Për çdo 3 gusht është me rëndësi t’ja përsërisim vetes se çfarë dëmi shkaktuan ata që votuan në qeveri dhe në Kuvend. Kështu mësojmë që mos ta përsërisim më kurrë.
Ne patëm paralajmëruar se ajo do t’i merrte Kosovës më shumë se dhjetë vjet me hetime, paraburgime, procese gjyqësore dhe pasoja politike që do të vinin duke u rënduar. Patëm thënë se, për së paku një dekadë, Gjykata Speciale do të bëhej ndërkombëtarisht më e njohur se vetë Kosova.
Sot pas 11 vitesh ende asnjë nga ata që e votuan, e promovuan, e përkrahën nuk kanë kërkuar falje dhe as janë distanuar.
As ish kryeministrat të Kosovës e Shqipërisë, as ish presidentët, as ish ministrat, e as deputetët, as profesorët që heshtën, as organizatat që nuk iu ndie zëri, as shumica e komentatorëve dhe analistëve që atëbotë e promovonin në çdo hap.
Gjykata speciale nuk u krijua vetëm për të gjykuar disa individë. Formalisht do të akuzoheshin individë. Politikisht do të mbahej nën akuzë Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Përmes saj do të goditej karakteri çlirimtar i luftës, legjitimiteti i pavarësisë dhe pozita e Kosovës në përballjen ndërkombëtare me Serbinë.
11 vjet më pas, ky paralajmërim është realitet. Kështu thamë, e kështu po ndodh. Sot jemi dëshmitarë të saj.
Kjo është kronologjia që nuk duhet harruar:
⚫️ 15 prill 2008 – Konstantin Kosachev, deputet i partisë “Rusia e Bashkuar” të Vladimir Putinit, paraqiti në Këshillin e Evropës mocionin për “trajtimin çnjerëzor të personave dhe trafikimin e paligjshëm të organeve njerëzore në Kosovë”, duke u mbështetur edhe në pretendimet e Carla Del Pontes.
⚫️ 7 dhe 25 janar 2011 – U publikua raporti i Dick Marty-t dhe më pas u miratua Rezoluta 1782 e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës. Deputetët e Shqipërisë, Shpëtim Idrizi dhe Damian Gjiknuri votuan kundër. Ilir Rusmali votoi pro.
⚫️ Shtator 2011 – Bashkimi Evropian krijoi Task-Forcën Hetimore Speciale për hetimin e pretendimeve të Marty-t.
⚫️ 10 maj 2012 – Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin që i mundësoi Task-Forcës së EULEX-it të hetonte edhe në territorin shqiptar.
⚫️ Prill 2014 – Presidentja Atifete Jahjaga dhe Catherine Ashton shkëmbyen letrat për krijimin e dhomave të veçanta gjyqësore. Më 23 prill, Kuvendi i Kosovës i ratifikoi ato si marrëveshje ndërkombëtare.
Kosova mori përsipër krijimin e Gjykatës përpara se Task-Forca t’i publikonte përfundimet e veta.
⚫️ 29 korrik 2014 – Kryeprokurori Clint Ëilliamson deklaroi se nuk kishte prova të mjaftueshme për aktakuzë për trafikim organesh.
Pretendimi mbi të cilin ishte nisur procesi nuk e arriti pragun e provave për aktakuzë. Sot, trafikimi i organeve nuk është as pjesë e aktakuzës kryesore në Hagë.
Por Gjykata vazhdoi të ndërtohej.
⚫️ 7 mars 2015 – Qeveria e koalicionit PDK–LDK, e drejtuar nga Isa Mustafa dhe Hashim Thaçi propozoi amendamentin nr. 24 të Kushtetutës.
⚫️ 9 mars 2015 – Kadri Veseli e dërgoi amendamentin në Gjykatën Kushtetuese.
⚫️ 15 prill 2015 – Gjykata Kushtetuese vlerësoi se amendamenti nuk pakësonte të drejtat dhe liritë kushtetuese. Lëvizja VETËVENDOSJE! e kundërshtoi, duke paralajmëruar se po krijohej një sistem paralel dhe selektiv drejtësie, me seli jashtë Kosovës.
⚫️ 13 maj 2015 – Komisioni për Legjislacion e procedoi amendamentin pa rekomandim. OVL-UÇK thirri protestë para Kuvendit. Nga subjektet politike, protestës iu bashkua vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE!, AAK dhe NISMA si opozitë e bashkuar.
⚫️ 26 qershor 2015 – Amendamenti mori 75 vota. I duheshin 80.
Kuvendi e rrëzoi Gjykatën Speciale. Por “JO”-ja e Kuvendit nuk u respektua.
⚫️ 16 korrik 2015 – Edi Rama mbërriti në Kosovë me helikopter dhe u takua me Isa Mustafën e Hashim Thaçin. Gjykata Speciale ishte njëra nga temat kryesore. Mustafa dhe Thaçi e siguruan se Gjykata do të miratohej së shpejti.
⚫️ 30 korrik 2015 – Qeveria PDK–LDK e riprocedoi të njëjtin amendament.
⚫️ 3 gusht 2015 – Vetëm 38 ditë pas rrëzimit të parë, Kuvendi u thirr të votonte përsëri.
Oborri i Kuvendit ishte mbushur me minibusë të Policisë dhe automjete të Njësisë Speciale.
Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, u miratua amendamenti nr. 24. Kushtetutës iu shtua neni 162. U miratuan Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Ligji për mbrojtjen juridike e financiare të personave potencialisht të akuzuar.
Po atë ditë, shumica parlamentare refuzoi që në rendin e ditës të futej rezoluta për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.
Për pretendimet e nisura nga një deputet i partisë së Putinit u ndryshua Kushtetuta e Kosovës. Për krimet e Serbisë nuk u lejua as shqyrtimi i rezolutës.
⚫️ 2016 – Marrëveshjet me Holandën e përmbyllën vendosjen e Gjykatës në Hagë.
Ku do të ishim sot, po të mos ishte votuar më 3 gusht 2015?
Mund të ishim përballur me trysni dhe kosto diplomatike. Na kërcënonin se Gjykata do të krijohej përmes Këshillit të Sigurimit. Por kjo nuk ishte pasojë automatike. Do të nevojitej një nismë e re, negociata dhe një votë e posaçme.
Edhe sikur të imponohej një mekanizëm tjetër, ai do të ishte vendim dhe përgjegjësi e atyre që do ta impononin. Nuk do të ishte votë e Kuvendit tonë. Nuk do të ishte pjesë e Kushtetutës sonë. Kosova nuk do ta kishte marrë mbi vete autorësinë e këtij mekanizmi selektiv.
Prandaj ende mbeten pa përgjigje pyetjet kryesore:
Pse i duhej Qeverisë PDK–LDK ta pranonte dhe ta votonte këtë nismë?
Pse e mori përsipër detyrimin përpara përfundimit të hetimit?
Pse e riprocedoi pasi Kuvendi ishte rrëzuar?
Pse 82 deputetë pranuan ta ndryshonin Kushtetutën për një gjykatë të tillë të iniciuar nga deputeti i Partisë së Putinit?
Ku janë sot zyrtarët dhe diplomatët ndërkombëtarë që ushtronin trysni dhe jepnin garanci se Gjykata do të ishte e përkohshme, do ta pastronte imazhin e Kosovës dhe do ta mbyllte kapitullin e akuzave? Askund. Secili e përfundoi mandatin. U kthye në vendin e vet. Vazhdoi karrierën dhe jetën e vet.
Ata u larguan. Ne shqiptarët mbetëm këtu. Me Gjykatën. Me proceset. Me paraburgimet. Me propagandën e Serbisë. Por edhe me pasojat e atyre brenda Kosovës që nuk patën kurajën të distancoheshin nga imponimi, pranimi dhe votimi i saj.
Sot disa prej tyre protestojnë. Kanë të drejtë të protestojnë. Por protesta nuk e fshin votën dhe nuk e zëvendëson përgjegjësinë.
Po të mos e kishin votuar, do ta kishin bartur atëherë veç koston e një “JO”-je.
Pasi e votuan, po e bartim çdo ditë pasojat e asaj “PO”-je.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
