VETËM NJË NURËMBERG POPULLOR MUND TË SHPËTOJË SHQIPËRINË NGA GREMISJA!

11
Jul
2026
Shkruan: Gjon Bruçi

Retrospektivë:

Thank you for reading this post, don't forget to subscribe!

-Botuar në gazetën SOT, 10 nëntor 2023-
Nëse do të llogaritim me laps në dorë viktimat njerëzore dhe dëmet materiale që iu shkaktuan Shqipërisë gjatë “mandatit 33 vjeçar” të “demokracisë borgjeze”, me siguri shifrat do të na dalin shumë më të mëdha se dëmet e shkatuara gjatë pushtimeve të huaja.
Në harkun e 45 viteve të sistemit socialist, Shqipëria arriti tregues të jashtëzakonshëm në të gjitha fushat e jetës dhe veprimtarisë politike e social ekonomike. Në vitin 1990, kur u restaurua me tradhëti e dhunë sistemi kapitalist borgjez, vendi ynë zotëronte resurse të jashtëzakonshme njerëzore e materiale, që na patën rreshtuar denjësisht me vendet dhe shtetet e zhvilluara të rajonit e të kontinentit.
Por këto arritje të pashëmbullta në sasi, cilësi e kohë, që kishte arritur Shqipëria Socialiste, duheshin shembur gjer në themel, sepse përbënin një shembull të qartë e sinjifikativ, se si edhe një vend i vogël, si i yni, mund të ndërtonte, begatonte e jetonte me forcat e veta, duke përballuar me sukses, vorbullën e errët e vrastare të globalizmit e imperializmit.
Ishte pikërisht ky “objektiv” i antishqiptarizmit dhe reaksionit ndërkombëtar, i cili tre dekadat e fundit do t’i kthente në tre dekada krimi e korrupsioni të paparë, që e shembën dhe e shkatërruan plotësisht kalanë e vogël, por të pamposhtur buzë Adriatikut.
Midis gjithë kësaj skote shkatërruese, dy personazhe, do të mbeten historikisht më të spikaturat në veprën e tyre të zezë dhe antikombëtare: Sali Berisha dhe Edi Rama. I pari si shkatërrues i Shqipërisë, ndërsa i dyti si degjeneruesi i saj.
Berisha, në vitin 1991, me pishtar në dorë dhe në krye të skuadroneve naziskine të PD, mbështetur nga rajersonët dhe shokët e tij, i ra kryq e tërthor Shqipërisë, duke djegur e shkatërruar gjithçka ishte ngritur me mundin e djersën gjysëm shekullore të popullit. Pasuesi i tij Rama, ka përlarë kazmën për të zhbërë edhe themelet morale dhe fizike, jo vetëm të Shqipërisë Socialiste, por edhe të asaj etnike.
Vepra e zezë dhe antikombëtare e këtyre dy personazheve, shihet tashmë me sy të lirë nga çdo qytetar. Ajo duket në çdo sektor të jetës dhe të aktivitetit politik, ekonomik, social kulturor të shqiptarëve. Përgjysmimi i popullsisë; braktisja e vendit nga të rinjtë – forca vitale e shoqërisë; shkatërrimi i infrastrukturës industriale e bujqësore; shkatërrimi gjer në mjerim i sistemit të shëndetësisë; degjenerimi i arsimit dhe kultures; degjenerimi i familjes – celulës së shoqërisë; braktisja në masë e fshatrave nga banorët; acarimi i marrëdhënieve shoqërore midis klasave dhe shtresave shoqërore, si dhe midis brezave; përbaltja e vlerave kombëtare dhe zëvendësimi i tyre me antivlerat e një shtrese në kalbëzim; shitja të huajve e pasurive mbi e nëntokësore, e gjer tek dhënia e “ekstrateritorialeve” për vendosjen e refugjatëve nga Magrepi dhe Azia, që synojnë Europën, e plot të tjera, të cilat është e pamundur të rënditen në një shkrim gazete, janë “prodhim” i këtyre dy personazheve dhe klaneve që i pasojnë.
Sigurisht, këta dy personazhe antikombëtare, nuk kanë qenë e nuk janë vetëm. Me ta kanë qenë gjithë Kryeministrat dhe ministrat e qeverive, gjithë politikanët kryesorë të partive politike dhe pothuajse gjithë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë, që ose kanë heshtur për masakrën 33 vjeçare, ose kanë ngritur kartonat jeshilë në miratim të veprimeve antipopullore e antikombëtare të krerëve të politikës e të shtetit. E gjithë kjo elitë, së bashku me administratën e korruptuar shtetërore, kanë krijuar tashmë një piramidë korrupsioni, më të madhe se Piramida e Keopsit, ku në themel të saj nuk janë eshtrat e “Faraonit”, por “asetet e Korrupsionit”.
Është e vërtetë se prej disa vitesh, në vendin tonë, me ndihmën e ndërkombëtarëve, është ngritur e po vepron SPAK-u, por ritmi dhe cilësia e luftës së kësaj strukture len për të deshiruar. Ky ritëm e kjo cilësi e ulët, diktohet nga shumë rrethana subjektive, ligjore e politike, të cilat SPAK-u, kurrsesi nuk mund t’i kapërcejë, sepse e krijuar nga “shefat” e politikës dhe “mbështetësit” e tyre ndërkombëtarë, nuk mund të “godasë” gjer në majën e piramidës. Se kështu do të “godiste” vetë sistemin që pretendon se solli “demokracinë”.
Po, a ka ndonjë mënyrë për t’i shkuar problemit gjer në fund?
Sigurisht që ka një mënyrë: Shembulli i “Gjyqit të Nurëmbergut” që dënoi krimet nazifashiste gjatë L 2 B. Për Shqipërinë dhe popullin shqiptar, krimet e periudhës 33 vjeçare të “demokacisë” borgjeze në vendin tonë, janë njësoj, e madje edhe më të shumta se krimet e nazifashmit.
Piramida e stërmadhe e Krimit dhe Korrupsionit, e ngritur gjatë “mandatit 33 vjeçar” të “demokracisë borgjeze në vendin tonë, nuk mund të shembet plotësisht, nga asnjë lloj SPAK-u e asnjë lloj GJKKO-je. Ato kërkojnë një “Nuremberg” popullor, ku përveç prokurorëve dhe gjykatësve, të jenë të pranishëm qytetarë nga të gjitha shtresat e shoqërisë dhe nga të gjitha fushat e jetës politike, e socialekonomike të vendit.
Sigurisht ky “Nuremberg popullor” është i papranueshëm nga sistemi borgjez, sepse ai do t’i nxirrte sistemit në fjalë rrënjët e tij të ngjizuara në krimin dhe korrupsionin. Ndaj “Nurembergu popullor”, për të qenë i suksesshëm, duhet të mbështetet nga një lëvizje e fuqishme popullore. Vetëm në këtë mënyrë, Shqipëria jonë mund të shpëtojë nga gremisja në humnerën që i ka përgatitur elita jonë politiko-shtetare, e markës “Toptani!”

Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!

Kategoria:

Botuar: 11/07/2026

© 2016 - 2026 | DIPLOMACIA.dk