(në shqip, serbisht dhe gjermanisht)
Në politikën e Kosovës shpesh gjërat nuk maten me logjikë, por me mllef, interesa të ulëta dhe komandat që vijnë nga jashtë. Dhe më e dhimbshmja është kur kjo ndodh jo nga armiqtë tanë historikë, por nga ata që pretendojnë se flasin në emër të këtij populli.
Shembulli më i freskët është qëndrimi i opozitës ndaj Nenad Rashiqit. Ky njeri, ndryshe nga të tjerët, nuk u fsheh pas maskave të dyfishta. Ai e tha hapur, qartë dhe pa ekuivoke: Kosova është realitet, është shtet. E pranoi me zë dhe figurë atë që shumë të tjerë e dinë, por e mohojnë nga frika ose nga shërbimi i verbër ndaj Beogradit.
Dhe çfarë ndodhi?
Opozita jonë, ajo që me zë të lartë predikon “integrim të serbëve” dhe “bashkëjetesë”, refuzoi ta votojë. Jo sepse Rashiqi nuk është i denjë, por sepse Rashiqi është shumë i rrezikshëm për ta: ai shkatërron narrativën e tyre, ua shemb alibinë e tradhtisë së përhershme.
Ironia bëhet akoma më therëse kur e shohim se të njëjtët që refuzojnë Rashiqin, kanë përqafuar e promovuar Rakiqin, Radojčiqin dhe Veselinovićin. Tre emra të njohur jo për paqe, por për terror; jo për integrim, por për krim. Të njëjtët që udhëhoqën sulmin terrorist në Banjskë, që përgjakën policinë tonë, që i vunë zjarrin stabilitetit.
Pra, opozita jonë nuk e sheh problem kur përfaqësuesit politikë serbë mbajnë lidhje me krimin, me armët, me drogën, me kriptovalutat dhe me Beogradin e Vučićit. Por e sheh problem të madh kur një serb thotë të vërtetën dhe e pranon shtetin tonë.
Ky është paradoksi i shëmtuar i opozitës: nuk i pengon gjuha e armikut, por i pengon fjala e mikut. Nuk i shqetëson krimineli, por e tmerron i ndershmi.
Në këtë mënyrë, opozita jonë dëshmon se nuk është opozitë e qeverisë, por opozitë e shtetit. Ata nuk luftojnë Albin Kurtin, por luftojnë idenë e Kosovës si shtet i fortë, sovran dhe i pavarur.
Nëse Rashiqi do të ishte një tjetër kukull e Beogradit, opozita do ta ngrinte në qiell me duartrokitje. Por fakti që ai zgjodhi të ecë në krah të së vërtetës, e bën të padurueshëm për ta. Sepse opozita jonë është e mësuar të bëjë politikë mbi gënjeshtra, e jo mbi të vërtetën.
Dhe kështu, përballë Rashiqit, opozita tregoi fytyrën e saj të vërtetë: jo fytyrën e patriotizmit, jo të shtetndërtimit, por të servilizmit dhe frikës ndaj Beogradit.
Prandaj, kur nesër këta njerëz të flasin për “të ardhmen e Kosovës”, kujtoni këtë moment. Kujtoni se ata refuzuan të mbështesin një njeri që e pranoi shtetin tuaj, por përqafuan ata që e sulmuan me armë.
Kjo nuk është thjesht hipokrizi. Kjo është tradhti e pastër politike. Dhe tradhtia, më herët apo më vonë, i gëlltit ata që e ushqejnë.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
