Rruga e jetës s’është shteg i butë,
as fluturim i lehtë shqiponjash mbi re.
Ajo çohet si mal i lashtë përballë kohës,
me shkëmbinj që provojnë të fortët,
e me humnera që i dridhin të ligshtit.
–
Ka net kur terri të merr frymën,
si ujk që rri në prita me sy dritash.
Ka agime që t’therin si shpatë hyjnore,
e t’thërrasin me u çu prapë në këmbë.
–
Kështu rritet njeriu:
duke ecur mes shpatave të erës
e mes këngëve të fshehta të gurëve.
–
Sfida ngrihen para nesh si dragoj prej mjegulle,
me sy zjarri e zemër akulli.
Por kush e ruan besimin si çelikun,
kush s’lejon që t’i shuhet flaka e brendshme,
i sheh se ata thyen përpara dritës,
e shndërrohen në stoli të shpirtit.
–
Pengesat – malet e heshtura të natës –
mbajnë amanetet e të parëve në çdo faqe shkëmbi.
Ai që ngjitet mbi to me durim,
shkel mbi plagët si mbi yje,
dhe e kupton: rruga s’e fundos njeriun,
rruga e kalit, e farkëton, e rrit.
–
Jeta s’matet me ar, as me fron, as me lavdi bote –
jeta matet me zemrat që rrahin pranë teje,
me ata që t’i ndriçojnë ditët kur bota dridhet.
Ata janë kulla që s’përmbyset,
janë zjarri që nuk shuhet,
janë kujtimi që s’vdes kurrë.
–
Prandaj jetoni tash, në flakën e momentit,
se koha s’pret, s’pyet dhe s’fal.
Çdo hap është betejë, çdo çast është fitore.
Rruga e jetës është yll i amshuar,
rojtar i qiellit që s’e lë kurrë udhëtarin vetëm.
–
Çdo pengesë kthehet në shkallë të dritës,
dhe shpirti kreshnik ecën pa u trembë,
mes lumenjve që këndojnë si lahuta,
mes erërave që çojnë amanetet larg,
mes maleve që ruajnë betimin e agimit,
e horizontit që të thërret si vetë liria.
–
Rruga vazhdon pa fund.
Shpirti rri i patundur.
Drita – betimi që s’shuhet kurrë.
–
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 30 Nëntor 2025
—–
A MJAFTON NJË DITË?
–
A mjafton një ditë me u bë shqiptar,
me ndezë zemrën flakë si shpatë në zjarr?
A mjafton një ditë me e dashtë këtë dhe,
kur zani e gjaku i derdhur çdo ditë na thërret ne?
–
Nëntori vjen si shkreptimë prej motesh,
me gjurmë të brezave në rrugë lotesh.
Na çon te plagët e historisë së gjallë,
te varret që flasin me gjuhë mali e zjarr.
–
Moti i 1912-s nuk ka qenë festë,
po britmë e lirisë në një natë të shtrenjtë.
Vlora u ngrit si një nënë në dhimbje,
që lind dritë kombi mes terri e rrebeshe.
–
Por sot?
Sot veshim kuq e zi veç për një ditë,
e mbushim rrjetet me zhurmë të kotë e britë.
Por flamuri nuk don dekor festash të ftohta,
as patriotë prej nate me zemër të shteroftë.
–
Patriot nuk je veç me foto n’Facebook,
as me fjalë që s’kanë as rrënjë, as trung.
Patriot asht ai që punon me mund,
që për Atdheun rri drejt si lis e dheun e shkund.
–
Sa prej nesh nji natë bëhen stuhí,
me fjalë të mëdha e shpirt të mpí?
Janë erë e zbehtë që vjen e ikën,
maska interesi që të nesërmen fiken.
–
Atdheu nuk kërkon veç fjalë me tingull,
por zemra që digjen çdo ditë, pa shterrim e ngurrim.
Zemra që punon, ndërton, mbron —
jo zhurmë qytetesh kur festa vjen, këndon.
–
Shko nëpër qytete sot… drita mungon,
në Kalatë e lashta flamuri s’valon.
Një heshtje e ftohtë n’dritë të agut,
sikur Atdheu ka mshelë portën e pragut.
–
Askund gjatë vitit s’ka tinguj as zjarr,
s’ka kushtrim rruge, as flamur në varr.
Shkollat heshtin, fëmijët s’dijnë
se ç’ditë e shenjtë u shkel mbi dhé t’tyne.
–
Ku janë mësuesit e motit të mirë,
që na e mësuen Atdheun me shpirt e me hir?
Ku janë prindët që s’e shisnin flamurin,
që mbanin betimin, nderin, gjakun e gurin?
–
Koha thërret me lahutë prej mali:
“Mos fleni, o bij! Kombi s’ngrihet me fjalë të rralla!”
Patriotizmi sot duhet me qenë i ndritshëm,
me dije, me urtësi, me veprim të përditshëm.
–
Me mbrojt gjuhën, traditat, këngën,
me i lidhë trojet si shkrepa ndër vëngën:
prej Presheve në Shkodër, prej Ulqinit n’Çamëri,
nji komb jemi — një zemër çdo natë e ditë n’shëndrí.
–
E nëse duem nesër me qenë më të fortë,
duhet secili me u ba rojë e këtij trualli fort.
Atdheu kërkon jo veç fjalë, po gjak të pastër,
punë me nder, besë me qëndresë, shpirt të pastër.
.
Se flamuri nuk don duert tona një natë,
por zemra që rrahin natë e ditë si jatagan i artë.
E kombi nuk mbahet me festën e një dite të shkretë,
por me shqiptarë që janë shqiptarë përjetë!
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja!
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë!
Burgu i Idrizovës, 01 dhjetor 2025
————-
DODONË MBI TOMORR
–
Parathënie e shkurtër
Në malin e shenjtë Tomorr zgjohet Dodona,
tempulli ku bora zbret si hyjni e dritës.
Zogjtë sjellin profeci, gurët mbajnë fjalët e moçme,
dhe çdo erë e çdo burim flet me gjuhën e besës së të parëve.
Lexues, ngjitu mbi këtë mal të lashtë,
dëgjo zërin e Dodonës,
ndjej frymën e një bote ku miti nuk shuhet kurrë.
—
Poema
O Zot, Mbret i Dodonës Pellazgjike,
i lindur para yjeve, para kohës,
që banon mbi Tomorrin e shenjtë,
ku bora dhe retë ngrenë betimin e parë.
–
Dodonë dimërkeqe, në zemër të Tomorrit,
ngrihet si tempull i gurit e i mjegullës,
këmbëzbathë mbi akuj të lashtë,
me gjumin hyjnor që ruan shekujt.
Aty ku era fluturon si perëndi,
dhe lisat e shenjtë përkëdhelin fëmijët e reve,
zogj të shumtë dhe shqiponja të zeza
sillen si lajmëtarë të hyjnive të hershme.
–
Nga maja e Tomorrit, drita shpërthen si flakë,
shikimi kap detet, kodrat, luginat e maleve,
dhe çdo rrjedhë uji, çdo gur, çdo trung
flet për betimet dhe për heronjtë e Arbërisë.
Tempulli i Dodonës ruan zërin e hyjnive,
që flet me shushurima gjetheve dhe bubullima
të largëta;
çdo erë, çdo gur, çdo re
është dëshmitar i besës dhe fjalës së shenjtë.
–
Në kohët e lashta, priftërinjtë lexonin qiellin,
pinë duhanin e erërave, dëgjonin zogjtë:
çdo fluturim ishte profeci, çdo këngë një shenjë,
dhe çdo stinë fjala e një hyjnie të fshehur.
–
Tomorri dhe Dodona janë një:
mal i shenjtë, vend profetik,
ku qielli dhe toka lidhen me shenjtëri,
ku miti jeton në erë, në borë, në gurë.
–
Në majë, ku shqiponjat hedhin hijet e tyre të lashta,
zëri i hyjnive bashkohet me lumenjtë dhe rrafshinat,
dhe drita e borës rikthen fytyrat e moçme
që endnin këtu shenjat e fjalët e shenjta.
–
O Zot i Dodonës dhe i Tomorrit,
ndriço rrugët e heronjve që ende do të vijnë,
ruaje besën e të parëve,
mbaj gjurmët e tyre në borë e në shi,
dhe lëre mitin të jetojë përjetë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 2 dhjetor 2025
—————-
KUR TË FLASË SHPIRTI I LISIT
–
Kur malli m’kap për plagët e mia,
për shokët e rrugës, për gjakun e patharë,
unë çoj kryet drejt qiellit, tej nga Shqipëria,
si lis që s’thyhet kurrë në stuhi e acarë.
–
Jetoj me zjarrin që më vlon ndër deje,
me besën e malit, me këngën e gjyshërve,
me britmën e tokës që kurrë s’gjunjezohet –
atë britmë që lind burrat n’rrëzë t’kullave.
–
Kam pa terrin tue u’lag me dritë,
kam pa dritën tue u’përly me errësinë,
por n’zemrën teme kam ruejtë një shtegë
ku ecin vetëm ata që mbrojnë Shqipërinë.
–
Nëse fjala ime ndonjëherë dridhet,
nëse plagët m’kërkojnë me ra n’gju,
unë çoj dorën kah burrat e historisë –
dëshmorët që rrinë roje n’udhë t’pavdekësisë.
–
E m’thërrasin: “Qëndro, o bir i Arbnisë,
se rruga e maleve nuk asht për t’lehtë;
por kush njeh dhimbjen e Atdheut të tij,
ai ka zemër çeliku edhe n’burg të shkretë.”
–
Kështu, çdo ditë, çdo natë, çdo çast,
mbi gurë t’Idrizovës ngre zjarrin tim,
me fjalë që ngjajnë me kushtrim të lashtë –
si me u’nisë prej maleve t’lirisë n’amshim.
–
E n’fund po them: sa t’kem frymë n’kraharor,
kurrkush s’e fik dot zjarrin që kam për Atdhenë;
lirinë e kam të brumosur prej etënve Arbëror,
si shqiponjë e lashtë që mbi male mbronë folenë!
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja!
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu i Idrizovës, 3 dhjetor 2025.
——————-
USHTRIA SHQIPTARE – 113 VJET NË KËMBË
–
Më katër Dhjetor, n’ditën e parë,
u ngrit Ushtria prej gjakut t’larë;
si shqiponjë-mëmë mbi Shkallë t’Historisë,
me besë n’dorë e zemër t’Shqipnisë.
–
Prej Vlorës së zjarrit që s’di me u ndalë,
ku djemtë u çuen me zemër mal;
prej maleve t’Thethit ku bora s’pushon,
ushtria shqiptare kufijt’ i mbron.
–
Kalune vjet t’randë, stuhi e erë,
po ushtria s’u thye, qëndroj me nder;
rujti flamurin me gjak e me lot,
sa herë koha e preu n’palcë këtë tokë.
–
Luftuan n’Vlore, luftuan n’Koshare,
maleve u çuan trima me zemër shqiptare.
Ku binte shoku, ngrihej një tjetër burrë:
“Kush vdes për Atdhe – s’vdes kurrë!”
–
N’kufi t’Atdheut, n’kreshta të borës,
ushtria rri roje, pa u tremb prej kohës;
natën e pret me sy që kurrë s’pushojnë,
me sakrifica e krenari, këtë tokë e mbrojnë.
–
E sot, pas shekujsh, përsëri në këmbë,
Ushtria Shqiptare me hap t’rëndë;
n’NATO e n’botë mban dritën e vendit,
si zjarr i vjetër prej krahut t’shpendit.
–
113 vjet besë, 113 vjet trimni,
113 vjet djem që ranë për Shqipni;
Asnjë furtunë s’e zbeh frymën e krenarisë,
asnjë forcë s’i mposht shqiponjat e përjetësisë.
–
O Ushtri e Shqipnisë – krah i kombit,
zani i këngës që s’lahet prej motit;
kur ti je n’këmbë, edhe toka merr frymë,
edhe qielli kuqet si flamuri Kastriotit.
–
Lavdi për uniformën që ndrin si amanet!
Lavdi për ushtarin që rrin rojë përjetë!
Nderi këtij kombi që s’u përkul kurrë –
janë Herojtë e Atdheut e gjaku në Flamur!
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja!
Ish-ushtarak e luftëtar i robëruar
në emër të Atdhedashurisë!
Burgu Idrizovës, 4 Dhjetor 2025.
—————-
NË TOKËN QË S’MUND TË PUSHTOHET
–
Shqipëria s’mund të pushtohet,
s’mund të thyhet,
zemra e saj rri gjallë si mali mbi male;
n’çdo qytet, në çdo shkrep,
në çdo shpat, rrin gjaku që zgjohet,
si kroi që buron nën gur, i patundur.
–
Shqiptari mund të lëndohet,
mund të gjakoset, por nuk thyhet –
trupin e ka prej shkëmbi;
në çdo brez, në çdo stinë që vjen,
ngrihet një tjetër trim,
me flamur mbi shpatull,
me zemër që nuk thyhet kurrë.
–
Kur Iliria këndonte me daulle bronzi,
mbretërit tanë ngriheshin mbi kalë,
si hije drite mbi fushat e lavdisë,
të pathyeshme, të patjetërsueshme.
–
Erdhën shekujt e huaj,
me shpata mbi grykë, me pranga mbi duar;
por edhe atëherë, në mesnatën më të zezë,
shqiptari digjej si pishtar
që s’e shuajnë dot erërat e muzgut.
–
U ngritë Kastrioti, ylli i maleve,
në krahë shqiponje, me zemër zjarri;
çdo betejë, çdo fushë e gjakosur,
thërriste: “Ne s’jemi skllevër –
ne jemi bijtë e Arbrit të gjallë!”
–
Kur ranë brezat, u ngritën të tjerë;
Shqipëria mund të gjunjëzohej për një çast,
por shpirtin që i vlon në hap, nuk e marrin dot.
Si mali mbi male, si era mbi fushë,
populli që s’thyhet, gjithmonë ngrihet prapë.
–
Erdhi dita e madhe e flamurit,
Kastrioti u ringrit në duart e Qemalit;
Vlora u ndez si agimi i shekujve,
dhe mbi të shkruhej:
“Kjo tokë është e shqiptarëve!”
–
Dekadat rrodhën si lumenjtë e furtunës,
me plumba dhe shpresa, me plagë dhe ringritje;
djemtë e Shqipërisë u ndeshën në çdo kapërcyell,
për të mbrojtur copën e qiellit
që s’e përkul dot asnjë trysni.
Balta e Kosovës u drodh nga gjaku i pafaj;
armiqtë kërkuan të shlyejnë një komb të tërë,
por shqiptarët u ngritën si malet,
me besë, me pushkë, me vaj dhe shpresë.
Nga Prekazi u dëgjua klithma e lirisë,
aty ku Jasharajt u bënë flakë që nuk shuhet;
Ademi, një kala e përgjakur që nuk hap derë,
u bë simbol i kombit që ra, por nuk u rrëzua.
–
Në Dukagjin, në Drenicë, në Karadak,
në çdo fshat që flakë e barot kishin përpirë,
trimi shqiptar s’e braktisi pushkën e shpresës,
as nën qiell të nxirë,
as nën natë që s’kishte dritë për të gdhirë.
–
Në luftën e fundit, feja ishte Shqipëria,
besa ishte arma, liria ishte gjithë fryma;
bijtë e shqiponjës nuk kishin frikë,
e dinin se prapa vetes kishin një komb –
një emër, një zemër që nuk shuhet.
–
Shqipëria mund të digjet, mund të shkretohet,
po ringrihet – si feniksi mbi hir,
me forcën që s’e lënë të bjerë as moti,
as fatet e thata.
–
Shqiptari mund të lëndohet…
por zemra e tij nuk vdes.
Mbi varre bëhen krahë,
mbi plagë ngrihen këngë,
mbi dhimbje ngrihet drita.
–
Kështu kemi qenë.
Kështu jemi.
Kështu do mbetemi:
bij të një dheu që nuk fshihet,
bij të një historie që s’përkulet,
bij të një gjuhe që s’zhduket,
bij të një Shqipërie që s’mund të pushtohet…
bij të një kombi që kurrë s’mund të thyhet.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 5 Dhjetor 2025
———-
JAM RRËNJË N’GUR, JAM BIRI I SAJ
–
Mirupafshim, o Shqipni e maleve,
se lamtumirë s’ta them unë kurrë;
të kam ilaç të derteve e halleve,
si gur i shenjtë nën çdo tjetër gur.
–
Ke rritë trima me besë t’përjetshme,
me flakë n’gjak e zemër të madhe;
te ti jam rritë me këngë të vjetër,
me lahutë që flet si erë mbi male.
–
Nuk ndahet biri prej tokës s’nanës,
as shqiponja prej kreshtës së vet;
udhët janë t’gjata, të marrin anash,
po zemra kthehet te vendi i shenjt’.
–
Jam prej vendit ku besa s’thyhet,
ku fjala lidhet si nyjë çeliku;
vend ku trimi bie, po nuk përkulet,
si lis i rritun me erë të prillit.
–
Mirupafshim, moj tokë kreshnike,
që flet me gurë e me zall të lumit;
unë vij te ti, kurdo që t’më thërrasësh,
si ushtar që kthehet nën hijen e flamurit.
–
Botës s’i përkas, se s’ka gjuhë t’më shërojë,
as kangë si kangët që ke ti vetë;
në çdo anë t’detit ku do t’qarkoj,
më ndjek malli yt si hije e shenjtë.
–
Se ku âsht varri i t’parëve të mi,
ku rrin pushka e tyne n’kënd t’shtëpisë;
aty kam rrënjën, aty kam zjarrin,
aty as mërgimi s’ma ftoh gjak e mish.
–
Prandaj mirupafshim, o dhe i dlirë,
jo lamtumirë, se s’ta them kurrë;
lamtumira i thonë nji vendi t’huaj,
jo tokës ku jam ngulë si rrënjë n’gur.
–
Kthehem prapë, kur t’ndezë kushtrimi,
kur t’bini era që vjen prej malit;
se jam shqiptar, me mall t’amshuar,
e biri yt – përtej viteve, kohës e djallit.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 6 dhjetor 2025
—————–
PO T’I KISHA UNË KRAHËT E ZOTIT
–
Po t’i kisha unë krahët e Zotit,
e t’isha një grimë mbi qiellin pa anë,
do t’i tronditsha shtyllat e motit,
e do t’i thosha botës: “Boll kemi dhanë!”
–
Do ta ngrinja kohën për nji çast të vetëm,
me pa kush vuan e kush shtyp nën terr,
e me një hap t’ia ndrronsha vendin jetës,
me u bâ dritë për ata që janë n’errësirë gjithher’.
–
Ah, po t’i kisha unë fuqitë e një hyu,
krejt galaksitë do t’i shtyja mënjanë,
me gjetë nji qoshe ku njeriu me qênë njeri,
ku fjala “liri” s’do t’ishte veç zanë.
–
Nji botë të re kisha me ngjizë,
me djersën e së vërtetës mbi ballë,
ku drejtësia mos me kërkue strehë,
e shpresa me ecë si zog i gjallë.
–
E nëse s’kam krahë prej Perëndie,
as forcën me tundë qiell e dhe,
kam shpirtin që s’më lidhet kurrë,
edhe n’pranga rreh si mal i lirë për Atdhe.
–
Dhe kur errësina vjen me më mbyllë,
e muret ngrihen me më ndalë,
zjarrmi i shpirtit rritet ma shumë,
e unë thërras n’përjetësi pa u ndalë:
–
“Unë jam! Unë jam drita dhe flaka,
jam shpirti i lirë që s’ka me u zbehë,
edhe n’pranga jam mal që s’përkulet,
kjo botë kurrë s’ka me m’mundë mbi kët dhe!”
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 7dhjetor 2025.
—————————
SHKËMBINJ MBI KRAHAROR
–
Dhe ranë fjalët pa ndërprerë.
Posi shkëmbinj mbi kraharor.
–
Çdo urdhër.
Çdo kërcënim.
Një thikë e ftohtë.
Godiste shpirtin.
Po s’më thyente dot.
–
S’ka gjë.
Këtë e prisja kaherë.
–
Çdo shuplakë.
Çdo gjilpërë.
Çdo plagë.
Më mësonte durimin e çmuar.
–
Si luftëtar që rritet
Mes stuhive i betuar.
–
Nuk më lëndonin goditjet.
Por më thyente brenda pabesia.
Nuk më dhimbnin plagët.
Por shpirtin më grryente tradhtia.
–
Dhuna binte mbi mua.
Pa mëshirë.
Si shpatet e kohës mbi trupin e lirë.
Por zemra mbetej e patundur.
Dhe shpirti flakëronte.
Pa frikë. Në errësirë.
–
Çdo plagë.
Çdo shenjë.
Çdo lëndim.
Mbante emrin e guximit.
Në heshtje.
–
Po tradhtia dhe pabesia
Më kërkonin dorëzim.
Po unë mbeta i patundur.
Si mal që nuk përkulet
Para erës së kohës.
–
E kujtoj çdo çast të qelisë së ftohtë.
Çdo heshtje.
Çdo shikim që kërkonte dorëzim.
–
Por unë mbeta i fortë.
I lirë brenda shpirtit.
Si luftëtar që asgjë nuk mund ta thyejë.
–
Sepse guximi nuk matet me lehtësinë.
As me mungesën e dhimbjes.
Ai rritet në zjarrin e torturës.
Në shpirtin që di të dallojë nderin nga tradhtia.
–
Dhe unë, i patundur, kam dalë i gjallë.
Me shpirt të lirë.
Zemër të pashuar.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 8 dhjetor 2025
—————
PLAGË QË S’KAN SHËRIM
–
Veç ca mure të zhuritur,
toka e lashtë – braktisur;
si kudo kur vijnë hordhitë,
vrasin popuj, djegin shtëpitë.
–
Ç’ju goditi, sa u shuan?
Ku u tretën, kah u dhanë?
Nëpër flakë gjithçka e lanë,
e u nisën rrugëve anembanë.
–
Rrugët heshtin, gurët qajnë,
era mblodhi vaj e vaj.
Nëpër dritare pa dritë
rri e ftohtë hije e ngrirë.
–
Një pendë shqipe mbi një shpat,
rrudhur, zverdhur, lyer n’gjak;
një zë fëmije n’dheun e thatë,
një kujtim i trishtë e i pafatë.
–
Në shtigje shpirtra enden qetë,
mbajnë mbi supe dhimbje e jetë;
shohin poshtë vendin e shkretë,
që dikur gumëzhinte vetë.
–
Dhe t’vriste koha, jo veç plumbi;
s’u kursye as mali, as lum’i;
por marsi vetë, i ftohtë, i ngrimë,
s’mundet me mbyllë plagë që s’kan shërim.
–
Si kudo — kështu është kjo botë:
i merr gëzimet, t’le veç lotë;
siç e tha një burrë nji herë:
ç’ngrihet lart, prap do t’bjerë.
–
Veç gjurmët mbeten, fjalë pa zë,
diku mbi baltë, diku nën të;
por marsi, edhe n’vit të mbramë,
e di se plagët kurrë s’i lanë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 9 dhjetor 2025.
————-
BURRAT QË FLASIN ME ZEMËR
–
Burrat e vërtetë nuk lëshojnë zë,
fjala e tyne âsht peshë, jo stuhí;
ata ecin qetë, por hapat e tyne
ndjehen larg, si jehonë n’malësi.
–
S’kanë nevojë me u lavdërue,
as me tregue çka bajnë e çka thonë;
se burrnia s’ngrihet n’fjalë të kota,
por n’ata gurë ku vepra dëshmon,
n’atë dritë që ditën e bardhë e zgjon.
Burrat e vërtetë s’harrojnë kush janë,
as kur u lidhet kamba prej halleve,
as kur i ngre jeta n’kreshta t’larta;
ata rrinë tok me hijen e vet,
si gurë shekullorë n’prag të shtëpisë,
që stuhitë i rrahin — por s’i lëvizin prej vendit.
–
Durimi âsht shpata e tyne ma e fortë,
besa âsht fjala që s’kthehet kurrë mbrapa;
e n’zemer mbajnë atë zjarm të vjetër,
që i bâni burrat n’kohë t’kreshnikëve,
kur nderi s’pihej me ujë,
por me gjak e me fjalë të drejtë.
–
Respekti âsht udha që e shkelin,
edhe kur rrufetë u bien n’shpatlla;
se burrat e mirë s’kthehen mbrapa kurrë,
edhe kur nata del përpara si mur.
–
E kur flasin — flasin me zemër,
e zemra u rreh si lahuta e malit;
paqja âsht e tyne, jo dobësi,
se heshtja e burrit âsht si bari i zaharisë:
e qetë, por e fortë,
si një varg zogjsh n’fluturim mbi hije.
–
Burrat e vërtetë janë si urat e lumit:
heshtin… por mbajnë gjithçka mbi veti;
edhe kur lumi fryhet me rrëmbim,
ata rrinë kreshnikë, me themele n’tokën e vet,
me shpirt që s’thyhet,
me besë që s’plaset,
me emën që nuk shuhet kurrë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 10 dhjetor 2025
————-
YJET E PAVDEKËSISË
–
N’krye t’kodrës, nën qiell t’shqiponjës,
flet lahuta me zan’ t’lashtësisë;
rrëfen për trima, për besë e gjakun,
që rrodhë n’damarët e shqiptarisë.
–
Heronj, dëshmorë, luftëtarë e martirë,
shtylla t’kombit n’ditët e rrezikut;
ranë si shqiponja n’altarin e lirisë,
për Atdhe n’betejë, përballë armikut.
–
N’kohna t’vjetra e n’kohna t’reja
ata u falën pavdekësisë;
me zemër t’përflakët, me hap prej rrufeje,
mbajtën t’pastër dritën e Shqipnisë.
–
Atdhetarë t’ndershëm, heronj e martirë,
shkruen me gjak fjalorin e lirisë;
s’u shitën kurrë te tradhtari a te i hueji,
se besa asht gur që s’e thyen errësia.
–
S’patën frikë, por veç zjarm e guxim
n’zemër t’tyne që digjte për Atdhe;
me shpirt t’pathyeshëm e me zemër betim,
amanetin e lanë ndër mote me le.
–
Ata morën udhën e amshimit,
si rreze mali mbi shpatet e nalta;
s’i trembi arma, as murlani i vdekjes,
as gryka e zezë ku priste vdekja vetë.
–
Ranë për liri, për besë e për nder,
për flamurin e shtrejtë të gjakut Arbëror,
për varret e të parëve, tokë ku kanë lënë gjakun,
për fis që kurrë s’dorëzohet hasmit shekullor.
–
Sa i gjatë ka kenë ky flijim i madh!
Sa lot e gjak ka pa kjo tokë e zjarrtë!
Por nuri i tyne shndrit si ag i ri,
si flakë që s’ftohet, si kushtrim i pamatë.
–
Se gjaku s’bahet ujë kurrkund,
as humb ndër shekuj të gjatë;
ai ngrihet n’qiell si yll i pashuar,
e udhëzon Atdheun ditë e natë.
–
Ju jeni yjet e pavdekësisë,
që shndrisni përjetë mbi Shqipni;
me zan’ lahute e frymë rapsodi
rrini rojtarë n’malet e lirisë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 11 dhjetor 2025.
————-
I MBËRTHYER, POR JO I THYER
–
O ju malet e larta me re t’zezë,
o erë që piskat ndër plagët e dheut,
o diell që pafjalë m’ke pa prej larg—
dëgjoni shpirtin tim të lidhur n’varr.
–
Se unë jam ai që dikur prej stuhisë
u ngrita drejt dritës me besë e me nder,
por “Zeusi i ri” i botës së padrejtë
m’vuri në pranga me kurthin e vet t’mjerë.
–
Më çuan në burg si fajtor pa faj,
me duar t’lidhuna e zemër zjarr,
por flaka brenda s’u shua kurrë—
as kur nata ra si gur mbi varr.
–
O tokë gllabëruar ku hapat më ranë,
unë të njoh mirë, ma ke ndje dhe mallin;
rrugët e mia u sfiduan nga tiranë,
por shpirtin s’ma thyen—as idealin.
–
Ç’dinë ata për 9 majin tim?
Për plumbat, tradhtinë, për ankthin e zi?
Unë jam ai zë që hekuri s’e ndali,
jam britma që s’harrohet, jam shpirti që s’rri.
–
Më vunë përpara si prenë e kohës,
më gjykuen pa zemër, pa gjuhë e pa dritë,
por unë krejt i vetëm n’skenën e errët
shkrova me frymë këtë betejë t’pafund n’at ditë.
–
Edhe i lidhur, prapë e ndjeva lirinë:
ajo s’është hekur, as çelës, as mur—
është zjarr që s’din me u dorëzu,
është hapi që s’kthehet, është zani i pashuar.
–
E kur t’bjerë kjo natë që m’ka zanë n’grackë,
kur prangat t’shkrijnë n’frymën e ditës,
bota ka me pa se kush isha unë:
jo rob i tyne—por kapedani i vetvetes.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 12 dhjetor 2025
——————-
PRANGAT MBI TRUP, JO MBI NDËRGJEGJE
–
Mos m’fol me gjuhë t’huej,
se un’ jam rrit me za t’dhimbjes sime,
me ndershmërinë që nuk shitet në terr;
Atdheun, krenarinë dhe besën
i kam mat me gjak — jo si të tjerë.
–
Mosmirënjohja s’më prek aspak,
se modestinë e kam në gjak.
Dhe njëmijë herë të bija për Atdhe,
përsëri do më dukej pak.
–
Prangat ranë mbi duar,
po shpirtin s’e thyen dot.
Në natën t’zezë, përballë fatit tim,
mburojë e vetme: ideali dhe guxim.
–
Unë s’mësova me dredhi,
as me shit shokët për me shpëtue veten.
Prangat ranë mbi duar,
jo mbi ndërgjegje.
Zemra s’më lejoi poshtërsi —
pështirë pabesinë,
si gjahtari që s’e vret gjahun e pamerituar.
–
Tradhtia?
Ajo s’asht dënim,
as frikë,
as trishtim —
asht turpi që djeg brezni.
–
Mos harroni fjalën teme:
kur ju lodh jeta, kur ju bie barra,
mos thoni: “Pse na gjeti kjo?”
Ka net kur njeriu zgjedh vetë
me hy n’një rrugë pa kthim.
Ashtu ish edhe nata ime —
u futa n’stuhi,
se zemra ime s’e njeh kthimin pas.
–
Asnjëherë s’mendova për pusi,
as për shtegun kush e hapi.
Trimat nuk i thërret fati —
ata i dalin fatit përpara.
Rrjetën e tjerrën të tjerë:
mercenarë, të shitur, të mjerë.
Në kurth rash fizikisht,
po jo shpirtërisht.
–
Në greminë ra mishi,
po jo besa.
Ajo rri ende e pacenueme,
si drita n’fund t’një terri
që s’e shu as koha,
as frika,
as tradhtia.
–
E un’, edhe sot,
kur ma përmendin nji fjalë
që s’ma meriton zemra,
them pa u dridhë:
Shpirti jem ka dalë i gjallë prej ferrit —
e tash
s’ka pranga,
s’ka shpifje,
s’ka pabesi —
që mundet me thye.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 13 dhjetor 2025.
——————
UDHËTIM PA KTHIM NË ZHURMË
–
U largova pa zhurmë,
si nata që nuk kërkon falje agimit.
I lashë fjalët në prag,
aty ku dikur pritja buzëqeshje,
por gjeja veç maska
që binin sapo fikeshin dritat.
–
Miqtë?
Jo —
ishin hije që më njihnin dritën,
por s’do ta mbanin kurrë peshën e saj.
Pinë nga besimi im
si nga një burim i pashtershëm,
e kur uji u bë i thellë,
u frikësuan nga pasqyrimi i vetvetes.
–
Në këtë botë
ku sinqeriteti tallet,
ku dinjiteti shihet si barrë,
e atdhetaria shërben si fjalëkalim
për të futur njeriun në tradhti,
si të mos zhgënjehem?
–
Thirrën në emër të idealit,
me fjalë të mëdha në gojë,
por pas shpine pashë veprimet e djallit:
njërëz të shitur, fjalë të shkelura,
heshtje përballë padrejtësisë.
Ideale u kthyen në kurthe;
faji im — besimi tek Atdhedashuria.
–
Jo të gjithë ishin miq.
Disa ishin pasqyrë vetëm sa kohë kishte dritë.
Kur erdhi errësira, u zhdukën,
u veshën engjëj të rremë,
por s’u qëndruan syve.
–
E mbylla derën që rrinte gjithmonë hapur,
jo nga urrejtja,
por nga lodhja.
Sepse edhe zemra
ka të drejtë të pushojë
kur keqkuptohet për bujari.
–
Gënjeshtrat e jetës
nuk më zënë më.
I njoh nga zëri,
nga aroma e fjalëve të lyera,
nga duart që duan të marrin,
por s’dinë të mbajnë.
–
Ku po shkoj?
Nuk e di.
Por di ku nuk kthehem më.
Nuk kthehem te tryezat ku sinqeriteti
ishte mysafir i padëshiruar.
Nuk kthehem te sytë që buzëqeshnin
vetëm kur më shihnin të dobët.
–
Do shkoj diku larg,
në një skaj ku emrat nuk peshojnë,
ku njeriu është thjesht frymë
dhe fjala nuk ka nevojë për prova.
Do rri i heshtur,
me jakën gri të xhaketës ngritur,
jo nga i ftohti —
por për të mbrojtur qafën
nga thikat e buta të hipokrizisë.
–
Trishtimi nuk më ndjek si mallkim,
por si mësues.
Më mëson të eci vetëm,
pa u ndjerë i zbrazët.
Sepse vetmia, kur zgjidhet,
është formë e lartë e lirisë.
–
Nëse dikur pyesin për mua,
thuaju:
“U largua i plotë,
jo i thyer.
I lodhur nga gënjeshtrat,
por i kthjellët në shpirt.
E mbylli derën jo për të tjerët,
por për të ruajtur veten.”
–
Dhe në atë skaj të largët,
ku nuk ka duartrokitje,
do prehem më në fund —
jo si i humbur,
por si njeri
që zgjodhi të jetojë
pa u shitur më asnjëherë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 14 dhjetor 2025
——————-
LIKËNET E HASIT – KËNGA E 41 YJEVE
–
(Kushtuar Mujë Krasniqit
dhe 40 bashkëluftëtarëve të UÇK-SË)
–
N’Pashtrik t’bardhë, n’borë e n’terr,
u ndez lahuta me za si n’ferr,
s’këndon për dasmë as për gëzim,
po për burra që s’pranun robërim.
–
Likënet e Hasit, gur e akull,
mban sot betimin e një flamuri t’përgjakun;
aty ku nata s’e mposhti dritën,
41 trima e ndalën frikën.
–
Në ballë t’kollonës, Kapuqi prin,
me sy kah Kosova, borën shkrin;
n’krah s’mban veç armë, po amanet,
me e çue kufinin aty ku ka qenë vetë.
–
“Mos m’i shikoni plagët e mia,
shikoni tokën ku shtrihet Shqipëria!”
– fjalë prej guri, fjalë prej zjarri,
që i ndezën trimat me u ba flamur n’ballë t’varrit.
–
Nga Drenica n’Has, nga oda n’istikam,
Muja s’ishte komandant veç me nam;
ishte shok i pushkës, i bukës, i natës,
n’çdo betejë printe pa u tutë prej vdekjes së thatë.
–
Kur Gllogjani u rrethue prej hekurit t’zi,
e Atdheu thirri prej flakës n’liri,
Muja u çue si rrufe prej vendi:
“Mos t’i lëmë me ra mbi pragun e shenjtë të Drenicës s’plandi!”
–
Në Kijevë u thye kolona armike,
mortaja foli me gjuhë kreshnike;
snajper e automatik u bënë kushtrim,
e toka u dridh nën hapin e çlirimit.
–
Po nata e 14 dhjetorit erdhi si hije,
me pritë t’ngritur prej ushtrie mizorie;
borë mbi shkëmb, heshtje n’frymëmarrje,
armët n’shpinë, Kosova n’zemër të madhe.
–
Rrethimi u mbyll, qielli u ça,
Likënet u bënë altar me za;
një pjesë shpëtoi, por jo ata burra,
që zgjodhën me ra për mos me u përkulë kurrë.
–
Muja ra n’ballë, si bie rrufeja,
40 shokë me të – u bënë këngë e rrëfeja;
s’ishin veç trupa, ishin betim,
që Kosova s’kthehet ma n’robërim.
–
Secili emër ka peshë prej mali,
secili gjak ka vlerë barazi;
po Kapuqi mbeti n’kujtesë t’kombit,
si themel guri i Ushtrisë e i flamurit.
–
Sot Pashtriku flet, Hasit i dridhet zani,
Likënet i ruajnë me besë e me nderim;
41 yje rrinë n’qiell me radhë,
e Kosova jeton se ata ranë pa u nda.
–
Lavdi Mujë Krasniqit – Kapuqit t’luftës!
Lavdi 40 shokëve t’rrugës së gjakut!
Sa t’ketë lahutë e sa t’ketë zë shqiptar,
kjo këngë s’harrohet – për bijtë që ranë n’altar.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 14 dhjetor 2025.
——————
DITËT QË RRINË NË ZEMËR
–
Jetë nuk janë vetëm ditët që shkrihen në kohë,
as hapat që humbin gjurmët në pluhur harrese.
Janë çastet që ndezin zemrën si flakë e amshuar,
buzëqeshjet që mbajnë dritën pezull mbi jetë,
lotët e shenjtë që ngrejnë ura mbi shpirtin,
dhe kujtimet që rrinë si hije të argjendta në hënë.
–
Janë ato ditë që mbartin histori të pashlyera,
zëra që përshkojnë shekujt si psherëtimë mali,
duar që ngjiten fort si shtylla të tokës,
aroma e së shkuarës që s’venitet kurrë.
–
Kush mendon se jeta matet me orët që ikin,
harron se vlera e saj shkruhet vetëm aty
ku rrjedh e qetë e e thellë në zemër.
Çdo ditë që mbetet në kujtesë
është ditë që ngrihet mbi kohë,
si ylber pas stuhisë,
si shkëndijë që çan errësirat.
–
Por ditët që rrinë, nuk preken nga vdekja;
ato ngrihen si kreshnikë të shpirtit,
valojnë flamuj drite nëpër malet e brendshme,
çajnë lumenj kujtimesh dhe kapin horizontet,
të pathyeshme, të përjetshme, të shuguruara.
–
Çdo ditë që jeton në zemër
është betejë e fituar,
shkëndijë që ndriçon natën,
histori që s’fshihet kurrë.
–
Se ditët që rrinë janë yjet e shpirtit,
udhërrëfyesit e netëve të gjata,
flakët që digjen pambarim në zemrat tona,
të pashuara, të pavdekshme,
si legjendë që endet përjetësisht brenda nesh.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë.
Burgu i Idrizovës, 15 Dhjetor 2025
———————-
NE QË ECËM KËMBËZBATHUR
–
Ne që ecëm këmbëzbathur nëpër kohë,
me plagë në shputa e dritë në ballë,
nuk kishim strehë, po kishim fjalë,
as pasuri — veç shpirtin plot e mal.
–
Ne që rritëm shpresën n’bark të gurit,
dhe besën e mbollëm në tokë të thatë,
na u thinjën ëndrrat para se flokët,
por kurrë nuk u shitëm për pak dritë.
–
Ne që donim të ndalim rënien në greminë,
atë rrëshqitje që s’pyet për asgjë mbi dhe;
i vumë shpatullat historisë pa kërkuar lavdinë,
por koha na doli më e rëndë se ne.
–
Sot na quajnë të lodhur, të prapambetur;
na masin me numra, jo me plagë e ç’kemi hequr;
por s’e dinë se mbi shpinat tona, të krusura litar,
janë shkruar sa e sa kapituj pa varr.
–
Ne s’jemi të pafuqishëm — jemi të matur,
se fjala jonë s’është për pazar e teatër;
ajo lind vetëm kur dhimbja pjeket ndër ne,
dhe del si rrufe — largon mjegullën mbi re.
–
E nëse sot s’e ndalim dot rrokullimën,
nesër do të jemi guri në shteg,
që brezat mos të bien në humnerë,
por të ngjiten, edhe kur rruga ndjeg.
–
Se ne që ecëm këmbëzbathur dje,
jemi themeli që s’u pa kurrë,
dhe nga plagët tona do mbijë drita
që s’e shuan as koha, as furtuna, as frika.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 16 dhjetor 2025.
————–
LEGJENDA E NJERIUT
–
Njeriu ngrihet si mali në mes të stuhisë,
me rrënjë që kapin thellësitë e dheut,
dhe maja e tij prek retë e harruara,
ku stuhitë këndojnë himne të lashta.
–
Në gjoks mban lumenj të fshehtë,
ku valët flasin me zërin e të parëve,
dhe çdo gur është shenjë e betimit,
që koha nuk mund ta fshijë nga kujtesa.
–
Ai ecën nën qiellin e yjeve,
ku secili rreze është një rrugë e mundur,
dhe era i sjell zërat e legjendave,
si një këngë që flet për guxim dhe heshtje.
–
Kur rrufeja ndriçon horizontin, ai qëndron,
si rrënjë dhe maja njëkohësisht;
dhe në çdo hap i tij ka dritë dhe hije,
sepse njeriu është stinë që jeton brenda stinëve,
dhe një yll që ndriçon edhe kur nata e mbulon.
Ai mban zjarrin e pyjeve të harruara,
dhe fjalët e tij janë si rrjedha e lumenjve,
që gërmojnë gurët dhe krijojnë shtratin e tyre,
dhe çdo shkëmb është dëshmi e qëndresës së tij.
Në çdo frymëmarrje rritet një qiell i ri,
dhe hëna i thotë sekretet e errësirës,
dhe ai i dëgjon pa u trembur,
sepse zemra e tij është si strehë dhe si forcë,
një botë e brendshme që nuk shuhet.
Kur era këndon mbi fushat e pafund,
ai ecën si një legjendë e gjallë,
dhe çdo hap sjell dritë dhe hijë,
dhe universi vetë i përgjigjet,
sepse njeriu është stinë, zjarr dhe yll,
një krijesë që lë gjurmë në çdo kohë.
—
Autor Genc Sefa Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 17 dhjetor 2025.
————–
SI U BË KJO BOTË E SHKRETË
–
Si u bë kjo botë e shkretë,
sa më i dobët, më fort bërtet,
zëri s’ka peshë, po ka jehonë,
kur mendja tretet n’telefon.
–
Janë shtuar trimat n’rrjete sociale,
me statuse, zgjidhin halle,
me tone të forta, vepra t’pakta,
me zemra bosh e fjalë të zjarrta.
–
Çdo gjë e bëjnë në internet,
luftë, paqe, politikë edhe shtet,
me një klik rrëzojnë histori,
me një “share” ndërtojnë lavdi.
–
Gjeneralë pa plagë në trup,
strategë lufte në kolltuk,
flasin për gjak e për kufij,
pa ditur peshën e një varri t’ri.
–
Shtetin e bëjnë status ditor,
ligjin – opinion momental,
kushtetutën n’komente e shkruajnë,
drejtësia mbetet virtuale.
–
Kush flet më shumë, duket i drejtë,
kush hesht e punon, mbetet i tretë,
mençuria quhet dobësi,
zhurma – pushteti i ri.
–
Trimëria tani është profil,
foto të forta, sy që s’e dinë,
trimi i vërtetë nuk flet, nuk bërtet,
por qëndron i fortë kur tjetri tretet.
–
Shiten kauza me afat ditor,
sipas modës dhe sipas erës,
sot je hero i rrjeteve,
nesër s’të njeh më as kujtesa.
–
Në këtë treg ku shitet fjala,
me peshore t’thyer e zëra t’larë,
e vërteta rri pa zhurmë,
si gur i rëndë n’fund të lumit.
–
E prapë, në këtë botë t’rrëmujshme,
ka njerëz që s’kanë nevojë me britmë,
që bëjnë pa folë, që rrinë pa u dukë,
e mbajnë peshën që s’e mban turma.
–
Se koha kalon, zhurma shuhet,
ekranet fiken një nga një,
por mbetet fjala që s’u shit,
dhe hapi i drejtë i njeriut njeri.
–
Se botën s’e mbron bubullima,
po rrënja që s’bën zë,
ajo që mban tokën gjallë,
kur stuhia kalon mbi të.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 18 dhjetor 2025
——————–
PRINDËRIT – LETËR PA ZË
–
U tretën, u tretën babai dhe nëna,
dhe unë s’isha aty.
Jo se s’doja —
po se isha i lidhur diku larg,
në emër të asaj që ata vetë më kishin mësuar:
ta dua Atdheun pa çmim.
–
Ata s’më panë dot atë ditë.
As unë s’i pashë.
Midis nesh kishte hekur,
jo mungesë dashurie.
–
E pritën ikjen të qetë,
të larë, të krehur, të mbledhur në vete,
dhe unë i imagjinoj fytyrat e tyre
ashtu siç doja t’i mbaja mend përgjithmonë.
–
S’flisnin dot…
por letrat e tyre gjetën rrugë deri te unë,
më erdhën si zëra që s’i ndalon burgu,
si duar që kalojnë muret.
–
Më të pashëm se kurrë,
edhe pse s’i pashë me sy.
Shkëlqimi i tyre më gjeti edhe në errësirë,
më pa mua aty ku isha,
i mbyllur, por jo i thyer.
–
U kthyen në gur, thonë…
por unë i ndjej në gjoks,
në zërin tim kur thyhet,
në hapat e mi kur ngadalësohen.
Ma lanë forcën për ta përballuar mungesën,
ma lanë shpirtin tim,
ashtu siç donin të isha.
–
Ma lanë një fjalë…
të thjeshtë, pa zhurmë,
por e rëndë sa jeta:
Qëndro drejt, edhe kur je i lidhur.
–
Dhe tani, babë, nënë,
kur nata më rrethon,
flas me ju pa zë.
Nuk më përgjigjeni —
po e di,
jeni aty.
–
Jeni gur, jeni dritë,
jeni themel që nuk shuhet,
as nga koha, as nga varri.
–
Jeni shpirti im,
jeni forca ime,
dhe do të jeni gjithmonë.
—
Pushofshi në paqe 🙏
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 19 dhjetor 2025
——————
KAH PO SHKON POPULLI SHQIPTAR
–
Kah po shkon populli shqiptar?
Dikur fisnik, me besë e me nder,
me bukë të ndarë edhe n’varfëri me tjerë,
me fjalë të pakta, por me peshë çdo herë.
–
Dikur porta s’pyeste kush ishe,
as nga vije, as ç’fe mbaje në zemër;
mjaftonte njeriu —
sot njeriu s’vlen pa zhurmë, pa maskë, pa çmim.
–
Sot krenar si lypsar, fjalë n’shesh,
duart shtrihen jo për punë,
po për lëvdatë, për klikim, për rrenë,
për pak dritë që s’ngroh askënd.
–
Heshtja s’ka më vend,
kur zhurma bëhet normë.
–
Pa plagë në trup, pa baltë në shputë,
shpallin luftë prej hijes së rehatisë,
betohen për gjak që s’e kanë derdhur kurrë,
as s’e kanë peshuar dhimbjen e tokës.
–
Bërtasin për atdhe me barkun plot,
shesin flamur për një interes,
e kur vjen dita me qëndru drejt,
kthejnë shpinën, treten si hije n’shi.
–
Dikur turpi ishte mësues,
sot turpi quhet “sinqeritet”;
dikur fjala mbahej peng i ndërgjegjes,
sot ndërgjegjja mbahet peng i fjalës.
–
Fëmijët rriten me shembuj të rremë,
mësojnë me fitu pa u lodhë,
me u dukë pa u bërë,
me folë shumë — e me qenë pak.
–
E prapë, nën gjithë këtë pluhur e zhurmë,
ende ka njerëz që s’shiten,
që s’bërtasin, por rrinë drejt,
si shtylla t’vjetra që s’i rrëzon era.
–
Janë ata që s’dalin n’pazar të fjalës,
që s’kërkojnë lavdi me zë të lartë,
po mbajnë nderin si barrë të shenjtë,
edhe kur s’i sheh askush.
–
Se populli s’është zhurma,
as sharja, as lypsaria krenare,
populli janë ata pak që mbajnë peshën,
kur shumica zgjedh me u lehtësu.
Kah po shkon populli shqiptar?
–
Pyetje që s’do përgjigje me fjalë,
po me kthim te njeriu, te puna, te nderi —
ndryshe mbaruam n’harresë për të gjallë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu i Idrizovës, 20 dhjetor 2025
—————-
FASADË E NDRIÇUAR, SHPIRT I ERRËT
–
Në vitrinat e botës shitet ndërgjegjja,
me çmim simbolik, me paketim moral;
blihet heshtja, shitet gënjeshtra,
e vërteta rri në qoshe — pa kapital.
–
Njeriu peshon veten me ar të huaj,
me pasqyra që s’e njohin fytyrën;
sa më shumë shkëlqen trupi përjashta,
aq më thellë errësohet brenda shpirti.
–
Monedhat bien si pranga në xhepa,
kërcasin fort, por s’thonë asgjë;
zëri i arsyes mbytet në tingull,
kur ndërgjegjja blihet me zë.
–
Miqësia sot është marrëveshje,
me kushte, interesa e afat;
të duan sa kohë u hyn në punë,
të mohojnë sapo s’je më çelës në derë.
–
Fjala e dhënë ka humbur peshën,
është kthyer në monedhë që zhvlerësohet;
betimi s’lidhet më me shpirtin,
por me rrethanën që ndryshohet.
–
Në tregun e madh të vlerave njerëzore,
dinjiteti mbetet stok i vjetër;
shitet mashtrimi si mall luksi,
ndërsa ndershmëria s’gjen blerës.
–
Rrugët ndriçojnë si skenë teatri,
por prapaskena mban errësirë;
sa më shumë dritë për sytë e huaj,
aq më pak dritë për shpirtin e lirë.
–
Jetojmë në iluzione të fabrikuara,
lumturi plastike, pa rrënjë, pa dhimbje;
kur bien dritat, zbresin maskat,
vetmia flet me zë të thyer.
–
S’flitet më për nder e për besë,
janë fjalë të vjetra, jashtë kohe;
sot fiton ai që di të shtiret,
jo ai që rri drejt në vorbull e stuhi.
–
Shpirti s’kërkon pasuri të verbër,
por kuptim, peshë, përgjegjësi;
ne e ushqejmë me zhurmë boshe,
pastaj pyesim pse humb njeriu.
–
As ari, as fama, as pushteti
s’e mbushin zbrazëtinë e brendshme;
sa më shumë kemi, aq më pak jemi,
sa më shumë flasim, aq më pak themi.
–
Në fund mbetemi lakuriq përballë vetes,
pa treg, pa çmim, pa justifikim;
dhe kuptojmë, me vonesë tragjike:
shpirtin nuk na e vodhën —
ne e shitëm, me vetëdije, çdo ditë.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 20 dhjetor 2025.
—————
SHIGJETA E GJAKUT
–
Sa herë kohët na kanë nda,
na bashkuan hallet e mëdha,
kur fjala u sos nëpër kufij,
foli gjaku — dhe s’u nda.
–
Sa t’na rrjedh gjaku në vena,
jetën borxh Shqipëri ta kena,
se në ditë të zeza Kosove
nuk pyete për plagë e krena.
–
Nga Tropoja në Pashtrik u ngrit zani,
jo me bujë, por me amanet,
kur nata zbriti mbi Drenicë,
Shqipëria u bë pushkë e shteg.
–
S’erdhi me flamur për tregti,
as me fjalë për sy të botës,
erdhi me djem e me bukë,
me gjak të një gjuhe, të një toke.
–
Operacion “Shigjeta” s’ishte veç plan,
ishte besë që s’prishet kurrë,
kur vëllai s’pyet për rrezik,
por del përpara — bëhet mur.
–
Në shpatet ku zjarri flinte,
u zgjuan pushkët shqiptare,
dhe kufiri, ai i drunjti,
u bë vijë gjaku e nderi kombëtare.
–
Shqipëri, ti s’erdhe si shtet,
por si nënë që s’pret me thirrë,
kur Kosova u dogj n’flakë,
ti ia mbajte shpinën — lirë.
–
Djemtë ranë pa poste e grada,
pa kollare, pa pushtet,
ranë që nesër fëmijët tanë
të mos kenë zinxhir në jetë.
–
E sot, kur fjala “liri” thuhet,
mos e lini bosh në zë,
kur Kosova s’kishte frymë,
Shqipëria u bë gjak për të.
–
Sa t’na rrjedh gjaku në vena,
ky borxh s’ka për m’u tretë,
Kosovë e Shqipëri një trup jena,
një shpirt, një gjak, një jetë.
–
Dhe po u desh prapë nata me u kthye,
me zjarr, me terr, me furtunë,
Shigjeta s’është histori —
është betim për liri që derdh gjakun lumë.
—
Kujtesë historike
Operacioni “Shigjeta” dhe mbështetja e Shqipërisë për UÇK-në gjatë luftës së Kosovës nuk janë vetëm pjesë e historisë, por edhe shenjë e përjetshme e bashkimit kombëtar dhe sakrificës. Kjo poezi është një betim për brezat e ardhshëm, që të kujtojnë gjakun, nderin dhe besën që na mbajnë të bashkuar.
Lavdi e përjetshme Heronjve të Atdheut 🇦🇱
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të Atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 21 dhjetor 2025
———
SHQIPËRIA SOT
–
Shqipëri, moj nënë me plagë të reja,
me flamur në dorë e pranga n’këmbë,
emrin ta thërrasin n’tribuna t’rreme,
po shpirtin ta shesin pa zë, çdo pëllëmbë.
–
S’të mban më nën shpatë jeniçeri,
as top i huaj s’ta prish pragun,
po heshtja e blerë, vjedhja me letra,
ta vret lirinë pa derdhur gjakun.
–
Robër s’jemi më me pranga hekuri,
po me mendje t’çarë e fjalë t’përkulur,
me gjuhë që hesht kur duhet të flasë,
me sy që shohin — po rrinë t’ulun.
–
Trimëria sot s’bie n’beteja,
as s’vritet n’fushë ballë për ballë,
po futet n’qeli, shpallet me faj,
i quajnë rrezik burrat me plagë.
–
Këtu heronj të rremë mbajnë maska t’lyera,
me kollare e fjalë për konsum,
ndërsa ata që s’u përkulën kurrë,
i lidhin me ligj, i mbyllin n’burg.
–
Flasin për atdhe n’ekrane t’ndritshme,
me zë të lartë e gjoks të fryrë,
po kur përmendet gjaku i derdhur,
kthejnë shpinën — bëhen hi, nxihen në fytyrë.
–
Ku janë bijtë që ranë për liri?
Në data, kurora e fjalë t’ftohta.
Po të gjallët që s’e shitën shpirtin,
i lanë n’harresë, i lanë n’pranga.
–
Evropë, që flet për drejtësi,
a i sheh burgjet ku mbyllen idealet?
A i dëgjon britmat pa mikrofon,
apo sheh veç atë që t’bën pazaret?
–
Ne prapë po e paguajmë lirinë,
jo me pushkë, po me ikje e turp.
Kush ikën nga toka e vet,
ia fal atë grabitqarit pa luftë.
–
Padija sot s’është mos me ditë shkronja,
është me ditë të vërtetën e me heshtë.
Është me pa padrejtësinë n’sy,
e me e quajtë “urtësi” frikën e vet.
–
Shqipëri, s’të duhen lavde t’vjetra,
as mite t’pluhurosura n’letër.
Të duhet mendja e bashkuar,
fjala që peshon, burri që s’thyehet.
–
O vëllezër, mjaft u shitëm lirë,
mjaft u përçamë për pak thërrime.
Atdheu s’ngrihet me sharje rrjetesh,
po me dije, nder e qëndresë trime.
–
Mos prit shpëtimtar prej anës tjetër,
as vula t’huaja, as fjalë t’arta.
Kur mendja zgjohet, kombi çohet,
dhe pranga bie pa u ndje krisma.
–
Nëse sot s’mbledhim mend e zemër,
nesër s’do kemi as ç’të mbrojmë.
Se Shqipëria s’vdes prej armikut,
po prej harresës së bijve t’vet.
–
EJANI — TA BËJMË KËTË VEND!
Jo për lavdi boshe e fjalë n’erë,
po që kur historia t’na pyesë:
“Ku ishit?”
t’ia shohim sytë — e mos t’i ulim, pa nderë.
—-
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 22 dhjetor 2025.
—————-
FRYMËZIMI I HESHTUR
–
Në errësirën e natës që më mëson durimin,
një yll digjet pa zhurmë, një rreze s’këputet.
S’ka ardhur ende ora për zjarr të hapur,
ngjitem në terr — heshtja më mban gjallë.
–
Fjalët bien si krisma në errësirë,
si gurë të mprehtë nën shputat e mia.
“Fali, o Zot” — them, e s’pushojnë kurrë,
nga çdo plagë e hapur del frymë jete.
–
Heronjtë e heshtur, me peshë në shpirt,
qëndrojnë të ngrirë mes shikimeve të thyera.
Luftuan pa emër, pa kërkuar lavdi,
të padukshëm — forcën e mbajtën të pastër.
–
Uji që rrodhi lau etjet e vjetra,
pluhurin e viteve e mori me vete.
Një paqe kërkoj mes valëve të turbullta,
çdo hap më afron me dritën pa zë.
–
Në strofkën e ngushtë, si bishë e plagosur,
beteja zhvillohen pa dëshmitarë.
Pa e ditur, lumi ma fshin shpirtin,
unë vazhdoj të dua — flakë që s’përkulet.
–
Në botën që ikën, hapi mbetet hije,
lufta e vërtetë s’kërkon fitore.
Zëra më thonë: “Mos u ndal.”
Ec përpara — pa bërë paqe me të keqen.
—
Autor: Genc Sefa – Lushnja
Luftëtar i robëruar në emër të atdhedashurisë
Burgu Idrizovës, 23 dhjetor 2025.
———-


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
