Përkujtime✅
Në hapësirat e Komunës së Tetovës u mbajt mbledhje përkujtimore në nderim të jetës dhe veprës së profesorit Kadir Shabani
Në sallën e konferencave të Komunës së Tetovës, dje u mbajt mbledhje përkujtimore për jetën dhe veprimtarinë e profesorit, studiuesit, veprimtarit dhe njërit nga nismëtarët dhe pjesëmarrësit e Kuvendit themelues të Universitetit të Tetovës, prof. dr. Kadir Shabani.
Në këtë ceremoni përkujtimore ishin të pranishëm familjarët e të ndjerit, shokë, miq e dashamirë të shumtë, personalitete të shquara të jetës kulturore dhe veprimtarë të çështjes shqiptare, si dhe një numër i bashkëvendësve nga mërgata, të cilët këto dijë janë për pushime në vendlindjen e tyre.
Një fjalë rasti me evokime kujtimesh me këtë rast mbajti edhe shoku i ngushtë dhe bashkëveprimtari i të ndjerit, prof. Abdulla Mehmeti, i cili shpalosi shumë kujtime nga jeta dhe veprimtaria e Kadir Shabanit, që nga vitet e hershme të veprimtarisë kulturore dhe arsimore në vitet e shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, fillimet e proceseve të pluralizmit dhe demokracisë, nismën dhe themelimin e Bashkësisë Kulturore Shqiptare (1990), më vonë edhe të Universitetit të Tetovës (1994), si dhe për veprat që ka lënë pas vetes veprimtari i shquar, prof. dr. Kadir Shabani.
Pas përfundimit të kësaj ceremonie përkujtimore, anëtarë të familjes dhe një grup nga shokët e ngushtë, shkuan te varrezat e qytetit për homazhe te varri i të ndjerit, ku vendosën lule të freskëta dhe buqetën e karafilave, me të cilën ishte rrethuar fotografia e të ndjerit gjatë mbledhjes përkujtimore, që sipas pjesëmarrësve paraqet një simbolikë të veçantë, për ruajtjen në kujtesë të përhershme dhe përmbushjen e amanetit jetësor të shokut të tyre të idealeve
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!