Në vend të një Thirrjeje!
Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!Jo për poezi e krijimtari tjetër artistike, por për shpirtin revolucionar, për atdhedashurinë dhe përkshtimin ndaj vendit, popullit, dhe Nënës Shqipëri!
Hysni Milloshi, mund të them pa frikë se gaboj, ashtu si Migjeni në vitet 30-të, ishte intelektuali, poeti e shkrimtari shqiptar më i shqetësuar e më i trazuar në fundvitet tetëdhjetë; i trazuar e i shqetësuar për fatet e Popullit e të Atdheut, të cilët, siç e pati shprehur edhe në mes shokësh të ngushtë, ishin tradhëtuar. Por trazimin e shqetësimin për situatën, për popullin e për vendin, ai nuk do t’i mbante për vete, e as për rrethin e ngushtë.
Në fund të viteve tetëdhjetë, mjaft nga ne intelektualët e qytetarët e thjeshtë, ishim përfshirë nga një makth i pashpjegueshëm, veçanërisht pas ndarjes nga jeta të Udhëheqësit tonë Legjendar, Enver Hoxha. Por të mbërthyer nga rutina e ditës dhe të nanurisur nga jeta paqësore gjysëm shekullore, truri ynë ishte topitur, syri ynë ishte lbyrur dhe nuk arritëm të shihnim “Kalin” që po rendëte drejt nesh.
Ndërsa Hysni Milloshi, që si krijues me zemër vlerësonte detajin, dhe si atdhetar çmonte situatën, doli ga gjumi letargjik, që na kishte zënë ne të tjerëve dhe dha kushtrimin.
Ja “Kushtrimi” i tij, dhënë nëpërmjet poemës madhore “ATDHEU”, shkruar në vitin 1987:
Hapni sytë, hapni sytë, ju punëtorë të çliruar,
Ju heronj pa dekorata, ju viganë të shenjtëruar;
Fryjnë erëra të sëmura jasht’ e brenda si lubitë,
Jo, s’ka vdekur Bot’ e vjetër, hapni sytë, hapni sytë.
. . . .
Në mbyllje të poemës “ATDHEU”, Hysni Milloshi shpalos kredon e tij, shqiptarinë. Dhe jo shqiptarinë si një nocion të thjeshtë kombësie, si ai që shkruhet në pasaportat biometrike, por një SHQIPTARI, e cila personifikon Lindjen dhe Rilindjen, Shpresën dhe Dritën, Tokën dhe Erën, Lulen dhe Gjirin, Këngën dhe Brengën, Flamurin dhe Idealin, Fjalën dhe Zemrën, Jetën dhe Nderin, – personifikon ATDHEUN!
–
Ti, Atdhé je busull jete, ti Atdhé je Komisari,
Ti, Atdhé je kryefjala, ti je buka, ti je ajri;
Ti je drita, ti je kënga, ti je gjiri brenda gjirit,
Ti je malli, ti je brenga, ti je syri brenda syrit.
–
Ti je dashuria ime, rrënj’ e ëndrrës sime je,
Ti je sofra që nuk shkelet, kryedielli je Atdhé;
Ti je guri ku ka gdhendur gjithë kujtesën historia,
Ti je djepi ku ka hedhur shtatin shqipe Shqiptaria.
–
Shqiptaria quhet lindje e rilindje shpresë drite,
Shqiptaria quhet era, që nuk lidhet dot për gryke;
Shqiptaria quhet lulja, që çel mbi kratere flake,
Shqiptaria quhet zjarri, që djeg rrënjët e një nate.
–
Shqiptaria quhet gjiri, që gatuan uraganin,
Shqiptaria quhet tmerri, që fashit në ferr tiranin;
Shqiptaria quhet himni, që këndon për drejtësinë,
Shqiptaria quhet feja, që beson në shqiptarinë.
–
Shqiptaria quhet kulla, që bën zjarr në vend të vet,
Shqiptaria quhet nderi, mes planeteve planet;
Shqiptaria quhet jeta – barrikadë me epopé,
Shqiptaria quhet zemra, që rreh veç për ty Atdhé.
–
. . . .
Dhe duke e konsideruar Shqiptarinë të barabartë me Atdhenë, përfundon:
Ti je pasuria ime, trashëgimi i pashterrshëm,
Ti je krenaria ime, në një emër të pavdekshëm;
Mu në majë të universit, s’dua, them flori e ar,
Dua vetëm që të rroj, e të vdes si një SHQIPTAR!
. . . .
Poemën “ATDHEU”, që na ka lënë trashëgim poeti, mendoj se nuk do të mund ta shkruante me këtë nivel që është shkruar, asnjë poet a shkrimtar tjetër i sotëm i vendit tonë. Të shkruash një poemë të këtij niveli e të kësaj permase, kërkohen së paku tri kushte: Frymëzim e pasion maksimal; aftësi artistike dhe përkushtim atdhetar. Korifejtë tanë të sotëm të letrave shqipe, i kanë, apo mund t’i kenë dy të parat. Por u mungon përkushtimi për Atdheun, ose më saktë, nuk kanë për Atdheun, për Lirinë, për Idealin Kombëtar përkushtimin e Hysni Milloshit.
Ja dy shembuj, nga poeti gjerman Johan Volfang Gëte, dhe poeti ynë, komunisti Hysni Milloshi
Poeti i madh gjerman, Johan Volfang Gëte, për të nxjerrë kombin e tij nga prapambetja dhe kriza ekonomike, ku e kishte futur neglizhenca dhe injoranca e feudalëve vendas të shek. 18, la mënjanë letrat e artit dhe iu fut studimeve gjeologjike, për mundësitë e shfrytëzimit të mineraleve të dobishme. Madje mori vullnetarisht edhe detyrën e ministrit, duke rihapur e vënë në punë minierat. Ishte ky veprim, i cili e nxori Gjermaninë nga kriza dhe e rreshtoi me ekonomitë e zhvilluara të kontinentit.
Shkrimtari e poeti ynë Hysni Milloshi, jo për të imituar Gëten, por i inspiruar nga idealet e tij kombëtare e revolucionare, kur në fillim të viteve nëntëdhjetë ndodhi përmbysja e madhe, la mënjanë profesionin e tij të jetës, dhe bashkë me një grup shokësh të idealit që e mbështetën, iu kundërvu dallgës së zezë përmbytëse në mbrojtje të Popullit të tradhëtuar, në mbrojtje të së Vërtetës, në mbrojtje të Lirisë së Atdheut.
Me anë të Organizatës “VULLNETARËT E ENVERIT”, që përmblodhi rreth vetes mbi 1 Milion anëtarë, Hysni Milloshi “stopoi” revanshin e skuadroneve naziskine të Berishës, që nën pretekstin e luftës kundër komunizmit, kërkonin t’i kalonin shqiptarët në një luftë të ashpër klasore e civile..
Pas kësaj, ai me shokët e tij, më 10 Shtator 1991, tre muaj pas konvertimit të Partisë Punës së Ramizit në Parti Socialiste, riorganizoi Partinë Komuniste të Shqipërisë, mbi bazat politike, ideologjike e organizative të PKSH, të themeluar nga Enver Hoxha me shokë më 8 nëntor 1941, duke u vënë përballë reaksionit të egër të “demokracisë borgjeze” në mënyrë më të organizuar.
Këtë përballje ai e realizoi me përkushtim të jashtëzakonshëm për dy dekada rresht, gjer sa u shua e u nda para kohe nga jeta.
. . . .
Situatat e sotme në vendin tonë, janë si ato që poeti komunist Hysni Milloshi i jetoi vrullshëm për përballimin e furtunës së egër dhe errësirës kapitaliste mbi tokën dhe jetën e shqiptarëve në fundvitet nëntëdhjetë dhe dekadën e parë të shekullit të 21.
Mercenarët e shitur tek të huajt, sot kanë nxjerrë trojet tona në ankand. Është kjo arsyeja që prej 95 ditësh pa ndërprerje, rinia shqiptare, por edhe mosha e shtresa të tjera të shoqërisë kanë zënë bulevardet dhe rrugët e qyteteve, duke protestuar e kërkuar dorëheqjen e politikanëve dhe pushtetarëve aktualë, të cilët në 36 vjet të të ashtuquajturës “Demokraci borgjeze”, kanë ngritur një sistem të kalbur, antipopullor e antikombëtar.
Kjo Lëvizje e madhe Popullore ka nevojë për mbështetje, por mbi të gjitha, ajo ka nevojë për organizim e drejtim, çka do t’i siguronte fitoren mbi klasën e degjeneruar politike dhe sistemin që ata e kanë kalbur pa e ngritur ende në këmbë.
Kësaj Lëvizje të madhe për Liri, Drejtësi dhe Demokraci, i janë bashkuar të gjitha shtresat e shoqërisë, por për fat të keq i mungojnë intelektualët, që populli i ka përgatitur për t’i udhëhequr, jo vetëm në ditët e paqës, por sidomos në ditët e luftës për përballimin e kohëve të vështira e të errëta, për zhvillimin e prosperitetit të Atdheut e të Kombit.
Ku janë intelektualët e sojit të HYSNI MILLOSHIT? Pse nuk dalin në ballë të luftës për shpëtimin e LIRISË, DEMOKRACISË, PAVARËSISË dhe INTEGRITETIT TË ATDHEUT, të cilat janë vënë në rrezik?!
Thirrja e përditshme e protestuesve: “SHQIPËRIA KËRKON REVOLUCION!”, është një Thirrje paqësore, një thirrje për revolucionarizimin e politikës, pushtetit dhe gjithë jetës dhe veprimtarisë së qytetarëve, të cilët politikanët e pushtetarët aktualë, me “barkun e tyre të pangishëm” e kanë zhytur në errësirë e në varfëri. Ata kërkojnë të çojnë shqiptarët në Bashkimin Europian si lypsarë, por kjo nuk duhet të ndodhë.
Shqiptari kurdoherë ka ecur në jetë me dinjitetin e tij shembullor, pavarësisht rrethanave që janë paraqitur, apo që ia kanë imponuar të tjerët. Shqiptarët janë ndër europianët e parë, dhe atje duhet të shkojmë jo si lypsar, por me dinjitetin tonë si Komb i lashtë e i përparuar, me një histori shekullore, të dallueshme nga gjithë kombet e tjerë.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
