SI MUND TË ZHBËHET NJË KOMB?!

10
Jan
2026
Shkruan: Gjon Bruçi


Bashkatdhetarë!
Sipas meje, nëse do të analizonim situatën dhe gjendjen aktuale të vendit, do të shihnim se në horizontin e së ardhmes tone, është çfaqur kërcënueshëm si asnjëherë tjetër, rreziku i zhbërjes si popull e si komb. Për të argumentuar këtë që pohoj, po sjell thënien e një plaku të katundit tim, në vitin 1964, kur unë isha maturant në Gjimnazin “Bardhok Biba” të Mirditës. Plaku në fjalë ishte pa shkollë, por mendjen e kishte “tel”. Në bisedë me të, ai, midis të tjerave më pati thënë:
“Nëse do ta qitësh fare (t’i zhdukësh trashëgimtarët), një fis kundërshtar, mos përdor armën, por martesat!”
Sipas tij, me armë nuk mund ta zhdukësh kundërshtarin. Ndonjëri nga pjesëtarët e familjes së fisit të tij, mund të jetë larg katundit, ose një tjetër mund të jetë foshnje në barkun e nënës së tij, nga ku, nuk ke se si e vret. (Kujtojmë Mato Grudën tek filmi shqiptar “Njeriu me top” të Dritëro Agollit, në vitet shtatëdhjetë). Ky filiz që shpëton, rritet dhe e ripërtërin fisin e tij. Ndërsa me martesa ndryshon puna.
-“Futi fisit kundërshtarit nuse të liga (të këqia) për djemtë
dhe pas disa vitesh ai fis del vetë jashtë doret”,- ishte konkluzioni i plakut për “qitjen fare të kundërshtarit!”
Ky konkluzion duket arkaik por ka të vërtetën e tij të provuar. Shprehjen “nuse të këqija” të plakut në fjalë, ne sot e zevëndësjmë me tog fjalëshin “degjenerim moral, fizik dhe ekonomik”.
Në dy mijë vjet histori, katër perandori i pushtuan trojet e shqiptarëve: romakët, sllavët, otomanët dhe nazifashistët e Europës, por populli ynë nuk u shua. Ai i përballoi, duke mbijetuar në trojet e veta. Armë dhe dhunë gjithfarësh provuan pushtuesit barbarë, për të na asimiluar dhe asgjesuar si komb, por nuk ia arritën qëllimit.
Por sot kohët kanë ndryshuar. Arma e dhuna janë zëvendësuar me degjenerimin, dhjetë fish më vrastare se arma. Kjo armë e degjenerimit, sot është drejtuar në tre pikat më nevralgjike, në tri pasuritë kryesore që e mbajnë në këmbë e në jetë kombin tonë: Burimet Natyrore, Pasuritë Kulturore dhe Vlerat Shpirtërore. Këto tri pasuri të shqiptarëve janë sot më të rrezikuara se kurrë.
Autorë të këtij rreziku janë politikano-pushtetarët që kanë drejtuar vendin në këta 35 vite të ashtuquajtur vite të “tranzicionit demokratik”. Midis tyre, dy personazhe janë më kryesorët, të cilët do të mbeten në historinë e zezë të vendit tonë: Sali Berisha dhe Edi Rama. I pari si shkatërrues i Shqipërisë, ndërsa i dyti si degjenerues i saj!
Nëse ne si qytetar dhe si shqiptarë nuk do të arrijmë të bëjmë këtë analizë të thjeshtë dhe të reagojmë menjëherë dhe fuqishëm, fundi ynë si popull e si komb nuk do të jetë i largët!

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 10/01/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk