SA ËSHTË E GJELBËR AGJENDA E GJELBËR EVROPIANE ?

26
Jul
2024
Shkruan: Ali Sh. Mehmeti

, 25.07.2024

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Agjenda e Gjelbër Evropiane (AGjE) është një plan strategjik dhe politik i Bashkimit Evropian (BE) që synon të promovojë zhvillimin e qëndrueshëm dhe të adresojë ndryshimet klimatike, degradimin e mjedisit dhe shëndetin publik. Kjo agjendë përfshin një sërë iniciativash dhe masash që kanë për qëllim transformimin e ekonomisë dhe shoqërisë evropiane në një model më të qëndrueshëm dhe më miqësor për mjedisin. Njëkohësisht promovon rritjen ekonomike dhe krijimin e vendeve të reja të punës në sektorët e gjelbër. Për realizimin e këtyre objektivave janë paraparë masa të ndryshme, por e para ndër to është të zvogëlohet emetimi i gazrave serë, ku si gazi kryesor është dyoksidi i karbonit (CO2) i cili kryesisht emitohet gjatë djegies së lëndëve djegëse fosile (qymyri, nafta, gazi natyror), kurse e dyta, prodhimi i energjisë së rinovueshme nga dielli, era dhe biomasa. Për masa tjera që parasheh AGjE flitet pak ose aspak.

Si masë e parë për arritjen e qëllimit të parë, kohëve të fundit në qendër të vëmendjes së opinionit, janë përpjekjet që veturat me motor që si lëndë djegëse përdor hidrokarbure, të zëvendësohet me vetura me motor elektrik. Këto vetura kërkojnë ushqim me energji elektrike nga bateritë që do janë pjesë përbërëse e këtyre veturave.

Bateritë më efikase, të njohura gjer me tani, janë bateritë Litium-jon, që bazohen në lëvizjen e joneve të litiumit gjatë ngarkimit dhe shkarkimit, prandaj edhe përdoren për vetura elektrike. Kapaciteti maksimal i këtyre baterive, aktualisht është 100kWh dhe peshojnë rreth 500kg, varësisht nga përbërja e brendshme e cila përbëhet nga disa lloje të metaleve, jo vetëm nga litiumi. Për një bateri me kapacitet 100kWh përdoren: Litium 16-20kg, Kobalt 12-30kg, Nikel 60-120kg, Mangan 40-60kg, Alumin 40-60kg, Bakër 40-60kg, Grafit 80-100kg, Elektrolit 50-70kg. Sipas teknologjive të ndryshme edhe sasia e metaleve të ndryshme brenda baterisë ndryshon. Për t’i fituar këto metale për vetëm një bateri duhet të përpunohen rreth 45 tonelata xehe me përbërje mesatare të metalit brenda saj që ndryshon, nga 0.1% për kobalt deri në 30% për alumin. Nga begatia e metalit brenda xehes varet edhe kjo llogari, që në këtë rast, për mua e bëri inteligjenca artificiale (AI). Këto xehe zakonisht janë në thellësi të tokës dhe kërkojnë shpenzime konsiderueshme të energjisë për ti nxjerr mbi sipërfaqe. Për të nxjerrë metalet e nevojshme nga xeha, përdoren procese të ndryshme kimike dhe metalurgjike. Kimikatet kryesore që përdoren për të nxjerrë metalet e përmendura në prodhimin e baterive, janë acidi sulfurik, amoniaku, sulfat amoni, dyoksid sulfuri, hidroksid natriumi dhe shumë të tjerë. Edhe për prodhimin e këtyre kimikateve kërkohet lënda e parë dhe procese të ndryshme kimike, termike e tjera. Mbetjet e papërdorshme gjatë këtyre proceseve do krijojnë deponi që do e ndotin ambientin dekada me radhë. Shumë prodhues të veturave elektrike ofrojnë garanci për bateritë e tyre, që zakonisht janë nga 8 deri në 10 vjet ose 160,000 deri në 200,000 kilometra, cilado që të vijë e para. Po pastaj? Procesi i riciklimit është mjaft sfidues sepse është i shtrenjtë dhe kërkon teknologji të avancuara, kurse vetëm pjesërisht mund të ripërdoren materialet e përdorura.

Përdorimi më masiv i veturave elektrike do ta rrit nevojën për prodhim të energjisë elektrike, sikurse edhe nevojën për ndërtimin e infrastrukturës të re që do mundëson rimbushjen e baterive të këtyre veturave. Në këtë mënyrë, është e sigurt, se do arrihet njëri nga objektivat e AGjE, që është hapja e vendeve të reja pune dhe rritja ekonomike, por nuk ka asnjë dyshim që do ndikoj në degradimin e mjedisit që është në kundërshtim me AGjE.

Me fjalë tjera, Agjenda e Gjelbër Evropiane, sa i përket veturave elektrike, nuk është edhe aq e gjelbër! Ajo mund t’i “gjelbëroj” mjediset urbane, për shkak të përdorimit enorm të makinave me djegie të hidrokarbureve, që do zëvendësohen me makina elektrike, por sipas të gjitha gjasave do ti “errësoj” shumë mjedise tjera!
A do ishte agjenda më e gjelbër, sikur të investohej në zgjerimin, ndërtimin dhe modernizimin e infrastrukturës dhe mjeteve për transport të përbashkët, me çmime që nuk do ishin fitimprurëse? Apo ndoshta, pikërisht rritja ekonomike dhe fitimprurja është qëllim më primar sesa vet “gjelbërimi”?
Nëse sot, qytetari i zakonshëm nuk mund ti përgjigjet këtyre pyetjeve, sigurisht se gjenerata pas nesh do ta mësoj përgjigjen e saktë. Kjo nuk do të thotë se, s’paku disa nga ideatorët e kësaj agjende, nuk i dinë përgjigjet edhe sot

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 26/07/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk