SHPËRBËRJA E SISTEMIT ARSIMOR DHE E SHKOLLËS SHQIPE I RREZIKON THEMELET E SHTETIT DHE IDENTITETIN KOMBËTAR

11
Apr
2023

Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti
Reflekse
Sistemi arsimor dhe shkolla shqipe e sotme nuk duhet të shërbejnë si fabrika për prodhimin serik të kuadrove, njeri-robotëve, për nevojat e tregut të huaj të punës, por për nevojat e shoqërisë dhe ekonomisë vendëse.
Nëse nuk do të ishin kthyer në atdhe shqiptarët e shkolluar në botën e jashtme, ose nuk do të kishin kontribuar nga jashtë me tërë qenien e tyre për kombin dhe shtetin, sidomos gjatë shekullit XX, nuk mund të paramendohet se cili do të ishte fati i Shqipërisë dhe i shqiptarëve!
Sot, ikja në botën e jashtme i shumicës së kuadrit të shkolluar në vend, bashkë me izolimin dhe dëbimin e krerëve më të shquar të shkencës dhe dijes, janë tendenca më kobzezë për fatit e kombit tonë në të ardhmen.
Pa shkollë kombëtare dhe pa dijetarë, vendi për disa dekada shndërrohet në shtet koti dhe tokë e zbrazur, e gatshme për ta pushtuar pa rezistencë secili armik dhe pushtues i huaj.
(10 prill 2023)
* * *
Rilexim për reflektim
SHPËRBËRJA E SISTEMIT ARSIMOR DHE E SHKOLLËS SHQIPE I RREZIKON THEMELET E SHTETIT DHE IDENTITETIN KOMBËTAR
Arsimi dhe shkolla shqipe, siç janë sot, nuk janë në frymën kombëtare, por në shërbim të akulturimit dhe shbërjes së qenies shqiptare.
Sistemi ynë arsimor dhe shkollat shqipe, si në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni dhe viset tjera shqiptare, në të gjitha nivelet, kanë nevojë për reforma të thella mbi baza shkencore, duke i ndjekur zhvillimet bashkëkohore evropiane dhe botërore, por duke i ruajtur vlerat dhe veçoritë kombëtare.
Çfarë është bërë deri më sot në këtë sferë nga më të rëndësishmet për ndërtimin e shoqërisë sonë, që vlerësohet si shtylla kryesore për ndërtimin e së ardhmes? Gati asgjë e mbarë, e shumëçka e mbrapshtë.
Pavarësisht nga ndarjet politike dhe administrative, së paku arsimi dhe shkolla shqipe duhet të jetë e NJËSUAR, me strategji të përbashkët zhvillimi, me plane dhe programe të njëjta ose të ngjashme, me tekste shkollore të përbashkëta, me organizime të përbashkëta dhe zhvillim të politikave arsimore në nivel kombi, jo të veçanta dhe sipas njësive politike e administrative, kështu siç ia kanë imponuar rrethanat arsimit shqiptar dhe shkollës shqipe.
Arsimi dhe shkolla shqipe në radhë të parë duhet të çideologjizohen, depolitizohen, departizohen, dekriminalizohen dhe mbrohen nga ndikimet e huaja. Shkolla shqipe duhet të jetë vatër e dijes, e shkencës dhe artit, jo çerdhe e propagandës, nepotizmit, korrupsionit dhe krimit të organizuar mbi gjeneratën e re.
Sistemi arsimor dhe shkolla shqipe duhet të kthehet në fokusin, interesimin dhe kujdesin e institucioneve më të larta të shtetit, me program të qartë, të studiuar mirë në bazë shkencore dhe sidomos të rriten investimet për arsimin sipas nevojave të kohës së sotme.
Duhet të rriten investimet për kërkime shkencore dhe studime, pakrahasueshëm me nivelin e investimeve të derisotme, përndryshe asnjë program qeveritar për zhvillim ekonomik dhe shoqëror nuk mund t’i arrijë objektivat e veta të përcaktuara.
Shteti nuk është shtet, as qeveria është qeveri kombëtare nëse nuk angazhohet për reforma thelbësore në fushën e arsimit dhe të kërkimeve shkencore, me program kombëtar, planifikim, investime të mjaftueshme, me rregull, disiplinë dhe mbarëvatje të punës në shkolla, universitete dhe institucionet shkencore.
Programi i shkëmbimit të përvojave, kuadrit mësimdhënës, nxënësve dhe studentëve, duhet të intensifikohet dhe zgjerohet sidomos me shtetet me ekonomi dhe industri të zhvilluara, si SHBA, Gjermani, Angli, Japoni etj., por edhe me shtetet tjera në fusha të caktuara, sidomos me Kroacinë, Bullgarinë dhe Italinë fqinje.
Me hapjen e shkollave të huaja, me programe, përmbajtje dhe qëllime të dyshimta, siç janë disa universitete private, kolegjet, fondacionet dhe qendrat arsimore e kulturore turke, iraniane dhe të ngjashme, të cilat veprojnë në trojet shqiptare mbi parime të iniciativave private dhe mbi baza ,,vullnetare” e ,,humanitare” përfiton vetëm pushteti, një grusht oligarkësh, politika ditore dhe politikanët, ndërsa arsimi dhe shkolla shqipe e humbin përfundimisht esencën e tyre, karakterin dhe përmbajtjen kombëtare, me këtë edhe e rrezikojnë rëndë qenien kombëtare, zhvillimin ekonomik dhe progresin shoqëror. Implikimet tjera në sferën politike, fetare dhe kulturore ndjehen sot dhe do të ndjehen më tepër në të ardhmen, pasi përfundimisht të bëhet bilanci tragjik i sistemit arsimor kombëtar.
Shoqëria shqiptare duhet të largohet sa më parë nga kjo rrugë e mbrapshtë, të mbrohet nga këto ndikime përmes institucioneve të shtetit, kjo çështje të rregullohet qartë përmes ligjit, dhe të kthehet në rrjedhën normale të zhvillimit të arsimit siç e kanë të gjitha shtetet e zhvilluara të botës, e siç nuk e kemi ne sot, meqë politika arsimore e ndjekur deri më sot lirisht mund të vlerësohet si më armiqësore seç kanë qenë politikat e pushtuesve dhe sunduesve të huaj mbi shqiptarët në të kaluarën.
Edhe në periudhat më të pafavorshme, qeveritë shqiptare kanë ndërmarrë masa dhe veprime konkrete, hapa gjigant për ta ndihmuar arsimin dhe shkollën shqipe, jo vetëm brenda shtetit por edhe në territoret jashtë kufive administrativ të shtetit dhe në emigracion. Çfarë bëhet sot për arsimin dhe shkollën shqipe jashtë shtetit, në trojet etnike dhe në diasporë? Qeveritë shqiptare vrasin miza dhe presin fondacionet e huaja të ndërhyjnë me qëllimet dhe ndikimet e tyre, sigurisht jo për interesat tona kombëtare! Kjo moskujdesje nuk përbën një skandal të thjeshtë, por një turp që nuk do të shpërlahet lehtë me dekada të tëra në të ardhmen.
(10 prill 2018)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk