-Gazeta SOT, 24 Maj 2024-
Të mërkurën, datë 22 Maj 2024,, Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, Lordi David Cameron, vizitoi Shqipërinë. Në fund të vizitës së shkurtër, së bashku me Kryeministrin Edi Rama, dhanë një konferencë për mediat, ku folën për përpjekjet e përbashkëta për të luftuar emigracionin e paligjshëm si dhe projektet për avancimin e reformave të nisura dhe zhvillimin ekonomik të vendit tonë.
Cameron u ndal tek arritjet e Shqipërisë, teksa vuri sërish theksin tek reformat gjyqësore, për të cilat tha se Britania do të vijojë të ndihmojë. Për migracionin, tha ai, kemi një partneritet të arrirë dhe ë mrekullueshëm, sepse në të gjithë Europën, emigracioni i parregullt është një problem që haset tek të gjithë. Në rastin e Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, ju keni treguar që jeni novator e krijues, punoni për këto partneritete, dhe në saj të kësaj pune arrini rezultate të shkëlqyera. Në fund të fjalës së tij Sekretari Cameron, njoftoi për ndërtimin e Hekurudhës Durrës – Prishtinë, me sponsorizim të Mbtrerërisë së Bashkuar.
Për arsye të agjendës së tij të ngutshme, pas takimit me Kryeministrin Rama, dhe pas konferencës së përbashkët të shtypit, Cameroni u nis për Angli, duke ndërprerë takimet e tjera të planifikuara. Arsyet, u morën vesh shpejt: Anglia, në 4 korrik të këtij viti, shkon në zgjedhje të parakohshme. Ndaj i duhej tç shkonte sa më parë në mbledhjen e kabinetit qeveritar.
Por ajo që na intereson ne qytetarëve shqiptarë, ishte biseda dhe “projektmarrëveshja” e vërtetë e dy burrave, të shtetit Shqiptar e atij Anglez, e cila, vetëm me copra fjalësh të konferencës së shtypit, mbetet disi e errët. Tri ishin pikat kryesore të fjalës së Cameronit në konferencën e shtypit:
-Së pari: – Që Shqipëria kishte arritur rezultate sinjifikative në ekonomi, në turizëm, dhe sidomos në bashkëpunimin e frutshëm me BE e madje edhe me Këshilllin e Sigurimit, ku vendi ynë pati para do kohe edhe “karriken e tij të nderit”, ku u ul dhe drejtoi e ligjëroi mbledhjen e institucionit më të lartë të Globit, Kryeministri ynë karizmatik!
-Së dyti: – Njoftimi i papritur se Mbretëria e Bashkuar do të sponsorizojë Hekurudhën Durrës-Prishtinë, një ëndërr që nuk kemi guxuar ta shohim as natën, pa le ditën.
-Së treti: – Angazhimi i përbashkët i dy shteteve për disiplinimin e refugjatëve të paligjshëm që udhëtojnë me anije e gomone në mënyrë klandestine nga Shqipëria në Angli, angazhim që Shqipëria e ka realizuar më novatorizëm të mrekullueshëm . . .
Dy çeshtjet e para, ajo e “suskseseve sinjifikative” në ekonomi, turizëm, dhe reforma; veçanërisht “sponsorizimi i Hekurudhës gjigande, Durrës-Prishtinë, na e hapi gojën vesh më vesh nga kënaqësia. Ndërsa ajo puna e “bashkëpunimit për refugjatët”, na i uli veshët dhe hundën përtokë. Si do të jetë ky “bashkëpinim” me shtetin e madh në veri të Europës, për refugjatët e paligjshëm që shkojnë në ishullin e madhe me anije e gomone klandestine?!
Dyshimet e mia, për marrëveshjen e mundshme që mund të jetë përfolur, e kanë një bazë, madje një bazë të fortë dhe shekullore. Në të gjitha kohërat, Britania e Madhe ka qenë kundër interesave të Shqipërisë; të paktën që nga viti 1878 e gjer në vitin 1990. Sidomos periudha 1945 – 1990, ka qenë periudha më e egër në mardhëniet shtetërore midis Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Gjatë kësaj periudhë, jo vetëm nuk u hap drita jeshile për marrëdhënie diplomatike midis dy shteteve, por përkundrazi u shoqërua me grupe diversioniste që niseshin nga Anglia, apo shtete ku ajo kishte “institucionet” e veta, drejt Shqipërisë, për të ngritur shqiptarët në kryengritje kundër pushtetit, që ata vetë e kishin fituar me gjak e djersë gjatë luftës së përbashkët me botën përparimtare kundër boshtit nazisto-fashisto-militarist Berlin-Romë -Tokio.
Për fat të keq, që nuk arrij ta shpjegoj që, edhe në 34 vitet e tranzicionit “demokratik”, nga Mbretëria e Bashkuar, nuk është dukur në Shqipëri asnjë personalitet i madh shtetëror britanik. Përjashto periudhën pas luftës së Kosovës kundër gjenocidit serbo-sllav, kur në vendin tonë erdhi Toni Bler . . .
Në librin e tij “Rreziku anglo-amerikan për Shqipërinë”, Enver Hoxha, midis të tjerave ka thënë: “SHQIPËRIA – PALÇKË TREGU PËR “LUANIN” BRITANIK”! Kjo “histori” e vertetuar në të gjitha kohërat e vjetra e të reja, më bën të dyshoj në lëvdatat dhe dhuratat e britanikut Cameron. Këtë dyshim, po e përcjell me pyetjen retorike: Mos vallë, lëvdatat për sukseset tona gjer në Këshillin e Sigurimit, dhe premtimi për Hekurudhën Durrës – Prishtinë, lidhet me ndonjë “marrëveshje” si ajo e e Ramës me Melonin e Italisë?!
Se, liderët tanë politikë e shtetërorë, si puna e Ramës, Saliut, Metës, e ca të tjerë pas tyre, për një karrike qeveritare, janë gati ta kthejnë Shqipërinë në “Ruandën e Europës”!
Uroj të dalë ndryshe dhe “dyshimi” im të jetë i pavërtetë!
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!