VAZHDON ZHDUKJA E GJURMËVE ILIRE-DARDANE NË TROJET SHQIPTARE NË MAQEDONI

31
Aug
2023
Shkruan: Prof.Dr.Abdulla Mehmeti

/ Në Foto Akademik Abdulla Mehmeti , Mesut Shabani dhe Xhemil Zeqiri/
A k t u a l e

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

Siç kam paralajmëruar pesë vjet më parë, nga moskujdesi institucional ndaj trashëgimisë kulturore historike ilire-dardane të shqiptarëve në Maqedoni, vazhdon shkatërrimi dhe zhdukja e kësaj trashëgimie, para syve tanë, sot dhe këtu.
Për këtë rrasë varri monumental, e cila deri para pak kohe ka qenë në hyrjen e varrezave të katundit Debërcë, komuna e Zhelinës, Tetovë, jemi njoftuar se e njëjta më nuk gjendet në vendin e saj, ku ka qenë e vendosur, pas zbulimit të saj gjatë lëvrimit të tokës bujqësore në arat e këtij katundi (siç shihet nga fotografitë e publikuara në vitin 2018, por e njëjta është larguar prej aty në drejtim të panjohur për ne.
Për këtë arsye, sot kemi realizuar një vizitë në këtë vend, bashkë me shokë dhe kemi biseduar me banorë të këtij vendbanimi në lidhje me këtë vepër kriminale e vandalizmi ndaj trashëgimisë kulturore historike të banorëve të kësaj ane dhe jo vetëm.
Për hollësi të tjera do ta njoftojmë opinionin gjatë ditëve në vazhdim.
Me këtë rast, e përsëritim për të satën herë se, e kaluara jonë mund të mbrohet vetëm me kujdesin nga të gjithë banorët vendës për këtë, në mënyrë të veçantë nga studiuesit e fushës përkatëse, të cilët nuk duhet të punojnë e studiojnë vetëm në zyrat e tyre të punës dhe në kabinete, por duhet të jenë vazhdimisht në terren, për hulumtime dhe zbulime të reja, si edhe për mbrojtjen e asaj që është zbuluar dhe është e njohur deri më sot.
(31 gusht 2023)
Shkrimin tim të para 5 viteve mund ta rilexoni në vazhdim
KULTURA E LASHTË MATERIALE, PA PËRKUJDESJE INSTITUCIONALЕ
Një rrasë varri monumental me mbishkrim, siç duket është e një zyrtari të lartë nga periudha ilire-romake, edhe sot dergjet në natyrë të hapur në afërsi të qytetit të Tetovës.
Në bazë të hulumtimeve në terren, kjo rrasë varri me mbishkrim është e një zyrtari të lartë nga periudha e sundimit të perandorit më të madh të Romës, Augustit (Magnus Augusti, siç shkruan në këtë rrasë).
Në bazë të vendit ku ndodhet, ky varr mund t’i takojë periudhës së pushtimit Romak të këtyre viseve, nga shek. I e.s., por mund të jetë edhe nga periudha e sundimit të perandorit ilir-dardan Justiniani i Madh, mes viteve, por, sidoqoftë edhe sot dergjet në natyrë të hapur, e brejtur pamëshirshëm nga dhëmbi i kohës, jashtë kujdesit të studiuesve dhe institucioneve përkatëse.
Se për çfarë bëhet fjalë më saktë, këtë le ta thonë arkeologët dhe specialistët e shkrimeve të lashta. Ne mendojmë se kjo rrasë sipas mbishkrimit i takon një periudhe së paku 2000 vjet të lashtë.
Fat të ngjashëm kanë edhe shumë rrasa të tjera me mbishkrime, varreza monumentale, kështjella dhe vendbanime të periudhës antike dhe të mëvonshme, gjithandej në viset shqiptare në Maqedoni dhe në rajonin më të gjerë.
Por, hulumtimet e mëtejshme duhet të zhvillohen nën kujdes maksimal, që kjo rrasë dhe të ngjashmet të mos përfundojnë atje ku kanë përfunduar shumë të tjera më parë!
(10 korrik 2018)

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 31/08/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk