-Gazeta SOT, datë 29 Janar 2026-
Në dymijë vjet histori të e.r.,ne shqiptarët, pasardhës të Ilirëve, na u desh të mbijetonim, duke përballuar rrebeshet e pushtuesve të shumtë, që lakmonin dhe lakmojnë trojet tona në kryqëzimin e rrugëve strategjike Lindje – Perendim dhe anasjelltas. Gjatë kësaj periudhe të gjatë, paraadhësit tanë realizuan dy nga Epopetë më të lavdishme të historisë sonë, Epopenë e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut në shekullin e 15-të, dhe atë të Luftës Antifshiste Nacional Çlirimtare në mesin e shekullit 20-të. Këto dy epope historike, ishin dhe mbeten dy kollonat bazë, mbi të cilat mbështeten themelet e Shqipërisë së re e moderne. Kjo e fundit, LANÇ, ishte prologu i Epokës së ndritur të Socializmit dhe Enver Hoxhës, epokë e cila në asnjë mënyrë nuk mund të sfumohet nga fletët e historisë shumë shekullore të popullit shqiptar. I përmblodha në një të vetëm LANÇ dhe periudhën e Socializmit, sepse ato ishin vijim llogjik i njëra-tjetrës. Pa LANÇ nuk do të vinte Socializmi. Por as socializmi nuk mund të ndërtohej, pa patur në bosht e në emblemë LANÇ.
Siç dimë nga historia, Epopeja e luftrave të Gjergj Kastriotit, ose më saktë, Epoka e Skënderbeut, në vitet e shekujt që e pasuan, u tentua të degjenerohej e fashitej nga pushtuesit e shumtë. Por falë Rilindasve tanë të jashtëzakonshëm, dhe sakrificave të panumurta të popullit shqiptar, epoka në fjalë mbijetoi. Mbijetoi dhe doli plotësisht në dritë, sepse ishte LANÇ dhe koha e Socializmit, ato që e ngritën atë në piedestalin e lartë të nderit e të lavdisë.
Në kushtet e reja, kur regresi shoqëror ka marrë flamurin e turpit e të prapakthimit në kohë e në histori, ashtu si dikur pas vdekjes së Skënderbeut, Epopeja e lavdishme e LANÇ dhe Epoka e ndritur e Socializmit janë vënë në rrezik, një rrezik real edhe për vetë shqiptarët dhe trojet e tyre mijëra vjeçare, që lufta dhe socializmi i pati konsoliduar ligjërisht dhe praktikisht. Ndryshimi me tradhëti e me dhunë i sistemit politik në fundvitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, vuri në rrezik të plotë, jo vetëm sistemin socialist, i cili militonte drejt komunizmit, ëndrrës së pandërprerë të shoqërisë njerëzore, por vuri në rrezik edhe LANÇ, epopenë lavdiplote e të papërsëritshme të historisë së shqiptarëve.
Shtrohet pyetja: Kush do t’i mbrojë vlerat e LANÇ dhe arritjet sinjifikative te Socializmit në situatën e krijuar?! Me pranimin e pluralizmit dhe sistemit shumë partiak në qeverisje, pashmangshëm vijnë njerëz që nuk kanë asnjë lidhje as me luftën fitimtare, e as me socializmin. Madje, në krye të herës, kur erdhi në pushtet në vitin 1997, Partia Socialiste, që ruante ende vlagën e PPSH dhe të kohës së socializmit, u përbetua se do të mbronte me përkushtim LANÇ, veprën e Dëshmorëve të Atdheut dhe arritjet pozitive të socializmit. Por me kalimin e viteve, kësaj partie me emërtimin Socialiste, nuk i mbeti as gjysma e parë e mbiemrit. Neglixhenca e saj në mbrojtje të LANÇ dhe Dëshmorëve të Atdheut, u bashkua me revanshin e ballistëve e neoballistëve të cilët synonin e synojnë ta kthejnë LANÇ në një “luftë civile!”
Për të përballuar këtë stihi neoballiste mbi Luftën Çlirimtare, u pa e nevojshme, madje e domosdoshme, të krijohej një Organizatë solide me Veteranë dhe Pasardhës të Veteranëve, e në vijim edhe një Organizatë e Familjeve të Dëshmorëve të Atdheut. Këto dy organizata, fillimisht ishin në pozita të vërteta luftarake dhe përballuan me sukses “revanshin” e neoballistëve dhe reaksionit antishqiptar kundra LANÇ dhe Dëshmorëve të saj. Por këto vitet e fundit, radhët dhe veprimtaria e këtyre dy Organizatave, jo vetëm u zbeh, por hapi i tyre bëri “lak” të plotë në detyrën fisnike që kishin marrë përsipër. Faktor i jashtëm i kësaj zbehje dhe i këtij “laku” ishte jo vetëm presioni i pinjollëve të ish ballistëve dhe kolaboracionistëve të kohës së luftës, por edhe transformimi i PS-së në Rilindje, që përfundoi në Rivdekje, së bashku me ngjyrat, flamurin dhe programin e saj, duke bërë krushqi me pinjollët e ballistëve të luftës, e me naziskinët e Berishës. Ndërsa faktor i brendshëm i dobësisë së këtyre organizatave ishte, pakësimi i veteranëve të vërtetë që u larguan nga jeta, dhe kompromisi i pasardhësve të rinj të veteranëve me pushtetin, kompromis që i ktheu këto dy organizata, me program atdhetar dhe luftarak, në organizata amorfe, madje mashë qorre të pushtetit lokal e qëndror.
Për të parë këtë ndryshim themelor të Organizatës së Veteranëve dhe asaj të Dëshmorëve, sidomos në këtë dekadën e fundit, le të hedhim veshtrimin dhe mendjen në gjendjen aktuale të simboleve të shenjta të Luftës Çlirimtare dhe ato të Dëshmorëve të Atdheut, si lapidarët, pllakatat, varrezat dhe objekteve të tjera të rëndësihme, që lidhen me historinë e afërt e të largët të vendit. Objektet në fjalë, ngritur rreth 70 – 80 vjet më parë, falë gjëmës së vitit 1997, shoqëruar me vandalizmat e militantëve naziskin të PD së Berishës, ndihmuar nga vetë erozioni i kohës, në vitin e Jubileut të 80-të të Çlirimit të Atdheut, ngjanin me objekte të lashta të epokës së vjetër. Po në këtë gjendje gjenden edhe sot kur kemi hyrë në vitin e 82 të kësj historie Kombëtare.
Drejtuesit e Organizatës së Veteranëve, në raportet e tyre të vitit 2024, që shënonte Jubileun e 80 Vjetrit të Çlirimit, patën planizuar veprime dhe aksione konkrete për rifreskimin, regullimin dhe ngritjen në të gjithë vendin të simboleve të LANÇ dhe Dëshmorëve të Atdheut. Për këtë qëllim, edhe Qeveria aktuale, ngriti një Komision Qeveritar, shoqëruar me një buxhet prej rreth 2 milion eurosh, si mbështetje financiare për planizimet e Veteranëve. Por si komisioni, edhe mbështetja financiare, arritën gjer tek letra, por asnjëherë gjer tek Organizata e Veteranëve. Madje, as lista e Komisionit Qeveritar për këtë çështje nuk u plotësua dhe nuk u komunikua. Organizatat në fjalë, në pamundësi për t’u marrë vesh me qeverinë, krijuan sa mundën nja dy apo tre delegacione të vogla, dhe me makinën e tyre organike prej 5 vetësh me gjithë shofer, u munduan të mbulonin një të dhjetën e veprimtarive, por asnjë rregullim apo ristrukturim objektesh. Për të ngushëlluar veten, dhe për të çfryrë ndaj pushtetit, sapo u kthyen në bazë, Drejtuesit e Org. Veteranëve nisën në radhët e tyre, debatin e lënë përgjysëm, se kush do të ishte në krye të organizatës së tyre dhe kush do të ishin zëvendasit e tij . . .
Dhe ja ku vijmë tek situata e këtyre ditëve, kur në faqet e shtypit të ditës, në vend që të shohim ripërsëritjen me seriozitet të punës për rregullimin e simboleve të LANÇ dhe veçanërisht të evidentimit të saktë historik të kësaj Epopeje, nisin sherrin kush do të marrë e mbajë çelësat e zyrës mjerane të Veteranëve, aty në katin përdhes të ndërtesës gjashtëkatëshe, e cila ngjan me një gërmadhe që pret të shembet nga natyra, ose nga ndërtuesit e kullave të famshme . . .
. . .
Të nderuar drejtues të Organizatës së Veteranëve dhe të Organizatës së Dëshmorëve, në qendër dhe në rrethe: Le ta palosim të kaluarën e afërme dhe të shikojmë paksa më larg se jeta jonë kohore. Gjithçka mund të ndodhë në vendin tonë, por LANÇ duhet të mbetet “Tempull i paprekur”. Ju jeni, ose duhet të jeni organizatat më unike e më të sakta të mbrojtjes së këtij “Tempulli të Historisë” sonë. Nuk dua të shes mendje e dituri, por si pasardhës i drejtëpërdrejtë Veterani dhe bir i Dëshmorit të Atdheut, nuk mund të rri pa ju dhënë një këshillë shoqërore, nëse e pranoni, shoqëruar me disa pika të domosdoshme që ju duhet të realizoni:
1.-Së pari: Ju duhet të kapërceni mbi kontradktat, ku jeni mbërthyer për poste e karrike, sepse detyra juaj është e shenjtë dhe njëherësh vullnetare. Kapërcimi i kësaj kontradikte që keni aktualisht arrihet duke dhënë ju drejtuesit, (Kryesia aktuale) dorëheqjen e parevokueshme, dhe të organizoni zgjedhje të reja, nga baza në qendër.
2.-Së dyti, në drejtim të Organizatave tuaja (dhe tonat), duhet të jenë, persona që vijnë nga familjet e Veteranëve e Dëshmorëve, individë të nivelit të lartë intelektual, sidomos në fushën e historisë, dhe luftëtarë të përkushtuar për mbrojtjen e vlerave të LANÇ e të Dëshmorëve.
3.-Së treti: Organizata e Veteranëve dhe ajo e Dëshmorëve nuk janë organizata partiake, por doemos janë organizata politike. Ata kanë në qendër politikën e mbrojtjes me të gjitha mjetet të LANÇ dhe veprës së Dëshmorëve të saj dhe të të gjithë Atdheut.
4.-Së katërti: Organizatat tuaja duhet të shkëputen plotësisht nga administrata qeverisëse që është dhe do të jetë laramane, duke mbajtur me të vetëm marrëdhënie zyrtare, të cilat lidhen me mirëmbajtjen e simboleve të luftës e të dëshmorëve dhe me buxhetin parkatës vjetor që do të miratojë Kuvendi i Shqipërisë. Jeni ju që organizoni përvjetorët, aktivitetet e jo qeveritarët. Ata ftohen nga ju.
5.-Së pesti: Ju duhet të kërkoni në mënyrë urgjente që qeveria e radhës të planifikojë dhe të realizojë ristrukturimin e plotë e në përshtatje me kohën, të të gjithë simboleve të LANÇ dhe varrezave të Dëshmorëve.
6.-Së gjashti: Që të keni mundësi ti shtroni, ti kërkoni e ti realizoni tek pushteti qëndror e ai vendor kërkesat legjitime për mirëmbajtjen e simboleve dhe objekteve të Luftës e të Dëshmorëve, ju duhet patjetër të jeni të pranishëm në sallën e Kuvendit me përfaqësuesit tuaj të drejtpërdrejtë. Këtë mund ta arrini, duke u bashkuar me partinë politike që ju mbështet në kauzën tuaj. Dhe mbështetjen e sigurtë ua jep Partia Komuniste, e cila së bashku me baballarët tuaj, udhëhoqi LANÇ dhe mbron me përkushtim të lartë vlerat e saj historike.
Mendoj se vetëm kështu, ju mund të realizoni obligimin tuaj në mbrojtjen e vërtetë të LANÇ dhe gjakun e derdhur nga Dëshmorët e Atdheut.
Vdekje Fashizmit që ka nisur të ringjallet!
Liri popullit që është i pavdekshëm!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!