“SA DHËMBË KA INGRANAZHI 76 DHËMBËSH?!”

26
Jul
2026
Shkruan: Gjon Bruçi

Retrospektivë:
-Gazeta Telegraf -15 Nëntor, 2018-
Ceremonia shtetërore e rivarrimit të Kryeballistit Mit’hat Frashëri, në Panteonin e Rilindësve tanë në Tiranë, është “vepra” më e fundit e socialistëve, subjekti politik që në këta 28 vjet ka pasur në mbështetje shumicën e shqiptarëve.
Gjatë këtyre afër tri dekadave, nuk kanë munguar zërat realistë, të cilët kanë shpjeguar se Partia Socialiste, që doli si kopilicë e nomenklaturës së lartë e tradhtare të PP në vitin 1991, nuk është gjë tjetër, veçse simotra e PD-së, subjektit që prej tri dekadash ka mbërthyer e mban flamurin e neofashizmit
Nëse, në fillimet e veprimtarisë politike, PS-ja ka manovruar për të mbuluar me sa të mundet hilen e saj, duke u hequr si mbrojtëse e flaktë e LANÇ, Dëshmorëve të saj dhe vlerave të Socializmit, në dekadën e fundit, “virgjëria e saj e shprishur” nisi të dilte sheshit.
Lideri i saj aktual, me emrin Rama, ndonëse pati firmosur e botuar postulatin e tij: “Komunistët në litar e veteranët në hanxhar”, arriti që në vitin 2005 të akaparonte Partinë Socialiste, kontingjenti kryesor i së cilës ishin pikërisht ish-komunistët, veteranët dhe familjet e Dëshmorëve. Këta të fundit, postulatin “Ramian” të vitit 1992, e konsideruan një shaka trotuari, nga ato që autori këmbente dikur me “manarët e vegjël të ish-bllokut”.
Por disa ditë më vonë, Ramoja (jo Ramboja), nuk hezitoi të deklaronte e shkruante se ai “ishte përtej të majtës dhe të djathtës”. Kjo “përtej të majtës dhe të djathtës, nuk ishte tjetër veçse fashizmi. Por mbështetësit e tij, përsëri e kaluan si shaka dhe aq, të sigurtë se fashizmi nuk mund të kthehej, mbasi mungonin helmetat e hirta, me pupla të zeza e kryqe të thyera të Luftës së Dytë Botërore, që ata, apo baballarët e tyre, i patën groposur në vigjilje të 29 Nëntorit të viti 1944. . .
Kur Rama erdhi në pushtet, në vitin 2013, veprat e tij gjithnjë e më tepër ngjanin e po ngjajnë me ato të Musolinit e të Hitlerit. Por mbështetësit e tij përsëri heshtën e po heshtin, sepse duke pasur përballë e të pacënuar Hitlerin shqiptar me emrin Sali, Musolinizmi i Ramës dukej e duket si një lodër fëmijësh. . .
Me këtë ngushëllim apriori, Veteranët, Familjet e Dëshmorëve dhe Utopistët Socialistë, mbërritën tek ceremonia e vendosjes së shtatores së Kryetarit të Ballit Kombëtar, Mit’hat Frashëri në kodrat e kryeqytetit, ku veteranët, familjet e dëshmorëve dhe socialistët utopistë, ulën kokat, sipas “urdhërit që lëshoi Rama” në fjalën e tij të rastit.
Fatkeqësisht, një pjesë e mirë e Veteranëve, të Familjeve të Dëshmorëve, të ish-komunistëve të konvertuar në socialistë, dhe të socialistëve fringo e mbështetësve të tyre, nuk e besuan se partia e tyre e zemrës të ketë shkarë kaq djathtas, sa të rivalizojë edhe Partinë Demokratike, strehën e kontingjenteve më të errëta të popullit shqiptar.
Për të ilustruar me pak humor këtë fenomen që ka ngjarë me Veteranët e Luftës, Familjet e Dëshmorëve, ish-komunistët e thjeshtë dhe socialistët fringo e mbështetësit e tyre, po tregoj këtu më poshtë subjektin e një skeçi, të Estradës së Shkodrës në vitet e socializmit:
“Punëtori mekanik kishte dalë në komision për të rritur kategorinë e punës. Ishte mekanik i mirë, por i dobët teorikisht, ngase kishte vetëm shtatëvjeçaren. Ngaqë përgjigjet e tij nuk arrinin në vlerësim për rritje kategorie, njëri nga komisioni, duke dashur që punëtori ta kalojë “klasën” e të marrë kategorinë, i bën këtë pyetje shtesë:
-Shoku mekanik, po të bëj një pyetje jashtë tezës, ndaj kujdes, duam përgjigje të saktë. . . Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh”? Punëtori mekanik, rrotulloi sytë dhe mendjen, dhe pas pak u përgjigj:
– 82 dhëmbë!
-Kujdes, mos u habit, – ndërhyri anëtari i komisionit. – Po ta përsëris edhe njëherë pyetjen, se mbase nuk e dëgjove mirë: Sa dhëmbë ka ingranazhi 76 dhëmbësh? Punëtori mekanik, kësaj radhe më i sigurt, iu përgjigj pa rrotulluar as sytë e as kokën:
– 65 dhëmbë!
Anëtarët e komisionit ngrinë. Nuk ishin të zot, as të qeshnin, e as të qanin. Ndërsa spektatori shpërtheu në gaz, çka ishte dhe objekti i skeçit në fjalë.
Veteranët e LANÇ, familjet e Dëshmorëve dhe Socialistët Utopistë, a kanë ndërmend ta kuptojnë se thënia e Ramës “PËRTEJ TË MAJTËS DHE TË DJATHTËS”, presupozon FASHIZMIN?!
————-
Pyetjen e mësipërme e përsëris edhe sot në vitin 2026:
Socialistë, Veteranë e pasardhës të LANC, Familje të Dëshmorëve dhe ju ish Ushtarakë të Ushtrisë Popullore:
A E KUPTONI MË NË FUND SE RAMA
NUK ËSHTË SOCILAIST, POR NEOFASHIST?!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/07/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk