Shqipëria mbi të cilën po fryjnë erëra të zeza,ndodhet përballë një udhëkryqi ku politika e brendshme, borxhi publik, kapitali i huaj, toka, projektet strategjike, siguria dhe interesat e fuqive të mëdha po ndërthuren në një realitet që nuk mund ta trajtojmë më si një konflikt të zakonshëm partiak.
Pyetja e drejtëpërdrejtë për këdo është se : çfarë po merr Shqipëria dhe çfarë po jep në këmbim?
Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 dhe sistemi zgjedhor që pasoi forcuan kontrollin e partive mbi deputetët dhe dobësuan lidhjen e drejtpërdrejtë midis zgjedhësit dhe përfaqësuesit të tij. Nuk është e nevojshme të rikthehemi gjatë te marrëveshja mes Ramës dhe Berishës. Pasojat e atij modeli shihen ende në politikën shqiptare: deputeti shpesh është më i varur nga kryetari i partisë sesa nga qytetari që e voton.
Kur ky përqendrim politik shoqërohet me administrimin e borxhit publik, tokës, pronës shtetërore dhe projekteve strategjike, çështja merr një dimension tjetër.
Por le të ndalemi në të dhënat e publikuara nga Ministria e Financave, në fund të marsit 2026 ku borxhi i përgjithshëm i akumuluar nga qeveria, përfshirë garancitë shtetërore, ishte rreth 1.357 trilionë lekë, ose rreth 48,79% e PBB-së.
Kjo nuk e ndryshon faktin që për shumë shqiptarë, të cilët nuk arrijnë të mbyllin muajin me të ardhurat nga puna apo nga pensioni, kjo shifër është tashmë një katastrofë e përditshme. Në planin institucional, borxhi duhet parë gjithsesi së bashku me interesat që paguhen, kreditë e huaja, garancitë shtetërore, koncesionet dhe kontratat afatgjata. Sipas të dhënave të raportuara në maj 2026, shërbimi i borxhit për vitin arrin rreth 248 miliardë lekë.
E pranojmë se borxhi mund të jetë instrument zhvillimi i cili fillon e t’a zë fytin kur ky borxh fillon tek toka, pasuritë publike,mbrojtja, dhe kapitali i huaj ndërthuren në marrëveshje ku qytetari nuk ka informacionin dhe kontrollin e nevojshëm.
Toka nuk zëvendësohet, pasuritë strategjike nuk janë mall i zakonshëm, dhe pikërisht për këtë arsye kontratat afatgjata mund të përcaktojnë fatin e brezave.Shqip; shteti i pa përgjegjshëm merr borxh dhe stërnipat tanë e paguajnë atë ..
Këtu nuk kemi më vetëm një rrezik hipotetik të varësisë ekonomike, dhe fatkeqësisht janë marrë vendime të rëndësishme tashmë në fakte të kryera për qytetarët.
Problemi nuk është kapitali i huaj mbasi Shqipëria ka nevojë për investime por jo kur shteti shqiptar përshtat ligjet, territorin, pronën publike dhe pasuritë strategjike sipas interesave të kapitalit të huaj.
Atëherë pyetja nuk është më “sa para po sjell investitori?”, por:
Sa po i kushton Shqipërisë ky investim dhe çfarë pjese të pasurisë, territorit dhe vendimmarrjes shqiptare po vendosim në dispozicion të tij?
Rasti i Sazanit e ka bërë këtë pyetje konkrete. Ishulli, dikur zonë ushtarake strategjike, është kthyer në qendër të një projekti të madh turistik të lidhur me Jared Kushner dhe partnerët e tij. Projekti ka shkaktuar protesta dhe debat të gjerë për natyrën, transparencën, pronësinë dhe interesin publik.
Reuters raportoi në qershor 2026 se banorë të Zvërnecit pretendojnë se tokat e përfshira në zhvillim janë shitur në mënyrë të padrejtë dhe se disa prej tyre kanë dokumente pronësie dhe regjistra tatimorë. Pronësia mbetet objekt i një beteje gjyqësore.
Ky është pikërisht momenti kur shteti duhet të hapë dokumentet.
Nëse toka është private, të publikohet baza ligjore.
Nëse është pronë shtetërore, të publikohet marrëveshja.
Nëse ka kontrata, garanci apo lehtësi të veçanta, ato duhet të jenë të njohura.
Sazani nuk mund të shihet vetëm si një projekt turistik. Pozicioni i tij e bën atë pjesë të një hapësire me rëndësi strategjike për Shqipërinë dhe Adriatikun.
E njëjta vëmendje duhet t’i kushtohet Kanalit të Otrantos dhe zhvillimeve në hapësirën Adriatiko-Joniane, sepse në anën tjetër të detit, në Pulje(It), po zhvillohen prej kohësh dinamika që meritojnë të njëjtën vëzhgim kritik.
Otranto është pikënisja e planifikuar për gazsjellësin Poseidon, i lidhur me projektin East Med dhe me fushën e gazit Leviathan në Mesdheun lindor, nëpërmjet të cilit Izraeli synon të eksportojë gazin e vet drejt Evropës. Bëhet fjalë për një infrastrukturë energjetike me peshë gjeopolitike, jo thjesht për një çështje tregtare.
Në të njëjtën kohë, në Salento po zhvillohet një dinamikë tjetër, e lidhur këtë herë me pronësinë e tokës. Sipërmarrëse izraelite si Orit Lev Marom, themeluese e kompanisë Coral 37, kanë promovuar hapur te investitorët izraelitë çmimet e ulëta të tokave në Pulje dhe lehtësitë shtetërore për turizmin, duke e paraqitur rajonin si tokë e re e premtuar për familjet hebreje. Në disa raste është përdorur edhe termi koloni, gjë që ka ngjallur reagime dhe polemika të forta në median italiane.
Në korrik 2026, një projekt turistik i markës Four Seasons në Ostuni(It), i çuar përpara nga grupi izraelit Omnam nën drejtimin e David Zisser, u përball me protesta të organizuara dhe me largimin e qeverisë italiane nga përgjegjësia për autorizimin. Zëvendësministri Luigi Sbarra deklaroi se ende nuk ekziston asnjë autorizim përfundimtar dhe se vendimi i mbetet Rajonit të Pulies.
Këto zhvillime në bregun tjetër të Adriatikut nuk janë identike me rastin shqiptar, por tregojnë të njëjtin model: kapital dhe interesa izraelite që kërkojnë territor, energji dhe prona përgjatë të dy brigjeve të të njëjtit kanal detar. Pretendimet dhe raportimet për zgjerimin e interesave izraelite në këtë korridor duhet të ndiqen deri te dokumentet, marrëveshjet dhe projektet konkrete, si në Shqipëri ashtu edhe në Itali.
Shqipëria nuk mund të jetë indiferente ndaj ndryshimit të ekuilibrave strategjikë në një hapësirë ku takohen interesat e Italisë, BE-së, SHBA-së, Izraelit, Turqisë dhe vendeve të Ballkanit.
Siç thotë populli shqiptar: “Aty ku është me zë, nuk është pa gjë.”
Por gazetaria duhet të shkojë më tej: zëri duhet ndjekur deri te dokumenti.
Në këtë tablo duhet parë edhe projekti për krijimin e një shteti sovran bektashi në Tiranë,paraqitur në shtator 2024, nga Edi Rama në Kombet e Bashkuara të idesë së një entiteti sovran bektashi të modeluar sipas Vatikanit. Reuters raportoi më pas se projekti parashikonte një entitet shumë të vogël brenda Tiranës, me administrim të veçantë.( 11 ha)
Çështja nuk është kundër bektashizmit. Bektashizmi është pjesë e pandashme e historisë shqiptare.
Çështja është tjetër: a duhet të krijohet brenda territorit të Republikës së Shqipërisë një entitet me karakter sovran dhe çfarë pasojash kushtetuese, juridike dhe politike do të kishte kjo?
Shqiptarët kanë ndërtuar ndër shekuj një bashkëjetesë të veçantë fetare. “Feja e shqiptarit është shqiptaria” nuk është thjesht një shprehje historike. Është një nga mekanizmat që ka mbrojtur unitetin kombëtar.
Në një rajon ku konfliktet fetare dhe identitare kanë prodhuar tragjedi, Shqipëria nuk duhet të lejojë që feja të kthehet në instrument ndarjeje politike.
Dhe pikërisht këtu marrin rëndësi edhe investigimet dhe pretendimet e Sibel Edmond-s ish-specialiste gjuhësore dhe përkthyese e FBI-së e cila është bërë e njohur për denoncimet e saj lidhur me çështje sigurie dhe korrupsioni brenda strukturave amerikane.
Në deklarimet që i atribuohen asaj në lidhje me zhvillimet në Shqipëri, Edmond-s ka ngritur pretendime jashtëzakonisht të rënda për një SKENAR DESTABILIZIMI, përfshirë transferimin e armëve dhe operativëve nga Turqia dhe mundësinë e krijimit të një incidenti të dhunshëm gjatë protestave, i cili më pas do t’u faturohej protestuesve.
Nëse këto pretendime kanë bazë faktike, ato do të përbënin një çështje të jashtëzakonshme të sigurisë kombëtare.
Prandaj përgjigjja nuk mund të jetë as heshtja dhe as propaganda.
Duhet hetim.
Nëse ekzistojnë prova për armë, operativë apo ndërhyrje të huaja, ato duhet të verifikohen nga institucionet shqiptare dhe partnerët ndërkombëtarë.
Por institucionet në Shqipëri nuk reagojnë dhe efektivisht ato mbeten prova të një rrezikshmërie që mund të ndodhin e të përdoren si instrument ndaj protestuesve.
Qytetarët që protestojnë për marrëveshje, toka, kontrata, korrupsion dhe sovranitet nuk mund të shndërrohen në viktima të një skenari politik apo të një operacioni të huaj.
Protesta paqësore është e drejtë demokratike.
Dhuna e organizuar është tjetër gjë.
Prandaj çdo incident duhet hetuar dhe çdo pretendim për armë, infiltrime apo ndërhyrje të huaja duhet verifikuar.Por kush duhet të jetë garant ?
Kjo është veçanërisht e rëndësishme në një moment kur protestat kanë dalë përtej kufijve të një partie politike dhe qytetarët kanë zbritur në sheshe me kërkesa për transparencë dhe përgjegjësi.
Këtu hyn edhe institucioni i Presidentit të Republikës si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura dhe ka kompetenca kushtetuese në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë. Kompetencat e tij, përfshirë ato që lidhen me Kuvendin, janë të përcaktuara qartë nga Kushtetuta dhe nuk mund të përdoren jashtë kushteve të saj.
Por pikërisht për këtë arsye, në një krizë të thellë institucionale, heshtja e Presidentit bëhet vetë çështje publike dhe nuk duhet të marrë anën e qeverisë apo të protestuesve.
Ai duhet të mbrojë Kushtetutën dhe funksionimin e institucioneve dhe përparësinë ndaj qytetarit shqiptar i cili nuk duhet të kthehet në spektator.
Ai duhet të dijë, të pyetet, të dëgjohet dhe të ketë mundësi të kontrollojë pushtetin.
Nëse protestuesit kërkojnë marrëveshjet, ato duhet të publikohen.
Nëse kërkojnë dokumentet e tokave, ato duhet të bëhen publike.
Nëse kërkojnë kontratat, ato duhet të jenë të aksesueshme.
Nëse ngrihen dyshime për sigurinë kombëtare apo akuza për korrupsion, ato duhet të hetohen dhe dokumentet përkatëse të bëhen publike, brenda kufijve që lejon ligji, në mënyrë që populli të japë verdiktin e tij.
Kjo është demokracia.
Jo t’i kërkosh qytetarit të besojë, por t’i japësh faktet dhe ta lejosh të gjykojë.
Në fund, borxhi, kapitali i huaj, toka, Narta Rrjolli,Sazani,Manza, nëntoka,deti,portet ,aeroportet,Otrantoja, projektet strategjike, çështja bektashiane dhe siguria kombëtare lidhen me të njëjtën pyetje:
A po ndërtojmë një shtet shqiptar më të fortë apo një territor shqiptar gjithnjë e më të vlefshëm për interesat e të tjerëve?
Shqipëria duhet të bashkëpunojë me SHBA-në, BE-në, Turqinë, Italinë, Greqinë, Izraelin dhe çdo partner tjetër.
Por nuk duhet të bëhet e varur nga askush.
Integrimi evropian nuk duhet të nënkuptojë heqje dorë nga interesi kombëtar, ashtu siç investimi i huaj nuk duhet të nënkuptojë humbje të kontrollit mbi pasuritë strategjike, borxhi nuk duhet të kthehet në peng, dhe feja nuk duhet të përdoret për të copëzuar identitetin kombëtar.
Sovraniteti nuk është pronë e qeverisë, e opozitës, e një partie, e një feje, e një investitori apo e një fuqie të huaj, sepse i përket vetëm popullit shqiptar.
Prandaj çdo kredi, çdo kontratë, çdo projekt strategjik dhe çdo marrëveshje që prek tokën, pasuritë, sigurinë apo të ardhmen e vendit duhet t’i nënshtrohet transparencës dhe kontrollit demokratik.
Nëse provohet se pasuritë strategjike, territori dhe vendimmarrja shtetërore janë vënë në funksion të interesave të huaja në dëm të interesit shqiptar, atëherë kjo nuk mund të quhet thjesht politikë zhvillimi.
Është çështje përgjegjësie politike dhe kombëtare dhe, nëse faktet e provojnë, mund të ngrihet edhe pyetja e tradhëtisë kombëtare.
Sepse sovraniteti nuk humbet vetëm kur pushtohet territori me ushtri.
Ai mund të dobësohet edhe kur një shtet humbet kontrollin real mbi tokën, pasuritë, infrastrukturën dhe vendimmarrjen e tij strategjike.
Prandaj media e komanduar duhet të demaskohet e të ndjekë paratë, pronat, kontratat dhe marrëveshjet.
Duhet të ndjekë interesat.
Dhe mbi të gjitha duhet të ndjekë të vërtetën.
Shqipëria nuk është pronë për t’u ndarë, nuk është territor për t’u administruar nga interesat e të tjerëve, dhe nuk është as bilanc financiar, as projekt turistik, as zonë ndikimi.
Është shtet. Është komb. Është atdhe.
Dhe nëse sot mbi të gjitha këto çështje ngrihen kaq shumë pyetje, detyra e gazetarisë është të mos heshtë.
Sepse aty ku ka interes publik, duhet të ketë dritë publike.
Dhe aty ku vendoset për të ardhmen e një kombi, nuk mund të ketë marrëveshje që qytetari e mëson vetëm pasi janë bërë fakt i kryer.
Shqipëria nuk shitet. Shqipëria nuk është në ankand.
P.Aliaj.