“UÇK: Gjyqi i Hagës Struktura Ushtarake, Drejtoria Politike, Rambujeja dhe situata sot në Kosovë”.

19
Sep
2025
Shkruan: Kol Marku (Studiues)


—
Procesi gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së në Hagë ka rikthyer në qendër të debatit pyetjen mbi strukturën reale të UÇK-së dhe rolin që kishin figurat kryesore politike e ushtarake të saj. Deklaratat e ish-ndihmës sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin, në shtator 2025, sipas të cilit UÇK nuk kishte strukturë ushtarake të tipit klasik dhe Hashim Thaçi nuk kishte autoritet mbi forcat, e kanë tronditur opinionin. Por burimet historike, raportet ndërkombëtare dhe literatura tregojnë një pamje më të ndërlikuar: UÇK evoluoi nga grupe guerile në një forcë të organizuar me 7 zona operative, një Shtab të Përgjithshëm dhe një Drejtori Politike. Ky studim analizon këto struktura, vendin e Hashim Thaçit, rolin unik të Adem Demaçit, qëndrimet amerikane në Rambuje dhe qasja serbe nga e kaluara deri sot dhe shkurtimisht situata aktuale.
A). Dëshmia e James Rubin në Hagë
Rubin dëshmoi se UÇK nuk kishte batalione, brigada apo njësi të strukturuara sipas standardeve perëndimore, se ajo funksiononte më shumë si rrjet grupesh dhe klanesh dhe se Hashim Thaçi nuk kishte autoritet për të komanduar operacionet ushtarake [1][2][3]. Kjo dëshmi është në linjë me strategjinë e mbrojtjes për të sfiduar konceptin e kontrollit efektiv, që është kusht për përgjegjësinë e komandës në të drejtën penale ndërkombëtare [4][5].
B). Korniza juridike e Gjykatës Speciale
Çështja Thaçi, dhe tre të tjerëve në dhomat e specializuara të gjykatës (KSC) nuk është një gjykim mbi UÇK-në si organizatë, por mbi përgjegjësinë individuale të katër ish-udhëheqësve të saj (Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi) të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit gjatë periudhës 1998–1999 [6][7].
C). Zonat Operative të UÇK-së
Nga mesi dei në fund të vitit 1998, UÇK u organizua në 7 Zona Operative:
1. Dukagjin (Pejë, Deçan, Gjakovë) – 4.000–5.000 luftëtarë; komandantë si Ramush Haradinaj dhe Tahir Zemaj [8][9].
2. Drenicë (Skenderaj, Mitrovicë qendrore) – 3.000–4.000 luftëtarë; komandantë si Sami Lushtaku, Adem Jashari (para marsit 1998) [10].
3. Llap (Podujevë, Mitrovicë lindore) – 1.500–2.500 luftëtarë; komandant Rrustem Mustafa [11].
4. Pashtrik (Prizren, Suharekë, Malishevë) – 3.000–4.000 luftëtarë; komandant Sylejman Selimi [12].
5. Shalë (Mitrovicë veriore, Vushtrri) – 1.000–1.500 luftëtarë [13].
6. Karadak (Gjilan, Kamenicë, Vitia) – 1.000–1.500 luftëtarë [14].
7. Nerodimë (Ferizaj, Shtime) 500–1.000 luftëtarë [15].
Në kulmin e luftës (pranvera 1999), UÇK kishte 15.000–20.000 luftëtarë aktivë, plus dhjetëra mijëra vullnetarë në rezervë [8].
Ç). Organizimi i njësive në zonat operative
Çdo zonë kishte Shtabin e vet drejtues me komandant, shef shtabi dhe oficerë për logjistikë, operacione dhe informim.
Njësitë u rritën nga grupe guerile (10–20 veta) në çeta (30–50 veta), kompani (100–150 veta) dhe me vonë edhe batalione (300–500 veta) e Brigada.
Komunikatat zyrtare përdornin terma “brigada”, [16][17],por shpesh ato konsideroheshin simbolike ( nga analistët ) pasi këto ishin më shumë njësi të lehta me numur të vogël repartesh e nënrepartesh të manovrueshme të pershtatshme për detyrat që kryenin sipas zonave operative se sa të ngjashme me struktura e rënda të standardizuara në kuadrin e ushtrive klasike me të gjitha elementet e mbështetjes dhe logjistikës. Dhe kjo vinte për shumë arsye: mungesa e standartizimit të armatimit,përberja organike detyrat taktike dhe operative zonat dhe konfiguracioni i terrenit ku vepronin, rëndësi e drejtimeve etj.Pra nuk mund të ishte gjithëpërfshirëse.
D). Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së (SHP)
SHP u formua në janar 1998 në Likoc dhe kishte këtë organikë:
Komandant i Përgjithshëm (fillimisht Adem Jashari si figurë frymëzimi, më vonë në 1999 Agim Çeku) [18].
Kishte në strukturë:
Zëvendëskomandant dhe Shef i Shtabit.
Pesë degë funksionale: Operacione, Logjistikë, Personel/Rekrutim, Informim/Propagandë, Siguri/Inteligjencë [19].
Roli i SHP ishte koordinues,operacional,pasi komandantët e zonave shpesh vepronin në autonomi sipas kushteve në terren. [20].
Dh). Drejtoria Politike dhe roli i Adem Demaç It dhe Hashim Thaçit
1. Adem Demaçi ishtë perfaqësuesi i parë moral dhe politik i UÇK.
Në korrik 1998, UÇK shpalli Adem Demaçin si përfaqësues politik të saj. Ai, i liruar pas 28 vitesh burgu, u bë simbol i qëndresës dhe gëzonte autoritet moral [24].
Roli i tij ishte përfaqësues dhe moral, jo komandues ushtarak.Në shkurt 1999, Demaçi dha dorëheqje nga ky rol pasi kundërshtoi kompromiset e Rambujesë, veçanërisht praninë e trupave të huaja dhe mungesën e pavarësisë së plotë [25].
2). Albin Kurti sekretar dhe këshilltar pranë Adem Demaçit
Albin Kurti nuk ishte pjesëtar i drejtpërdrejtë i UÇK-së me detyra ushtarake. Në korrik 1998, kur Adem Demaçi u shpall përfaqësues politik i UÇK-së, Kurti u bë sekretar personal dhe këshilltar politik i tij [27].
Detyrat e Kurtit ishin organizative dhe komunikative: përgatitja e deklaratave, koordinimi i takimeve dhe kontakti me gazetarë e diplomatë [28].
Ai qëndroi me Demaçin rreth 7–8 muaj, nga korriku 1998 deri në shkurt 1999, kur Demaçi dha dorëheqje për shkak të mospranimit të Rambujesë i largua dhe ai.[29].
Në prill 1999, Kurti u arrestua nga forcat serbe në Prishtinë dhe në prill 2000 u dënua me 15 vite burg nga një gjykatë serbe për “veprimtari armiqësore kundër ish Jugosllavisë” [30].
Në dhjetor 2001, pas presionit ndërkombëtar, ai u lirua [31].Pra nuk qëndron ajo që është përfolur duke e percaktuar Kurtin si të pa angazhuar në luften çlirimtare të UÇK, ai kontribuoi si anëtarë i Drejtorisë Politike dhe ndihmes i Demaçit. Ai patjeter që do t’a kishte vazhduar aktivitetin e tij por e shmangën nga organizimi politik duke e arrestuar serbët.
Pas dorëheqjes,se Demaçit roli i përfaqësuesit politik kaloi tek Hashim Thaçi në krye të Drejtorisë Politike [26].
3. Roli i Hashim Thaqit si drejtues i Drejtorisë Politike
Pra Krahas SHP ushtarak, UÇK kishte edhe Drejtorinë Politike, ku Hashim Thaçi ishte përfaqësuesi kryesor politik i saj.
Thaçi ashtu si më parë Demaçi nuk ishte pjesë e zinxhirit ushtarak operacional të komandës; roli i tij ishte politik dhe diplomatik.[21].
Objektivat politike natyrisht që nga aty rridhnin por dhe përfaqësimi diplomatik e publik aq sa mund të behet në luftë, i takojnë atij nëse ai e ka luajtur rolin që i takonte.
Pra,Drejtoria Politike që kryesonte Thaqi merrej me propagandën, lidhjet me diasporën dhe marrëdhëniet ndërkombëtare [22].
Thaçi udhëhoqi delegacionin e Kosovës në Konferencën e Rambujesë (shkurt-mars 1999), duke u bërë fytyra ndërkombëtare e UÇK-së [23].
Dihet tashme se lufta është realizim i objektivave politike dhe UÇK dhe shtabi i përgjithshem i saj nuk mund të ishin jashtë kësaj linje…
Por dekleratat e Rubinit në gjyq mund të jenë pjesë e një strategjie për të mbrojtur Thaqin, por ato nuk mund të zbehin dhe zhballancojnë faktorin e UÇK-së dhe rolin e saj organizativ, operativo-strategjik, toksor dhe çlirimtar, për rolin që ka kryer në kuadrin e objektivave të NATOS.
E). Qëndrimet amerikane në Rambuje: autonomi apo pavarësi?
Qeveria amerikane mbajti një linjë zyrtare kompromisi: autonomi substanciale brenda ish Jugosllavisë për tre vjet, me një mekanizëm rishikimi ndërkombëtar më pas [27][28].
Por brenda ekipit amerikan pati nuanca të ndryshme:
Madeleine Albright (Sekretare e Shtetit) e shihte Rambujenë si hap për të justifikuar ndërhyrjen e NATO-s dhe si rrugë tranzitore drejt pavarësisë [29].
Christopher Hill (ambasador dhe ndërmjetës kryesor) favorizonte një autonomi të zgjeruar si kompromis realist dhe ishte skeptik për pavarësi të menjëhershme [30].
Disa diplomatë në terren ishin më autonomistë, ndërsa qarqe në Washington ishin më të hapura që plani të shihej si urë drejt pavarësisë [31].
Refuzimi i Serbisë dhe nënshkrimi i delegacionit shqiptar bënë që Rambujeja të shërbente si bazë ligjore e NATO-s për ndërhyrje.
Ë). Qëndrimi i Serbisë në 1998–1999
Serbia e konsideronte UÇK-në si organizatë “terroriste” dhe bënte fushatë diplomatike për të ndikuar Perëndimin. Në OKB, Beogradi argumentonte për mosndërhyrje; në OSBE pranoi verifikuesit vetëm për të fituar kohë; në Rambuje refuzoi çdo prani të NATO-s dhe çdo institucion shtetëror për shqiptarët [32][33][34].
F). Qëndrimi aktual i Serbisë (2024–2025)
Serbia vazhdon ta përshkruajë UÇK-në në terma negativë dhe të përdorë propagandën për ta delegjitimuar:
Aleksandar Vučić ka deklaruar se Serbia nuk do të njohë Kosovën në kufijtë e saj aktualë dhe ka kritikuar përfshirjen e ish-pjesëtarëve të UÇK-së në ekipet negociatore të Kosovës [35][36].
Në 2025, ai foli për “fushatë të organizuar për shpërnguljen e serbëve nga Kosova”, duke e lidhur situatën me trashëgiminë e UÇK-së [37].
Serbia përdor diplomacinë në OKB, BE dhe me Rusinë/Kinën për të mbajtur mosnjohjen e Kosovës dhe për të përhapur narrativën e saj. Mediat pro-qeveritare vazhdojnë të prodhojnë dezinformacion, shpesh duke akuzuar UÇK-në për krime masive pa prova të verifikueshme [38][39].
G) . NATO dhe UÇK: bashkërendim de facto
Operacioni i NATO-s (Allied Force) ishte një fushatë ajrore (mars–qershor 1999). UÇK vepronte në tokë, duke kontribuar indirekt në objektivat e NATO-s, por nuk është konsideruar e integrua direkt si “forcë tokësore e NATO-s[40][41][42].
Por, Gjenerali, W. Clark, ish Komandant i NATO-s mendon ndryshe nga Rubini dhe ka thënë: “ Në historinë 50 vjeçare të NATO-s është hera e parë që një strukturë ushtarake si Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) të kryej detyrën si forcë tokësore e NATO-s.” por këtë deklaratë të gjeneralit Clark nuk e marrin si një konfirmim zyrtar.
Gj). Implikimet juridike në Hagë
Përgjegjësia e komandës kërkon prova për kontroll efektiv mbi autorët e akuzuar për krime [43][44].
Thaçi, ishte përfaqësues politik, dhe autoriteti komandues ushtarak i takonte shtabit të përgjithshem. Kjo është pika kyçe e mbrojtjes së tij [45].
Prokuroria duhet të provojë ose ai kishte kontroll real komandues të plotë mbi forcat ushtarake ose që ishte pjesë e një ndërveprimi të përbashkët kriminal për të cilen akuzohet së bashku të kater ato, mungesa e provimit të këtyre dy pistave,nënkupton të kundërten. (JCE) [46][47].
I). Qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së për gjendjen politike aktuale në Kosovë
Pas zgjedhjes së kryeparlamentarit, por jo të nënkryetarit serb, SHBA pezulloi Dialogun Strategjik me Kosovën, duke e lidhur me rritjen e tensioneve dhe mosfunksionalizimin e institucioneve.[48] [49]
BE e përshëndeti hapin, por paralajmëroi se Kuvendi mbetet i paplotë pa përfaqësimin e komuniteteve dhe se polarizimi dëmton dialogun dhe rrugën evropiane të Kosovës.[50],]51].
I). PËRFUNDIM:
UÇK evoluoi nga një lëvizje guerile në një forcë të organizuar me 7 zona operative, secila me shtabin e vet dhe të lidhura me një Shtab të Përgjithshëm. Paralelisht, ekzistonte një Drejtori Politike, e udhëhequr nga Hashim Thaçi, që përfaqësonte UÇK-në në arenën ndërkombëtare.
Për një periudhë të shkurtër (1998–1999), Adem Demaçi mbajti rolin e përfaqësuesit politik, derisa dha dorëheqje para Rambujesë.Bashkë me dorëheqjen Demaçit u largua dhe sekretari dhe këshilltari i tij politik Kurti.
Debatet në Rambuje treguan se edhe brenda diplomacisë amerikane ekzistonin dallime mbi çështjen e autonomisë apo pavarësisë së Kosovës, ndërsa Serbia përdori propagandën dhe diplomacinë për ta delegjitimuar UÇK-në atëherë dhe vazhdon ta bëjë edhe sot. Çdo kryengritje zakonisht fillon me lëvizje guerile, zgjerohet me elementë vullnetarë ushtarakë mbi bazë njohjeje, besimi dhe sigurie, me qëllim parandalimin e infiltrimit të armikut, dhe arrin deri në organizimin e plotë ushtarak – siç ndodhi me UÇK-në gjatë gjithë kësaj periudhe. Kështu bëhet e domosdoshme lindja e një institucioni politik nëse ai nuk ekziston më parë. Në rastin e UÇK-së, përfaqësimi politik u themelua pas krijimit të Shtabit të Përgjithshëm dhe u shfaq në arenën publike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ndërsa ana ushtarake nuk mund të ekspozohej drejtpërdrejt. Prej këtu lindi orientimi politik dhe direktivat, ndërsa hallkat ushtarake të zinxhirit komandues rridhnin nga Shtabi i Përgjithshëm. Për shkak të kushteve dhe të shpërndarjes së UÇK-së sipas drejtimeve operative dhe sistemit të komandimit të shtabeve operative, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së luante rol koordinues në konceptin operacional-strategjik, pasi grupimet operative gëzonin një autonomi të madhe.
Në luftë, siç ka treguar historia, mund të ndodhin edhe abuzime nga individë të ndryshëm, pasi është e vështirë të kontrollohen të gjitha forcat në një zonë kaq të gjerë dhe të shpërndarë. Megjithatë, duke marrë parasysh përvojat e luftërave të shkuara dhe ato që po shohim sot, të cilat shpesh shoqërohen me krime masive dhe me liderë politikë të shpallur në kërkim nga gjykatat ndërkombëtare pa u ndalur ende, duhet theksuar një e vërtetë e qartë:
Veprimet e Serbisë në atë kohë përbënin gjenocid dhe përfshinin vrasje, bastisje, djegie banesash, përdhunime, varre masive, hedhje kufomash të shqiptarëve në lumenj dhe zhdukje me mijëra personash që rezultojnë ende të humbur. Në të kundërt, ndonjë rast sporadik i ndodhur nga eksponentë të veçantë të UÇK-së – apo edhe i inskenuar nga vetë forcat serbe me qëllim inkriminimin e saj – nuk mund të krahasohet me përmasat e krimeve serbe.
Për këtë arsye, lufta e UÇK-së duhet konsideruar si një nga luftërat më të pastra të këtij shekulli. Burimi i kësaj qëndron te kodi moral dhe traditat e lashta të popullit shqiptar, i cili nuk përdhunon, nuk vret të pafajshëm, nuk dhunon gra, fëmijë apo pleq, siç ka bërë ushtria dhe paramilitarët serbë.
Këtë duhet ta ketë parasysh e gjithë bota – dhe jo më pak gjykatat ndërkombëtare që merren me këtë çështje.
Në gjendjen aktuale të politikës dhe krijimit të institucioneve të Kosovës SHBA pezulloi Dialogun Strategjik për shkak të tensioneve politike.
BE kërkoi funksionalizim të plotë të Kuvendit. Të dyja palët kushtëzojnë përparimin e Kosovës me stabilitet institucional.
___
Shenim:
Nr.1: Kaq e pashë të arsyeshme të trajtoj në këtë
artikull, sipas mundësive informative,analizuese e përgjithësuese që janë publikuar kohë pas kohë ndër vite.
Nr.2: Për hollësi të mëtejshme mund t’i drejtoheni direkt anëtarit të Shtabit të Përgjithshme të UÇK Kolonelit Z. DILAVER GOXHAJ i cili kishte rolin e Zevendës Komandantit dhe shefit të shtabit të përgjithshëm të UÇK dhe koordinatorit me forcat ushtarake ajrore të NATOS.
Ky herë pas here ka dhënë intervista në TV e media,dhe ka shkruar libra e artikuj në gazeta e rrjete sociale në internet.
Ky ushtarak aktiv si edhe kolegë të tjerë të tij, i ka përjetuar nga afer problemet dhe është në dijeni të shumë ngjarjeve të asaj kohe.Dhe besoj se është i gatshëm nëse mundësitë ja lejojnë.
Shenim Nr. 2: Ketë artikull mund t’a ripublikoni pa problem por duke ruajtur të drejtën e autorit…!
N/kolonel Kol Marku-Itali
17 Shtator 2025
___________________
FUSNOTA/ BIBLOGRAFI:
1. Reuters, “Ex-diplomat says Thaci lacked control over KLA,” Sept. 15, 2025.
2. AP News, “Kosovo’s ex-president ‘was not in charge’ during war,” Sept. 15, 2025.
3. Prishtina Insight, “KLA Had ‘No Military Structure’, US Ex-Diplomat Rubin Tells Thaci Trial,” Sept. 17, 2025.
4. Kosovo Specialist Chambers, Case Information Sheet: Thaçi et al., 2023.
5. RFE/RL, “War Crimes Trial of Former Kosovo President Hits Milestone,” Apr. 15, 2025.
6. KSC, “Hashim Thaçi et al.” – Case Overview.
7. Reuters, “Kosovo war crimes court begins trial of ex-guerrilla chief,” Apr. 2023.
8. BICC, Brief 20: Wag the Dog – The Mobilisation and Demobilisation of the KLA (2001).
9. ICTY, Haradinaj et al., Trial Chamber Judgment, Nov. 2012.
10. International Crisis Group, What Happened to the KLA? (2000).
11. Human Rights Watch, Under Orders: War Crimes in Kosovo (2001).
12. Tim Judah, Kosovo: War and Revenge (2000).
13. HRW, Under Orders, kapitulli mbi ZO Shalë.
14. Miranda Vickers, Between Serb and Albanian: A History of Kosovo (2000).
15. Noel Malcolm, Kosovo: A Short History (2002).
16. HRW, Under Orders, seksionet mbi organizimin.
17. ICTY, Haradinaj et al., dëshmi mbi raportimin në SP.
18. Tim Judah, Kosovo: War and Revenge, biografia e Agim Çekut.
19. BICC, Brief 20, organika e SP.
20. ICG, What Happened to the KLA?, 2000.
21. HRW, Under Orders, pjesa mbi rolin politik.
22. BICC, Brief 20, seksioni mbi diasporën.
23. Tim Judah, Kosovo: War and Revenge, kapitulli mbi Rambujenë.
24. ICG, What Happened to the KLA?, seksioni mbi Adem Demaçin.
25. Noel Malcolm, Kosovo: A Short History (2002), fq. 341–343.
26. Miranda Vickers, Between Serb and Albanian (2000), kapitulli mbi Rambujenë.
27. International Crisis Group, Kosovo: The Road to War (1999).
28. Miranda Vickers, Between Serb and Albanian (2000), fq. 300–305.
29. Madeleine Albright, Madam Secretary (2003), kapitulli mbi Kosovën.
30. Chris Hill, intervistë në PBS Frontline (2000).
31. Tim Judah, Kosovo: War and Revenge (2000), fq. 187–190.
32. Yugoslav Government, White Book on Terrorism in Kosovo (Belgrade, 1998).
33. OSCE, Kosovo/KVM Final Report (Vienna, 1999).
34. Marc Weller, The Crisis in Kosovo 1989–1999 (Cambridge, 1999), fq. 490–498.
35. Reporteri.net, “Vučić: Nuk ka njohje të Kosovës në kufijtë aktualë,” Mar. 2024.
36. Indeksonline, “Vučić: Ekipi negociator i Kosovës me ish-pjesëtarë të UÇK-së është pengesë,” Apr. 2024.
37. Kosovo-Online, “The West’s Loud Silence on the Expulsion of Serbs…,” May 29, 2025.
38. RSF, “Raša Nedeljkov: Serbian citizens are victims of a deep, ongoing propaganda campaign,” 2024.
39. VOA News, “Report Focuses Attention on Serbia’s Spread of Russian Propaganda,” 2024.
40. RAND, NATO’s Air War for Kosovo (2001).
41. UK Parliament, Research Paper 99/34 (1999).
42. ICRC Review, Peter Rowe, “Kosovo 1999: The Air Campaign” (2000).
43. ICTY, Čelebići, Appeal Judgment (2001).
44. ICTY, Hadžihasanović & Kubura, Judgment (2006).
45. KSC, dosjet e mbrojtjes në Thaçi et al. (2023–2025).
46. ICTY, Tadić, Judgment (1999).
47. Bigi, G., “Joint Criminal Enterprise in the Jurisprudence of the ICTY,” Max Planck Yearbook of United Nations Law (2010).
48. Associated Press, “US suspends talks with Kosovo and blames the caretaker government for rising tensions,” September 12, 2025.
49. European Western Balkans, “Kosovo Assembly elects Speaker, clears way for government formation,” August 26, 2025.
50 EU EOM, Final Report: Kosovo Parliamentary Elections 9 February 2025, Brussels: European Union Election Observation Mission, 2025.
51.EU EOM, Final Report: Kosovo Parliamentary Elections 9 February 2025, Brussels: European Union Election Observation Mission, 2025.

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 19/09/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk