SHBA PARALAJMËRON SERBINË PËR AFRIMIN ME KINËN NË FUSHËN E INTELIGJENCËS ARTIFICIALE

15
Sep
2026
Nga: Kol Marku (studiues-Analist) N/kolonel (R)

[Studim Gjeo-Politik]
*****
Teknologjia, të dhënat dhe IA-ja po shndërrohen në vijën e re të ndarjes gjeopolitike në Ballkan
_____
Paralajmërimi i fundit amerikan drejtuar Serbisë për thellimin e bashkëpunimit me Kinën në fushën e inteligjencës artificiale nuk duhet lexuar thjesht si një mosmarrëveshje ekonomike midis Uashingtonit dhe Pekinit. Në thelb, ai prek një nga problemet më të rëndësishme strategjike të dekadës së ardhshme: kush do të kontrollojë infrastrukturën digjitale, të dhënat, kapacitetet kompjuterike dhe sistemet e inteligjencës artificiale mbi të cilat do të mbështeten shtetet moderne.
Më 14 shtator 2026, Departamenti amerikan i Shtetit, në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë/Radio Liberty, deklaroi se mundësitë e ardhshme ekonomike të Serbisë do të varen edhe nga vendimet politike dhe zgjedhjet e partneriteteve që Beogradi bën sot. Uashingtoni e nxiti Serbinë të zgjedhë “burime dhe furnizues të besueshëm” për pajisjet dhe teknologjitë e inteligjencës artificiale dhe e lidhi këtë drejtpërdrejt me sigurinë kombëtare serbe
Ky formulim është diplomatik, por mesazhi strategjik është shumë më i fortë: në epokën e IA-së, zgjedhja e furnizuesit teknologjik po konsiderohet gjithnjë e më pak një vendim thjesht tregtar dhe gjithnjë e më shumë një zgjedhje sigurie dhe orientimi gjeopolitik.
1). Nga bashkëpunimi ekonomik te infrastruktura strategjike
Afrimi teknologjik Serbi–Kinë nuk filloi në vitin 2026.
Qysh më 5 nëntor 2019, Zyra serbe për Teknologjinë e Informacionit dhe e-Qeverisjen nënshkroi me Huawei një memorandum për ngritjen e Platformës Kombëtare të Inteligjencës Artificiale. Sipas vetë qeverisë serbe, sistemet kompjuterike me performancë të lartë dhe platforma softuerike e Huawei-t do të vendoseshin në Qendrën Shtetërore të të Dhënave në Kragujevac.
MERICS, instituti gjerman i specializuar në studimin e Kinës, e ka vendosur projektin e Kragujevac-it në kuadrin më të gjerë të Digital Silk Road, duke evidentuar financim shtetëror kinez të lidhur me platformën Huawei të IA-së për shërbimet serbe të qeverisjes elektronike.
Hapi shumë më domethënës erdhi më 25 maj 2026. Gjatë vizitës së presidentit Aleksandar Vučić në Pekin, Serbia dhe Kina nënshkruan një memorandum të ri për zgjerimin e bashkëpunimit në inteligjencën artificiale. Marrëveshja ishte pjesë e një pakete shumë më të gjerë që përfshinte Belt and Road Initiative për periudhën 2026–2028, bashkëpunimin teknologjik dhe inovacionin, por edhe bashkëpunimin në kuadrin e Global Security Initiative kineze.
Pra, IA-ja nuk ndodhet më në periferinë e marrëdhënieve Serbi–Kinë. Ajo po hyn në zemër të partneritetit strategjik.
2). WAICO dhe hyrja e Serbisë në arkitekturën kineze të IA-së
Një tjetër zhvillim i rëndësishëm ndodhi në korrik 2026.
Në Shangai u krijua World Artificial Intelligence Cooperation Organization – WAICO, organizatë ndërqeveritare e promovuar nga Pekini për bashkëpunimin dhe qeverisjen globale të inteligjencës artificiale. Njëzet e nëntë shtete nënshkruan marrëveshjen themeluese, ndër to edhe Serbia, sipas RFE/RL.
Pekini e paraqet WAICO-n si një mekanizëm gjithëpërfshirës që synon t’u japë shteteve të Jugut Global qasje më të gjerë në IA, modele të hapura, trajnim dhe kapacitete teknologjike. Presidenti Xi Jinping deklaroi se Kina synon të pengojë krijimin e një “ndarjeje të re” midis shteteve të pasura teknologjikisht dhe pjesës tjetër të botës.
Ky argument nuk duhet nënvlerësuar.
Për shtete me burime më të kufizuara, modelet kineze open-weight, pajisjet dhe financimi kinez mund të jenë ekonomikisht tërheqëse.
Por pikërisht këtu fillon dimensioni gjeopolitik.
Reuters e interpretoi krijimin e WAICO-s si pjesë të përpjekjes së Pekinit për të ndërtuar një rend alternativ të qeverisjes globale të IA-së dhe për të sfiduar dominimin amerikan në teknologji dhe standarde.
Kjo do të thotë se Serbia nuk po zgjedh vetëm teknologji. Ajo rrezikon të gjendet në pikën ku kryqëzohen dy ekosisteme konkurruese teknologjike dhe strategjike: ai amerikan-perëndimor dhe ai kinez.
3). Pse Uashingtoni shqetësohet?
Dokumentet e komunitetit amerikan të inteligjencës ndihmojnë për të kuptuar arsyetimin strategjik pas paralajmërimit.
Në Annual Threat Assessment of the U.S. Intelligence Community 2026, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare – ODNI – vlerëson se Kina është konkurrenti më i aftë i SHBA-së në inteligjencën artificiale dhe se Pekini synon të zhvendosë Shtetet e Bashkuara nga pozita e liderit global të IA-së deri rreth vitit 2030.
Inteligjenca amerikane vlerëson gjithashtu se IA-ja do të rrisë aftësitë e operacioneve kibernetike, projektimit të sistemeve ushtarake, analizës dhe vendimmarrjes.
Këtu duhet bërë një dallim thelbësor: këto vlerësime nuk provojnë se Kina ka komprometuar sistemet e Serbisë ose se bashkëpunimi Serbi–Kinë në IA është vetvetiu operacion spiunazhi.
Por ato shpjegojnë pse Uashingtoni nuk e trajton më origjinën e pajisjeve, cloud-it, modeleve të IA-së dhe infrastrukturës së të dhënave si çështje neutrale tregtare.
Në qershor 2026, partneriteti i inteligjencës Five Eyes – SHBA, Britani, Kanada, Australi dhe Zelandë e Re – publikoi një paralajmërim të përbashkët për aktivitetet e inteligjencës ushtarake kineze kundër personelit me akses në informacion të ndjeshëm. Buletini u publikua bashkërisht nga ASIO, CSIS, FBI, MI5 dhe NZSIS.
FBI, nga ana e tij, ka dokumentuar raste ku Ministria kineze e Sigurisë së Shtetit dhe struktura të tjera kineze të sigurisë kanë përdorur kompani të sigurisë informatike dhe aktorë privatë në operacione kibernetike ndërkombëtare.
Problemi, pra, nuk është thjesht pyetja se ku prodhohet një server, por kush kontrollon zinxhirin teknologjik, kush administron përditësimet, ku ruhen të dhënat, kush ka akses në modelet dhe kodin dhe sa e mundur është që një shtet të zëvendësojë furnizuesin në rast krize politike.
4). IA-ja është infrastrukturë strategjike
Në këtë pikë qëndron thelbi i paralajmërimit amerikan.
Një sistem kombëtar IA-je nuk përbëhet vetëm nga një program kompjuterik. Ai ndërtohet në disa shtresa të ndërlidhura:
qendrat e të dhënave – çipat – cloud-i – rrjetet telekomunikuese – programet – modelet e IA-së – bazat e të dhënave -ekspertiza teknike.
Kur shumica e këtyre elementeve vijnë nga i njëjti ekosistem i huaj, krijohet ajo që në strategjinë teknologjike quhet vendor lock-in, ose varësi strukturore nga një furnizues dhe nga standardet e tij.
Analistet e EU Institute for Security Studies, Bojana Zorić dhe Clotilde Bômont, duke komentuar pikërisht rastin serb, paralajmërojnë se varësia bëhet sistemike kur i njëjti ekosistem siguron infrastrukturën, harduerin, cloud-in, kapacitetin kompjuterik, softuerin, modelet e IA-së dhe ekspertizën. Në atë fazë, kalimi drejt një ekosistemi tjetër bëhet njëkohësisht i kushtueshëm teknikisht dhe i vështirë politikisht.
Ky është argument shumë më i rëndësishëm sesa pyetja nëse një pajisje e vetme kineze përmban ose jo një cenueshmëri të caktuar.
5). Huawei dhe precedenti i “Safe City”
Shqetësimi perëndimor ka edhe një precedent konkret.
CSIS e ka përshkruar prej vitesh Serbinë si një nga nyjet kryesore të Digital Silk Road kineze në Ballkan. Një nga projektet më të debatueshme ka qenë bashkëpunimi me Huawei në programin “Safe City”, me rrjete kamerash dhe kapacitete të avancuara të mbikëqyrjes.
Duhet bërë përsëri një saktësim: ekzistenca e infrastrukturës së kamerave nuk do të thotë automatikisht se të gjitha funksionet biometrike të njohjes së fytyrës janë aktivizuar në mënyrë operative. Autoritetet serbe kanë deklaruar në periudha të ndryshme se teknologjia e njohjes së fytyrës nuk ishte në përdorim, ndërsa shoqëria civile ka kundërshtuar përpjekjet për krijimin e bazës ligjore për një mbikëqyrje të tillë.
Por kombinimi i kamerave + bazave të mëdha të të dhënave + IA-së ndryshon cilësisht problemin.
Sistemi nuk është më vetëm kamerë vëzhgimi. Ai mund të bëhet një mekanizëm analizues që identifikon modele sjelljeje, automjete, persona, lëvizje dhe lidhje.
Pikërisht për këtë arsye teknologjitë e IA-së, siguria kibernetike dhe mbrojtja e të dhënave po bashkohen gradualisht në një problem të vetëm të sigurisë kombëtare.
6). Serbia midis Kinës, SHBA-së dhe Bashkimit Europian
Pozicioni i Beogradit është veçanërisht kompleks sepse Serbia kërkon njëkohësisht të ruajë partneritetin strategjik me Kinën dhe statusin e saj si vend kandidat për Bashkimin Europian.
Problemi është se më 2 gusht 2026 hyri në zbatim pjesa qendrore e kuadrit të ri europian të AI Act, me kompetenca të reja zbatimi për Komisionin dhe autoritetet kombëtare dhe me detyrime të reja transparence për sistemet e inteligjencës artificiale.
Komisioni Europian i ka kujtuar drejtpërdrejt Serbisë se harmonizimi me rregullat europiane të IA-së është pjesë e procesit të saj të integrimit.
Në të njëjtën kohë, Serbia Report 2025 i Komisionit Europian vlerësonte se harmonizimi i Serbisë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së ishte vetëm 63 për qind në tetor 2025 dhe evidentonte mosharmonizimin e Beogradit me një numër masash europiane që lidhen, ndër të tjera, me Rusinë dhe Kinën.
Kështu lind një kontradiktë strategjike:
Serbia mund të vazhdojë politikën e saj shumëvektoriale në diplomaci, por arkitektura teknologjike është shumë më e vështirë për t’u ndarë në disa drejtime njëkohësisht.
Një shtet mund të blejë automjete nga Kina, avionë nga Franca dhe energji nga një vend tjetër. Por një infrastrukturë IA-je e integruar me cloud-in shtetëror, telekomunikacionin, bazat e të dhënave dhe administratën publike nuk ndërrohet kaq lehtë.
7).Uashingtoni po ndryshon rregullat e lojës
Paralajmërimi ndaj Serbisë duhet parë edhe në kontekstin e strategjisë së re amerikane.
Më 5 qershor 2026, Shtëpia e Bardhë nxori National Security Presidential Memorandum 11, ku urdhërohet që komuniteti amerikan i inteligjencës t’i japë përparësi mbledhjes dhe analizës së teknologjive të huaja të IA-së që mund të kërcënojnë sigurinë, ekonominë ose konkurrueshmërinë amerikane. Dokumenti kërkon gjithashtu që Departamenti i Shtetit të zhvillojë një strategji për ndarjen e këtyre vlerësimeve me aleatët dhe partnerët.
Në gusht 2026, Reuters raportoi për një projekt-qasje të Departamentit të Shtetit sipas së cilës partnerët që kërkojnë të marrin pjesë në arkitekturën amerikane të zinxhirëve të sigurt të IA-së dhe gjysmëpërçuesve mund të përballen me presion për të zgjedhur midis këtij sistemi dhe strukturave konkurruese të promovuara nga Kina.
Nëse kjo linjë politike konsolidohet, atëherë hapësira për “balancim teknologjik” do të zvogëlohet.
Dhe pikërisht këtu Serbia mund të përballet me zgjedhjen më të vështirë.
😎. Çfarë fiton Serbia nga Kina?
Do të ishte gabim analitik të paraqitej politika serbe thjesht si nënshtrim ndaj Pekinit.
Beogradi ka arsye konkrete ekonomike për këtë bashkëpunim.
Serbia ka miratuar Strategjinë e Zhvillimit të Inteligjencës Artificiale 2025–2030, synon të rrisë kapacitetet e saj kompjuterike dhe ta shndërrojë IA-në në element të modernizimit të administratës, shëndetësisë, energjisë, bujqësisë dhe industrisë.
Kina i ofron Beogradit kapital, infrastrukturë, modele relativisht të lira, bashkëpunim kërkimor dhe mundësi trajnimi.
Prandaj dilema e Serbisë është reale: përfitim teknologjik afatshkurtër kundrejt kompatibilitetit strategjik afatgjatë.
9). Analiza strategjike
Çështja themelore nuk është nëse Serbia “duhet të jetë mike me Kinën”.
Çështja është shumë më konkrete:
A mundet një shtet që pretendon se e ardhmja e tij institucionale është Bashkimi Europian të ndërtojë infrastrukturën e tij kritike digjitale mbi një ekosistem teknologjik që SHBA-ja dhe një pjesë e strukturave europiane e konsiderojnë rival strategjik?
Në afatin e shkurtër përgjigjja mund të jetë po.
Në afatin e gjatë, përgjigjja bëhet shumë më problematike.
Sa më thellë që IA-ja të futet në administratë, polici, mbrojtje, energji, transport, shëndetësi dhe telekomunikacion, aq më shumë origjina dhe kontrolli i teknologjisë bëhen pjesë e sovranitetit kombëtar.
Në shekullin XX, fuqia strategjike matej me naftën, çelikun, tanket, avionët dhe armët bërthamore.
Në shekullin XXI duhet t’u shtohen çipat, qendrat e të dhënave, algoritmet, modelet e IA-së dhe kontrolli mbi informacionin.
Pikërisht për këtë arsye paralajmërimi amerikan ndaj Serbisë ka një rëndësi që shkon përtej marrëdhënieve Beograd–Uashington.
Ai është shenjë e një bote që po ndahet gradualisht në ekosisteme teknologjike konkurruese.
10).Përfundim i përgjithshëm!
Paralajmërimi i SHBA-së ndaj Serbisë nuk është një ultimatum formal dhe Uashingtoni nuk ka kërkuar publikisht ndërprerjen e marrëdhënieve Serbi–Kinë. Por mesazhi është i qartë: teknologjia e IA-së po trajtohet tashmë si çështje e sigurisë kombëtare dhe e besueshmërisë strategjike të partnerëve.
Serbia ka të drejtë të kërkojë investime, teknologji dhe zhvillim ekonomik nga Kina. Nga ana tjetër, nëse objektivi i saj strategjik mbetet anëtarësimi në Bashkimin Europian dhe ruajtja e bashkëpunimit të ngushtë me Perëndimin, ajo do të duhet të shmangë krijimin e një varësie teknologjike që nesër mund të bëhet shumë e kushtueshme për t’u zhbërë.
Rreziku më i madh nuk është domosdoshmërisht një pajisje kineze ose një algoritëm i vetëm.
Rreziku fillon kur serverët, cloud-i, rrjetet, modelet e IA-së, sistemet e mbikëqyrjes, të dhënat dhe ekspertiza teknike lidhen në një arkitekturë të vetme nga e cila shteti nuk mund të shkëputet pa kosto të mëdha ekonomike dhe politike.
Prandaj beteja e ardhshme për Ballkanin mund të mos zhvillohet vetëm për baza ushtarake, korridore energjetike ose aleanca politike.
Ajo mund të zhvillohet edhe në një hapësirë shumë më pak të dukshme:
brenda qendrave të të dhënave, algoritmeve dhe sistemeve të inteligjencës artificiale.
Në këtë kuptim, paralajmërimi amerikan për Serbinë është edhe një paralajmërim për të gjithë Ballkanin Perëndimor: sovraniteti i së ardhmes nuk do të përcaktohet vetëm nga territori që një shtet kontrollon, por edhe nga teknologjia që kontrollon territorin, institucionet dhe të dhënat e tij.
Në këtë kuadër dhe Shqiperia dhe Kosova duhet të tregohen të kujdesëshme, pasi një hap i gabuar do t’i largonte me aleatët.
*****
Burime/Referenca
____
1] Goran Katić, “‘Budućnost’ Srbije na testu: State Department o AI zbližavanju Beograda i Pekinga,” Radio Slobodna Evropa/Radio Liberty, 14 shtator 2026.
2] Government of the Republic of Serbia, “Joint Work of Serbia, China on Development of Artificial Intelligence,” 5 nëntor 2019; Office for IT and eGovernment, “The Office for IT and eGovernment Establishes a National Platform for the Development of Artificial Intelligence,” 5 nëntor 2019.
3] Mercator Institute for China Studies (MERICS), “The Digital Silk Road: A Growing Priority for Beijing as Its Tech Champions Expand Overseas,” 27 mars 2024.
4] Government of the Republic of Serbia, “Serbia, China Sign Multiple Documents on Cooperation,” 25 maj 2026; Office for IT and eGovernment of Serbia, “Memorandum with the National Development and Reform Commission of the People’s Republic of China,” 25 maj 2026.
5] Katić, “‘Budućnost’ Srbije na testu”; Ministry of Foreign Affairs of the People’s Republic of China, “Signing Ceremony of the Agreement on the Establishment of the World Artificial Intelligence Cooperation Organization Held in Shanghai,” 16 korrik 2026.
6] Ministry of Foreign Affairs of the People’s Republic of China, “President Xi Jinping Attends the Opening Ceremony of the 2026 World AI Conference,” 17 korrik 2026.
7] Reuters, “Xi Pitches China as Leader of New Global AI Order, Challenging US Dominance,” 17 korrik 2026.
8] Office of the Director of National Intelligence, Annual Threat Assessment of the U.S. Intelligence Community 2026; Tulsi Gabbard, statement before the House Permanent Select Committee on Intelligence, 19 mars 2026.
9] MI5–The Security Service, “Five Eyes Joint Bulletin – Safeguarding Our Secrets,” 3 qershor 2026, me ASIO, CSIS, FBI, MI5 dhe NZSIS.
10] Federal Bureau of Investigation, “Beijing Leveraging Freelance Hackers and Information Security Companies to Compromise Computer Networks Worldwide,” 5 mars 2025.
11] Bojana Zorić dhe Clotilde Bômont, EU Institute for Security Studies, vlerësime për RFE/RL mbi varësinë teknologjike Serbi–Kinë, cituar në Katić, “‘Budućnost’ Srbije na testu,” 14 shtator 2026.
12] Donatienne Ruy, Heather A. Conley, Jonathan E. Hillman, dhe Maesea McCalpin, “Becoming a Chinese Client State: The Case of Serbia,” Center for Strategic and International Studies, 24 shtator 2020; CSIS, “The Western Balkans with Chinese Characteristics.”
13] Andrew Friedman, “How Civil Society Exposes the Human Rights Risks of the Digital Silk Road,” Center for Strategic and International Studies, 27 janar 2026.
14] European Commission, “Commission Starts Enforcing AI Act Rules and New Transparency Requirements on 2 August,” 31 korrik 2026; European Commission, “AI Act – Regulatory Framework for Artificial Intelligence.”
15] European Commission, Serbia Report 2025, 4 nëntor 2025.
16] White House, National Security Presidential Memorandum/NSPM-11: Artificial Intelligence in the National Security Enterprise, 5 qershor 2026.
17] Reuters, “US to Tell Partners They Must Pick Sides in AI Race with China,” 14 gusht 2026.
18] Government of the Republic of Serbia, Strategy for the Development of Artificial Intelligence in the Republic of Serbia for the Period 2025–2030, miratuar 10 janar 2025.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 15/09/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk