“Shqiptarët në kohën e lashtë janë quajtur Ilirë.”

13
Feb
2023

Shkruan: Prof.dr.Abdulla Mehmeti
Shpalime historie
(Figura të shquara historike shqiptarësh të harruar)
PERIKLI ÇILI
(1864, Krushevë -1925, Sofje)
Intelektual dhe atdhetar i shquar nga Krusheva e Maqedonisë, për të cilin shumë pak dinë studiuesit dhe gati aspak opinioni lexues ndër shqiptarët e sotëm.

– Perikli Çili, 1922
Perikli Çili (bullgarisht: Çilev) lindi në vitin 1864 në qytetin e Krushevës, atëherë në Perandorinë Osmane (nuk ka qenë Korçar, siç thotë studiuesi Uran Asllani). Mbaroi shkollën greke në Krushevë, ndërsa në vitin 1880 gjimnazin e Selanikut. Më 1884 u diplomua në Universitetin e Athinës për filologji klasike. Punoi mësues në Krushevë dhe Manastir nga viti 1883 deri në vitin 1904.
Ai u shpërngul në Bullgari dhe nga 1 shtatori 1894 deri në fund të jetës dha mësime të gjuhëve klasike, greqishte e vjetër dhe latinisht, në Liceun e parë të djemve në Sofje.
Me shpërthimin e Luftës Ballkanike në vitin 1912, ai ishte pjesëtar i forcave vullnetare në Maqedoni dhe Odrene (Traki).
Gjatë Luftës së Parë Botërore ka bërë disa turne hulumtuese shkencore në Maqedoni dhe Kosovë.
Çili ishte një poliglot – fliste greqisht, turqisht, shqip, frëngjisht, rumanisht, gjermanisht dhe latinisht. Ai botoi një serë shkrime, shënime udhëtimesh me karakter hulumtues dhe punime shkencore për kulturën e popujve ballkanikë dhe sidomos për shqiptarët, si “Shqipëria dhe shqiptarët” (1922), “Një udhëtim nëpër vendbanimet shqiptare në Prishtinë, Prizren, Dibër dhe Ohër” (1926) etj.
Hulumtoi materiale dhe dokumente historike dhe etnografike për periudhën e Rilindjes Kombëtare. Ai ishte anëtar i këshillit të pallatit mbretëror të Mbretërisë së Bullgarisë (1909), ku ua mësoi greqisht dhe latinisht princave Boris Tërnovski dhe Kiril Preslavski. Ka qenë anëtar i komitetit muzeor të Muzeut Etnografik Kombëtar të Bullgarisë (1909), anëtar themelues i Institutit Shkencor Maqedonas në Sofje.
Perikli Çili ka qenë anëtar, veprimtar dhe drejtues i shquar i Shoqatës kulturore atdhetare “Dëshira”, organizatë shumë aktive e shqiptarëve në periudhën e Rilindjes Kombëtare, që veproi në Bullgari, me seli në qytetin e Sofjes dhe me degët a saj në Varna, Filibe dhe qytete të tjera.
Për shkak të arsimimit të tij në gjuhën bullgare dhe në gjuhë të tjera, Perikli Çili ka krijuar në gjuhën bullgare, por e ka folur rrjeshshëm edhe gjuhën shqipe, si gjuhë amtare e tij dhe të parëve të tij. Për ndonjë shkrim ose korrespondecë të tij në gjuhën shqipe me atdhetarë të tjerë shqiptarë të periudhës kur jetoi e veproi nuk kemi ndonjë të dhënë (për shkaqe të njohura, deri në hapjen e plotë të arkivave bullgare edhe për studiuesit shqiptarë).
Djali i vetëm i Perikli Çilit, Naum Çili (bullgarisht: Çilev, 1890 – 1959) ka qenë filolog, profesor i Universitetit të Sofjes, gazetar dhe korrespondent i shtypit francez në Bullgari.
(26 janar 2023)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/02/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk