Diplomacia.dk

TA NDALOJMË KATANDISJEN E KOMBIT SHQIPTAR

Shkruan: Akademik. Abdulla Mehmeti

Reflekse,
në ndërrim të motmoteve, 2022-2023
Gjatë viteve të fundit, për interesa të veta personale dhe interesa të pushtuesve të huaj, shumë individë, intelektualë dhe veprimtarë me ndikim, vardisen të imponojnë vetëm mendimet dhe bindjet e tyre në botën shqiptare, sidomos ndër shqiptarët në trojet etnike nën sundimet e huaja, jo sipas nevojave dhe aspiaratave historike të popullit shqiptar.
Për shqiptarët, asnjë popull tjetër nuk është dhe nuk duhet të trajtohet si armik dhe i lig, pushtues dhe zullumqar, por të tilla janë regjimet e tyre që e kanë dëmtuar dhe vazhdojnë ta dëmtojnë qenien dhe interesin tonë kombëtar.
Të gjithë serbët, grekët, malazezët, turqit dhe pushtuesit tjerë përgjatë historisë, nuk kanë qenë armiq, të tillë nuk janë as sot, por armiq duhet t’i konsiderojmë regjimet e tyre, siç kanë qenë dje dhe siç janë disa edhe sot.
Për armiq duhet t’i konsiderojmë edhe disa shqipfolës, pjesëtarë të Kolonës së pestë, njerëz me gjak të prishur dhe mercenarët, të cilët vazhdojnë t’u shërbejnë interesave të huaja, në politikë, ekonomi, kulturë, arsim, diplomaci, organet e sigurisë dhe sidomos në institucionet fetare, të cilët zëshëm i kritikojnë formacionet e vjetra të agjentuarave të huaja, jo për t’i luftuar ato pse e kanë dëmtuar çështjen kombëtare, por për të krijuar hapësirë për pushtuesit dhe sunduesit e ri, për shtrirjen e ndikimit të agjentuarave për të cilat këta punojnë dhe paguhen për këto shërbime.
Për shqiptarët, nuk ka pushtues, sundues dhe akupator të mirë, as nga radhët e atyre që na sunduan dje, as nga ata që duan të na pushtojnë dhe sundojnë sot e në të ardhmen, përmes metodave më perfide, organizatave nga nëntokës së krimit, ideologjive fetare dhe fondacioneve me burime nga veprimtari kriminale.
Nuk ndihmohet kombi duke e luftuar pushtuesin e vjetër e duke e sjellë një pushtues tjetër të ri.
Nuk ndihmohet kombi, duke e kritikuar e luftuar regjimin e mëparshëm komunist, e duke sjellë në pushtet fëmijtë më bastardë të atij regjimi, të etshëm për dhunë e krime, për vjedhje të pasurisë së qytetarëve dhe shtetit, për shkatërrimin e qenies kombëtare, të gjithçka që është ndërtuar me mund dhe sakrifica deri më sot.
Nuk ndihmohet kombi duke e luftuar njëmendësinë ateiste të regjimit komunist, e duke sjellë në pushtet një klikë të re më antikombëtare, për përhapjen e ideologjive të huaja fetare, pa kontroll nga shteti dhe institucionet për mbrojtjen e identitetit, historisë, gjuhës dhe kulturës kombëtare.
Nuk ndihmohet kombi me ndërtimin e qendrave, shkollave, mediave dhe institucioneve të huaja kulturore e fetare, duke i dëmtuar vlerat tona qytetëruese – tolerancën ndërfetare të kultivuar ndër shekuj nga breznitë e shqiptarëve më parë.
Nuk ndihmohet kombi duke e goditur gjuhën e njësuar shqipe, standardin e gjuhës letrare, me mjete propaganduese dhe metoda politike, në kohën kur institucionet e shtetit janë të brishta, ndërsa institucionet shkencore kompetente për mbrojtjen e gjuhës, historisë dhe kulturës kombëtare janë të pafuqishme t’i mbrojë me sukses, në mënyrë të denjë dhe efikase nga këto goditje.
Nuk ndihmohet kombi duke zhvilluar luftë mes partive politike dhe grupacioneve mafioze, të cilat janë të interesuara vetëm për marrjen e pushtetit, jo edhe për zhvillimin e shtetit dhe progresin e kombit shqiptar.
Nuk zhvillohet kombi me fjalë, propagandë, ideologji të rrejshme, parulla mediatike, me urrejtje, përçarje dhe ndasi, me vringëllimë shapatash e shkrepje armësh mbi njëri-tjetrin, nga vëllai mbi vëllanë.
Kombit shqiptar sot, këtu në Atdhe dhe kudo në botë, atje ku e kanë hedhur rrethanat historike dhe dallgët e jetës, i duhen udhëheqës të denjë që ta japin ndihmesën e tyre, të kontribuojnë pa kursyer, ta shkrijnë talentin dhe dijet e tyre, të tillë që fitojnë dhe investojnë për të mirën e kombit, që shkrijnë qenien dhe pasurinë e tyre për atdheun, për Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Çamërinë, Luginën e Preshevës, Sanxhakun e Pazarit të Ri, Malin e Zi dhe viset tjera shqiptare; jo me udhëheqës demagogë, kriminelë, hajdutë, mohues të gjakut dhe gjirit të mëmës, shkelës të bukës së mëmëdheut, tregtarë flamujsh dhe mercenarë që përvetësojnë, privatizojnë, vjedhin, kontrabandojnë dhe shesin gjithçka që u vjen në dorë nga pasuritë e kombit e të Atdheut.
Është koha të leflektojmë dhe veprojmë të gjithë kundër kësaj katandisje, të bërtasim deri në kupë të qiellit sa të dëgjojnë edhe të rënët për lirinë e Atdheut ndër varre! Le të jetë ky zëri ynë i rizgjimit të ndërgjegjes kombëtare dhe forca jonë e VEPRIMIT.
Atdheu ka nevojë, sot më shumë se kurrë, për burra që nuk do ta lejojnë katandisjen e kombit shqiptar.
(31dhjetor, XXXX)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

GJERGJ KASTRIOTI

Kategoria:

Botuar: 01/01/2023

© 2016 - 2023 | DIPLOMACIA.dk