TEORIA E TË SHKATHTVE PAS ÇDO REVOLUCIONI

11
Mar
2023

Përgaditi: Dilaver Goxhaj
/Nga Viktor Hygo/
“Çdo revolucion, duke qenë se është një veprim normal, ka në vetvete ligjshmërinë e tij, të cilën disa revolucionarë të rremë e përlyejn shpeshherë; kjo ligjshmëri vazhdon të qëndroi edhe pse e llangosur. Revolucioni është kryekëput e kundërta e revoltës. Revolucionet dalin jo nga ndonjë aksident, por nga domosdoshmëria. Revolucioni bëhet sepse duhet të bëhet.
Me t’u qorollisur revolucioni si ai kali, të shkathëtit, vrapojnë t’i nxjerrin patkonjtë. Të shkathtit Në shekullin tonë, I kanë ngjitur vetvetes emrin burra shteti; kështu që, kjo fjalë burrë shteti, është katandisur pak a shumë në një fjalë argoje, pa shpresë. Argoja bën më shumë udhë në dhjetë vjet nga ç’bën gjuha në dhjetë shekuj. Dhe në të vërtetë, nuk duhet ta harrojmë se atje ku ka vetëm shkathtësi, do të ketë domosdo edhe shpirtvogëlsi. Të thuash të shkathtit, është sikur të thuash gjysmakët. Kur thua burrat e shtetit, është njësoj sikur të thuash tradhëtarët.
Pra, po t’u zësh besë të shkathëtve, revolucionet janë damarë gjaku të prerë; prandaj duhet që të lidhen shpejt e shpejt. Kështu pra, me t’u afirmuar njëherë e drejta forcuar shteti. Me t’u siguruar e drejta, duhet menduar për pushtetin.
Këtu të urtit nuk ndahen akoma prej të shkathëtve, por fillojnë të mos kenë më besim. Pushteti, mirë. Por, së pari, ç’është pushteti? Së dyti, nga vjen pushteti?
Të shkathëtit duket sikur nuk e dëgjojnë kundërshtimin që murmuritet, dhe vazhdojnë manovrën e tyre.
Sipas këtyre politikanëve që ua pjell mendja t’u vënë gënjeshtrave që sjellin përfitime një maskë domosdoshmërie, nevoja e parë e një populli pas një revolucioni, kur ky popull bën pjesë në kontinentin monarkik, është të siguroi një dinasti. Në këtë mënyrë, thonë ata, populli mund të ketë paqe pas revolucionit që ka bërë, domethënë të ketë kohë për të lidhur plagët dhe për të meremetuar shtëpinë e tij. Dinastia fsheh skelat e ndërtimit dhe maskon ambulancën.
E tillë është teoria e të shkathtve.
Ja pra, kush është art i madh: t’i japësh suksesit pak tingullin e një katastrofe, me qëllim që ata që përfitojnë prej tij njëkohësisht edhe të dridhen; të kripësh me frikë një veprim që ka marrë fund; ta zgjatësh urën e kalimit deri në ngadalësimin e përparimit; ta venitësh këtë agim: t’i shpallësh dhe t’i krasitësh ashpërsitë e entusiazmit, t’i presësh qoshet dhe thonjtë, ta veshësh me pambuk triumfin; ta mbulosh drejtësinë me gunë; ta mbështjellës viganin popull me fanellë dhe ta vësh shpejt e shpejt në gjumë; t’i vësh pehriz këtij shëndeti të tepëruar: ta trajtosh Herkulin si një të sëmurë në shërim e sipër; ta mbyllësh ngjarjen me marifet: t’u japësh mendjeve të etura për një ideal këtë nektar të holluar me ujë; të marrësh masa për t’u mbrojtur nga suksesi i tepërt; ta stolisësh revolucionin me një abazhur përsipër.
1830-a e praktikoi këtë teori, e cila ishte zbatuar tashmë në Angli më 1688.
1831-a është një revolucion i ndaluar në mes të përpjetës. Një gjysëm përparim, një biçim drejtësie.
Kush e ndal revolucionin në mes të së përpjetës? Borgjezia.
Pse?
Sepse borgjezia është interesi që ka arritur të kënaqet. Dje ajo ishte oreksi, sot është nginjja, nesër do të jetë velja.
Ndalja bëhet për të mbledhur forcat; ajo është pushim i armatosur dhe vigjilent; është veprimi i kryer që vendos roje dhe ruhet e qëndron në gatishmëri.” Viktor Hygo (“Të mjerët”,v.2, f.470-475)
KJO TEORI ËSHTË ZBATUAR TASHMË EDHE NË SHQIPËRI MË 1990-2023.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/03/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk