URIME DITËN E PAVARËSISË!

29
Nov
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti


Festoni, gëzoni dhe uroni, por mos harroni:
28 Nëntori është Dita e Pavarësisë së Shqipërisë, që festohet dhe urohet edhe si Dita e Flamurit, në trojet etnike të mbetura jashtë territorit të Shqipërisë aktuale dhe në Mërgatë.
Urimi i kësaj feste vetëm si Dita e Flamurit e zbeh kuptimin e urimeve tuaja për këtë festë, nëse nuk përmendet Dita e Pavarësisë!
Kjo datë e shenjtë për kombin shqiptar shënon ditën e shpalljes së Pavarësisë dhe ngritjen e Flamurit të Pavarësisë, nuk nënkupton ndonjë festë të veçantë vetëm të Flamurit tonë kombëtar.
Urimet tona, kishtu siç është bërë traditë, vetëm si Dita e Flamurit nuk nënkuptojnë edhe Ditën e Pavarësisë, pa e përmenduar atë.
Siç duket, të huajit, miqtë e kombit shqiptar dhe të Shqipërisë, më saktë dhe më drejtë ua urojnë shqiptarëve festën e tyre se sa vetë shqiptarët njëri-tjetrit.
Shqiptarët dhe flamuri ynë janë më të lashtët në Evropë. Shqiptarët ndër shekuj kanë pasur edhe shtete edhe flamur të tyre, ndërsa data e 28 Nëntorit në Vlorë, apo e 27 Nëntorit në Durrës, nënkuptojnë Ditën e Pavarësisë së Shqipërisë, të dalë nga sundimi i huaj pesëshekullor nën sundimin e Perandorisë Osmane, në radhë të parë, krahas asaj edhe Ditën e Flamurit, më saktë, të Flamurit të Pavarësisë.
Shqiptarët sot janë mjaft të pjekur politikisht dhe kombëtarisht, sa të mos e ngatërrojnë PLISIN me KOKËN, por t’i ruajnë bashkë, sikurse edhe Pavarësinë dhe simbolin e saj – Flamurin kombëtar!
Flamuri është simbol kombëtar i identitetit, simbol i Lirisë dhe Pavarësisë, dhe me rastin e urimit të festës së madhe kombëtare të Pavarësisë së shtetit, duhet të përmendet bashkë me Pavarësinë, si simbol i saj, jo vetëm dhe ndaras nga Pavarësia e Shtetit.
Flamuri është simbol i shenjtë i identitetit tonë kombëtar, që e zbukuron festën e Pavarësisë, e rrit dhe ruan krenarinë e shqiptarëve kudo që janë, në Atdheun e lirë, në trojet etnike aktualisht nën sundime të huaja dhe në Mërgatën shqiptare kudo në botë.
Por, të mos ishin 28 Nëntorët e Lirisë dhe Pavarësisë, 1443 dhe 1912, sot ndoshta do të ishin harruar Flamuri dhe identiteti ynë kombëtar, kështu siç i kemi sot.
Ka ende në botë shumë popuj, që kanë flamujt e tyre kombëtarë, simbolet e identitetit, por nuk kanë shtetet e tyre, si të tillë, disa janë zhdukur dhe të tjerët janë në rrezik të përhershëm të zhduken nga faqja e dheut.
Por, nuk ka popull as shtet në botë, që Ditën e Pavarësisë e shënojnë si Dita e flamurit të tyre!
Mos i eufemizoni vlerat jetike të kombit, siç janë Shteti dhe Pavarësia e tij! Flamuri në këtë festë përmendet me shkas, si Flamuri i Pavarësisë, për Ditën e Pavarësisë, që nuk nënkupton ditë të veçantë feste e Flamurit.
Flamuri shqiptar ka valuar gjithmonë në trojet etnike, edhe jashtë territorit administrativ të Shqipërisë aktuale, në Kosovë, Maqedoni dhe në viset tjera, por populli shqiptar nuk ka qenë i lirë, sepse nuk ka jetuar në Shtetin e tij, siç e ka sot Republikën e Kosovës dhe siç do të ketë një ditë shtete edhe në viset tjera shqiptare. Reflektoni! Pse u desh gjithë ajo luftë dhe sakrificë për liri, për Shtetin e Pavarur të Kosovës?!
Ta duam Lirinë e ta bëjmë Shtetin, se flamurin nuk na heq nga dora e zemra askush pa na dalë shpirti!
Mos e harroni Pavarësinë, Lirinë kombëtare dhe Shtetin!
Rroftë Shqipëria, në të gjitha trojet etnike historike të saj!
Qoftë i bekuar Kombi shqiptar dhe Flamuri kuqezi!
(28 Nëntor, 2023)
Në fotografi: legjenda e rezistencës kombëtare kundër sundimeve të huaja, Rahim Nezir Voka, i cili ka ndërruar jetë para disa ditëve, si shumë shqiptarë të tjerë në këto anë, e deshi dhe jetoi me flamurin kombëtar 85 vjet, por gjithë jetën e sakrifikoi për shtetin e munguar në trojet e veta etnike, për Shqipërinë!

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 29/11/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk