Rruga e pasigurt e Serbisë: Shqiptarët etnikë, autokracia dhe bashkëfajësia ndërkombëtare

17
Dec
2023
Shkruan: Vudi Xhymshiti

Zgjedhjet e Serbisë hedhin një dritë të fortë mbi cenimin e së drejtës së votës së shqiptarëve etnikë, duke zbuluar një dukuri shqetësuese të autokracisë dhe bashkëfajësisë ndërkombëtare.

DEC -16- 2023
Bujanoc, jugu i Serbisë — Ndërsa, zgjedhjet parlamentare në Serbi mbahen të dielën, vendi përballet me të kaluarën e tij të trazuar, që hedh hije të mëdha mbi të tashmen dhe të ardhmen e tij. Zgjedhjet e planifikuara për 17 dhjetor 2023, nuk janë thjesht një garë politike, por një reflektim i çështjeve më të thella që vrasin vendin, veçanërisht situatën e komunitetit të tij shqiptar. Kjo çështje, e rrënjosur në një histori të ndërlikuar të konflikteve dhe manovrimeve politike të sotme, ngre shqetësime të thella mbi përkushtimin e Serbisë ndaj vlerave demokratike, të drejtave të njeriut dhe harmonisë rajonale.

Historia e Ballkanit është një mozaik i shumëllojshmërisë etnike dhe identiteteve kombëtare të ndërlikuara, shpesh të kapura në narrativat e zgjeruara gjeopolitike të Europës. Shpërbërja e Jugosllavisë në fund të viteve të ‘90-ta, shkaktoi një valë nacionalizmi dhe përçarje etnike, duke çuar në fushatat e famshme të spastrimit etnik, nën regjimin e Sllobodan Milosheviçit. Këto ngjarje, të cilat shkaktuan zemërim ndërkombëtar dhe ndërhyrjen e NATO-s, veçanërisht në Kosovë, kanë lënë plagë të thella në psikologjinë kolektive në rajon.

Sot, nën qeverisjen e Presidentit Aleksandar Vuçiç, dikur Ministër i Propagandës në qeverinë e Millosheviçit, ka shenja alarmante se kapitujt e errët mund të përsëriten. Tregimet e shqiptarëve etnikë në Serbi përshkruajnë një panoramë të zymtë të përjashtimit dhe margjinalizimit. Shqetësime të thella për këto çështje janë shtetësia dhe liria e lëvizjes, të drejta që po bëhen gjithnjë e më shumë të kushtëzuara për këtë grup minoritar në Serbi.

Rastet si ato të Halim Ramadanit dhe Gentrit Emerllahut simbolizojnë vuajtjet e shqiptarëve. Ramadani, i cili u zhvendos në Kosovë për punë, zbuloi se pasaporta e tij serbe ishte anuluar, duke kufizuar rëndë të drejtat e tij. Përpjekjet e Emerllahut për të marrë dokumente të rëndësishme shtetërore pengohen ngase adresa e prindërve të tij është “e pasivizuar” – një status që duket se synon shqiptarët, veçanërisht ata që zhvendosen në Kosovë. Këto raste nuk janë incidente të izoluara, por pasqyrojnë një model sistemik që ndikon në këtë komunitet.

Javët e fundit që i kalova duke vëzhguar zhvillimet politike në Beograd, përfshirë fushatën parazgjedhore, hasa në shumë pretendime shqetësuese dhe vendosa t’ia bëj një vizitë Luginës së Preshevës, një rajon juglindor në Republikën e Serbisë, me një popullatë të konsiderueshme shqiptare.

Kur në mëngjesin e së shtunës hyra në Preshevë, në qytet mbizotëronte një ndjesi dëshpërimi dhe heshtjeje, me shumë banorë që kritikonin kryetarin e tyre, Shqiprim Arifi, i cili shihet si një mjet i politikës serbe. Ngjitja në pushtet e Arifit dhe heshtja e tij mbi çështje kyçe, si spastrimi etnik i shqiptarëve, mbeten ndër çështjet kryesore që duket se do t’i kushtojnë Arifit me humbjen e plotë të pushtetit. Përpjekjet e mia për ta takuar kryetarin Arifi për komente, dështuan, duke nxjerrë në pah një tendencë më të gjerë të tij për t’i shtypur zërat ndryshe dhe për t’iu shmangur përgjegjësisë kur thirret nga zërat kritikë.

Në Bujanoc, u takova me Abelant Zahirin, një inxhinier softueri nga Bujanoci, i cili jeton dhe punon në Londër. Abelanti tregoi se u kthye për të marrë pjesë në zgjedhje. Ai shprehu shqetësime mbi anulimin e adresave për shqiptarët që jetojnë jashtë Serbisë, duke treguar se është i frikësuar edhe për statusin e tij të shtetësisë. Ai i sheh këto veprime si një formë të spastrimit etnik, duke theksuar zbatimin selektiv të ligjeve kundër shqiptarëve.

Derisa Bujanoci dhe shqiptarët etnikë përballen me spastrim etnik të organizuar nga Republika e Serbisë, Zahiri theksoi nevojën për unitet mes shqiptarëve në Serbi, veçanërisht në zgjedhjet kombëtare dhe shprehu mbështetje për Shaip Kamberin si përfaqësues në Asamblenë Kombëtare.

Politika e qeverisë serbe e pasivizimit të adresave ka pasoja të rënda. Duke hequr shtetësinë nga shqiptarët që zhvendosen në Kosovë, shteti serb i bën ata efektivisht pa shtetësi. Kjo strategji administrative, që mohon qasjen në shërbime dhe të drejtat civile, duket të jetë një përpjekje e llogaritur për të zvogëluar praninë dhe ndikimin e shqiptarëve etnikë në Serbi. Pengesat ligjore dhe burokratike shpesh lënë individët e prekur pa ndonjë mjet ndihme.

Zgjedhjet e së dielës në Serbi paraqesin një mundësi për të ekzaminuar peizazhin gjeopolitik më të gjerë dhe rolet e aktorëve ndërkombëtarë. Është kritike që Bashkimi Evropian është akuzuar për lehtësimin e qëndrimeve politike agresive të liderit autokrat të Serbisë, Vuçiç. Qasja e BE-së, shpesh e konsideruar si shumë inkurajuese për Beogradin zyrtar, ngre pyetje mbi përkushtimin e saj për t’i mbajtur vlerat demokratike dhe të drejtat e njeriut në marrëdhëniet e saj me Serbinë.

Për më tepër, veprimet e fundit të Ambasadorit të SHBA-së në Beograd, Christopher Hill, kanë shkaktuar polemika. Kërkesa e tij për falje për fushatën e bombardimit të NATO-s, është parë nga shumë si një lëshim diplomatik i rëndësishëm për qeverinë e Vuçiçit, që mund të minojë përpjekjet për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për trajtimin e saj të pakicave etnike dhe për mbajtjen e parimeve demokratike.

Këto dinamika ndërkombëtare kanë implikime të rëndësishme për peizazhin politik të Serbisë dhe trajtimin e shqiptarëve. Komiteti i Helsinkit dhe Iniciativa e Rinisë për të Drejtat e Njeriut me bazë në Beograd kanë ngritur zërin kundër ligjit të pasivizimit, duke e theksuar atë si një çështje të rëndësishme që cënon të drejtat e njeriut në Serbi, me Iniciativën Rinore e cila në raportin e saj thekson se ligji për pasivizimin e adresave është duke u zbatuar qëllimisht në mënyrë selektive. Avokimi i tyre hedh dritë mbi sfidat më të gjera me të cilat përballen shqiptarët në Serbi, si margjinalizimi dhe përjashtimi sistemik.

Me afrimin e zgjedhjeve në këtë të diel, margjinalizimi i komunitetit shqiptar mund të ndikojë thellësisht në procesin demokratik të Serbisë. Aftësia për të marrë dokumente, pjesëmarrja në jetën qytetare dhe ushtrimi i të drejtave të votimit janë thelbësore për një demokraci të shëndoshë. Cënimi nga e drejta e votës i një grupi etnik të tërë ngre pyetje serioze mbi përfshirjen dhe drejtësinë e procesit zgjedhor dhe nga kjo pikëpamje, legjitimitetin e qeverisë.

Ndërsa, Serbia qëndron në këtë udhëkryq kritik, zgjedhjet e deklaruara për të tretën herë nga Presidenti Vuçiç dhe administrata e tij, së bashku me përgjigjet e komunitetit ndërkombëtar, do të kenë jehonë përtej kufijve të vendit. Zgjedhjet janë më shumë se një barometër politik; ato janë një referendum mbi trajektoren e Serbisë, angazhimin e saj ndaj normave demokratike dhe aftësinë e saj për t’u pajtuar me historinë e saj. Situata e komunitetit shqiptar shërben si një provë kyçe për demokracinë e Serbisë dhe një parashenjë për të ardhmen e Ballkanit. Komuniteti ndërkombëtar sheh me një përzierje shprese dhe kujdesi të zymtë, duke dëshiruar përparim, por duke qenë i mangët në veprimet e tyre konkrete për të kërkuar llogaridhënie nga Beogradi zyrtar dhe duke qenë i pandërgjegjshëm lidhur me hijet e tensioneve që mbizotërojnë rajonin si pasojë e plagëve të pashëruara historike dhe lidhjeve të Serbisë me Federatën Ruse, sidomos qëkur Serbia nënshkroi marrëveshjen për konsultim dhe bashkërendim të politikës së saj të jashtme me Moskën zyrtare, në shtator të vitit 2022.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/12/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk