SHQIPTARËT DHE BETEJA PËR MAQEDONINË EVROPIANE

25
Aug
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

R e f l e k s e
Shqiptarët si popull janë përjashtuar nga Referendumi për pavarësinë e Maqedonisë (8 shtator 1991) dhe nga Kushtetuta e parë e këtij shteti (17 nëntor 1991), jo për ta ndërtuar dhe ruajtur këtë shtet të përbashkët, por për ta shndërruar në satelit të Rusisë në rajon; si shtet jugosllav nën kontrollin e Serbisë, ose sipas konceptit bullgar: “një popull, dy shtete”.
MBETJET E KOMUNIZMIT JUGOSLLAV TË INSTALUARA NË PUSHTET, U DUARTROKASIN ME ZË DEMOKRACISË DHE INTEGRIMEVE EUROTLANTIKE TË VENDIT DHE RAJONIT, TINËS DITË E NATË PUNOJNË PËR AGJENDA SERBE DHE RUSE, JO VETËM NË SHKUP…
Çfarë pretendon pushteti aktual në Maqedoninë Veriore, kur mundohet rrejshëm të shesë vlera evropian e demokratike; kur në procesin e anëtarësimi të vendit në Bashkimin Evropian i është kërkuar nga faktori ndërkombëtar ta përfshijë pakicën bullgare në preambulën e kushtetutës, si kusht për heqjen e vetos nga pala bullgare, ndërsa këta të pushtetit në Shkup, në paketën e ndryshimeve kushtetuese, pa ua kërkuar askush nga jashtë ose brenda, me qëllim të minimizimit të këtij problemi, që nënkupton në një formë edhe përbuzjes ndaj pakicës bullgare, bashkë me pakicën bullgare kanë përfshirë edhe përfshirjen e pakicave të tjera, atë kroate, malazeze, hebraike, egjiptiane etj. Pse deri më sot nuk i qenka kujtuar pushtetit këto pakica t’i përfshinte në preambulën e kushtetutës me sjelljen e kushtetutës së parë më 1991, ose me ndryshimet e mëhershme, nga vitit 1991 deri më sot, sidomos më 2001 dhe 2019?!
Çështje tjetër për të cilën mban përgjegjësi të madhe politike dhe historike pushteti në Shkup, sidomos faktori politik shqiptar në pushtet gjatë tri dekadave të fundit, pa amnistuar në këtë rast as Tiranën dhe Prishtinën zyrtare, si dhe faktorin ndërkombëtar, mbetet moszgjidhja e statusit juridik-kushtetues i popullit shqiptar (edhe statusi i gjuhës shqipe zyrtare), që aktualisht trajtohet si pakicë, si përqindje dhe më keq, grup qytetarësh prej 20% pa identitet, pa histori, kulturë dhe gjuhë të veten, që sipas gjuhës politike i bie saktësisht: kjo popullsi ose duhet të shpërngulen nga ky vend (kjo strategji zbatohet në mënyrë sistematike nga pushteti për dekada me radhë), ose të shkrihen në botën sllave (lexo: botën serbe)! Me këtë klasë politike të kapur dhe korruptuar, kjo shumë lehtë realizohet!
Çudi përbën fakti, pse ka ende qytetar në këtë vend, të cilët u besojë symbyllur këtyre politikanëve xhambazë, të cilët me të dy duart i kanë votuar të gjitha ndryshimet e derisotme të kushtetutës, që po këta mund të bëjnë ndryshime sot e në të ardhmen, të dobishme për popullin shqiptar në Maqedoninë Veriore.
Unë nuk u besoj mbetjeve të komunizmit jugosllav dhe agjentëve të huaj me tapi, se ata mund t’ia duan të mirën popullit shqiptar dhe as shtetit të Maqedonisë me orientim evropian, jashtë orbitës së ndikimit serb dhe rus në vend dhe rajon!
E ardhmja do ta dëshmojë, dhe le ta dëshmojë sa më parë!
(25 gusht 2023)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk