet e shekullit XXI. Rilindja e dytë zgjat gati 30 vjet. Rilindja e dytë është e frymëzuar prej krijimtarisë letrare dhe, në përgjithësi, prej krijimtarisë shpirtërore kombëtare të përtashme, prej ideologëve dhe krijuesve të Rilindjes së parë, para së gjithash prej mendimit të Vaso Pashës, Naim Frashërit, Jeronim De Radës, Asdrenit, Luigj Gurakuqit, Fan Nolit, më vonë edhe të Fishtës e të Faik Konicës si edhe prej jetës e qëndresës morale të Adem Demaçit.
Sot ndërkaq mund të thuhet se kjo periudhë ka pasur edhe rilindësit e saj në Kosovë: Esad Mekulin, Idriz Ajetin, Ali Hadrin, Rexhep Qosjen, Gazmend Zajmin, Dervish Rozhajen, Ukshin Hotin etj., por askush më shumë, askush më qartë, këtë periudhë nuk e ka përshkuar me veprën e tij më shumë dhe më qartë se sa Profesor Qosja, dhe askush nuk e ka frymëzuar më shumë me jetën dhe qëndresën morale të tij, sa Adem Demaçi.
A është e rastit pse fatet e tyre do të jenë fatet e të gjithë idealistëve të kombit, të atyre idealistëve që me sakrificën dhe veprat e tyre e ndërtuan Shqipërinë dhe i bënë shqiptarët, por nuk i gëzuan frytet e bëmave të tyre. Ky ishte fati i Ismail Qemalit, Hasan Prishtinës, Fan Nolit, Mehdi Frashërit, Asdrenit, Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Gjergj Fishtës, Eqrem Çabejt etj.
E kuptueshme.
Ata, nuk e deshën pushtetin e përkohshëm, ata deshën idealet largvajtëse për kombin dhe atdheun e tyre. Ata ishin kritikë, siç do të thoshte Profesor Qosja, që më parë se me të tjerët, nuk pajtoheshin me vetveten, me të sotmen për hir të së nesërmes. Është e kuptueshme prandaj, pse prej pushteteve të përkohshme që patëm, kemi mundur të mësojmë një kohë, ndërsa prej veprave të tyre, do të mund të mësojnë shumë breza dhe do të mund të ecim përpara edhe shumë kohë.
Në të vërtetë, edhe prej kësaj vepreje, me titull Rexhep Qosja për Demaçin, sot kuptojmë jo vetëm zhvillimet politike të asaj kohe dhe përpjekjen e tyre për të tejkaluar filozofinë politike të atij nënshtrimi e mjerimi në të cilën gjendej populli shqiptar deri në kohën e daljes në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, po edhe atë filozofi të predikuesve të paqes përulëse, të cilën e udhëhiqnin Fehmi Agani e Ibrahim Rugova. A është e rastit pse kjo filozofi e identifikuar si filozofi rugoviste, mbante peng zhvillimet politike dhe shtetformuese në Kosovë, në raport me Serbin (të cilën Rugova e ridimensionoi si raport mbi trashëgiminë historike dhe fetare); në raport me Europën (si raport i kushtëzuar nga marrëdhëniet e tij krejtësisht të personalizuara me Vatikanin); dhe në raport me Administratën Amerikane, të cilin ai, Rugova, e sendërtoi në shkallë të marrëdhënieve partiake, në shkallë të raporteve të individëve të caktuar dhe Administratës amerikane me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

A janë të rastit prandaj përpjekjet prej shumë vjetësh të disa të ashtuquajturve intelektualë për të penguar në Tiranë, Shkup e në Prishtinës, që të botohet Dosja Demaçi. A është e rastit prandaj pse kjo vepër më parë se sa e botuar ka qarkulluar në dorëshkrim si në kohën e diktaturave dhe është cituar e botuar fragmentarisht në shtypin ditor e në portale personale dhe kolektive. A është e rastit, që këto pengesa për botimin e saj i kanë krijuar intelektualët, studiuesit, publicistët, politikanët etj., të cilët në këtë Dosje ishin dëshmitarë, në të vërtetë për burgosjen e parë të tij ishin dëshmitarë; që pas burgosjes së dytë, ishin autorë të teksteve denigruese kundër tij; që pas burgosjes së tretë, ishin autorë të kolumneve kundër tij; që pas daljes nga burgu gjatë u kujdesën për njollosjen e portretit të tij, të bindur se: sa më shumë ta nxijnë fytyrën e tij aq më shumë e zbardhin fytyrën e tyre. Përkundrazi, do të konstatojë Profesor Qosja, Adem Demaçi kurrë nuk bëri betejë për jetëshkrim të ri. “Duket e pabesueshme, – shkruan Profesor Qosja, – por, ja, është e vërtetë se betejë për jetëshkrim të ri, të ndryshuar, të dramatizuar, të përmirësuar, në kohën e komunizmit nuk kanë bërë, dhe nuk bëjnë, viktimat e komunizmit, por të privilegjuarit e tij: nuk kanë bërë Jan Paradovski, Isak Babeli, Boris Pasternaku, Martin Camaj a Kin Dushi dhe nuk bëjnë Haveli, Milan Kundera, Adem Demaçi, Kasem Trebeshina, Daut Gumeni, Visar Zhiti a Pjetër Arbnori”.

Duke qenë i tillë, i vendosur, i përhershëm në kërkimet e tij jashtë e brenda burgjeve, i përhershëm në filozofinë e tij jetësore e intelektuale, i përhershëm me veprën letrare dhe publicistike, këmbëngulës në kërkesat e tij ndaj vetes dhe të tjerëve, humanist ndaj popullit të tij dhe të tjerëve, vlerësues, respektues e i respektuar në raport me kundërshtarët, Adem Demaçi, e ndërtoi portretin e tij politik, kombëtar dhe letrar, pa brigje dhe pa kthesa të forta.
Kjo përmbledhje tekstesh nga veprat e Profesor Qosjes për Adem Demaçin e shpreh më së mirë këtë ndjenjë besimi dhe madje këtë ndjejnë shqetësimi: “Adem Demaçi është figura politike, kombëtare dhe etike më e merituara, më e rëndësishmja, – thekson Profesor Qosja, – për t’u bërë prijës i lëvizjes sonë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, në të vërtetë për bashkimin e popullit shqiptar. Burgjet e kanë bërë emrin e tij historikisht jashtëzakonisht të kuptimshëm, jashtëzakonisht të merituar, por idetë, gjykimet, energjitë e tij mendore, a do të jenë në pajtim me këtë rëndësi, do të shihet mbasi të lirohet dhe të fillojë të paraqitet publikisht”. Se në ç’shkallë i është mundësuar Adem Demaçit të bëhet prijës i lëvizjes sonë dhe ta shpreh energjinë e tij në interes të lirisë dhe bashkimit kombëtar, gjithashtu këtë më së miri e thonë tekstet shkencore, historike, publicistike, e filozofike, si dhe Ditari i Profesor Qosjes, prej të cilit janë vjelë pjesa më e madhe e teksteve të këtij vëllimi.
Le të jetë prandaj kjo vepër vetëm njëra prej Simfonive pastorale, e cila do tu prij edhe dhjetëra e dhjetëra veprave të tjera: për gjuhën shqipe në përgjithësi dhe për shqipen letrare në veçanti; për kulturën në përgjithësi dhe për institucionet e kulturës në veçanti; për mendimin shkencor në përgjithësi dhe rrolin e saj në jetën kombëtare në veçanti; për letërsinë dhe artet në përgjithësi dhe ndikimin përbashkues të saj në hapësirën shqiptare; për krijimtarinë mendore në përgjithësi dhe personalitetet më të shquara të dy shekujve të fundit në veçanti, për marrëdhëniet serbo-shqiptare në veçanti dhe raportet e shqiptarëve me Eurpën dhe Amerikën në përgjithësi.
Le të jetë kjo vepër për Adem Demaçin, pamja e parë dhe më e veçanta e Dëshmitarit Rexhep Qosja, njërit prej bashkëkohësve më të nderuar të tij!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 24/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk