SHBA nuk do të pranojë asnjë ndërrim territori në BALLKAN (rajon i rëndësishem gjeostrategjik)!

31
Oct
2025
Studiues-Analist: Kol Marku-Itali


(Studim i plotë me argumenta) . Ja si është e vërteta!
_____
Që në fillim duhet theksuar se Ballkani, veçanërisht ai Perëndimor – ku përfshihen Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Bosnja dhe Serbia – përbën një nga rajonet më të rëndësishme të Evropës Juglindore, ende jashtë Bashkimit Europian. Këtu përplasen interesat gjeostrategjike të tri fuqive të mëdha botërore – SHBA-së, Rusisë dhe Kinës – si dhe të BE-së (si fuqi ekonomike dhe ushtarake në kuadrin e NATO-s) dhe Turqisë si aktor rajonal. BE-ja e konsideron këtë rajon pjesë të hapësirës së saj strategjike, megjithëse procesi i integrimit ende vazhdon.
Shënim: Çdo lexues duhet ta ketë parasysh këtë realitet, sepse çdo zhvillim në rajon ndodh në funksion të këtij ekuilibri gjeopolitik.
_____
Në shtator të vitit 2025, në Kongresin e Shteteve të Bashkuara u depozitua një amendament dypartiak që për herë të parë përcakton qartë se politika zyrtare e SHBA-së është të mos mbështesë shkëmbime territoriale apo ndarje etnike në Ballkanin Perëndimor.
Ky zhvillim përbën një kthesë të rëndësishme në politikën amerikane ndaj dialogut Kosovë–Serbi, duke e mbyllur përfundimisht hapësirën për çdo projekt që synon “korrigjim kufijsh” apo “ndarje etnike” në rajon.¹
Amendamenti u propozua nga senatorja demokrate Jeanne Shaheen (New Hampshire) dhe senatori republikan Thom Tillis (North Carolina), të dy anëtarë të Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senatin amerikan.²
Ky propozim është përfshirë si Amendamenti Nr. 1280 në Projektligjin për Autorizimin e Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act – NDAA) për vitin fiskal 2026.³
Në tekstin zyrtar thuhet:
“Politika e Shteteve të Bashkuara është të mos mbështesë asnjë shkëmbim territoresh, ndarje apo forma të tjera të ndryshimit të kufijve mbi baza etnike në Ballkanin Perëndimor.” ⁴
Në të njëjtin amendament, Kongresi riafirmon edhe mbështetjen për njohjen reciproke ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë si shtete sovrane dhe të pavarura, duke theksuar se kjo është zgjidhja e vetme e qëndrueshme për paqen afatgjatë në Ballkan.⁵
Ky formulim përforcon doktrinën e kontinuitetit territorial, të njohur që nga politika amerikane pas luftës së Bosnjës (1995), sipas së cilës ndryshimi i kufijve mbi baza etnike është i papranueshëm dhe përbën precedent të rrezikshëm për rajonin.⁶
Në kontrast me këtë qëndrim, administrata amerikane e viteve 2018-2019 kishte lënë një hendek të paqartë diplomatik, kur zyrtarë të lartë të Shtëpisë së Bardhë kishin shprehur se SHBA “nuk do të kundërshtonte” një marrëveshje për ndërrim territoresh, nëse ajo do të arrihej me pëlqimin e palëve.⁷
Por, ky qëndrim u kritikua ashpër nga Kongresi dhe Departamenti i Shtetit, si dhe nga zyrtarë të Bashkimit Europian, për shkak të rrezikut që mund të hapte për stabilitetin ndërkufitar të Ballkanit.⁸
Në vitin 2023, Marrëveshja Bazë e Brukselit, e ndërmjetësuar nga BE dhe e mbështetur nga SHBA, u bë dokumenti themelor që përcaktoi rrugën drejt njohjes reciproke de facto mes dy vendeve, duke ruajtur kufijtë ekzistues dhe duke shmangur çdo referencë ndaj ndarjeve territoriale.⁹
Amendamenti i vitit 2025 në Kongresin amerikan e ngre këtë pozicion në nivel ligjor të politikës zyrtare të SHBA-së, duke përjashtuar çdo interpretim të mëvonshëm për ndarje apo korrigjim kufijsh.¹⁰
Përfundim: Nëse ky amendament miratohet në versionin përfundimtar të NDAA 2026 dhe nënshkruhet nga Presidenti, ai do të ketë efekt detyrues politik për administratat e ardhshme amerikane në çështjet e Ballkanit Perëndimor.
Kjo do të thotë se çdo tentativë e re për të propozuar shkëmbime territoriale apo ndarje etnike mes Kosovës dhe Serbisë do të bie ndesh me politikën zyrtare të SHBA-së dhe me parimet mbi të cilat është ndërtuar ndërhyrja ndërkombëtare në Kosovë pas vitit 1999.
Ky zhvillim është një garanci e re për integritetin territorial të Kosovës dhe një sinjal i qartë ndaj Beogradit se epoka e projekteve etno-territoriale ka marrë fund.
Qëndrimi i ri amerikan vjen në një kohë kur tensionet etnike në veri të Kosovës, ndërhyrjet e luftës hibride nga Rusia dhe presionet serbe për “Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe” kërkojnë një kornizë të qartë ndërkombëtare.
Amendamenti Shaheen–Tillis nuk është thjesht një dispozitë juridike, por është një deklaratë strategjike që synon të ruajë balancën gjeopolitike të Ballkanit, të mbrojë parimet e sovranitetit dhe integritetit territorial, dhe të përforcojë rolin e SHBA-së si garante e paqes dhe stabilitetit në rajon.
____
Fusnota/Burimet
1. “U.S. senators with amendment in Congress: Mutual recognition and against the exchange of territories between Kosovo and Serbia,” Telegrafi, 27 shtator 2025.
2. “Shaheen, Tillis introduce bipartisan amendment to NDAA on Western Balkans,” U.S. Senate Committee on Foreign Relations, Press Release, 26 shtator 2025.
3. U.S. Congress, Amendment No. 1280 to the National Defense Authorization Act for Fiscal Year 2026 (Washington, D.C.: Government Publishing Office, 2025).
4. Ibid., Sec. 4(b).
5. Ibid., Sec. 4(c).
6. U.S. Department of State, U.S. Policy Toward the Western Balkans (Washington, 1996), 12.
7. “White House Security Advisor: U.S. not against land-swap deal if both sides agree,” Tirana Times, 31 gusht 2018.
8. European Parliament, Resolution on the Western Balkans 2019, Brussels, 12 dhjetor 2019.
9. “EU-facilitated Agreement on the Path to Normalisation between Kosovo and Serbia,” Brussels, 27 shkurt 2023.
10. “Shaheen–Tillis Amendment Text,” Congressional Record, Vol. 171, No. 145 (Washington, D.C.: U.S. Government Publishing Office, 2025).
_____
Shenim: Të nderuar Lexues ! Këtë artikull mund t’a komentoni dhe perhapni pa problem por natyrisht duke ruajtur etiken dhe të drejten e autorit!
Lexim të këndshëm!
_____
Kol Marku-Itali
31/10/2025

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk