SISTEMI KAPITALIST, “BISNESIN KRYESOR” PËR TË EKZISTUAR DHE SUNDUAR, KA KONFLIKTIN, AGRESIONIN, LUFTËN!

22
Oct
2023
Shkruan: Gjon Bruçi


-Gazeta SOT, 21 Tetor 2023-
Sistemi kapitalist, tashmë ka mbërritur në fazën më të lartë, që quhet Imperializëm. Thënë me fjalë popullore, ka mbërritur “Në majë të mullarit”! Por “maja e mullarit” është vend tepër i ngushtë për të qëndruar, ndaj Kapitalizmi, ose duhet të zbresë me shkallë, ose me theqafje nga lartësia. Kuptohet, asnjëra nuk mund të pranohet prej tij, ndaj ai kërkon të gjejë mënyra dhe mundësi për të qëndruar gjithnjë në majë. Dhe mënyra më e sigurtë dhe e vetme për të ruajtur këtë pozicion, janë konfliktet, agresionet dhe luftrat lokale, rajonale e botërore.
Këtë shembull të thjeshtë na e materializon qëndrimi më i fundit i Imperializmit amerikan, ndaj konfliktit, që ka vijuar e vijon prej shtatë dekadash, midis shtetit të Izraelit dhe popujve arabë, kryesisht atyre palestinezë. Shtypja, shfrytëzimi, e masakrimi 70 vjeçar i popullit palestinez, e ka çuar këtë të fundit në veprime dëshpëruese, ku pjesë të veçanta të këtij populli, kapërcejnë në veprime terroriste, siç ndodhi këto ditë më sulmin e Organizatës së Hamasit, krahut të armatosur të Frontit Popullor për Çlirimin e Palestinës, kundër Izraelit, çka shkaktoi qindra viktima të pafajshme.
Në përgjigje të këtij terrorizmi, që drejtohet nga një organizatë, e cila i frymëzon militantët e saj edhe me “dogma fetare”, Shteti i Izraelit mobilizon forcat e tij të armatosrua dhe me të gjitha mjetet ushtarake në përdorim, niset drejt Gazës, ku banojnë rreth 2 milion e gjysëm palestinezë, në kushtet e një burgu në qiell të hapur, diktuar nga rrethimi prej vitesh i shtetit izraelit. Objektivi i shtetit të Izraelit – të hakmerret ndaj goditjes së Hamas-it, por njëherësh të nxjerrë përgjithmonë nga harta e rajonit banorët palestinezë të Gazës. Shkurt hesapi: Sulmit terrorist të një organizate të dëshpëruar, shteti Izraelit i përgjigjet me terror shtetëror të shkallës së agresionit.
Por, në një kohë që opinioni botëror, i shokuar nga kasaphana njerëzore, që po ndodh midis dy palëve, priste ndërhyrjen e “Kampionit të demokracisë”, SHBA, për të qetësuar situatën dhe për të vënë në përdorim mjetet e komunikimit mes palëve e të gjykimit ndërkobëtar të fajtorëve, ja ku na çfaqet Sekretari Amerikan i shtetit, Blinken, i cili, në vend që të përpiqet për të shuar konfliktin, i hedh benzinë zjarrit. Shoqëruar me armatime, tanke, aviona dhe aeroplanmbajtëse, ai shtërngon duart me Natanjaun izrealit, dhe e siguron atë se, në aventurën e tij për zhdukjen e Gazës, e të ndonjë vendi tjetër të rajonit, do të ketë ndihmën e pakursyer të Amerikës . . . Sikur të mos mjaftonte kjo, ja ku edhe vetë presidenti amerikan, Biden, mbërrin urgjentisht në Rajon, në mbështetje të Izraelit dhe satelitëve të tjerë të tij. Kuptohet, mbështetje për luftën dhe jo për paqen. “Paqen” ia ka lënë Sekretarit të Përgjithshëm të OKB dhe organizatave të tjera pseudodemokratike, të cilat i bëjnë “fresk” luftës me thirrjet për “të drejtat” e njeriut dhe për “vetvendosjen e popujve”. . . !”
Bota tashmë e din se kush është Izraeli dhe kush janë popujt dhe shtetet arabe, veçanërisht populli palestinez, i cili prej 7 dekadash nuk e ka pushuar asnjë ditë luftën për shtetin e tij të pavarur në trojet ku ka banuar për mijëra vjet. Por dhe shteti Izraelit, që nga krijimi i tij në vitin 1948, nuk e ka pushuar luftën pushtuese të tokave palestineze dhe vendeve të tjera arabe, si dhe shtypjen, burgosjen e masakrimin e qytetarëve palestinezë.
Udhëheqësi i popullit shqiptar, Enver Hoxha, në ditarin e tij politik, me datën 25 maj 1967, midis të tjerave do të shënonte:
“Izraeli është një shtet i krijuar nga imperializmi dhe nga sionizmi reaksionar, për të pasur nëpërmjet tij një kobure në Lindjen e Afërt, në gjirin e popujve dhe të shteteve arabe, në këtë pellg të rëndësishëm nga ana ekonomike dhe ushtarake. Ky rajon ka qenë qendër përleshjesh në mes imperialistëve të ndryshëm anglezë, francezë, amerikanë e të tjerë. Të gjithë këta ujq, duke shtypur popujt arabë, duke marrë nëpër këmbë lirinë, pavarësinë, të drejtat dhe sovranitetin e tyre, kanë shfrytëzuar pa mëshirë pasuritë e këtyre vendeve, që bëjnë pjesë në këtë rajon dhe për ta përjetësuar këtë shfrytëzim, ata kanë pasë ndërtuar një rrjet të gjerë spiunazhi, pjesëtarët e të cilit i vinin në krye të këtyre popujve dhe i mbronin me ushtritë e tyre koloniale e me diplomacinë e kanonierave”. (Nga libri “Shënime për Lindjen e Mesme”, faqe 35)
Ky përcaktim, është “radiografia” më e saktë që Udhëheqësi shqiptar ka formuluar për Izraelin. Ndonëse kanë kaluar plot 56 vjet nga ky përcaktim, kjo “radiografi” nuk ka ndryshuar, përkundrazi është zhvilluar e përsosur në kahun e dhunës, agresionit e luftës, duke e çuar këtë shtet drejt fashistizimit të plotë.
Pse ka ndodhur e vijon të ndodhë kjo?
Thjeshtë për atë që thamë në krye të shënimit: Kapitalizmi, bisnesin kryesor për të jetuar e sunduar mbi vendet dhe popujt, ka konfliktin agresionin, luftën. Këto konflikte, agresione e luftra lokale e rajonale, nuk pushojnë asnjë çast, herë në një vend apo në një rajon, e herë në një tjetër. Prej dy vitesh vijon lufta në Ukrainë, por pa mbaruar ende ajo, u ndez në rajonin arab. Në rastin e fundit, “bisnesi” në fjalë lidhet me “Arin e Zi” të rajonit.
Dikush mund të pyesë: A mund të rrezikojë luftë e re Botërore, nëse ky konflikti i fundit midis Izraelit e Palestinës zgjerohet? Sigurisht rreziku ekziston. Por është e vështirë të mbërrihet në atë fazë. Pse? Sepse Lufta Botërore, do të përfshinte gjithë vendet e popujt, çka do të shënonte fundin e imperializmit ndërkombëtar.
Luftrat lokale e rajonale i ndezin kapitalistët, ndërsa “harxhet” e këtyre luftrave i paguajnë popujt. Edhe harxhet e Luftrave Botërore i paguajnë popujt, por në këtë rast sakrificat e popujve shpërblehen me shuarjen e sistemit tashmë të stërplakur e të kalbur të kapitalizmit, dhe lindjen e një sistemi të ri shoqëror, ai i Komunizmit të pashmangshëm. Pikërisht këtij të fundit i trembet kapitalizmi.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 22/10/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk