STUDIM SHKENCOR
©Të gjitha të drejtat të rezervuara. Nuk lejohet kopjimi por vetem shpërndarja me të drejtën e autorit.
“ Histori, sovranitet, fe dhe diplomaci: krahasimi me Vatikanin dhe Urdhrin Sovran të Maltës.”
INFO : gjendja deri më 20 gusht 2026.
*****
Propozimi për krijimin e një “Shteti Sovran të Urdhrit Bektashi” brenda Tiranës përbën një nga nismat më të pazakonta politike, fetare dhe juridike të Shqipërisë pas vitit 1990.
Çështja fitoi dimension ndërkombëtar më 22 shtator 2024, kur kryeministri Edi Rama, në “Summit of the Future” të OKB-së në Nju Jork, deklaroi publikisht mbështetjen e Shqipërisë për transformimin e Qendrës Botërore të Urdhrit Bektashi në një entitet sovran brenda kryeqytetit, të konceptuar si qendër e moderimit, tolerancës dhe bashkëjetesës paqësore.
Dokumenti zyrtar i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme e konfirmon shprehimisht këtë formulim.
Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj – Baba Mondi, e ka mbështetur projektin, por deklarimet e tij tregojnë se objektivi kryesor është edhe më i gjerë: sigurimi i një statusi ndërkombëtar dhe diplomatik për Kryegjyshatën Botërore Bektashiane.
Në mars 2026 ai deklaronte se forma përfundimtare mund të ishte “shtet”, “mini-shtet” ose një lloj “Urdhri”, ndërsa vendimi përfundimtar do t’i takonte shtetit shqiptar.
Kjo e bën të domosdoshëm krahasimin jo vetëm me Vatikanin, siç është bërë më së shumti në debatin publik, por edhe me Urdhrin Sovran të Maltës.
Studimi juridik i profesorit Jaime Bonet Navarro, Universiteti i Valencias, botuar më 27 korrik 2026, e vendos pikërisht çështjen Bektashi përballë këtyre dy precedentëve historikë dhe juridikë.
1. Historia e shkurtër e Bektashizmit: nga Anadolli drejt Ballkanit
Bektashizmi është një urdhër mistik sufi i Islamit, i formuar në mjedisin fetar dhe kulturor të Anadollit mesjetar. Tradita e lidh emrin e tij me Haxhi Bektash Veliun, figurë e shekullit XIII, ndërsa organizimi institucional i urdhrit mori formë më të qartë në shekujt pasues.
Encyclopaedia Iranica e vendos origjinën e lëvizjes në Anadollin e shekullit XIII dhe thekson rolin vendimtar të Balım Sulltanit, vdekur më 1519, në sistemimin e hierarkisë dhe ritualeve të Urdhrit.
Një nga faktorët kryesorë të fuqizimit të Bektashizmit ishte marrëdhënia e tij historike me jeniçerët osmanë. Nëpërmjet ushtrisë osmane, teqe dhe bashkësi bektashiane u përhapën në shumë pjesë të Ballkanit.
Pikërisht kjo lidhje u kthye më vonë në burim persekutimi. Kur sulltan Mahmuti II shpërndau trupën e jeniçerëve në vitin 1826, Urdhri Bektashi u ndalua gjithashtu; teqe u mbyllën ose iu kaluan urdhrave të tjerë dhe shumë drejtues bektashianë u persekutuan.
2. Si u bë Shqipëria qendra botërore e Bektashizmit?
Prania e Bektashizmit në trojet shqiptare është shumë më e hershme se krijimi i shtetit shqiptar.
Encyclopaedia Iranica vlerëson se Bektashizmi mund të ketë hyrë në Shqipëri që në shekullin XV, ndërsa ishte vendosur fuqishëm deri në fillim të shekullit XVIII.
Gjatë shekullit XIX, në një kohë kur Urdhri persekutohej në pjesë të Anadollit, hapësira shqiptare u bë një nga bazat e tij më të rëndësishme ballkanike.
Antropologu shqiptar Albert Doja, në studimin e tij A Political History of Bektashism in Albania, ka analizuar mënyrën se si Bektashizmi në Shqipëri fitoi jo vetëm rol fetar, por edhe dimension shoqëror, kulturor dhe kombëtar gjatë shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX.
Pika vendimtare erdhi në vitin 1925, kur Republika e re e Turqisë mbylli me ligj teqetë dhe urdhrat e dervishëve.
Pas këtij zhvillimi, udhëheqja ndërkombëtare bektashiane u zhvendos drejt Shqipërisë, e cila ishte bërë ndër qendrat më të fuqishme të Urdhrit në Ballkan.
Encyclopaedia Iranica e konfirmon shprehimisht se pas shpërndarjes zyrtare të urdhrave sufistë në Turqi më 1925, udhëheqja zyrtare e Bektashizmit u transferua në Shqipëri.
Në 1930, nën drejtimin e Sali Njazi Dedes, Tirana u konsolidua si selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Kështu duhet kuptuar edhe projekti aktual i Baba Mondit: ai nuk synon të krijojë në Tiranë një qendër fetare nga zero; synon t’i japë status ndërkombëtar politik dhe juridik një qendre fetare botërore që ndodhet në Shqipëri prej afro një shekulli.
Gjatë regjimit komunist kjo vazhdimësi u ndërpre rëndë. Në vitin 1967, regjimi i Enver Hoxhës ndaloi të gjitha institucionet dhe praktikat fetare, përfshirë Urdhrin Bektashi. Pas rënies së komunizmit, Kryegjyshata rifilloi aktivitetin dhe Tirana u rikthye si qendra kryesore institucionale ndërkombëtare e degës bektashiane të drejtuar prej saj.
Ky zhvillim historik është thelbësor:projekti lind nga fakti se qendra botërore e kësaj tradite fetare është vendosur tashmë historikisht në Tiranë.
3. Nga Kryegjyshata fetare te ideja e sovranitetit
Më 22 shtator 2024 Edi Rama e ngriti statusin e kësaj çështjeje nga debat kombëtar në projekt ndërkombëtar.
Në fjalimin e tij në OKB ai e përshkroi synimin si transformim të Qendrës Botërore të Urdhrit Bektashi në:
“a Sovereign State within our capital Tirana”, me funksionin e një qendre të re “moderimi, tolerance dhe bashkëjetese paqësore”.
Duhet theksuar megjithatë se deklarata politike dhe krijimi juridik i shtetit janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Edhe studimi më i ri akademik i korrikut 2026 e trajton ende çështjen si një projekt që duhet të zgjidhë probleme të ndërlikuara të së drejtës kushtetuese shqiptare dhe të së drejtës ndërkombëtare, jo si një shtet tashmë të krijuar.
4. Historia e Vatikanit: një sovranitet që nuk filloi më 1929
Krahasimi me Vatikanin duhet bërë me shumë kujdes historik. Selia e Shenjtë dhe Shteti i Qytetit të Vatikanit nuk janë juridikisht e njëjta gjë.
Autoriteti politik territorial i papëve u konsolidua në Mesjetë nëpërmjet Shteteve Papnore, të cilat nga shekulli VIII deri në shekullin XIX kontrolluan pjesë të konsiderueshme të Italisë Qendrore. Me procesin e bashkimit të Italisë territoret papnore u reduktuan dhe, në 1870, Roma u mor nga Mbretëria e Italisë, duke i dhënë fund pushtetit territorial klasik papnor.
Por kjo nuk e zhduku Selinë e Shenjtë si subjekt ndërkombëtar. Burimet zyrtare të Vatikanit tregojnë se nga 1870 deri më 1929, ndonëse Shteti i Qytetit të Vatikanit nuk ekzistonte, Selia e Shenjtë vazhdoi të mbante marrëdhënie diplomatike me shtete të tjera, të dërgonte dhe të pranonte përfaqësues diplomatikë dhe të vepronte në planin ndërkombëtar.
Pas gati gjashtë dekadash të të ashtuquajturës “Çështja Romake”, më 11 shkurt 1929 Selia e Shenjtë dhe Mbretëria e Italisë nënshkruan Traktatin e Lateranit.
Ky traktat krijoi Shtetin e Qytetit të Vatikanit dhe Italia njohu pronësinë dhe sovranitetin ekskluziv të Selisë së Shenjtë mbi territorin e tij. Vetë dokumentacioni zyrtar i Vatikanit shpjegon se shteti territorial u krijua për të garantuar pavarësinë e Selisë së Shenjtë nga çdo pushtet tjetër.
Ky është dallimi themelor me projektin Bektashi:
Vatikani i vitit 1929 nuk krijoi nga zero personalitetin ndërkombëtar të Selisë së Shenjtë; ai i dha një bazë territoriale sovrane një autoriteti fetar që prej shekujsh kishte vepruar ndërkombëtarisht dhe që kishte ushtruar më parë edhe sovranitet territorial.
Kryegjyshata Botërore Bektashiane nuk ka një histori të tillë sovraniteti shtetëror dhe as një vazhdimësi shumë-shekullore të marrëdhënieve diplomatike ndërkombëtare të krahasueshme me Selinë e Shenjtë.
Prandaj formula “ta bëjmë si Vatikani” është politikisht e kuptueshme, por juridikisht vetëm pjesërisht e krahasueshme.
5. Historia e Urdhrit Sovran të Maltës,Jerusalemi, Rodosi, Malta dhe Roma.
Precedenti i dytë është në disa drejtime edhe më interesant.
Urdhri që sot quhet zyrtarisht Sovereign Military Hospitaller Order of St John of Jerusalem, of Rhodes and of Malta e ka origjinën në Jerusalemin e shekullit XI. Sipas dokumentacionit historik zyrtar të Urdhrit, komuniteti i Hospitalierëve të Shën Gjonit u formua në Tokën e Shenjtë në gjysmën e dytë të shekullit XI për të ndihmuar të sëmurët dhe pelegrinët.
Më 15 shkurt 1113, Papa Paskali II, me bullën Pie Postulatio Voluntatis, e njohu Urdhrin dhe i garantoi të drejtën për të zgjedhur eprorët e vet pa ndërhyrje të jashtme.
Pas humbjes së Tokës së Shenjtë, selia u zhvendos në Qipro më 1291, e më pas në Rodos, ku Urdhri vendosi selinë e tij në vitin 1310. Në Rodos, Urdhri ushtronte tipare të qarta shtetërore: kishte administratë, forca ushtarake, flotë, monedhë dhe marrëdhënie diplomatike.
Pas pushtimit osman të Rodosit, kalorësit u larguan në vitin 1523. Në 1530, Perandori Karli V u dha atyre ishullin e Maltës, me miratimin e Papa Klementit VII.
Urdhri sundoi Maltën deri më 1798, kur Napoleoni pushtoi ishullin gjatë ekspeditës së tij drejt Egjiptit.
Pas disa dekadash pa territor, Urdhri u vendos përfundimisht në Romë më 1834. Që atëherë ai nuk është më një shtet territorial në kuptimin tradicional, por ka ruajtur një status të veçantë ndërkombëtar dhe institucional.
Sot Urdhri i Maltës e cilëson veten subjekt sovran të së drejtës ndërkombëtare, mban marrëdhënie diplomatike me mbi njëqind shtete dhe Bashkimin Evropian dhe ka status vëzhguesi të përhershëm pranë Kombeve të Bashkuara.
Selitë e tij kryesore ndodhen në Romë dhe gëzojnë privilegje ekstraterritoriale sipas marrëdhënieve me Italinë.
Pikërisht këtu gjendet precedenti që mund të jetë më i rëndësishëm për Baba Mondin.
6. Bektashi – Vatikan – Urdhri i Maltës: cili precedent është më i afërt?
Në pamje të parë projekti Bektashi duket më afër Vatikanit, sepse propozohet krijimi i një territori shumë të vogël sovran brenda kryeqytetit të një shteti tjetër.
Por kur analiza kalon nga territori te personaliteti juridik ndërkombëtar, situata ndryshon.
Vatikani është shtet territorial, por ai është ndërtuar mbi vazhdimësinë shumë-shekullore të Selisë së Shenjtë, e cila kishte personalitet ndërkombëtar edhe kur nuk kishte territor midis 1870 dhe 1929.
Urdhri i Maltës, në anën tjetër, është shembulli i një urdhri fetar që ka ushtruar historikisht sovranitet territorial, por sot vazhdon të ketë marrëdhënie diplomatike dhe personalitet ndërkombëtar pa zotëruar një shtet territorial klasik.
Kryegjyshata Bektashiane ndryshon nga të dyja. Ajo ka një traditë fetare shumë-shekullore, por nuk ka ushtruar historikisht sovranitet territorial të njohur si shtet dhe nuk ka pasur deri tani një rrjet historik marrëdhëniesh diplomatike si Selia e Shenjtë apo Urdhri i Maltës.
Profesori Jaime Bonet Navarro e identifikon pikërisht këtë si problemin juridik qendror: si mund të krijohet personalitet ndërkombëtar për një ent fetar i cili nuk e ka zotëruar më parë atë?
Studimi i tij analizon Vatikanin dhe Urdhrin e Maltës si precedentë, por nuk i konsideron analogji të plota.
Për këtë arsye, nëse qëllimi kryesor i Baba Mondit është statusi diplomatik ndërkombëtar, një zgjidhje e ngjashme funksionalisht me Urdhrin e Maltës mund të ishte më e realizueshme juridikisht se krijimi i një shteti territorial plotësisht të pavarur.
7. Pengesa kryesore kushtetuese
Kushtetuta shqiptare është problemi i parë.Një rast i tillë nuk gjendet në të drejtën ndërkombëtare, por as në vetë Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.
Neni 1, pika 2, përcakton:
“Republika e Shqipërisë është shtet unitar dhe i pandashëm.”
Ndërsa neni 3 vendos ndër bazat e shtetit pavarësinë dhe tërësinë territoriale të Republikës.
Nëse territori i Kryegjyshatës do të shkëputej nga sovraniteti shqiptar dhe do të shndërrohej realisht në territor të një shteti tjetër, kjo do të kërkonte një ndërhyrje të nivelit kushtetues.
Neni 177 përcakton se ndryshimet kushtetuese miratohen me jo më pak se dy të tretat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit.[18]
Në një Kuvend me 140 deputetë kjo do të thotë të paktën 94 vota.
Prandaj një “Shtet Bektashi” territorial nuk mund të krijohet thjesht me vendim të qeverisë ose me një ligj të zakonshëm.
8. Sovraniteti nuk është vetëm territorial.
Në debatin publik shpesh sovraniteti reduktohet te pyetja: “Sa hektarë do t’i jepen Bektashinjve?”
Por kjo është vetëm një pjesë e problemit.
Një shtet sovran duhet të ketë të përcaktuara çështje të tilla si juridiksioni, shtetësia, administrata, marrëdhëniet ndërkombëtare, dokumentet e udhëtimit, sistemi i drejtësisë, kontrolli territorial dhe raporti juridik me shtetin që e rrethon.
Në rastin e Vatikanit, këto marrëdhënie u përcaktuan me Traktatin e Lateranit.
Në rastin e Urdhrit të Maltës, kemi një subjekt ndërkombëtar sui generis me histori shumë-shekullore të sovranitetit dhe njohjes diplomatike.
Në rastin Bektashi, pothuajse e gjithë kjo arkitekturë do të duhej të ndërtohej për herë të parë.
Kjo është arsyeja pse problemi nuk mbaron me votën e Kuvendit shqiptar.
9. Shqipëria mund ta krijojë, por nuk mund ta detyrojë botën ta njohë
Edhe nëse Shqipëria do të ndryshonte Kushtetutën dhe do ta njihte entitetin Bektashi si sovran, do të fillonte faza e dytë: njohja ndërkombëtare.
Shqipëria mund të përcaktojë marrëdhëniet e veta me entitetin e ri, por nuk mund t’i detyrojë Italinë, Shtetet e Bashkuara, Francën, Turqinë, Gjermaninë ose shtete të tjera që ta njohin.
Njohja do të kishte pasoja të drejtpërdrejta për pasaportat, vizat, imunitetet diplomatike, marrëveshjet ndërkombëtare, përfaqësitë jashtë vendit dhe eventualisht marrëdhëniet me organizatat ndërkombëtare.
Këtu modeli i Urdhrit të Maltës është veçanërisht instruktiv: statusi i tij aktual është rezultat i një vazhdimësie historike dhe diplomacie shumë-shekullore, jo rezultat i një deklarate të njëanshme.
10. Dimensioni fetar dhe barazia ndërmjet komuniteteve
Projekti duhet analizuar edhe në raport me modelin shqiptar të bashkëjetesës fetare.
Shqipëria nuk ka një fe shtetërore dhe ka ndërtuar marrëdhënie institucionale me komunitetet fetare nëpërmjet marrëveshjeve të veçanta.
Kjo përfshin edhe marrëveshjen ndërmjet shtetit shqiptar dhe Kryegjyshatës Botërore Bektashiane.
Problemi lind nëse një komuniteti i jepet jo vetëm autonomi fetare, por sovranitet shtetëror.
Atëherë duhet shpjeguar juridikisht pse ky privilegj nuk përbën diskriminim ndaj komuniteteve të tjera fetare dhe si pajtohet me neutralitetin e shtetit.
Kjo çështje është veçanërisht delikate sepse toleranca fetare është vetë një nga argumentet kryesore që Rama përdor në mbështetje të projektit.
Paradoksi është i dukshëm: projekti synon të promovojë harmoninë ndërfetare, por realizimi i tij duhet të garantojë që të mos prodhojë privilegj juridik fetar dhe përçarje të reja.
11. Sa Bektashinj ka në Shqipëri?
Edhe këtu kërkohet saktësi.
Sipas Censusit shqiptar të vitit 2023, 115,644 persona u deklaruan Bektashinj, ose rreth 4.8% e popullsisë banuese. Kjo është shifra zyrtare dhe duhet përdorur me përparësi ndaj shifrës “10% e shqiptarëve” që është përsëritur në disa media ndërkombëtare.
Megjithatë, shteti i propozuar nuk konceptohet si shtet kombëtar i të gjithë Bektashinjve shqiptarë. Sipas modelit të diskutuar publikisht, shtetësia do të ishte shumë e kufizuar dhe e lidhur kryesisht me klerin dhe administratën e institucionit.
Pra, 115 mijë Bektashinjtë e Shqipërisë nuk do të “shkëputeshin” nga Republika e Shqipërisë.Nëse ky minishtet nësë do të krijohej do t’u bënte privilegje politike diplomatike apo financiare besimtarve të vet, kjo do të prishte ekuilibrat midis besimeve dhe do të krijonte probleme.
12. Dimensioni gjeopolitik
Nisma ka edhe një dimension të qartë të soft power-it shqiptar.
Shqipëria mund të synojë të pozicionojë Tiranën si një qendër ndërkombëtare të Islamit mistik, tolerant dhe europian, duke krijuar një instrument të ri diplomacie fetare në marrëdhëniet me Evropën, SHBA-në, Lindjen e Mesme dhe komunitetet myslimane.
Në këtë këndvështrim, Baba Mondi nuk do të ishte vetëm drejtues fetar shqiptar, por një aktor me status ndërkombëtar.
Kjo mund të rrisë peshën simbolike të Shqipërisë shumë përtej madhësisë së saj.
Por pikërisht për këtë arsye këtij projekti duhet t’i kushtohet kujdes. Nëse perceptohet si instrument shtetëror për privilegjimin e një tradite të caktuar islame ndaj të tjerave, mund të prodhojë efektin e kundërt nga ai i synuar
13. Çfarë na mëson krahasimi historik?
Historia e tre institucioneve na çon në tre modele të ndryshme.
Modeli Bektashi: traditë fetare e lindur në Anadollin mesjetar, e përhapur në Ballkan, e fuqizuar në Shqipëri dhe me qendër botërore në Tiranë që nga shekulli XX, por pa histori të mëparshme shtetësie territoriale ose diplomacie sovrane.
Modeli i Selisë së Shenjtë/Vatikanit: autoritet fetar me histori mijëra vjeçare, me sovranitet territorial shumë-shekullor në Shtetet Papnore dhe me personalitet diplomatik ndërkombëtar që vazhdoi edhe gjatë humbjes së territorit nga 1870 deri në 1929; Vatikani u pranua më 1929 për të garantuar territorialisht një sovranitet që ekzistonte tashmë.
Modeli i Urdhrit të Maltës: urdhër fetar i krijuar në Jerusalem, i njohur më 1113, që ushtroi më vonë sovranitet territorial në Rodos dhe Maltë; pas humbjes së Maltës më 1798 ruajti vazhdimësi institucionale dhe sot ushtron personalitet të veçantë ndërkombëtar pa një territor shtetëror klasik.
Kjo analizë tregon se projekti Bektashi nuk është identik me asnjërin precedent.
Nëse krijohet territor sovran, ai do t’i afrohej strukturës së Vatikanit.
Nëse Kryegjyshata fiton status diplomatik dhe subjektivitet ndërkombëtar pa shkëputje të plotë territoriale, precedenti funksionalisht më i afërt do të ishte Urdhri Sovran i Maltës.
14. Çfarë do të fitonte Shqipëria?
Nëse projekti menaxhohej me sukses, Shqipëria mund të fitonte një instrument të pazakontë të soft power-it ndërkombëtar.
Tirana do të bëhej selia e një qendre fetare sovrane me ambicie globale.
Vizitat e udhëheqësve fetarë dhe shtetërorë mund ta shndërronin kompleksin në një qendër dialogu ndërfetar.
Mund të rritej turizmi fetar dhe kulturor.
Mund të organizoheshin konferenca ndërkombëtare për dialogun ndërfetar, paqen, tolerancën dhe ekstremizmin.
Shqipëria do të mund ta përdorte ekzistencën e tij si simbol të modelit tradicional shqiptar të bashkëjetesës fetare.
Në këtë kuptim një territor prej vetëm disa hektarësh mund të prodhonte ndikim simbolik shumë më të madh se sipërfaqja e tij fizike.
14. Por Shqipëria do të merrte edhe përgjegjësi të përhershme
Krijimi i një shteti brenda Tiranës nuk është një akt që përfundon në ditën e shpalljes.
Shqipëria do të kishte një kufi ndërkombëtar të ri brenda kryeqytetit të saj.
Do të duhej të rregullonte policinë, ekstradimin, doganat, taksat, transportin, energjinë, telekomunikacionin, pronën, zjarrfikëset dhe emergjencat.
Duhet të përcaktohej se çfarë ndodh nëse një person kryen krim në territorin Bektashi dhe largohet 50 metra më tej në territor shqiptar.
Duhet të përcaktohej se çfarë ndodh kur një shtetas i huaj hyn në Shqipëri për të vizituar Shtetin Bektashi.
Duhet të përcaktoheshin imunitetet e diplomatëve.
Pra disa hektarë territor mund të prodhojnë qindra çështje juridike.
15. Rreziku kryesor: një “zonë gri” juridike
Skenari më problematik do të ishte një shtet që shpallet sovran, por pa përcaktuar qartë se kush ka kompetencë.
Një territor nuk mund të jetë njëkohësisht:
sovran kur kërkon imunitet;
shqiptar kur kërkon polici;
jashtë Shqipërisë kur kërkon përjashtim nga taksat;
dhe brenda Shqipërisë kur kërkon shërbime publike.
Prandaj krijimi duhet të bazohet jo vetëm mbi një ligj shqiptar, por mbi një Traktat Themelor Shqipëri-Shteti Bektashi, analog në funksion me Traktatin e Lateranit.
Ai duhet të ndajë me saktësi çdo kompetencë.
16. Rreziku financiar
Një territor sovran pa taksa mund të krijojë menjëherë interes nga kompani dhe individë që nuk kanë lidhje me Bektashizmin.
Prandaj shteti duhet të ndalojë:
regjistrimin masiv të kompanive offshore; bankat anonime; kompanitë guaskë; shitjen e shtetësisë; shitjen e pasaportave; dhe fshehjen e pronarëve realë të kapitaleve.
Përndryshe një projekt që lind si simbol fetar dhe diplomatik mund të transformohej në problem për reputacionin financiar të Shqipërisë.
Ky rrezik bëhet edhe më i rëndësishëm sepse Shqipëria ndodhet në një fazë shumë të avancuar të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
17. Çështja e Bashkimit Evropian
Deri në korrik 2026 Shqipëria ka hapur të 33 kapitujt negociues me BE-në dhe më 14 korrik 2026 mbylli përkohësisht tre të parët: shkencën dhe kërkimin, arsimin dhe kulturën dhe marrëdhëniet e jashtme.
Në maj 2026 BE-ja kishte konfirmuar gjithashtu përmbushjen e standardeve të ndërmjetme të grupkapitullit të themeleve, që përfshin drejtësinë, të drejtat themelore dhe drejtësinë, lirinë e sigurinë.
Krijimi i një territori të ri sovran brenda Tiranës nuk do të thotë automatikisht pengim të integrimit.
Por BE-ja do të kërkonte të kuptonte saktësisht:
kufirin e territorit; regjimin doganor; lëvizjen e personave; standardet financiare; luftën kundër pastrimit të parave; juridiksionin penal; dhe marrëdhëniet ndërkombëtare të entitetit.
Prandaj çështja mund të prekte drejtpërdrejt kapituj që lidhen me drejtësinë, sigurinë, doganat, financat dhe marrëdhëniet e jashtme.
26. Një paradoks i rëndësishëm juridik
Rama e ka përshkruar projektin si një shtet që nuk do të cenonte sovranitetin e Shqipërisë.
Nëse kemi të bëjmë me një shtet realisht sovran territorial, atëherë mbi atë territor Shqipëria nuk do të ushtronte më sovranitetin e plotë.
Kjo nuk do të thotë se sovraniteti shqiptar “cenohet” në kuptimin e një pushtimi.
Nëse bëhet me vullnetin e Shqipërisë, kemi një transferim të miratuar të kompetencave territoriale, jo një cenim të dhunshëm të tyre.
Por kjo duhet thënë qartë juridikisht.
Nëse Shqipëria ruan sovranitetin territorial të plotë, atëherë juridikisht nuk kemi një shtet të ri të tipit Vatikan.
Kemi një entitet fetar me privilegje sovrane ose ekstraterritoriale më të ngjashëm me Urdhrin e Maltës.
Ky është dallimi vendimtar.
Dhe kjo do të nënkuptonte privilegjimin e një komuniteti fetar mbi një tjetër. Në vend që ta forconte bashkëjetesën fetare, një veprim i tillë mund ta cenonte atë, sepse ekuilibri ndërfetar në Shqipëri ka qenë një nga shtyllat themelore mbi të cilat është ndërtuar dhe mbajtur shteti kombëtar shqiptar.
Shqipëria, ndryshe nga disa prej vendeve fqinje, u formua si shtet kombëtar në kushtet e ekzistencës së disa besimeve fetare. Në vende të tjera të rajonit, ku një besim ishte dukshëm mbizotërues, feja mund të vendosej më lehtë në qendër të identitetit kombëtar. Në rastin shqiptar, një model i tillë do të ishte i pamundur dhe njëkohësisht i rrezikshëm, sepse privilegjimi i një feje do të rrezikonte të linte jashtë konceptit të kombit pjesën tjetër të shqiptarëve që i përkisnin besimeve të tjera.
Pikërisht këtu qëndron edhe largpamësia e Rilindësve tanë, e përmbledhur në formulën e famshme: “Feja e shqiptarit është Shqiptaria.” Thelbi i kësaj ideje nuk ishte mohimi i fesë, por vendosja e përkatësisë kombëtare mbi ndarjet fetare, duke garantuar barazinë, respektin e ndërsjellë dhe bashkëjetesën ndërmjet besimeve.
Ky ekuilibër fetar, për të cilin sot udhëheqësit shqiptarë flasin me krenari edhe në forumet evropiane dhe ndërkombëtare, nuk është krijuar rastësisht dhe as brenda pak dekadash. Ai është farkëtuar gjatë shekujve përmes përvojës historike, bashkëjetesës dhe vetëdijes se uniteti kombëtar nuk mund të ndërtohej mbi epërsinë e një besimi ndaj një tjetri.
Prandaj, çdo ndryshim politik, institucional apo juridik që prek marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve fetare duhet të trajtohet me kujdes të jashtëzakonshëm. Ruajtja e baraspeshës ndërfetare nuk është vetëm çështje tolerance fetare; ajo është edhe çështje e kohezionit shoqëror, e barazisë qytetare dhe e vetë stabilitetit të shtetit shqiptar.Komunitetet e tjera fetare nuk mund të lihen dorjashtë në një vendim të tillë që nuk mund të jetë vetem politik por dhe juridik moral dhe shpirtëror.
27). Përfundime të përgjithshme
Projekti i Baba Mondit dhe Edi Ramës për një “Shtet Sovran të Urdhrit Bektashi” nuk duhet trajtuar as si fantazi politike, as si shtet tashmë i krijuar.
Ai është një projekt real politik dhe juridik, i shpallur zyrtarisht në OKB, por që deri në gusht 2026 mbetet ende në fazën e konceptimit dhe debatit juridik.
Studimi akademik më i ri, i botuar më 27 korrik 2026, vazhdon ta trajtojë pikërisht si problem të hapur të së drejtës kushtetuese dhe ndërkombëtare.
Historia e Bektashizmit i jep projektit një bazë reale: Shqipëria është prej afro një shekulli selia e Kryegjyshatës Botërore Bektashiane dhe Bektashizmi ka rrënjë shumë më të hershme në historinë shqiptare.
Por historia e Vatikanit tregon se sovraniteti nuk krijohet vetëm duke ndarë një copë territor. Selia e Shenjtë kishte shekuj autoriteti politik dhe diplomatik përpara Traktatit të Lateranit.
Historia e Urdhrit të Maltës tregon diçka tjetër po aq të rëndësishme: personaliteti ndërkombëtar nuk është domosdoshmërisht i kushtëzuar nga zotërimi i një territori shtetëror klasik, por kërkon vazhdimësi historike, njohje dhe marrëdhënie diplomatike.
Për këtë arsye, në planin juridik, mund të rezultojë më realist një model në të cilin Kryegjyshatës Botërore Bektashiane i jepet një status ndërkombëtar dhe diplomatik sui generis, me garanci të posaçme nga Republika e Shqipërisë, sesa krijimi i menjëhershëm i një shteti të ri territorial tërësisht sovran.
Nëse, përkundrazi, synimi mbetet krijimi i një shteti territorial të mirëfilltë, atëherë duhen kaluar të paktën katër porta të mëdha:
Kushtetuta shqiptare – marrëveshja e sovranitetit – njohja ndërkombëtare dhe dakortësinë e besimeve të tjera fetare.
Pa të parën, shteti nuk mund të krijohet ligjërisht brenda Shqipërisë.
Pa të dytën, nuk mund të përcaktohet se ku mbaron juridiksioni shqiptar dhe ku fillon ai Bektashi.
Pa të tretën, “sovraniteti” do të mbetej kryesisht deklarativ.
Pa të katërten do të vendosej shtylla kurrizore e bashkëjetesës së besimeve fetare në Shqiperi.
Prandaj pyetja historike dhe juridike nuk është vetëm:
“A mund të krijohet një Vatikan Bektashi në Tiranë?”
Pyetja më e saktë shkencërisht është:
“Çfarë forme të personalitetit juridik ndërkombëtar mund të fitojë Kryegjyshata Botërore Bektashiane pa cenuar rendin kushtetues, integritetin territorial dhe ekuilibrin fetar të Republikës së Shqipërisë?”
Kjo është pika ku historia e Bektashizmit, historia e Vatikanit dhe historia e Urdhrit të Maltës takohen realisht me problemin juridik, moral dhe shpirtëror të Shqipërisë së shekullit XXI.
____
Shënime/Burimet
1). Council of Ministers / Ministry for Europe and Foreign Affairs of the Republic of Albania, “Summit of the Future: Prime Minister Rama: Multilateralism Is Not a Choice, but an Urgent Necessity,” New York, September 22, 2024.
2). Jaime Bonet Navarro, “Entità religiose e personalità giuridica internazionale. Il caso del Sovrano Stato dell’Ordine Bektashi,” Euro-Balkan Law and Economics Review, no. 2 (2026): 1–16, doi:10.15162/2612-6583/2625.
3). Hamid Algar, “Bektāšīya,” Encyclopaedia Iranica, vol. 4, fasc. 2 (1989), 118–122, updated June 24, 2015.
4). Algar, “Bektāšīya”; Albert Doja, “A Political History of Bektashism in Albania,” Totalitarian Movements and Political Religions 7, no. 1 (2006): 83–107, doi:10.1080/14690760500477919.
5). Algar, “Bektāšīya,” 118–122.
6). Albert Doja, “A Political History of Bektashism in Albania,” Totalitarian Movements and Political Religions 7, no. 1 (2006): 83–107; Albert Doja, Bektashizmi në Shqipëri: Histori Politike e një Lëvizjeje Fetare (Tiranë: AIIS Press, 2008).
7). Doja, Bektashizmi në Shqipëri; Algar, “Bektāšīya.”
😎. Ministry for Europe and Foreign Affairs of the Republic of Albania, “Summit of the Future,” September 22, 2024.
9). U.S. Department of State, “Holy See: Background Notes,” archived edition, 2012; Holy See, Secretariat of State, information on the Holy See and Vatican City State.
10). Holy See and Kingdom of Italy, Lateran Treaty, February 11, 1929; Vatican City State, “Origins and Characteristics.”
10). Sovereign Military Hospitaller Order of St. John of Jerusalem, of Rhodes and of Malta, “From the 11th Century to the Present Day,” official historical documentation.
11). Pope Paschal II, Pie Postulatio Voluntatis, February 15, 1113; Sovereign Order of Malta, “1113 Papal Recognition.”
12). Sovereign Order of Malta, “From the 11th Century to the Present Day,” sections “1291 Cyprus” and “1310 Rhodes.”
13). Ibid., sections “1530 Malta” and “1798 Difficult Years.”
14). Sovereign Military Order of Malta, “Mission” and “FAQ,” official documentation on diplomatic relations, sovereignty, international status and its seats in Rome.
15). Bonet Navarro, “Entità religiose e personalità giuridica internazionale,” 1–16.
Constitution of the Republic of Albania, arts. 1–3.
16). Constitution of the Republic of Albania, art. 177.
17). INSTAT, Census of Population and Housing 2023: Main Results (Tirana: Institute of Statistics, 2024), table on religious affiliation.


Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!
