Shqipëria s’mund të jetë “kobure” në brez të askuj

09
Jul
2025
Shkruan: Isa Ferizaj


Në një epokë tensioni me përmasa ndërkombëtare, por edhe përplasjejesh interesash globale, shtetet e vogla, prore gjenden, frikshëm, në vorbullën e vendimeve të mëdha, pa qenë domosdoshmërisht pjesë e vullnetshme e tyre. Shqipëria, e ndodhur në një pozicion të ndjeshëm gjeopolitik dhe anëtare e aleancave perëndimore, përfshi NATO-n, është e thirrur kombëtarisht që të gjejë ekuilibrin midis angazhimeve ndërkombëtare dhe interesit kombëtar, pasi për Shqipërinë dhe shqiptarët, kudo në trojet e veta etniko-natyrore, nuk ka interes më të madh sesa interesi e qasjet politiko-strategjikr kombëtare.
Në këto rrethana, ka një vijë që nuk duhet kaluar: Shqipëria nuk mund të kthehet në një “kobure” në brez “mikut”, apo të superaleatit, për t’u përdorur prej tyre, kundër lirisë së popujve të tjerë, për hesap të padronit të madh.
Kjo nuk është thjesht një çështje retorike apo ndjeshmërie morale, por është një domosdoshmëri objektive dhe historike, pse jo, edhe politike.
Shqipëria, që vetë ka vuajtur ndarjen, copëtimin dhe mohimin e të drejtave kombëtare, luftrat pushtuese, luftën gjenocidiste nga pushtuesi serb të një pjese teritoriale shqiptare dhe, popullsie shqiptare si ajo e viteve 1998-1999, në Kosovë, pra, brenda truallit e kombit të vet,nuk ka asnjë arsye për të qenë pjesë e praktikave të dominimit ndaj të tjerëve. As historia jonë, as përvoja e popullit shqiptar dhe, as parimet mbi të cilat është themeluar e ngritur deri ne funksionim, vetë shteti ynë, nuk lejojnë një kthim në rolin e veglës së përdorshme nga të huajt, qofshin ata edhe “miq”, apo aleatë strategjikë e, as për interesa të huaja.
Kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk duhet të ketë aleanca, por ato, nga politika e shtetit shqiptar, duhet të ndërtohen mbi baza mirëkuptimi, respektimi normash të ndërsjellta, pa qëllime e qëndrime nënshtrimi e nënvlehtësimi, çka, për fat të keq, që pas vitit 1991 e, deri më sot, as aleancat e, as bashkëveprimet me “aleatët”, nuk kanë qënë, as serioze, as të dinjitetshme e, as të dukshme në suksese. Aleancat ndërmiqësore, s’nënkuptojnë shfrytëzimin e pasurive tona strategjike, vetëm në favor të “aleatëve”, por as kthimin e politikës tonë në një vegël dobisjellëse për të huajt, por as kthimin e vendit në një bazë ushtarake për interesat strategjike, apo “kombëtare” të kujtdo aleati qoftë ai. Përkundrazi, të qenët pjesë e NATO-s, në kuadër të këtij sistemi kapitalist, të cilën përfshirje brenda saj e shikoj me mosbindje suksesi, apo orientimi drejt Bashkimit Europian, edhe ky orientim, si një vrasës mëvetësie e sovraniteti kombëtar, janë zgjedhje strategjike dhe të domosdoshme për interesat e të huajve e, pastaj, gjoja, edhe për vendin tonë sot, pasi politika shtetërore e pasnëntëdhjetës, në sytë e “miqve” dhe të “superaleatit” strategnik, e rrënoi nga themeli, deri në çati shtetin, ekonominë, sistemin mbrojtës, ushtrinë, armatimin dhe frymën atdhetare e liridashëse të popullit tonë. Pra, aleanca nuk do të thotë bindje e verbër. Të jesh aleat i mirë nuk do të thotë të marrësh pjesë në çdo aventurë politike apo ushtarake të superfuqive e, as ta shndërrosh vendin tënd në bazë ushtarake të të huajve, si dhe, as të kthehesh, si shtet e si politikë shtetërore, në megafonin zëçjerrës të mbështetjeve të çmendurive çnjerëzore nga luftrat e padrejta, qofshin ato të ndërmarra edhe prej “aleatëve”. Kjo politika jonë duhet të synojë e të shprehë vullnetin tonë, i cili duhet që të kontribuojë në sigurinë kolektive, pa cenuar parimet kombëtare të cilat duhet t’i mbrosh.
Kujtojmë që në të kaluarën, Shqipëria ka qënë konsideruar si mburojë e sigurtë e brigjeve lindore të Perëndimit, pasi rendi politiko-shoqëror, socialist në Shqipëri, nuk ushqente ambicje shovene e, as luftënxitëse, as në rajon e, askund tjetër. Por tani që kemi marrë drejtimin perëndimor dhe allademokratik borgjez, përgjegjësia jonë është edhe më e madhe:
Të mos lejojmë që në emër të partneritetit, të cënojmë dinjitetin tonë apo të kthehemi në instrument për shtypjen e të tjerëve.
Roli i një vendi të vogël, si ai i vendit tonë, por me histori të pasur vlerash e, të lavdishme, që nga LANÇ e, deri në vitin 1985, vit kur vdes udhëheqësi legjendar e prijësi i të gjitha fitoreve të popullit tonë brenda atij harku historik, Enver Hoxha, ka qënë ndikues e dominues në rajon, në sigurinë e paqes rajonale. Një vend si Shqipëria, me norma e me moral të fortë në të kaluarën socialiste, sot, në rrethanat e reja, por tepër të vështira, është e domosdoshme që të jetë edhe zëri i arsyes së çliruar nga shovinizmat e politikave fqinje me ne, në rajon, për të përçuar frymën e paqes, të mbrojtjes së vetëvendosjes, të përkrahjes së drejtësisë dhe të refuzimit të çdo akti që bie ndesh me parimet e Kartës së OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare.
Sot, kur në shumë cepa të botës po shohim luftëra të padrejta, pushtime barbare territoriale, por edhe popujsh të tërë, të pambrojtur e paqedashës, të cilët kërkojnë vetëm të jetojnë të lirë, Shqipëria nuk mund dhe nuk duhet, për asnjë arsye e rrethanë që të bëhet pjesë e shtypjes së atyre popujve,(me paqeruajtës, në fakt, ruejtës pushtimesh) por as pjesë mbrojtëse, apo mbështetëse e shtypësve të tyre. Përkundrazi, duhet të jetë zëri që thotë: Jo! – në emrin e kombit tonë liridashës, politikave, qendrimeve e veprimeve barbaro-çnjerëzore ndaj popujve liri e paqedashës, kudo në botë.
Politika e jashtme shqiptare duhet të ndërtohet mbi këtë aksiomë të qartë morale dhe strategjike. Ne nuk kemi interesa të shtrijmë ndikim, nuk kemi nevojë për territore të të tjerëve që kurrë s’na kanë përkitur, as për pasuri që nuk janë tonat. Ajo që kemi nevojë është: të ruajmë paqen; të forcojmë shtetin tonë; të zhvillojmë ekonominë kombëtre; të bashkojmë popullin tonë rreth vlerave kombëtare dhe, të jemi aleatë të dinjitetshëm, jo vasalë të përdorshëm, apo lëkurana të fëlliqur e të padinjitetshëm.
Nëse nuk i qëndrojmë këtij parimi, atëherë rrezikojmë të humbasim lirinë e vërtetë, por edhe vendin në një aleancë të kushtëzuar; rrezikojmë të humbasim vetë frymën e shqiptarisë së shtetit shqiptar.
Tiranë, më 08.7.2025.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 09/07/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk