-Replikë me Profesor Fatos Tarifën për Shqipërinë e sotme-
Në një intervistë ekskluzive, që gazeta DITA, e datës 22 Qershor 2024, i mori profesor Fatos Tarifës, gazetari qysh në krye, i drejtohet me pyetjen e thjeshtë, por tronditëse:
_ “Profesor Tarifa, a mendoni se Shqipëria do të bëhet?”
Themi tronditëse, sepse kjo pyetje nënkupton që Shqipëria ende nuk qenka bërë, ose ka qenë e bërë, por është shembur dhe duhet të ribëhet. Profesor Tarifa, i revoltuar nga pyetja, ia kthen: Ç’doni të thoni me këto fjalë?! Shqipëria Po bëhet!” Dhe vijon me argumentët që mbështesin “vështrimin e tij optimist”. “Është e vërtetë, – thotë profesori i sociologjisë, – se kemi pritur shumë gjatë të shohim ndryshimet e dëshiruara në këtë vend, kemi humbur shumë kohë pa bërë atë që duhej bërë, por ama sot kemi një Shqipëri tjetër, një vend të ndryshuar, dhe që po ndryshon çdo ditë . . . !” Dhe në përforcim të këtij “ndryshimi”, profesori rreshton ndryshimet e bëra në qendrat e qyteteve, nga veriu në jug të vendit, duke iu referuar “Rilindjes urbane”, të cilën e realizuan vetëm socialistët.
_ “Vetëm në qendrat e qyteteve e shihni ndryshimin e bërë”?, – ishte pyetja pasardhëse e gazetarit.
_ Sigurisht që jo, – përgjigjet profesori. Dhe vijon me argumentet e ndryshimit, duke rreshtuar “infrastrukturën” e mirë dhe vende-vende edhe moderne (rrugë, lokale asfaltim, tunele, ura, një sistem bashkëkohor furnizimi me enërgji elektrike . . .Dhe diçka që nuk mund të lihet pa thënë, – vijon profesori, duke na krahasuar numrin e fluturimeve ajrore të ditëve të sotshme me ato të viteve nëntëdhjetë. . . .
_“Me sa e kuptoj – ndërhyn gazetari, – ju e shihni “gotën gjysëm plot” . . .
_ Pse duhet ta shoh gotën gjysëm bosh?!”, – përgjigjet Profesor Tarifa. . . .”. Pikërisht tek thellbi i kësaj batute, që flet për dy gjysmat e gotës, njëra plot e tjetra bosh, qëndron edhe filozfia e intervistës “optimiste” të Profesor Tarifës, dhe mjaft shokëve të tij të shtresës së intelektualëve, që ndryshimin dhe zhvillimin e vendit e kanë parë dhe e shohin tek ”gjysma plot e gotës”, që e kanë patur në dispozicion, si para dhe pas viteve nëntëdhjetë, dhe asnjëherë tek “gjysma tjetër bosh” e punëtorëve, fshatarëve, qytetarëve të thjeshtë dhe të pensionistëve, të cilët sot rivalizojnë me numrin e banorëve të tjerë të Shqipërisë.
Në mbyllje të debatit me gazetarin për dy gjysmat e gotës, “plot dhe bosh”, Tarifa e pranon disi situatën dhe thotë se Shqipëria ka ende shumë probleme, dhe për pasojë mbetet një vend relativisht i varfër, me një shkallë të lartë korrupsioni dhe krimi të organizuar. Dhe për të evidentuar qëndrimin e tij ndaj kësaj gjendjeje, i kujton gazetarit se ai vazhdimisht ka qenë një “zë kritik” ndaj kryeministrit Rama dhe qeverisë së tij. “Unë mendoj se ata duhej të bënin më shumë e më mirë, veçanërisht për pensionistët dhe ata që marrin një pagë minimale, para se të dyfishonin një vit më parë rrogat e tyre”! Ama, duhet thënë se “zëri kritik” i Tarifës dhe i disa intelektualëve të tjerë, do të kishte qenë shumë më i ashpër, po të mos egzistonte “gjysma plot e gotës”, të cilën gjithnjë e kanë patur dhe duan ta kenë në dispozicion.
Dilema për “gjysëm gotat” evidentohet fare bukur në pyetjen e fundit të gazetarit, për problemin e pjesëmarrjes aktive të emigrantëve tanë në zgjedhjet vendore e qendrore. Kësaj pyetje, Profesori i përgjigjet: “Mundësitë logjistike për të përmbushur këtë të drejtë, janë. Por çështja është se ky kontigjent votuesish, është kryesisht i panjohur, siç janë të panjohura simpatitë dhe sjellja politike e tyre. Ky realitet i panjohur është shqetësues për kalkulimet elektorale, si të partisë që drejton vendin, por edhe të partive opozitare. Zgjidhja e kësaj çështje varet nga vullneti i tyre. Dhe ato duket se nuk e kanë këtë vullnet”. . . . Këtu mbaron intervista “optimiste” e profesor Tarifës, i cili nuk ka ndërmend ta zgjedhojë më tej, pasi rrezikon të humbasë “gjysmën plot të gotës”, të cilën e ka patur në dispozicion, si në sistemin Socialist, dhe në këtë të “derrmëkracisë” borgjeze.
Për fat të keq, një pjesë e inteligjencës sonë, me apo pa dashje, është vënë në opozitë me interesat e qytetarëve, dhe në “unison” me vetë sistemin dhe politikano-pushtetarëve që e menaxhojnë atë. Profesor Tarifa, mendoj se radhitet me këta të dytët, me apologjetët e sistemit. Ai, me siguri, i don dhe i respekton qytetarët e thjeshtë, por duke jetuar larg jetës së tyre të përditshme, nuk arrin të kuptojë as hallet e tyre. E duke mos njohur hallet e qytetarëve, domemos nuk arrin të njohë as hallin e problemin e madh të cilin ka sot Shqipëria.
Ndryshe nga Konica, që jetoi gati një shekull më parë, unë si amator i përcaktimeve, mund të them i bindur, se Shqipërinë e projektuan Rilindasit, e bënë komunistët dhe po e zhbëjnë bastardët e racës shqiptare. Këtë të fundit, “zhbërjen”, profesori ynë Fatos Tarifa, fatkeqësisht nuk e shikon. Nuk e shikon, sepse që kur ka lindur e gjer në ditët e sotme, këmba e tij nuk ka dalë për asnjë çast jashtë asfaltit dhe pllakave të bulevardit. Edhe shkollat, në shumicë i ka mbarur në shtetet e zhvilluara të perendimit, çka e tregon përdorimi në masë i fjalëve të huaja, në çdo ligjëratë të folur, të shkruar apo të botuar. Profesor Tarifa dhe shokët e tij, nuk arrijnë të shohin se përtej asfaltit të “Rilindjes urbane”, jeta e qyteteve dhe sidomos e fshatrave çdo ditë po shkon drejt shuarjes. Profesor Tarifa, nëse nuk mundet të shkojë në fshatrat shqiptare, në malet e larta, në kodra dhe madje edhe në fushat e Myzeqesë, se i grisen e i baltosen këpucët, le të ndjekë rubrikën gati të përnatshme të gazetarit Marin Mema, “Shqipëria tjetër”, për të kuptuar pse forcat rinore dhe ato të punës, po braktisin vendin, gjer në atë shifër, sa ka rrezik që sot të jenë më shumë shqiptarë në emigracion, se sa në trojet e tyre amtare. Por, edhe nëse përton të shohë emisionin “SHQIPËRIA TJETËR”, ai duhet ta dijë se përveç sektorit të turizmit, që për hir të natyrës, mikpritjes dhe çmimeve të lira, ka shënuar këto vitet e fundit arritje sinjifikative, e gjithë pjesa tjetër e infrakstrukturës së zhvillimit të vendit është në mjerim e në degradim. Industria, bujqësia, blegtoria, shfrytëzimi i pasurive mbi e nëntokësore, që janë drejtimet kryeore të zhvillimit të vendit tonë, janë ose inegzistente, ose të kthyera si në mesjetën e hershme. E njëjta gjë mund të thuhet për fushat e tjera të zhvillimit, duke filluar me arsimin e degraduar, shëndetësinë e korruptuar, kulturën e degjeneruar, dhe akoma më keq me një mbrojtje kombëtare, që varet plotësisht nga “ombrrella” e NATO-s; pa folur për degradimin e familjes, që është dhe baza e shoqërisë së një vendi. Mbi të gjitha, ndonëse kanë kaluar tri dekada e gjysëm nga aplikimi i sistemit të “demokracisë borgjeze”, Shqipëria ende nuk ka një shtet ligjor, ku të dënohet krimi i organizuar dhe korrupsioni galopant. Të gjitha këto kanë bërë që pjesa vitale e popullit të braktisë vendin e të kthehet refugjat e argat në trojet e të tjerëve.
Ju, professor Tarifa, në intervistën tuaj thoni se shqiptarët ikën dhe po ikin për një jetë më të mirë. Por thoni gjithashtu se ka sot shumë prej tyre që duan të kthehen, se e shohin progresin e bërë dhe mund të duan të kthehen të kontribuojnë për vendin e tyre. Kjo është një hamendje, sepse testimet e fshehta e të hapura, tregojnë të kundërtën. Shumica e shqiptarëve, sidomos të rinjtë, po kërkojnë çdo ditë e më shumë të lënë vendin e tyre. Një shembull tronditës: në vitin 2014 vendi ynë kishte mbi 42 mijë maturantë, ndërsa sot në vitin 2024 ka vetëm 28 mijë – me një rënie prej 14 mijë. Kjo tregon qartë se vendi po braktiset, sepse këtë braktisje nuk mund ta ndalojë “Rilindja urbane”, por vetëm një RILINDJE E VËRTETË, në të gjitha fushat e jetës e të zhvillimit harmonik të resurseve të vendit.
Ndaj, unë mendoj se kam të drejtë, kur në krye të shkrimit kam shkruar dilemën: “Shqipëria, po bëhet, apo po zhbëhet”! Kur themi “Shqipëria”, nuk kam parasysh thjeshtë malet, fushat dhe bukuritë që na ka falur natyra, por Shqipërinë e organizuar në një shtet të vërtetë, me Lirinë dhe Pavarësinë Politike dhe Ekonomike, që ajo gëzonte para viteve nëntëdhjetë, e ku drejtimet e zhvillimit të vendit të planifikohen e realizohen, jo për interesat e oligarkëve dhe kapitalistëve të huaj, por për interesat e vetë popuyllit shqiptar!
Ky është dhe duhet të jetë edhe pozicioni i intelektualëve tanë, ndërsa furçat për oligarkët dhe politikano – pushtatarët mercenarë të çdo kallëpi e ngjyre qofshin, janë tradhëti ndaj interesave të vendit e të popullit.
————————————————–
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!