Sot qytetari në Repupliken e Kosovës kërkon përgjegjësi…!

16
May
2026
Shkruan: Dardan Osmanaj

 

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!
Kur një njeri zgjohet nga gjumi, ai nuk është i ndarë prej vetes, ai thjesht i ka hapur sytë. Edhe shoqëria jonë po kalon në atë fazë. Për vite të tëra, qytetarët janë trajtuar si molekula pa drejtim, që lëvizin sipas temperaturës së interesave politike. Sot, ato molekula kanë filluar të organizohen. E kjo i frikëson ata që janë mësuar me kaosin.
Filozofi Niçe thoshte se: “Njerëzit nuk e urrejnë të vërtetën, por humbjen e iluzioneve.” Dhe pikërisht këtu qëndron nervozizmi i politikës së vjetër. Nuk po shembet shteti  po shemben iluzionet që janë ndërtuar mbi frikë, mashtrim e servilizëm.
Ironia më e madhe është se ata që për dekada e kanë ndarë popullin në parti, interesa e klane, sot dalin e flasin për “bashkim”. Është si piromani që bërtet i pari kur sheh zjarrin që vetë e ka ndezur.
Në kimi ekziston një ligj i thjeshtë: kur dy elemente nuk reagojnë më si më parë, do të thotë se struktura e tyre ka ndryshuar. Edhe populli sot nuk reagon më ndaj premtimeve boshe, fotografive patriotike apo fjalimeve dramatike. Jo sepse është përçarë, por sepse është lodhur nga riciklimi i së njëjtës gënjeshtër.
Sot qytetari nuk kërkon shpëtimtar. Kërkon përgjegjësi. Nuk kërkon hero me mikrofon, por punë me rezultate. Dhe kjo është faza më e rrezikshme për politikën e vjetër: momenti kur populli nuk ka më frikë prej saj.
Sepse një popull që zgjohet, nuk mund të kthehet më në gjumë.
Problemi është se disa njerëz e kanë lidhur patriotizmin me historinë. Mendojnë se çdo kritikë, çdo mendim ndryshe apo çdo debat është sulm ndaj kombit. Jo. Kombi nuk është aq i brishtë. Historia jonë nuk është gotë qelqi që thyhet prej një fjale.
Në filozofi thuhet se e vërteta nuk ka nevojë të bërtasë për të ekzistuar. Edhe UÇK-ja nuk ka nevojë për roje Facebook-u që të mbrohet. Sepse ajo është shkruar me gjak, jo me komente.
Ironia më e madhe është se shpesh ata që bërtasin më shumë për “mbrojtjen e vlerave”, janë të njëjtët që i përdorin ato vlera si monedhë politike. Patriotizmi nuk matet me zërin sa fort bërtet, por me ndërgjegjen sa pastër e mban.

Sent from my iPhone

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 16/05/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk