Shtyhet vendimi për shqyrtimin e ligjit për gjuhët e pakicave!

12
Dec
2024
Shkruan: Medai Shaholli


Në konferencën e djeshme për shtyp kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Darko Kostadinovski derisa njoftoi se seanca përgatitore për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve do të mbahet në fillim të marsit, ndërsa vendimi përfundimtar sipas tij pritet të merret më së voni gjatë muajit maj.
“Kostadinovski në konferencën për shtyp u shpreh i prerë se varësisht nëse i pëlqen dikujt apo jo, vendimi rreth kësaj çështje do të merret”- theksoi ai mediat e ndryshme në vend.
Tërheqja nga marrja e vendimit dhe shtyrja e shqyrtimit këtij ligji për në muajin mars të proklamuar nga partitë shqiptare si ligji për gjuhën shqipe në kllapa, përbën lojën e ndyrë taktike të dyshes Konstadinovski-Micko me shqiptarët dhe identitetin tonë gjuhësor, duke blerë kohë dhe shmangie nga konfrontimi me opozitën shqiptare.
Ashtu siç la të kuptohet kryetari i Gjykatës Kushtetuese, z.Kostadinovski, ligji për perdorimin e gjuhëve do të shfuqizohet!
Dhe pyetja që shtrohet për partitë politike shqiptare është: Përse duhet të shqetësohen shqiptarët për shfuqizimin e një ligji të gjuhëve të pakicave ku nuk bën pjesë maqedonishtja por gjuha e 20% si gjuhë pa emër, dhe cila është rëndësia e këtij ligji që duhesh mbrojtur me çdo kusht që e zhvendos gjuhën shqipe në një kategori të dorës së dytë, bashkë me turqishten, serbishten dhe jevgjërishten?
Në fakt ekziston një e vërtetë dhe një gënjeshtër e madhe në mes të kësaj loje disa vjeçare, ku ligji për pakicat e gjuhëve nuk është i barabartë me gjuhën e supremacisë së shtetit që quhet gjuha maqedone dhe nga ana tjetër kemi gjuhët e pakicave ku pipiruqët e partiçkave tona na e quajnë në kllapa si gjuha shqipe, porse në kushtetutë sanksionohet si gjuhë e 20% e rregulluar me ligj.
Le të na thonë konstitucionalistët shqiptarë nëse ka ekspertë të kësaj fushe se përse në ligjin për gjuhët e pakicave nuk bën pjesë maqedonishtja, dhe nëse po si e shpjegojnë?
Nëse jo ahere ka marreveshje të fshehët nga partiçkat shqiptare me palën maqedone, ku janë akorduar se nuk do të ketë tjetër gjuhë zyrtare të barabartë me gjuhën maqedone por vetëm ligj për përdorimin e gjuhëve të pakicave që quhet në kllapa gjuha shqipe dhe një gjuhë të supremacisë që quhet maqedonishtja e shtetit dhe e pushtetit!
Nëse nuk është kështu le ta lexojmë kushtetutën ku aty nuk përmendet gjuha shqipe por gjuha e 20% e rregulluar me ligj ashtu siç u bë ligji për gjuhët që do të thotë për gjuhët e pakicave.
Ndërsa partiçkat shqiptare si pozita ashtu dhe opozita po luajnë rolin e gardianëve të gjuhës shqipe (përmes sajesës së ligjit për gjuhët ) Gjykata Kushtetuese dhe premieri Micko, janë vërvitur zhbërjes së atyre ligjeve edhe ashtu gjysmake për shqiptarët për t’i zhbërë në tërësi, duke filluar nga balancuesi, ligji për gjuhët, ribërja e ligjit për branitellët si provokim ndaj luftëtarëve të UÇK-së etj., që do të thotë se komitët tashmë kanë nxjerr “dhëmbët” ndaj shqiptarëve, ku ata duhet të rrinë urtë se shteti dhe pushteti janë ata, ndërsa shqiptarët janë vasalë të bindur!
Shqiptarët duhet të shqetësohen për qëndrimin e mëtejmë të 20% në kushtetutë si shpatë e Demokleut mbi kokat e shqiptarëve, kur shqiptarët nuk duhet ta pranojnë më këtë nënshtrim aq më tepër partitë shqiptare nëse në venat e tyre u rrjedh gjak shqiptar, ata duhet ta kushtëzojnë heqjen e saj me rastin e parë të ndryshimeve kushtetuese, ndryshe nuk ka asnjë kuptim pjesmarrja e një subjekti politik shqiptar në qeverinë e koalicinit apo krekosja para shqiptarëve se ne jemi gardianë të gjuhës shqipe.
Përderisa kjo qeveri refuzon të shlyej nga kushtetuta një përkufizim shoven që plandos dhe përdhos emrin dhe identitetin tonë gjuhësor dhe partitë tona politike do të vazhdojnë japin premtime pa mbulesë se do të jenë gardianë të gjuhës shqipe, ahere nuk ka emër tjetër për për ta vetëm si kuislingë dhe dezertorë të çeshtjes shqiptare.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 12/12/2024

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk