SHQIPËRIA ETNIKE ËSHTË E PAVDEKSHME SEPSE I PAVDEKSHËM ËSHTË KOMBI SHQIPTAR 🇦🇱

20
Apr
2023

Shkruan: Fatlind Selmani
Ne shpeshherë në analizat dhe debatet tona për gjendjen e ndarë e të pushtuar të Shqipërisë Etnike e fajsojmë faktorin e jashtëm ndërkombëtar dhe shumë pak e rrallë i analizojmë e i zbulojmë gabimet, të metat dhe mosunitetin tonë të brendshëm. Prandaj edhe na përsëriten humbjet, dështimet dhe mosrealizimi i aspiratës sonë shekullore për krijimin dhe ribashkimin e Shqipërisë Etnike.
Liria jonë fillon tek ne, te organizimi, bashkimi dhe lufta jonë e vendosur për çlirimin dhe ribashkimin kombëtar, kurse përfundon me njohjen ndërkombëtare të kësaj lufte. Por nëse kjo liri e kjo luftë fillon me defekte e të çara në rradhët tona, atëherë s’do mend se do të përfundojë pa sukses dhe për fajin e shqiptarëve e jo të ndërkombëtarëve. Ne duhet të punojmë më shumë me vetveten tonë, ne duhet ta edukojmë veten dhe popullin tonë, ta armatosim atë me dituri e arsim, me informacion politik e kombëtar, ta armatosim me idealin kombëtar të luftës për liri e ribashkim kombëtar, ta brumosim me dashurinë për atdheun tonë, për Shqipërinë Etnike.
Atdhedashuria e zjarrtë dhe patriotizmi i pastër janë baza e fitores sonë. Shqiptarët së pari duhet ta integrojnë – bashkojnë atdheun e vet dhe pastaj të integrohen në Europë. Nuk hyhet në Europën e bashkuar me shqiptarë të ndarë. Në Europë duhet të shkojmë si komb i bashkuar, jo si fise mesjetare. Në Europë duhet të shkohet me dinjitet, si shtet i bashkuar, si Shqipëri Etnike.
Duhet ta theksojmë me përgjegjësi dhe sinqeritet të plotë se ëndrra është teoria e çështjes sonë kombëtare, kurse realiteti është praktika, zbatimi, vënia në jetë e kësaj ëndrre, e kësaj teorie. Dhe ne, gjithashtu, duhet ta pranojmë me arsye shkencore se gjithmonë ekziston një shpërputhje midis teorisë dhe praktikës. Në rastin tonë konkret ekziston një disharmoni ndërmjet ëndrrës dhe realitetit, ndërmjet ëndrrës për Shqipërinë Etnike dhe realitetit të Shqipërisë Etnike.
Mijëvjeçari i tretë dhe fillimi i shekullit XXI nuk janë e nuk do të jenë si mijëvjeçari e shekulli i kaluar, prandaj edhe gjendja e Shqipërisë Etnike do të jetë shumë më e ndryshme se ajo e së kaluarës. Para Shqiptarëve në këtë shekull të ri shtrohen edhe forma e rrugë të reja të veprimtarisë dhe luftës së tyre për bërjen e Shqipërisë Etnike.
Shqipëria Etnike është plagë e hapur që kullon gjak pellazgjik, ilirik e shqiptar. Është lapidar i ngritur ndër mijëvjeçarë nga eshtrat e mijëra e miliona luftëtarëve, dëshmorëve dhe heronjve të saj.
Ëndrra për Shqipërinë Etnike është një ëndërr njerëzore e mbarëkombëtare, që do të shndërrohet në një realitet tokësor, me një bukuri engjëllore dhe madhështi hyjnore.
Sado që të mundohen të na largojnë por prapë të gjitha rrugët drejtë Shqipërisë Etnike do të na çojnë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/04/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk