“VDEKJE FASHIZMIT – LIRI E POPULLIT!”

11
Jul
2023
Shkruan: Gjon Bruçi

Shkrimi i mëposhtëm i afishuar ne FB u botua më i zgjeruar ne gazetën SOT të datës 10 koriik 2023. Lexojeni.

Shqiptarët ndoqën këto ditë një video, ku një grup të rinjsh prej 7 a 8 vetë, me shkopa bejsbolli e kobure në dorë, u lëshuan mbi dy qytetarë, të cilët gjendeshin në një lokal buzë rrugës Fushë Krujë – Borizanë. Kërcënimi, me kobure dhe goditja me shkopinjtë e bejsbollit, mbi kurrizet e dy qytetarëve që gjendeshin në lokal, vijuan për disa minuta, gjersa viktimat u bënë për spital. Kjo ndodhi në mes të ditës, në sytë e klientëve të tjerë e të udhëtarëve që kalonin në afërsi të lokalit. Shkaku: një histori “guroresh” në zonën e Fushë-Krujës, të cilat shëmtojnë kodrat dhe shpatet e Malit të Skënderbeut, por njëherësh, me shpërthimet e minave për nxjerrjen e gurëve, vënë në rrezik banorët dhe shtëpitë e tyre ngritur në këtë zonë.
Realisht, në vitin e dytë të ardhjes në pushtet të qeverisë socialiste, vetë Kryeministri Rama, u zotua se guroret në këtë zonë do të anulloheshin. Por, siç e vertetoi edhe skandali më i fundit, zotimi i KM shkoi për “dhjamë qeni”. Plasjet e minave për sigurimin e gurëve të guroreve, vijuan t’i “përshëndesnin” banorët e zonës nga tri apo katër herë në javë, plasje që shoqërohen me mjegulla pluhuri dhe krisje të suvave apo mureve të shtëpive në afërsi të tyre.
Ankesa e përsëritur e banorëve, nuk kishte gjetur zgjidhje nga organet kompetente, ndaj për të vendosur përfundimisht “situatën”, në favor të guroreve dhe gurëve të tyre, skuadronet e pronarëve përkatës, si skuadronet naziskine të viteve ’30-të të Hitlerit e të Duxes, u hodhën në veprim, çka solli skandalin që “ksehasi” qytetarët, me pamjen e shëmtuar e makabre të skenës në fjalë.
Si ka mundësi që kjo skenë e ngjashme me skenat naziste të viteve ’30-të, ndodh sot në Shqipëri? Mos po na ringjallet nazifashizmi?
Personalisht, jo njëherë, nëpërmjet shkrimeve të mia modeste në shtyp, kam deklaruar se në vendin tonë po ringjallet nazifashizmi. Kjo video më bindi se kam patur të drejtë.
Nazifashizmi, “jo po ngjallet”, por është ngjallur dhe po instalohet në shoqëri, dhe në pushtet. Në aktivitetet përkujtimore të LANÇ, kur më është dhënë mundësia të flas, e kam mbyllur fjalën time më thirrjen luftarake të Partizanëve të kohës së luftës: ”VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT!” Dikush edhe ka qeshur me këtë “lajthitje” timen, por nëse ai “dikushi” sheh videon që ka filmuar ngjarjen në fjalë, do ta kuptojë se ka qeshur me pa të drejtë, dhe nëse është qytetar normal, sapo të shohë videon në fjalë, do të ngrejë grushtin lart, duke bërtitur: “VDEKJE FASHIZMIT – LIRI POPULLIT”
Sigurisht, çfaqje të tilla tek ne nuk janë origjinale. Ato i kemi kopjuar pikërisht nga Europa, tek e cila jemi nisur pë “verim”. Dhe në këtë drejtim, besoj se ia kemi arritur qëllimit. Them tek Europa, sepse prej këtij kontinenti, përveç zhvillimeve të jashtëzakonshme në fushën e shkencës, artit, kulturës dhe zhvillimit ekonomik, kemi patur dhe momente regresi të tmerrshme. Dy kasaphana botërore të kohëve moderne, kemi trashëgim nga kancelaritë e shteteve Europiane. Atë të fundit, luftën e dytë Botërore, ndonëse kanë kaluar 8 dekada, nuk guxojmë ta harrojmë. Në prag të kësaj lufte, komunisti i madh gjerman, Ernest Telman, lëshoi alarmin e rrezikut të nazizmit, por fatkeqësisht populli gjerman nuk e besoj. Dhe e vuajti gjer në palcë regjimin nazist të Hitlerit, për gati 10 vjet, pasojat e të cilit ende nuk janë tejkaluar. Madje këto “pasoja” po na afrohen.
Në vitin 2006, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, miratoi Rezolutën për dënimin e të ashtuquajturave “krime të komunizmit!”. Në prag të këtij miratimi, Kryetari i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi, i dërgoi letër publike personaliteteve të politikës, shkencës, artit, kulturës dhe institucioneve të shtetit shqiptar, ku midis të tjerave ai pati theksuar:
“Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, po ndërmerr me të vërtetë një kthesë të hapur fashiste, e që përbën një atentat tepër të rrezikshëm kundër popujve dhe të vërtetave të historisë Europiane e Botërore. Do të ishte në nderin tuaj si përfaqësues të kulturës e shkencës, qeverisë dhe shtetit shqiptar, të prononcoheshit publikisht, pro ose kundër këtij akti të shëmtuar dhe ogurzi, para popullit tuaj. Mendoj se ky është një obligim moral i detyrueshëm nga ana juaj, edhe thjeshtë për faktin se vitet e fundit është kthyer në kryefjalë integrimi i Shqipërisë në Europë. Popullit shqiptar duhet t’i bëhet e qartë se për cilën Europë është fjala: Europën e kthesave përparimtare, apo Europën e kthesave reaksionare e fashiste nëpërmjet projekt rezolutave si kjo me numër 1481, që është kryekëput një variant nazist” . . . “Pranimi i kësaj Projekt – Rezolute, do të thotë të pranosh me ndërgjegje ardhjen e fashizmit në pushtet, gjë që e provoi Europa në vitet 20-30-të, të shekullit të kaluar”.
Në vijim, poeti e komunisti Hysni Milloshi, në letrën publike shton: “Unë nuk po kërkoj që ju të këndoni “Mersejezën”, “Internacionalen”, apo “Në njërën dorë pushkën e në tjetrën kazmën”, sepse unë e di çfarë kënge i vjen për zemër një deputeti, një presidenti, apo një kryeministri të ditëve tona. Unë dua vetëm të përsëris e të ripërsëris se, po të këndohet kënga e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës sot, do të këndohen marshet fashiste nesër, të cilat do të buronin nga projekt – rezoluta në fjalë, prandaj normale është të pyetet se cila muzikë do të sundojë në Shqipërinë tonë”!
Fatkeqësisht liderët tanë të politikës, kulturës, shkencës e të shtetit, jo vetëm pranuan dhe e miratuan Rezolutën në fjalë, por edhe nisën të këndonin me zërin e tyre të çjerrë, marshet fashiste, “muzikë”, e cila nisi me ringjalljen e kolaboracionistëve të djeshëm të nazifashizmit, për të vijuar në terren me kobure e shkopa bejzbolli, kundër qytetarëve të lirë, që ngrenë zërin për të drejtat e tyre legjitime. Në këtë pikë, për fat të keq, vendi ynë, po i arrin disa nga “parametrat” që na kërkohen të anëtarësohemi politikisht në Bashkimin Europian, i cili, tashmë neofashizmin e ka bërë ortak edhe në organet legjislative, e madje edhe ekzekutive të kancelarive të disa shteteve anëtare.
Lufta ndërimperialiste në mesin e kontinentit, në Ukrahinë, është aplikimi konkret i neofashizmit. Kësaj radhe jo gjerman, por amerikano-rus, ish dy aktorët kryesorë, të cilët rreth 80 vite më parë, ndalën zjarrin që kishte ndezur mbi popujt e kontinentit e të Botës, nazisti Adolf Hitler.
Aktualisht, si për Europën dhe për vendin tonë të vogël, siptomat e neofashizmit janë të dukshme, çka bën të domosdoshme të kujtomë thënien e poetit antifashit çek, Julius Fuçik: “NJERËZ, JU KAM DASHUR; JINI VIGJILENT!”

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/07/2023

© 2016 - 2024 | DIPLOMACIA.dk