TËRMET QË NA TUNDI DHE NE NGA SHTËPIA

01
Oct
2025
(Nga libri i Ilir Hoxhës

(Nga libri i Ilir Hoxhës “BABAI IM ENVER HOXHA”
Kisha filluar studimet në universitet, në degën e inxhinierisë mekanike, i përgatitur që pas përfundimit të saj do të më priste puna anë e mbanë Shqipërisë.
Sapo kisha filluar të futesha në jetën e re studentore, kur, në dhjetor të vitit 1967, një tërmet i madh preku gjithë zonën e Dibrës, duke shkaktuar shkatërrimin e shumë shtëpive të fshatarëve, duke i lënë ata pa strehë në mes të dimrit, të ftohtit dhe borës që kishte mbuluar vendin gjithandej.
Si në të gjitha rastet e fatkeqësive, shteti shqiptar iu gjend pranë popullit si nga ana morale, ashtu edhe duke u rindërtuar shtëpitë. Në këto raste shihej solidariteti i njerëzve ndaj të dëmtuarve, të cilëve u shkonin për ndihmë si vullnetarë nga gjithë vendi.
Kësaj radhe vullnetarë do të ishim edhe ne, të tre fëmijët e Enver Hoxhës. Dy-tre ditë pasi kishte rënë tërmeti, babai na thërriti të treve dhe na tha:
“Bisedova me mamanë, dhe ne mendojmë se do të ishte mirë që ju, fëmijët tanë, të shkoni në rrethin e Dibrës për të ndihmuar të dëmtuarit nga tërmeti”.
U çuditëm që me ne do të vinte dhe Pranvera, që atëherë ishte 13 vjeçe. Sigurisht, Pranvera nuk shkonte për të shpëtuar të dëmtuarit, por Enver Hoxha e dërgonte vajzën e tij të vogël atje në mënyrë simbolike, për t’u thënë që unë, si familje, jam aty te ju për t’ju ndihmuar. Por dhe Pranverës të mos ia hamë hakun, ajo punonte me vrull dhe nuk donte të mbetej mbrapa shoqeve të saj të rritura, që ishin në universitet.
U nisëm dhe u vendosëm në shtëpi fshatarësh që kishin shpëtuar nga rrënimi. Vajzat flinin në një shtëpi të gjitha së bashku. Me to u bashkua dhe vajza e Sulë Bahollit, që atëherë ishte sekretar partie i rrethit, ndërsa tek ne erdhi djali i tij, Tosi. Ne djemtë flinin të gjithë në një dhomë, me dysheqe të shtruar përdhé, dhe në mes të dhomës ngrohte një stufë që e ndiznim në mbrëmje kur ktheheshim të lodhur nga puna e ditës dhe të ngrirë nga i ftohti.
Meqenëse nisa të tregoj ambientin ku rrinim, po e vazhdoj me të, e pastaj po tregoj për punën. Aty, në darkë, fillonte një muhabet për “shtatë palë qejfe”, siç thuhet. Me ne rrinte dhe një burrë, të cilët i thoshim “mixha”, domethënë “xhaxha”, i cili e njihte gjithë zonën shumë mirë dhe ai na tregonte për zakonet dhe ngjarje të ndryshme nga krahina, historira. Po kështu dhe Tosi, me të cilin ishim moshatarë dhe e ndiente veten si vendali, mundohej dhe ai të na ndihmonte.
Nga lodhja gjumi na zinte menjëherë dhe kushedi sa mund të flinim, po nuk na linte Neli. Ai gjithmonë, dhe në zbore, dhe në aksione, ishte shumë i rregullt në zgjim, bëhej gati shpejt, punonte mirë. Zgjimi bëhej në ora shtatë, sepse zbardhej vonë, por zëri i tij zëvendësonte burinë e aksioneve dhe zboreve, na zgjonte sa vinte ora gjashtë e gjysmë, duke na thënë:
“Flini-flini, po edhe gjysmë ore ju ka mbetur”.
Vëllai i tij, Ladi, i bërtiste pse na zgjonte pa vajtur ora, por ai i thoshte:
“Unë nuk ju zgjoj, po ju lajmëroj të flini edhe gjysmë ore”. Ky avaz ishte çdo ditë.
Ushqimi ynë ishte i njëllojtë me atë që hanin fshatarët apo që gatuhej në mensat që ishin hapur për aksionistët, sepse pas nesh gjithë rinia e universitetit u nis për të ndihmuar të dëmtuarit e tërmetit. Fasulja dominonte, ndonjëherë kishim pilaf. Një ditë na ftoi Sul Baholli në shtëpinë e tij në Peshkopi dhe mbaj mend që kemi ngrënë një hallvë që do të na dukej shumë e mirë edhe në kushte të tjera, dhe jo më në ato ditë që hanim vetëm fasule, që na u duk e shkëlqyeshme.
Punonim nga mëngjesi deri sa ngrysej. Në letrën që u çoja babait dhe mamasë u shkruaja:
“…Koha tani ka filluar të prishet dhe ka filluar të bjerë shi. Bën dhe ftohtë. Me punë shkojmë mirë. Ka shumë baltë, por ne kemi çizme dhe s’duam t’ia dimë fare. Në fillim ishim në Çerninë. pastaj shkuam në Kovashicë dhe tani kemi ardhur në Allajbege (Burimi) Punojmë nga ora shtatë deri në pesë e gjysmë të mbrëmjes. Bëjmë pushim një orë, sa hamë drekën, dhe fillojmë përsëri. Me fshatarët shkojmë shumë mirë dhe tregohen të afruar.
Specialiteti ynë është të pastrojmë rreth e rrotull tullat, plitharet që janë rrëzuar nga tërmeti, të hedhim tjegullat në çatitë që sapo janë ndërtuar dhe nganjëherë dhe i vendosim, domethënë i mbulojmë. Mos kini frikë, se nuk biem, se shtëpitë janë të ulëta. Këtë të dielë, më 17 dhjetor, ka ndeshje Shqipëria me Gjermaninë. Eshtë alamet ndeshje. Kjo ndeshje nuk vjen më. Këtë paragraf lexojeni dhe njëherë dhe mundohuni ta deshifroni!!!! Që të dy, unë e di se jeni deshifrues të mirë dhe i kuptoni mendimet e djalit tuaj. Ju puth me mall, Lilua”.
Ata hem e deshifruan paragrafin e fundit dhe hem i kuptuan mendimet e djalit të tyre, po ama ndeshjen nuk e pamë dot (atëherë në Dibër nuk kishte televizor dhe ne dëshironim që të na jepte leje për të ardhur e për ta parë në Tiranë).
Një ditë po punonim së bashku me vajzat. Vera Kapo, që ishte në vitin e tretë të arkitekturës, po vinte në jetë gjithë zell dijet që kishte mësuar në shkollë. Po bënte piketimin për ndërtimin e një shtëpie të re, duke shënuar nëpërmjet kunjave dhe spangove vendin ku do të hapeshin themelet. Pasi kishte punuar nja tri orë të mira dhe çdo gjë kishte përfunduar dhe po na i tregonte ne, një kamion vetëshkarkues plot me tulla ia prishi gjithë ç’kishte bërë, duke zhdukur edhe piketimet, pasi kishte shkarkuar tullat mu në mes. Vera, duke turfulluar, tha solemnisht:
“Puna e arkitektit është punë m…”.
Nga fundi, kur shtëpitë po përfundonin, erdhi në Dibër dhe Enver Hoxha, për t’u takuar me të dëmtuarit dhe me vullnetarët që kishin shkuar për t’i ndihmuar.
Shtypi i asaj kohe e ka pasqyruar këtë vizitë, por unë do të shënoj dy fjalë jashtë atyre që dihen. Ai na takoi të gjithëve. Na pyeti dhe iu përgjigjëm. Sulë Baholli i tha babait:
“Duke qenë se unë jam komandanti i aksionit këtu në rreth, ju them juve se vajza juaj, Pranvera, e ka kryer detyrën dhe kur të ktheheni në Tiranë duhet ta merrni me vete”. Babai i tha në sy të Pranverës:
“Nuk kam s’e ç’të bëj, këtu urdhëroni ju! E dëgjove ti, vajzë, detyrën e ke kryer dhe do të kthehemi së bashku në Tiranë”.
Asaj dhe i vinte keq që do të ndahej prej të gjithë neve, por edhe mirë, që po ikte së bashku me babain.
Për vitin e ri do të ishim në shtëpitë tona, pranë familjes. Po kështu dhe fshatarët në shtëpitë e tyre të reja do të festonin vitin e ri me urimin për partinë që iu gjend pranë dhe i ndihmoi në ato ditë të vështira.
Në foto: Enveri takon djalin e tij Ilirin vullnetar për ndërtimin e shtëpive në fshatrat e Dibrës pas tërmetit të vitit 1967

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 01/10/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk