Ka rrugë që i shohim nga larg
dhe nuk i shkelim kurrë —
nga frika se mos humbasim,
ose nga bindja se nuk na takojnë.
–
Por koha është një udhëtar i çuditshëm:
na çon në shtigje
që nuk i kemi zgjedhur,
e shpesh ato janë më të rëndësishmet.
–
Ka ditë që ndalen si ujë në përrua,
dhe ditë që rrjedhin si rrufe.
Në të parat, mëson durimin;
në të dytat, kujton se gjithçka ikën.
–
Në çdo fjalë të pathënë,
rri një gur i heshtur;
në çdo fjalë të thënë kot,
një pendim i vogël.
–
Njeriu rritet,
jo vetëm kur fiton,
por kur humb me dinjitet.
Dhe kupton, një ditë,
se edhe rrugët e pashkelura
mbajnë gjurmët tona të padukshme,
po aq sa ato ku lamë hapa.
—————————————————–
“Nuk ka humbje në rrugët që nuk i shkelim
— ka mësime që presin kohën e tyre.”
✍️Genci Sefa – Lushnja


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
