UJQIT ME KATËR E ME DY KËMBË

20
Sep
2025
Shkruan: Dilaver Goxhaj


(e ripunuar)
Të gjithë ne shqiptarët e lindurit në fshat gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1945), si dhe në dhjetëvjeçarin e parë të pasçlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit e huaj, sot jemi që të gjithë gjyshër. Ne jemi brezi, që fëmijërinë e kemi kaluar gjithë ankth dhe, për fatin tonë të keq, po me ankth po e kalojmë edhe moshën e tretë, pleqërinë e thellë.
Lind pyetja: Pse?
Dihet se 86% e popullsisë e asaj periudhe kohore jetonte në fshat. Dhe se aktiviteti krysor ekonomik i fshatarësisë së viteve ’40-të e ’50-të të asaj periudhe ishte blegtoria dhe, së dyti bujqësia. Ende nuk ishin krijuar kooperativat bujqësore në të gjitha fshatrat. Por edhe në ato fshatra që ishin krijuar, ato ishin të tipit artel, kështu që çdo familje kooperativiste kishte jo më pak se 20 bagëri të imta,(dele dhe dhi) dhe dy lopë. Kështu që, baza kryesore e jetesës së fshatarit ishte blegtoria, pavarësisht se të gjithë fshatarët ishin bërë pronarë të barabartë me tokë, si rrjedhojë e reformës agrare e viteve 29 gusht 1945 – 17 nëntor 1946. Por edhe gjatë periudhës së kooperativave të tipit artel, vijonte tradita që bagëtitë e oborrit familjar ruheshin bazë fshati, duke pasur bari të veçantë për delet, për dhitë dhe lopët, të cilat barinjtë përkatës i merrnin në mëngjes dhe i kthenin në fshat në mbrëmje.
Sikundër dihet, gjatë atyre dy dekadave të para të pasçlirimit, dimërat ishin shumë të ftohtë e të ashpër; bora fillonte të binte në muajin Nëntor e shkrihej në muajt Mars – Prill. I gjithë ky brez jemi dëshmitarë se, me kalimn e dekadave, ekosistemi ka ardhur gjithnji duke u ngushtuar dimri, prandaj dhe sot nuk ka dimëra aq të gjatë e aq të ashpër sa në ata vite. Duke qenë se periudhat dimërore ishin jo vetëm të gjata por edhe të ashpra, kjo bënte që edhe egërsirat, sidomos ujqit, si rrjedhojë e urisë, të afroheshin gjithnjë e më shumë pranë kopeve të dhive e të deleve, duke i sulmuar ato, të cilat kullosnin disi larg qëndrës së banuar, në përshtatje me kullotat e secilit fshat. Ka pas edhe jo pak raste që ujqit hynin edhe gjatë netëve brenda nëpër fshatra për të rrëmbyer bagëti të fshatarëve, por, falë armatosjes së popullit, nuk arrinin ta realizonin qëllimin. Ata sulme të përditëshme nga ujqit patën bërë që të gjitha familjet fshatare të ishin në merak derisa të ktheheshin në mbrëmje bagëtitë nga kullota me bariun përkatës.
Ngaqë kjo frikë ishte e përhershme, në orarin që ktheheshin delet dhe dhitë, instiktivisht ne fëmijët delnim në hyrje të fshatit dhe, duke qëndruar në anë të rrugës, secili numëronte delet ose dhitë e veta, nëse ishin kthyer të gjitha apo jo. Meraku ishte se mos ujku kish ngrënë ose lavosur ndonjë prej tyre. Dhe kur konstatonim se të gjitha bagëtitë ishin kthyer, e shprehnim gëzimin duke thirrur: “Urraaa! Erdhën të gjitha! Ujku nuk ka rrëmbyer asnjë!”
Ndërkohë që në qytete, edhe pse kishte mungesë godina për shkollë, dhe fëmijët e shkollave fillore e 8-vjeçare mësimi detyroheshin të bëhej me dy turne, dhe nuk kishte asnjë lloj pasigurie jete për ta; madje, fëmijëve u vareshin çelsat e shtëpisë në qafë, të sigurtë se nuk do u ndodhte asgjë, ngaqë sigurinë e jetës së popullit kish marrë përsipër shteti.
Kjo siguri ishte deri në kalimin e Shqipërisë në rendin “demokratik” pluralist.
Po do të pyesë lexuesi: Mirë fëmijërinë, gjithë ky brez i fshatit i atyre dy dekadave e kaloi gjithë ankth, po pleqërinë pse me ankth?
Sepse ata ish-fëmijë të lindur e rritur në fshat në vitet ’40-të e ’50-të, si mbaruan shkollat, gradualsht krijuan famile në qytete ngaqë kish nevojë për krahë pune, pasi u ngritën të gjitha llojet e industrive, dhe pas vitit 1990 janë bërë gjyshër me shumë nipa e mbesa. Njëkohësisht shpërtheu emigracioni masiv; si rrjedhojë, popullsia e fshatit është reduktua, nga 63,9% që ishte në vitin 1990,(sipas vjetarit statistikor 1990), ka zbritur në më pak se 45% e popullsisë, ku mbi 50% e tyre janë 65 vjeç e lart, ndërkohë në Tiranë jeton 32% e gjithë popullsisë, (sipas Censit të publikuar më 28 qershor 2024).
Si rrjedhojë, gjithkujt që i ka ndodhur të kaloi në ditët e sotme para shkollave fillore publike por edhe private, në të gjithë qytetet, veçanërisht në Tiranë, në orët e mesditës e veçanërisht të mbrëmjes, do të shohë prindër e gjyshër (ose dado) që presin para hyrjes së oborreve të atyre shkollave, duke pritur daljen nga shkolla të nipave e të mbesave.
Po do pyesni: Pse “veçanërisht në mbrëmje?”
Sepse bashkia e Tiranës, por edhe qeveria, nga viti në vit deklarojnë se kanë zgjeruar apo ndërtuar kaq e aq shkolla të reja; por megjithatë, nxënësit e klasave të para fillore (nga I – V), shkojnë në shumicën e tyre në shkollë në pasdite, kur lirohen klasat nga nxënësit e klasave e VI deri tek e IX,dhe dalin nga shkolla pas orës 19.00. Po prindërit që kanë dy e më shumë fëmijë me diferencë 1,2, apo 3 vjetë, kush do t’ua shoqëroi fëmijët me turne, apo Bashkia ka vendosur që çiftet martesore të mos kenë më shumë se një fëmijë? Më e arsyeshme do të ishte që turni i dytë shkollor të jetë për nxënësit e klasave të 6-ta e lart.
Mirëpo, këta gjyshërit e sotëm, që popullojnë hyrjet e shkollave sa herë që çojnë dhe marrin nipat e mbesat, janë ata që e kaluan fëmijërinë me ankthin e ujqëve me 4(katër) këmbë. Prandaj, gati, sa fëmijë janë në shkollë, aq gjyshër ose dado presin para shkollës në orën e fundit të klasave fillore të pasdites. Në kohën që bie zilja e mbarimit të orës së fundit, të gjithë këta gjyshër, apo dado, i drejtojnë sytë nga hyrja e godinës së shkollës, duke pritur me ankth, se a doli nipi a mbesa e tyre nga klasa.
Pse ekziston, vallë, kjo lloj frike?
Sepse ata jemi dëshmitarë të ndodhive të herë-pas-hershme të krimeve të ndryshëm, që kanë ndodhur e ndodhin në epokën e “demokracisë” pluraliste. Jemi dëshmitarë të faktit se në të gjitha emisionet e lajmeve, çdo ditë fillojnë e mbarojnë me arrestime për grabitje, vrasje, keqtrajtime të të miturve, aksidente nëpër rrugët e qytetit nga mjetet e dëndura motorrike, (vetura e motorra), ku shumica e drejtuesve të tyre përdorin drogë dhe lëvizim me shpejtësi maramendëse, prandaj edhe u heqin shuarsen e zhurmës (marmitën), por që kanë dalë edhe monopatinat elektrike që nuk kanë kufizime shpejtësie; por ka pas raste kanë ndodhur edhe rrëmbime fëmijësh, ndërkohë që nuk sheh asnjë polic në rrugët e qytetit. Prezenca e policit me uniform nëpër rrugët e qytetit i frenon keqbërësit. Njëkohësisht, ujqit me dy këmbë janë trimëruar edhe ngaqë popullsia është e pa armatosur. Dimë që, me të ardhur në pushtet PD-ja, ish-Presidenti Berisha dha urdhër që as kuadrot ushtarake të mos e mbajnë me vete armën e brezit, gjë që prej atëhere janë trimëruar keqbërësit me dy këmbë.
Deria pak kohë më parë ekzistonte shprehja: “Që kur doli pjepri, e nxorri në ankand kastravecin”, tash është zëvendësuar me shprehjen: “Që kur doli droga, kanë dalë në ankand vera dhe rakia”, pasi droga ka filluar të përdoret gjerësisht nga të gjitha strukturat njerëzore, duke filluarv nga nxënesit e shkollave të mesme e lart.
Pra, atëherë kur këta gjyshër ishin fëmijë, ankthin e kishin për rrëmbimin e bagëtive, nga frika e ekzistencës së ujkut me 4(katër) këmbë; sot ai ankth është prej frikës së grabitjeve, vjedhjes së banesave, aksidenteve rrugore nëpër rrugët brenda qytetit, apo aksidentimi apo rrëmbimi i fëmijve nga ujqit e droguar me 2(dy) këmbë.
Atëherë, këta gjyshër, kur ishin fëmijë, numërimin e ethshëm të bagëtive e bënin në prag të mbrëmjes; ndërsa sot verifikimin e ethshëm të daljes nga shkolla të nipit a mbesës, e bëjnë jo vetëm në mbrëmje, por edhe për t’i shoqëruar për vajtje dhe kthim nga shkolla! Dhe kjo ngaqë ujqit me dy këmbë që “fshihen” në qytete, ndërsa në vitet ’40-të e ’50-të ujqit me 4(katër) këmbë fshiheshin në pyje. Në ato vite ujkut me 4(katër) këmbë futej në qendrën e banuar vetëm natën, pasi i trembëj armëve që kish populli; ndërsa sot, ujqit me 2(dy) këmbë e dinë që prindërit, gjyshërit, (por dhe dadot), nuk kanë armë prandaj veprojnë pa frikë si ditën dhe natën; armët i kanë vëtëm ujqit me 2(dy) këmbë, gjë që pasqyrohet nga dita në ditë me aksidente e vrasje në shumë qytete.
Si rrjedhojë e krijimit të kësaj psikoze, nën ndikimin e këtyre ngjarjeve e dukurive të mësipërme, natyrisht ka bërë që edhe vetë fëmijët ta urrejnë shkollën dhe kundërshtojnë të shkojnë; ndoshta edhe prindërit e tyre të ndihen të pasigurtë dhe nuk i detyrojnë fëmijët me forcë që të shkojnë në shkollë, gjë që reflektohet në rritjen e përvitshme të analfabetizmit.
Dalim në këtë përfundim, pasi statistikat shtetërore tregojnë se sot, në Shqipërinë “demokratike” pluraliste të këtyre 35 viteve, numërohen 44 mijë (44.000) analfabetë, edhe pse gati 50% e popullsisë ka emigruar!, (https://albeu.com/lajme/njhuni-me-nivelin-e-analfabetizmit-në-Shqipëri).
Dhe, natyrshëm lind pyetja: Si është e mundur që të ekzistojë ANALFABETIZMI në Shqipëri, ku në Kushtetutën e Republikës sonë, në Neni 57, pika 2, thuhet: “Arsimi shkollor i detyrueshëm caktohet me ligj.”? Mos vallë moszbatimi ikëtij detyri Kushtetues neglizhohet nga prindërit, veçanërisht nga institucionet shtetërore përkatëse, si rrjedhojë e shfrytëzimit prej tyre të Nenit 18. Pika 2., ku thuhet: “Askush nuk mund të DISKRIMINOHET padrejtësisht për shkaqe të tilla si gjinia, raca,. . . . ., gjendja ekonomike, ARSIMORE….”?
Këtë pyetje na e përforcon edhe fakti i dhënë ditët e para të fillim-vitit shkollor 2025-2026 nga Ministria e Arsimit, se në 5 vitet e fundit përllogariten 115 mijë nxënës më pak!
Mos vallë ky rezultat i analfabetizmit në rritje dhe i pakësimit të regjistrimeve të nxënësve në të gjithë nivelevet shkollore të arsimit, të jetë si rezultat i ekzistencës së pasigurisë të jetës për fëmijët, ngaqë prindërit e tyre nuk kanë mundësi financiare të paguajnë kujdestarë (dado), duke menduar që, për siguri, fëmijën edhe mund të mos e dërgojnë në shkollë deri sat ë bëhen zotër të vetes, ose ikin bashkë me fëmijët në emigracion, duke e urryer edhe ata arsimimin e këtushëm?
Madje, ndryshe nga ujqit me 4 (katër) këmbë, ekziston edhe një veçori tjetër e ujqërve me 2 (dy) këmbë. Këta me 2(dy) këmbë e njohin këtë lloj pasigurie, si dhe i druhen edhe njeri-tjetrit, prandaj fëmijët e tyre i çojnë ose në shkolla private, pasi e kanë të lartë gjendjen financiare ose jashtë Shqipërisë.
Këto dukuri negative që përmendëm më lartë, nuk ekzistonin në epoken e “diktaturës” Enveriste, sepse pushtetarin e fshatit e të qytetit, në të gjithë Republikën Socialiste i zgjidhnin vetë banorët e fshatit e të qtetit dhe jo edhe “Shpirtrat e vdekur” (sipas shkrimtarit rus N. Gogol). Sot pushtetarët e të gjithë niveleve, në shumicën e tyre, është lënë të kuptohet se kryesisht zgjidhen prej ujqërve me 2(dy) këmbë, për mos të thënë se mund të ndodhë që të zgjidhen edhe vetë këta ujqër në të gjithë nivelet e pushtetit. Prandaj, jo më kot, fabulisti Gjikë Kurtiqi shkruan:
KUR SHOH SE Ç’BËN NJË DEPUTET,
NJË FUNKSIONAR PUSHTETI,
PËR UJKUN QË KAM SHARË, ME DET,
MË RRITET SOT RESPEKTI.
NË FABULA, TY MIKU IM UJK,
TË KAM GODITUR RËNDË…
MË UJK SE TI ËSHTË PADYSHIM
SOT “UJKU” ME DY KAMBË !
JA PSE AI BREZ PO E KALON PLEQËRINË
ME ANKTH SI DIKUR FËMIJËRINË.
Shënim: jo më kot Bibla përmban 13 referenca për ujqërit, si metafora për lakmi dhe destruktivitet.
Tiranë, 8.2.2019

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 20/09/2025

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk