Sulmet greke të gushtit 1949 dhe lufta për mbrojtjen e kufinjve Shqiptarë

25
Dec
2025
Huazuar nga FCB : Postimi i Kastriotët e Dardanisë - Shqipërisë Veriore


Dan Gradica kujton 2 gushtin 1949, betejën e përgjakshme, disfatën e madhe greke dhe trimërinë e djemve shqiptarë në kufirin pranë Kapshticës së Korçës.
” E prisnim se kur do të vinte greku për të na goditur. Sulmoi menjëherë. Erdhi Mehmet Shehu dhe na tha “Luftë, na sulmoi greku”.
Kisha mbushur 19 vite. Kaq ishte edhe mosha ushtarëve të tjerë, 19-20 vjeçar. Kishte sa të nxehej njeriu. Kur u nxemë në gjak nuk donim t’ia dinim nga shkojmë e nga vimë, me kë përballemi dhe cili jeton apo cili vdes. Të gjithë shikonim vetëm përpara. Nuk frikësoheshim se çdo të bëhej. Kujdeseshim vetëm për të ruajtur veten dhe për të sulmuar drejt objektivit që kishim. Lufta nuk njeh frikacakë. Këtë e dinim mirë. Po të ishim frikacakë do e humbisnim betejën. E fituam vetëm pse kishim moral të fortë. Grekët u tërhoqën vetëm kur panë se si ushtarët shqiptarë hidheshin në grykën e pushkës së tyre dhe kacafyteshin trup më trup. Çdo njëri nga ne llogariste të lante veten e tij, pra të vriste së paku dy armiq. Ne po mbronim tokën tonë dhe kjo na bëntë të fortë. Nuk dëgjohej ndonjë ushtarë duke bërtitur. Plagosej, rridhte gjaku, merrtë plagë në kokë, në sy, në gjoks, vritej dhe nuk dëgjohej njeri të kërkonte ndihmë, të qante apo të lëshonte zë. Jo, jo. Hiç. Fare. Nuk kishte mjek e infermierë. Kështu që ndihma jepej nga vet ushtarët, bashkëluftëtarët, për të plagosurit. Apo të paktën unë nuk kam parë ndonjë ndihmë mjeksore për të plagosurit. Ishin shokët që i tërhiqnin nga lufta duke i kapur për krahësh apo edhe në kurriz. Që andej dërgoheshin në Korçë. Në kohën që nisi përleshja me bajoneta, ushtarët tanë mbështeteshin tek njëri -tjetri dhe godisnin në të njëjtin drejtim, ktheheshin në anën tjëtër dhe bënin të njëjtën gjë. Me të dështuar provokacioni grek në kufi nisën të shpalleshin edhe ermat e të vrarëve. Në fillim emri im u shpall i vdekur. Nëna dhe vellëzërit e motra e kishim marrë lajmin e keq. Disa javë më vonë e kishin marrë vesh se unë jetoja. Me familjen jam takuar pas një viti, në kohën kur shërbeja në polici, pra tre vite e gjysëm pasi isha ndarë me ta për të shkuar në shërbimin ushtarak.
Mehmet Shehu ishte në komandën kryesore. Ai ndiqte dhe urdhërontë për çdo gjë. Shkonte duke bërë zikzake në këmbë. Nuk e kapte plumbi atë. Ishte i veshur me një kapotë (pallto). E pabesueshme se si shkonte sa andej-këndej pa u trembur. Ecte e vraponte në këmbë, nuk e kapte plumbi. Nuk përkulej. Shkonte drejt kufirit, përballë grekëve që qëllonin në drejtimin tonë. Pas tij ishim ne ushtarët. Ecnim disa hapa dhe binim barkas. Kështu deri sa shkuam në vijën e parë të frontit. Gjatë kohës që isha ushtarë në Korçë si në këmbsori edhe në mbrojtje urdhërat komanda jonë i merrte nga Koçi Xoxe, ndërsa për rastin e luftës kundër provokacioneve të grekut në gushtin e vitit 1949 i gjithë fronti drejtohej nga Mehmet Shehu. Të paktën kështu e mbaj mend unë pasi atë e kam parë duke komunikuar me të gjithë. Ishte trim dhe i ashpër.
Me mitraloz të rëndë GULINOV 12.7 mm. Ishim dy ushtarë që përdornim këtë armë. Ishte i rëndë dhe e tërhiqnim me vështirësi. Unë isha ndër ushtarët me shtatin me të vogël. Shoku i armës që shërbente si ndihmësi im, ishte një djalë i fuqishëm nga Mirdita. Kanë kaluar më shumë se 63 vite dhe e kam si para syve atë ngjarje. Më kujtohen shumë detaje, por më duhet të them se nuk mbaj mend emrat e ushtarëve dhe kam harruar edhe si quheshin komandanti e komisari. Ky i fundit ishte zotëri burrë, trim dhe i dashur. Qëndronte me ne në vijën e fronit. Na jepte forcë, s’i trembej fare syri. Kjo na bënte edhe në të ndiheshim të sigurtë e të fortë. Gjini, ndihmësi im, qëndronte gjithnjë në anën time. Ndiqte me shumë vëmendje veprimet që unë bëja dhe sa herë që përpiqesha të ktheja mitralozin në të majtë e në të djathtë, hidhej menjëherë dhe me focën e muskujve e bëntë mitralozin t’i bindej. I jepnim zemër njëri-tjetrit. Gjinin ma morën nga duart. Nuk e pashë më kurrë. E vranë. Ishte luftë e vërtetë. Plumbat fluturonin gjithandej. Topat lëshonin predhat ngado. Copa dherash dhe gurësh kalonin sa para, sa prapa nesh. Shkonin mbi kokën tonë. Ndodhte që të na godisnin copa të vogla. Mitraloz të rëndë kishim pak, ndërsa të lehtë po. Kisha shumë besim tek arma ime dhe kur na nxehej gjaku teksa derdhnim predhat, fishekët, herë e përkëdhelja mitralozin si të ishte fëmijë dhe herë flisja, e pyesja nëse do të fitojmë, e pyesja nëse kisha qëlluar në shenjë. Kjo na ngrohtë zemrën, qeshja unë, qeshte ndihmësi. Mitralozi është armë e sigurtë, e fuqishme dhe isha i bindur se nuk do të më linte në fushën e betejës.
Një regjiment u vra në frontin e luftës kundër tentativës greke për të hyrë në tokën shqiptare. Repartet tona thuasje ishin shkatërruar plotësisht, Tek-tuk kishte mbetur ndonjë ushtarë gjallë. Erdhën përforcime edhe nga Tirana. Nuk e lëshonim frontin. Greku në fillim e mori lehtë. Mendoi se duke na bombarduar me topa dhe duke na luftuar edhe me avionë do e kishte të lehtë për të shkelur tokën tonë. Por nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Nga repartet tona në Bilisht e Kapshticë mbetën 4-5 ushtarë, të tjerët e vranë. Lufta përfundoi në përleshjen bajonetë më bajonetë. Një këmbsori e tëra u shkri për të mos lejuar grekun të na pushtojë.Mendoi se duke na bombarduar me topa dhe duke na luftuar edhe me avionë do e kishte të lehtë për të shkelur tokën tonë. Por nuk i kishin bërë mirë llogaritë. Nga repartet tona në Bilisht e Kapshticë mbetën 4-5 ushtarë, të tjerët e vranë. Lufta përfundoi në përleshjen bajonetë më bajonetë. Për ne kishte shumë vështirësi në njohjen e ushtarëve tanë nga ata grek pasi uniforma ishte thuasje e njëjtë, me fare pak dallime, edhe ato të padukshme në një front lufte. Rrobat tonë e ato të grekut kishin gjyrë kafe. Beteja trup më trup u zhvillua në vijën kufitare. Ne bënë shumë përparim ditën e fundit të sulmit. Në çastet finale ne me mitraloz të rëndë kishim zënë pozicionet dhe qëllonim drejt kufirit për të mos lejuar që në vijën e parë të sulmit grekëve t’u vinin përforcime. Pjesa më e madhe e betejës u zhvillu në zonën e pyllëzuar në kufi. Greku la shumë forca, më shumë se ne pasi ata nuk e kishin marrë parasysh se ushtria jonë do të kacafytej trup më trup me ta. Hedhja në mësymje e forcave tona i çorientoi grekët. Shumë ikën dhe lanë frontin për të shpëtuar kokën, ndërsa të tjetër mbetën sit ë zënë në qark pasi ushtarët tanë u sulën me forcë shumë të madhe e të shpejtë duke mos u lënë kohë grekëve të ikin. Fusha, lugina e vogël dhe pylli u mbushën me të vrarë. Aq betejë e përgjakshme ka qenë sa edhe pas një javë, dy javësh gjendeshin e mblidheshin trupa të vrarë si nga ne edhe nga pala greke. Ditët e para e kishim të pamundur të kalonim pa prekur e pa shkelur të vrarët, aq shumë të mbetur në luftë kishte në atë betejë. Ushtria, shokët, prindërit mblidhin të rënët në këto provokacione të fashistëve grekë. Komandanti dhe komisari u vranë, jo në pikën ku isha unë po diku tjetër. U hidhërova shumë kur mësova për fatin e tij, të komandantit dhe shokëve të tjerë. Por kjo ishte luftë dhe atë e fituam, ndonëse me sakrificë. Grekët morën një mësim shumë të madh duke lënë në këtë provokacion qindra të vrarë.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 25/12/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk