Shoku i rinisë sime, heroi i popullit Rexhep Malaj dhe bashkëluftëtari i tij, Nuhi Berisha këto ditë e kanë rilindjen!

10
Jan
2024
Shkruan: Sherif Sherifi

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Me rastin e 40 vjetorit të rënies heroike në altarin e lirisë, Rexhep Malaj dhe Nuhi Berisha.
Është bërë traditë e shkëlqyer nga populli ynë që kurdoherë t’i kujtojë bijtë dhe bijat e tij të devotshëm heronjtë dhe heroinat, dëshmorët dhe dëshmoret e atdheut që u flijuan për lirinë dhe për ribashkimin e Shqipërisë Etnike.
Për shokun tim të rinisë, Rexhep Malaj, e kam shkruar një persiatje kujtimesh në librin, “Rexhep Malaj në kujtimet e mia”, Prishtinë, 2023.
Në librin tim modest kam trajtuar çështje tepër me rëndësi, sesi Rexhepi e kishte vizionin e tij për çlirim dhe ribashkim kombëtar, poashtu kam përkujtuar dhe dromca jete, sesi Ay ishte i dashur, trim dhe bujar me shoqet dhe shokët e rinisë dhe në veçanti me shoqet dhe shokët e idealit, me bashkëveprimtarët e tij. Poaq, ishte trim i rreptë dhe i pamëshirë për armiqtë dhe tradhtarët e popullit e të atdheut.

Mirëpo, meqë këto ditë është 40 vjetori i rënies heroike bashkë me djaloshin trim, Nuhi Berisha më 12 Janar 1984 gjegjësisht, konsideroj/më që, është dhe rilindja e tyre; them kështu, sepse heronjtë dhe heroinat nuk vdesin kurrë; vërtet që, nuk janë në mesin tonë fizikisht, mirëpo, veprat dhe sakrificat e tyre gjer në flijim, çdoherë janë vlerat më të bukura, më të shenjta në kujtimet tona dhe për breznitë e reja që do të vijnë.

Heronjtë dhe heroinat, ishin dhe janë burime të pashtershme frymëzimi dhe mësime të paharruara; sesi duhet ta duam popullin e atdheun, janë amanete me lulëkuqe gjaku, sesi në kohëra paqes me djersë ta ndërtojmë atdheun, ndërsa në kohëra të robërisë e të rreziqeve nga armiqtë dhe tradhtarët e vendit, duhet ta mbrojmë atë me gjak.

Në këtë përvjetor të lavdishëm, dua të fokusohem në veprën heroike të Rexhepit dhe Isait që me guxim ia mësynë kufirit shqiptaro-shqiptar të shkojnë në RPSSH, jo për vizitë ahengjesh rinore, por për t’u përgatitur ushtarakisht, që pastaj të ktheheshin kuadro të zotët për të filluar dhe fituar LÇ-re në Kosovë dhe në viset tjera shqiptare.
-Këtu e tutje, zë fill zanafilla e vendosmërisë së patundur e rinisë shqiptare revolucionare, sipas motos: Ja vdekje, ja liri!
-Pasi e kalojnë kufirin, pas shumë peripecive dy të rinjtë trima dhe trimëresha, Ferdezja në vendin amë merren në mbrojtje dhe në pyetje nga shteti shqiptar. Këta nuk ngurrojnë që ta thonë troç qëllimin pse kishin shkuar nga Shqipëria e këndej Drinit, në Shqipërinë e andej Drinit:
“Ne kemi ardhur të përgatitemi në shkollat ushtarake për t’u mësuar të përdorim çdo armë dhe të dijmë çdo taktikë ushtarake gjatë shkollimit dhe stërvitjeve në poligonet ushtarake të shtetit amë” -deklarojnë hapur.

-Pas qëndrimit dhjetë javorë udhëheqja e strehimit politik në Shqipëri vendosi të konsultohet qartësisht me guerilasit e ardhshëm.
Pas bisedës që Rexhepi kishte me Salih Shatrin, por edhe me udhëheqësin e PPSH-së, Hysni Kapon; të rinjtë vendosin të kthehen vullnetarisht në Kosovë, ndërsa shoqja e tyre e idealit Ferdezja (bashkvendase nga Hogoshti) ishte vendosur atje ku edhe shkollohet në RPSSH.

Edhe pas qëndrimit në burg, për kalim kufiri ilegalisht, Rexhepi as Isai nuk do të ndalonin veprimtarinë e tyre atdhetare.
“Jeta luftë”-siç thoshte shoku Enver Hoxha; i mësoi dhe i kaliti ata si shumë trima e trimëresha, që ta njohin artin ushtarak popullor dhe të mos ngelin pas edhe me artin e shkollave të ushtrive tona çlirimtare.

Rexhepi dhe Nuhiu luftuan në “Kodrën e Trimave” në Prishtinë, kundër armiqve jugosllavë dhe tradhtarëve të vendit, kosovaristëve titistë, bash si tre heronjtë e Shkodrës; Perlat Rexhepi, Branko Kadia dhe Jordan Misja; kundër fashistëve italo-gjermanë ndërsa, shoku i tyre, Isa Kastrati; bir besnik i popullit dhe atdheut; do të binte heroikisht në fushën e nderit në altarin e lirisë gjatë LÇ-re, me emblemën e famshme të UÇK-së Heroike.
-Për Rexhep Malën Nuhi Berishën, Kadri Zekën me shokë e shoqe, nuk mjaftojnë të shkruhen edhe shumë faqe kujtimesh të ndritura; mirëpo duke pasur parasysh që, këtu në fzb, s’ është vendi i duhur, po mjaftohem me këto kujtime të thukta të veprimtarisë heroike të flakadanëve të lirisë së atdheut.
Lavdi dëshmorëve të atdheut!
9 Janar, 2024

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/01/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk