SHEMSI HAJRO PËR VRASJEN E KOTO HOXHIT

27
Mar
2026
Shkruan: Dilaver Goxhaj
Një herë, kur ndodhesha në Pleqësinë e Klubit “Drita”, më vjen një djalë i ri dhe më thotë se quhej THOMA PAPAPANO HARXHI. Më tregoi se ishte diplomuar nga shkolla e Fanarit në Stamboll, ku ndodhej më parë familjarisht. S’kish shumë kohë që kishte ardhur në Gjirokastër së bashku me të jatin, që ishte dorëzuar prift. Thomai qe caktuar nga Këshilli i Arsimit Grek (Eforia), për të shërbyer si mësues në shkollën greqishte të Varoshit, ndërsa i jati do të meshonte në kishën e Palortosë.
Premtimi që i kishin dhënë të jatit e të birit, u kthye mbrapsht, nga shkaku se prifti kish marrë pjesë në pritjet që iu bënë Bajos dhe Çerçiz Topullit, kur erdhën në Gjirokastër pas shpalljes së konstitucionit.
Kjo masë tregoi se, kushdo që shfaqte përkrahjen më të vogël ndaj veprimeve shqiptare, quhej armik i Greqisë e i fesë dhe luftohej ashpër.
Unë e ngrita këtë çështje në Pleqësi, ku bëshkërisht u vendos që të thirrej Thomai si mësonjës i shkollës sonë “Liria”, me që kishte nevojë edhe për një fuqi arësimore. Ndërkohë do të kryente edhe detyrën e Sekretarit të Klubit “Drita”.
Vendimin ia njoftova menjëherë Thomait, i cili e filloi i gëzuar detryrën e re. Ky vendim i Pleqësisë ishte i papritur për grekomanët, të cilët, duke lënë pa punë Thomanë, deshën të hakmerren me të. Fillesa e tij në punë i tërboi më keq armiqtë, por një sërë e grekomanëve të qytetit kishin vendosur ta dënonin me sharje e rrahje këtë të krishter që guxonte të mësonte e të përhapte gjuhën shqipe.
Me të mësuar këto plane, Pleqësia e pa të udhës që të kujdesej për sigurimin e jetës së mësonjësit. Ajo caktoi Halit Topullin me disa të rinj të tjerë, që ta përcillnin me radhë nga shtëpia në shkollë, dhe nga shkolla në shtëpi.
Duke pasur frikë se cënimi i mësonjësit do të sillte hakmarrje nga vëllezërit Topulli, si dhe nga shqiptarët e tjerë, grekomanët këtë radhë ndëruan mëndje e nuk u përsërit pabesia që kishin përgatitur disa vite më pare, (më 1895), kundër mësonjësit të shquar, patriotit KOTO HOXHI QESTORATI.
Me këtë emër do të ndalem duke u përkulur me respekt përpara kujtimit të tij, që është dhe do të mbetet i paharruar tek shqiptarët, si një pishtar i dijes dhe i së vërtetës, si MËSONJËSI i MËSONJËSVE të parë të shqipes. Megjithëse largohem nga vitet që kemi radhën të tregojmë, ma ka ënda të shënoj këtu mbi vdekjen e këtij burri të madh që u përpoq për kombin, edhe veçan për mua, që më hapi sytë e më ëmbëlsoi me gjuhën shqipe.
Së pari, grekomanët bënë krah të tyre tre veta, të cilët i paguan që të vrisnin Koton. Kështu, një ditë, Hysen Bali, Musto Lengua e Meleq Rakipi e ruajtën Koton kur delte nga Gjirokastra për në Qestorat, dhe atje, pas kalasë së Shën Triadhës, tek shkëmbi i çarë, i zunë udhën. Kur iu afrua Kotua pritës, ata iu hodhën me të shpejtë duke e detyruar të zbriste nga mushka. Pastaj filluan ta rrahin me të rreptë, si mundnin dhe ku mundnin. I urti plak u thoshte se nuk i kish bërë ndonjë të ligë njeriu, prandaj ç’ishte shkaku që po tregoheshin kaq zemërgurë dhe të pamëshirshëm. Veç kësaj ata as që njiheshin me njeri-tjetrin e as që ishin parë ndonjëherë.
Atëherë të tre pritësat u penduan për atë që bënë dhe e lanë të shkonte në shtëpi, ku u dergj për disa kohë nga plagët që kishte marrë.
Shpëtimi i Kotos nga ky kurth, i vuri përsëri në punë armiqtë, që të gjenin një mënyrë tjetër për ta hequr qafe. Kështu, i mbushnë mëndjen gruas së Naqo Spiros, po nga fshati Qestorat për ta vrarë.
Kjo mëndjelehtë kishte një shtat të hedhur dhe ishte shumë e fortë, dhe një ditë rrëmbeu një dru dhe i doli poshtë fshatit, duke e pritur kur të vinte Kotua nga ara. Në ecie e sipër i bie që nga prapa me sa fuqi që kishte, sa e rrëzon përdhé thuajse të vdekur.
Gruaja, si e kreu veprën gjakatare, ikën me vrap për në shtëpi të saj, ndërsa fshatarët që u ndodhën afër, e shpunë Koton në familje të tij, ku lëngoi për disa ditë nga plaga e rëndë, e më së fundi vdiq.
Zemra e të madhit patriot pushoi dhe grekërit, që përgatitën këtë vrasje, deshën t’i hidhnin edhe turpin përsipë, mirëpo asnjë shqiptar nuk u pajtua me shpifjet e qëllimet e tyre të ndyra.
Që nga kjo vrasje e këtej, kanë rënë shumë therrorë nga dora e përgjakur e andartëve dhe grekomanëve, si në anë të Korçës, ashtu ehe në anë të Gjirokastrës. Veç këtyre, nuk kanë munguar edhe pengime të tjera.
(Shkëputur prej librit: Shemsi Hajro “Në gjirin e lëvizjes patriotike. Kujtime nga vitet 1888-1932)”, botim i Sh.B. “Naim Frashëri”, Tiranë, 1962, f.78-80)
Autori SHEMSI HAJRO(1868-1964): telegrafist, Lajmëtari i Shpalljes së Pavarësisë në Gjirokastër, më 28 nëntor 1912, ka qenë anëtar i Pleqësisë të Klubit Shqiptar “DRITA”, themeluar më 5 Nëntor 1908, me kryetar Petro Poga, nenkryetar Hysen Hoxha, sekretar Thoma Papapano.

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 27/03/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk