SHQIPTARËT UA DHANË ARMIQVE KODIN E MBIJETESËS DHE FORCËS SË TYRE

13
Jul
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

A n a l i z ë
Pse atdheu i shqiptarëve mbeti kaq i vogël dhe i dobët në krahasim me shtetet fqinje, të dala nga nënsqetullat e historisë me ndihmën dhe lavdinë e shqiptarëve?!
(Nuk ka vepër më armiqësore dhe antikombëtare nga një pushtet se sa mospërfillja në qeverisjen e vendit, përndjekja, linçimi dhe dëbimi i elitave intelektuale nga atdheu)
Që nga shekulli XVI, duke i mbledhur në Moskë dhe qendra të tjera dijetarët më të mirë të kohës dhe duke grumbulluar literaturë, libra dhe dokumente arkivore të begatshme, nga lashtësia më e hershme, siç kanë ditur të mbledhin dhe studiojnë dijetarët më të spikatur të kohës, nga një principatë e vobektë dhe e pafuqishme e Moskovit u ngrit perandoria e madhe e Rusisë, nga më të fuqishmet e kohës për pesë shekuj me radhë, duke pretenduar se është trashëgimtare e perandorive të mëparshme të Romës, asaj Perëndimore dhe asaj Lindore, si një Romë e Tretë.
Ngjashëm me këtë, edhe shtetet ballkanike satelite të Rusisë, Greqia, Serbia, Bullgaria, më vonë e përdorën këtë strategji, duke vjedhur e falsifikuar gjithë historinë, dijen, simbolet, mitet dhe heronjtë, të kaluarën e shqiptarëve, si i vetmi popull autokton në Gadishullin Ilirik. Përderisa kjo nuk ka mundur të realizohet pa ndihmën e shqiptarëve vendës, të paguar me shumë florinj e me pushtet, duke përdorur kryesisht pakënaqësitë e elitave vendëse mbi baza fetare dhe për interesa pushteti, kjo metodë është përdorur edhe më vonë, deri në ditët e sotme, përmes mercenarëve shqiptarë vendës, të cilët kanë qenë dhe janë të gatshëm t’i zhdukin elitat intelektuale, mendjet më gjeniale të kombit shqiptar, për t’u shërbyer armiqve, vetëm për pasuri, grada, pushtet dhe famë personale.
Askush më mirë se dijetarët e mëdhenj të kohës, të Gadishullit të Ilirisë dhe të Evropës, sidomos ata me prejardhje shqiptare, nuk e kanë njohur të kaluarën, historinë, kulturën, gjuhët (edhe gjuhët e shuara, si arameishten, sanskritishten, pellazgjishten apo greqishten e vjetër, latinishten etj.), traditat fetare, mentalitetin, traditat dhe rrethanat në rajonin e Mesdheut, vendeve rreth Detit të Zi dhe Evropës, se këta dijetarë të paguar me florinj dhe të nderuar si shenjtorë nga Moska, të cilët jo vetëm që e ngritën Moskën në fuqi të madhe ushtarake, politike e fetare, por edhe ia hapën rrugën për shtrirjen e ndikimit të saj në hapësira më të gjera në drejtim të Mesdheut dhe Evropës.
Edhe në ditët e sotme ende nuk është studiuar dhe nuk njihet sa dhe siç duhet ky fenomen, as edhe nga ekspertët më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të sigurisë në vendin tonë, prandaj do të duhet ende kohë për ta zbërthyer këtë kod të ruajtur me fanatizëm nga Moska dhe aleatët e saj strategjikë, sidomos në shtetet satelite të Rusisë, të krijuara me ndihmën e saj gjatë shekullit XIX dhe XX në rajonin ballkanik dhe jo vetëm. Ky kod është përdorur shumë më parë, në lashtësi, nga vetë shqiptarët, për krijimin e perandorive më të fuqishme të kohës, që i kanë themeluar dhe drejtuar dikur shqiptarët e lashtë, pellazgë-ilirët, dardanët, trakët, pajonët dhe epirotët.
Kështu kanë vepruar edhe Fuqitë e Mëdha evropaine më vonë, kështu ka vepruar edhe shteti Amerikan gjatë shekullit të kaluar për t’u ngritur në nivel të superfuqisë botërore.
Ky mësim është dashur dhe duhet t’u shërbejë në veçanti shqiptarëve, sot dhe nesër, që ta kuptojnë më saktë pse ndodh gjithë ky moszhvillim, kaos dhe prapavajtje në viset tona dhe në botën shqiptare ndër dekada me radhë. Të gjitha regjimet, pushtetet shqiptare deri më sot, në Tiranë, Prishtinë, pa edhe në Shkup, gati pa përjashtim. Jo vetëm pse nuk u kanë dhënë hapësirë të nevojshme dijetarëve më të mirë që ka krijuar gjenia shqiptare, por gati gjithmonë dhe në të gjitha mënyrat janë luftuar ata, janë persekutuar e likuiduar, ndërsa një pjesë e tyre janë larguar në botën e jashtme për shkak të kërcënimeve e zullumit, represionit dhe pasigurisë në atdheun e tyre.
Me këtë strategji antikombëtare, regjimet e kohës, pushtetet jodemokratike dhe jokombëtare ua kanë bërë shërbimin më të madh idesë ekspansioniste rusomadhe të Moskës dhe hegjemonizmit të shteteve fqinje, përmes Beogradit, Athinës dhe të gjithë armiqve të kombit dhe shtetit shqiptar.
(13 korrik 2022)

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 13/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk