/NGA ARKIVI/
– Sot e lëmë punën më herët e shkojmë në klub, më tha vëllai im.
Një vëlla që kurrë nuk ndalej së vepruari për çështjen shqiptare, por asnjëherë zëri si ndëgjohet, jeton në Kanada.
Më tregoi se vinte Adem Demaçi…
Shkuam në klub në kohë. Erdhën aq shumë mërgimtarë, sa duhej të rrinim në këmbë, rreth 400 persona.
Rrinim në këmbë me lehtësi, meqë në gjithë atë turmë njerëzish kishte vetëm katër a pesë, të cilët kishin filluar të thinjëshin.
Erdhi Demaçi i vogël me shtat, por mua më dukej sa Korabi.
E dija para se të vinte se nuk do të kisha rastin as ti afrohesha, paçka se ai ishte në mua brenda.
E kishin rrethuar ata që deri dje e kishin bjerrur kohën nëpër ambasadat jugosllave, ata që dje së pari kishin dëgjuar për këtë figurë, ata që pardje nuk do të donin as në ëndërr ta shihnin.
Mua më bëhej qefi, meqë mund të ketë ndodhur mrekullia, që Demaçi e Sidemaçët fillonin të përqafoheshin nga populli i vet, për të cilin popull ata do të jenë stërkequr, përhumbur e plakur dhunshëm prapa grilave jugosllave, por në ndërdije më brente diçka si miu.
Demaçin e mbanin para duarsh, mendonin se e kishin kthyer në marionetë, ata që shisnin “profetizma” se Kosova veç është pavarësuar pa luftë e pa viktima, veç duhet që komuniteti ndërkombëtar ta njohë këtë shtet.
Për ta Demaçi ishte ikonë, gjithnjë derisa ai nuk do ta sulmonte pacifizmin, derisa ai ta mbante gojën mbyllur apo t’a hapë atë vetëm për të bërë “amin” kur krerët e pacifizmit të poklamonin ndonjë “hadith” pacifizmi.
Përndryshe, sapo Demaçi të nxirrte ndonjë fjalë kundër pacifizmit, xhemati i Rugovës do të mblidhej si në kor: Demaçi është i kuq, Demaçi ka qenë spiun, Demaçi ka qëndruar nëpër hotele të Jugosllavisë,…
I njihja nga larg e nga afër shumë anëtarë të “korit të mjerë historik”.
I shihja edhe atë ditë rretherreth Demaçi, i shihja përditë rretherreth e rretheqark tempujve të lirisë.
Ndërrojnë veshjen sa çel e mshel sytë dhe ndërrojnë këngën duke hapur gojën.
Përkundër koreve mjerane, Demaçi e bashkudhëtarët e tij do të përbirojnë ngushticave të shtigjeve të vështira të këtij populli të përbuzur dhe do të shkëlqejnë përherë.
L A V D I


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
