TRE POLICË SERBË QË U KAPËN PËR HERË TË PARË PENG

17
May
2025
Nga: Nexhat Nezir Nebihi


Tre policë serbë u kapën nga njësiti i UÇK-së në fshatin Ozdrim të komunës së Skënderajt. Ata kishin ardhur në këmbë, të armatosur deri në dhëmbë, dhe ishin futur përmes malit që ndan komunën tonë me atë të Klinës. Disa fëmijë të fshatit, që po ruanin bagëtitë e tyre, i kishin vërejtur dhe, sapo i panë, me vrap lajmëruan UÇK-në në Ozdrim – kështu ata u kapën.
Kjo ngjarje ndodhi diku nga mesi i muajit maj të vitit 1998, pak kohë pas masakrës së Familjes Jashari, në një periudhë kur e gjithë Kosova ishte në shok dhe në zi.
Po atë ditë, vëllai i Hashim Thaçit, Gani Thaçi, erdhi tek ne, në “Shtabin e bacit Nezir” (kulla jonë ishte bërë shtab i UÇK-së gjatë luftës), dhe i tha:
“Bac Nezir, më duhet një automat, se në Ozdrim janë kapur tre policë serbë dhe duam me i ru dikund, por nuk kemi armë të mjaftueshme…”
Baci Nezir u gëzua shumë nga ky lajm dhe iu drejtua Ganiut:
“Po, Gani, ta jap pushkën e Nexhatit (kallashnikov, tip Zastava), por me një kusht: mos gaboni me i vra, sepse janë peng. Në këmbim të këtyre tre çetnikëve, ndoshta mund ta lirojmë Ukshin Hotin. Është një mundësi e madhe për të – dhe e kemi në dorë këtë situatë. Sepse, nëse e zë krejt lufta në burg, atëherë Ukshin Hoti do të vritet nga serbët.”
Edhe unë isha dëshmitar i gjithë asaj ngjarjeje.
Ganiu tha:
“Po, bac Nezir, mos ki merak.”
Pas tri ditësh, e dëgjuam në lajmet e RTP-së (Radio Televizioni i Prishtinës) se tre policët janë liruar, pa asnjë kusht. Më vonë, nga një njeri i besueshëm, baca Nezir kishte dëgjuar se Ganiu, bashkë me një person tjetër, kishin biseduar me stacionin e policisë serbe në Klinë dhe policët ishin liruar pa kushte – vetëm se u ishte marrë një shumë e madhe markash të asaj kohe.

Kjo është një ngjarje e vërtetë.
Me respekt,
NNN

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 17/05/2025

© 2016 - 2025 | DIPLOMACIA.dk