(Me rastin e 78 vjetorit të Sh.M.U. “Skënderbej”)
Shkruan: Kolonel Dilaver Goxhaj
Në një prej intervistave, dhënë nga z.Sali Berisha, kur atij i është drejtuar pyetja: “Pse e mbyllët Shkollën e Mesme të Përgjithshme Ushtarake “Skënderbej?”, Ai dha afërsishtë këtë përgjigje: “Është anti humane t’i edukosh fëmijët në moshën e adoleshencës me një disiplinë të tillë spartane.”
Për fat të keq tonin, shumë intelektualë, politikanë të majtë e të djathtë, midis tyre dhe ushtarakë, e quajnë të drejtë këtë përgjigje të z.Berisha, duke harruar edhe vetë z.Berisha, se qeveria e partisë së tij, kur ai vetë ishte president, dërgoi një sasi të konsiderueshme adoleshentësh të vendit tonë në shkollat e mesme ushtarake në Turqi! Mirëpo, z.Berisha, si dhe të gjithë presidentët e kryeministrat pas tij, që kanë këtë mendim për shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”, nuk e dinë që këtë lloj shkolle e kanë pothuajse të gjithë shtetet, të mëdhenj e të vegjël? P.sh: SHBA ka 22 shkolla të tilla; Rusia – 9; Franca -6; Italia – 4; Turqia – 4; Anglia -3; Kanada – 1; Portugali – 1, etj. A mund të pranojmë se të gjithë këta shtete janë antihumanë, sikundër mendojnë e shprehen këta politikanët tanë të “gjithëdijshëm”?!
DOMOSDOSHMERIA
e shkollave të mesme ushtarake
është e lidhur organikisht me lindjen e elitave ushtarakkëve
Shkolla e Mesme e Arsimit të Pëgjithshëm Ushtarake nuk është thjesht edukim ushtarak, por, përmes metodologjisë, aktiviteteve dhe programeve moderne të mësimit, që ajo përdor, bëhet e mundur arritja e formimit të hierarkive të reja ushtarake, si dhe protagonistë të rinj të profesioneve jashtë fushës ushtarake, sikundër do ta sqarojmë më poshtë. Të paktë janë ata politikanë shqiptarë që të dinë rëndësinë që ka shkolla e mesme ushtarake, funksionin e saj jo vetëm në pranimin e kadetëve në akademitë e ndryshme ushtarake të vendit dhe të shteteve të tjera antare të NATO-s, por edhe në kërkesat specifike të profesionalizmit që vinë direkt nga bota civile e punës.
Parë nën një këndvështrim të veçantë në pjesën më të madhe të shteteve antare të NATO-s, por edhe në ato të Lindjes, mund të themi se shkollat e mesme ushtarake kanë qenë prej shekujsh dhe vijojnë të jenë forma e parë e institucionit publik të mesëm për t’iu përgjigjur faktikisht nevojave gjithnjë në rritje për njerëz të kualifiuar për Forcat e Armatosura që shtetet si Franca, Spanja, Italia, Anglia, Portugalia, Austria, por edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanadaja, Rusia, Turqia etj., kanë ngritur shkolla të tilla ushtarake që janë njohur përgjithësishtë me emrin: “shkollat e kadetëve”.
Po t’i hedhim një shikim historisë së këtyre shkollave, shohim se fillesat e tyre, të strukturuara posaçërisht për ushtrinë, nisin qysh nga viti 1600, ndaj të cilave gjithnjë është rezervuar një vëmendje e madhe, më shumë se ndaj shkollave të tjera të mesme që krijonin profesionistë të ndryshëm. Regjistrimi në këto lloj shkolla, në shtetet e lartpërmendura, prej para 400 vjetësh dhe deri në ditët e sotme, ka qenë dhe është privilegj i madh për familjet e nxënësve që pranoheshin në to. Mjafton të kujtojmë sforcon e madhe të Karl Bonopartit, i cili me shumë vështirësi morri nga marshalli i Korsikës një rekomandim që zyra e heraldikës t’u dorzonte Bonopartëve dëshminë e fisnikësrisë, se vetëm në këtë mënyrë mbreti Luigj kish të drejtën ta lejonte ta bënte një nga djemtë e familjes officer, (Emil Ludvig “Napoleoni”, Tiranë, 1999, f.11), dhe “pas shumë ndërhyrjesh, në vitin 1779 arriti ta regjistronte Napoleonin, atëherë dhjetë vjeç, me bursë të shtetit, në shkollën e Brienit, në lindje të Francës”.(Tarle, “Napoleoni”, Tiranë, 1960, f.11).
Por historia tregon se përgatitja për komandantë lufte qysh në moshën fëminore është trashëguar të paktën 4 shekuj para Krishtit, ku historiani gjerman Artur Vajgal sqaron se, “Në atë kohë kur Aleksandri ishte gati 12 vjeç (viti 367 p.e.r, DG), duket se Filipit iu ngjall interesi për djalin…Filipit i interesonte shumë ta shkëpuste Aleksandrin prej ndikimit të mbretëreshës, Olimpiadës, prandaj, ai tok me Aristotelin vendosën që shkollën e re ta ndërtonin pak larg nga kryeqyteti. Për këtë zgjodhën qytetin e vogël të Miezas… Godinat e shkollës i ndërtuan në një pyll të lashtë nimfash”.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, 2002, f. 58, 66). Edhe “Skëndërbeu q’i ka dhënë edhe do t’i apë gjithë jetënë nder Shqipërisë, ky burr i pashoktë ish foshnjë, kur ra ndër duart të Tyrqet, e u rit në plasët të Sulltanit; që pa mbirë qime në faqet e tij tregonte trimërira e bënte punëra n’ushtëri të Tyrqet, që çuditësh gjithë bota; kudo që vinte, muntte e njeri s’i qëndronte dot kundrejt.”(Sami Frashëri.(“Shqipëria ç’ka qënë, ç’është e ç’do të bëhet”, 1978, f. 30)
Po ashtu edhe Suvorovi, qysh 15 vjeç regjistrohet në shkollën ushtarake, ndërsa Kutuzovi në vitin 1757, kur ishte 12 vjeç.(Kalendari Ushtarak, Botim i MMP, Tiranë, 1950, f. 109, 127).
Kjo traditë jo vetëm që ekziston ende në Evropë, por është përhapur pothuajse në shumicën e shteteve antare të NATO-s dhe në të gjithë kontinentet. P.sh., Kolin Pauell regjistrohet në kolegjin ushtarak kur ishte 17 vjeç: “Kolegjet si ai që studjova unë qenë Harvardi dhe Princetoni i të varfërve”,(Kolin Pauell, “Udhëtimi im amerikan”, 1999, Tiranë, f. 37), shkruan ai në kujtimet e tij. Edhe udhëheqësi i revolucionit të Amerkës Spanjolle (Venezuela, Peru, Panama, Kolumbi, Ekuador dhe Bolivi), gjenerali Simon Bolivar (1783-1830, lindur në Karakas), hyri në shkollën e mesme ushtarake në Aragua në moshën 14 vjeçare dhe emërin e tij e mban sot Bolivia.(G.Markez “Gjenerali në labirintin e vet”, Tiranë,2000).
Por edhe Karl Fon Klauzeviç (178-1831) qysh në moshën 12 vjeçare iu bashkua ushtrisë prusiane dhe në vitet 1793-1794 merr pjesë në fushatëne Rinit kundër ushtrisë franceze dhe në moshën 14 vjeç titullohet officer, (K. fon Klauzeviç ”Mbi luftën”,Tiranë 1994,v.1,f. 3-4), gjë që vërteton se në këtë moshë shpalosen virtytet, aftësitë dhe prirjet për profesionin e ushtarakut.
Duke u qëndruar besnikë traditave kulturore të trashëguara, vijimisht këto shkolla janë konsideruar dhe konsiderohen pararoja e ushtrive përkatëse si dhe në të njëjtën lidhje me proceset që karakterizojnë shoqërinë e sotme moderne. Ja si shprehet ish-kryetari i dhomës së deputetëve të parlamentit Italian, Xhan Frako Fini: “Në ato shkolla nuk mësohet vetëm regulli dhe bindja ndaj regullave, por kërkohet që të maturohet tek ta bindja që vetëm ai që di të bindet sot, brenda një kornize korrekte të të drejtave dhe detyrave, do të dijë nesër të komandojë sisteme komplekse”. (www.esercito.difesa.it).
VESHTRIM HISTORIK I NDERSJELLTE
për shkollat e mesme ushtarake
në planin kombëtar dhe ndërkombëtar
“Ushtria e kaprojve, e udhëhequr nga luani, është më e fuqishme se ushtria e luanëve e udhëhequr nga kaprolli.” Fjalë e Urtë Ushtarake Angleze e vitit 1644
ITALIA. Ajo ka aktualisht 4 shkolla të mesme ushtarake, si ajo “Nunziatella” në Napoli, themeluar qysh më 18 Nëntor 1787 nga Mbretëria e Napolit; shkolla e mesme ushtarake navale “Françesko” në Venecia, e themeluar prej vitit 1937; shkolla e mesme ushtarake “Teueli” në Milano, themeluar prej vitit 1839; shkolla e mesme ushtarake e aviacionit “Giulio Douhet” në Firence, themeluar në 15 Maj 2006. Pranimi në këto shkolla bëhet me konkurs. Në fund të çdo viti shkollor studentët frekuentojnë edhe një kamp ushtarak pranë një reparti të Forcave të Armatosura për të përfituar elementë praktikë të përgatitjes për luftim, ku përfshihen dëndur edhe qitjet me armë në poligon, përgatitje sanitare, luftim trup me trup etj. Në këto shkolla pranohen prej moshës 15 vjeç, por edhe nxënës që mund të kenë kryer një apo dy vite shkollë të mesme civile, por këtu nuk u merret parasysh, e fillojnë prej vitit të parë. E veçanta e Italisë është se 20% e vendeve në Akademinë Diplomatike Shtetërore rezervohen për maturantët e këtyre shkollave ushtarake. (www.wikipedia.org, 20. 07.200).
FRANCA ka 6 shkolla të mesme ushtarake, për të tre llojet e forcave të armatosura, të cilat thirren Lice Ushtarak, ku ndër to studjojnë rreth 4000 nxënës. Pranohen kryesishtë nxënës të familjeve franceze që jetojnë në Francë dhe jashtë saj, por, përparësi kanë fëmijët jetimë të ish-ushtarakëve, dhe familjet e ushtarakëve. Në një prej këtyre shkollave ka kryer studimet edhe “Ariu i Luftës”, Norman Shvarckof, deri sa shkoi në Uest Point.(M.E. Morris,“Stuhia e Shkretëtirës”,Tiranë,1992,f.26-27). Është vendi ta theksojmë se Liceu Ushtarak në Sarthe mban sot e gjithë ditën emrin që i pat vënë Napoleoni qysh në 24 mars1808, pavarësisht se është krijuar prej vitit 1604: “Prytane Natonal Militaire”, duke iu referuar liceut klasik grek Prytaine, një institucion ekskluziv që përbënte zemrën politike dhe fetare të qyteteve-shtet të Greqisë antike, ku pat filluar mësimet Aleksandri i Madh në vitin 367 p.e.r, e cila ishte shkolla e filozofit të madh, Platonit.(Artur Vajgal, “Aleksandri i Madh”, Tiranë, 2002, f.63). Në këto shkolla kadetët francezë pranohen qysh në moshën 10 vjeçare.
ANGLIA ka një veçori, këto shkolla i ka në dy varjante. Një varjant është ai që i merr në moshën 16 deri 18 vjeç, i cili quhet kolegji “Welbeck”, dhe ka dy të tillë, themeluar prej vitit 1953. Për të dy vitet çdo kolegj ka 150 studentë, duke pranuar çdo vit 50 studentë në shtator dhe 25 studentë në janar. Ndërsa shkolla tjetër e mesme quhet “Duke of Yorks Royal Military School”, themeluar në vitin 1803. Këtu nxënësit i pranojnë prej moshës 11 vjeç deri 18 vjeç. (www.wikipedia.org)
PORTOGALIA shkollën e mesme ushtarake e quan “Kolegjio Militare” dhe ndodhet në Lisbonë, e themeluar prej vitit 1803. Në këtë shkollë hyjnë fëmijë prej moshës 10 vjeç deri në 18 vjeç. Nga kjo shkollë kanë dalë 5 presidentë të Portogalisë.(www.wikipedia.org).
AUSTRIA, si dhe Portogalia, ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, themeluar qysh në kohën e të qenit perandori.
KANADAJA, edhe kjo ka vetëm një shkollë të mesme ushtarake, me emrin “Robert Land Academy”, në Ontario, themeluar në vitin 1917. Në këtë shkollë nxënësit merren prej klasës së 7-të deri në të XII.( www.wikipedia.org).
TURQIA ka 4 shkolla të mesme ushtarake, ajo “Denis Lisesi”, në Stamboll, themeluar në vitin 1773, e cila është katër vjeçare; vitin e parë mësojnë anglisht, ndërsa tre vitet e tjera mësimi zhvillohet turqisht. Sholla tjetër është “Bursa Ipyklar Askeri Lisesi”, në Bursa, e cila e ka fillesën prej vitit 1844. Shkolla “Kuleli Militare High School”, edhe kjo në Stamboll, themeluar prej vitit 1845; ndërsa shkolla tjetër “Izmir Maltepe Askeri Lisesi”, në Izmir, është themeluar në vitin 1928.
RUSIA disponon 8 shkolla të mesme ushtarake me emrin “Suvorov” dhe një për marinën “Nakhimov”. Nxënësit i marrin prej moshës 14 vjeç. (www.wikipedia.org).
GJERMANIA fillesën e shkollës së mesme ushtarake e ka në vitin 1813 kur mbreti Frederik Vilhelm III formoi tri shkolla lufte për kadetët.(Kolonel Kristian Millotat “Oficeri i SHP”, Tiranë 1993,f.49). Sistemi i përzgjedhjes së kadetëve ishte sipas klasës dhe origjinës. Kjo shkollë u konsiderua si guri i rëndësishëm themeltar historik për të ardhmen e oficerit të Bundesverit.
SHBA. Shkollat e mesme ushtarake në SHBA kanë një veçori në raport me të gjithë shtetet e lartpërmndur, si në sasinë ashtu edhe në larminë e tyre. SHBA kanë 22 shkolla të tilla, në 17 shtete të saj, ku shkojnë me shumicë edhe vajza. Nxënësit merren prej moshës 10 vjeç deri në 17 vjeç. Kur kanë kryer një prej këtyre shkollave, ata shkojnë në West Point. Në këto shkolla kanë filluar karjerën ushtarake Xh. Xh. Pershing, D. D. Ajzenhauer.(M. E. Morris, “Stuhia e Shkretëtirës”,f.22), i cili arriti deri President i SHBA, si dhe shumë personalitete të tjera të shquara ushtarake dhe politike. Veçori tjetër është se në këto shkolla të mesme, sikundër u shprehëm më lart, pranohen edhe vajza, me të njëjtat kritere si dhe për djemtë, dhe që mësojnë në klasa të përbashkëta, stërviten po në klasa të përbashkëta dhe, e veçanta për vajzat është, se nuk ua presin flokët deri në maturë, por, në hyrjet e fjetinave të tyre shkruhet me gërma të mëdha: “Bukuria e juaj nuk qëndron tek flokët, por tek sjellja juaj.”( www.military-school.org )
Fillesat e shkollave të mesme ushtarake në SHBA nisin prej vitit 1842, ndërsa ajo më e reja është hapur në vitin 1916. Njëzetedy shkollat e mesme ushtarake ndodhen si më poshtë: Dymbëdhjetë shkollat e mesme ushtarake, që pranojnë vetëm djem prej klasës së 7-të deri në të XII, një tjetër i merr prej klasës së 5-të, ndërsa një tjetër prej klasës së IV.
KINA. Gjurmët e shkollës së mesme ushtarake në Kinë fillojnë qysh në epokën feudale. Shkolla e parë e mesme ushtarake bashkë me akademinë e oficerave u hap zyrtarisht më 1 maj 1924, nga presidenti i saj Sun Yat-sen, por mësimet e para filluan më 16 qershor 1924, duke u emërtuar shkolla Huangpu në Guangzhou, me komandant Chang Kai Shi-në dhe komisar Çu En-lai. Lin Biao u regjistrua në këtë shkollë në vitin 1925 kur ishte 12 vjeç. Gjatë ceremonisë inauguruese Sun Yat-sen mbajti një fjalim, i cili u bë më vonë teksti i himnit kombëtar i Republikës së Kinës.(htp://www.ancient-chinese-military.htm)
* * *
Të gjitha shkollat e mesme ushtarake në të gjithë shtetet që përmendëm rezulton se objektivat i kanë të njëjtë dhe përmblidhen në këto shtatë pika:
a) Të bëhen qytetarë të mirë, me dije të thella dhe patriotë.
b) Të zhvillojnë vetëbesimin, vullnetin në punë, lidërshipin dhe përgjegjshmërinë.
c) Të zhvillojnë aftësi të mira në komunikim dhe në të shkruar.
d) Të zhvillojnë dhe t’i japin rëndësi përgatitjes fizike.
e) Të rrisin respektin për rolin e ushtrisë në mbështetje të objektivave kombëtare.
f) Për të zhvilluar karaktere të mira përmes formimit të ndjenjës së kolektitetit.
g) Të zhvillojnë aftësitë për të punuar në grup dhe në drejtim të teknikave ushtarake.(www.military-school.org ).
PO SHQIPËRIA A KA NJË TRADITË TË TILLË?
“Kur e kaluara pushon së hedhuri dritën e saj mbi të ardhmen,
mendja e njeriut endet në errësisrë.” Tokëvili
Edhe në SHQIPËRI ekziston tradita e funksionimit të shkollës së mesme ushtarake e tipit klasik-shkencor, e njohur me emërin “Shkolla e Mesme e Përgjithshme Ushtarake – Skënderbej”, në Tiranë, e themeluar më 28 Marsit 1945 dhe e mbyllur pas 47 vitesh, në Nëntor 1992.(Fiqiri Shtëpani.“Shkolla Skëndëbej”, Tiranë, 2010,f.7). Fillimisht ajo u quajt “Shkolla e pionerëve ushtarakë”, dhe në vitin 1947 morri emërin e mësipërm. Themeluesi i saj Enver Hoxha e cilesoi “Fidanishtja bazë për pëgatitjen e oficerave tanë të ardhshëm, të cilë duhet të pajisen me shkencë, me kulturë dhe me arsim, të brumosen me ndërgjegje të lartë patriotike”(Enver Hoxha vepra, vëll.23, f.278).
Në vitin 1963 ajo u shndërrua në shkollë e mesme e tipit klasik-shkencor-teknik-arte, (thënë ndryshe: shkollë ushtarake e tipit klasik-shkencor-politeknik), pasi, prej shtatorit të këtij viti filloi të dërgojë nxënësit e saj në të gjitha shkollat e mesme profesionale të Tiranës. Ajo kompani u emërtua “Kompania e Parë Jashteme”, e cila fillimisht u formua me 265 skenderbegas të ndarë në 6 (gjshtë) toga (klasa): toga e mjekësisë, e ekonomikut (degët kontabel dhe mercologji), dy togat e Politeknikumit “7 Nentori” (toga mekanike dhe toga elekrike), toga e ndertimit, toga e Kultures (drama, piktura, regjizura). Çdo mëngjes, me një autobus të Shkolles “Skënderbej”, niseshin për mësim 6 orësh, në intenerarin: Shkolla e Mjekësisë, Politiknikumi, Teknikumi Ekonomik “Nako Spiro”, Teknikumi i Ndërtimit, Shkolla e Kulturës (këto tre të fundit te Qyteti i Nxënësve ), Liceun Artistik “Jordan Misja”, dhe kthim. Këtë veçori të shkollës së mesme ushtarake shqiptare nuk e ka asnjë vend tjetër. Pas 4 vjetëve, edhe këta, ashtu si dhe ata që vazhdonin gjimnazin brenda Shkollës “Skenderbej”, shkonin në Shkollën e Bashkuar, në fakultetet përkatëse, ndërsa ata që mbatronin shkëlqyshëm dergoheshin në USHT, me të cilët më pas u formua “Batalioni Universitar” me studentë ushtarakë (Rep.Usht.Nr.1822 në Qytetin Studenti), duke iu nënshtruar regjimit brenda shkollës ushtarake “Skëndetrbej”.
* * *
Deri në vitin 1950 në këtë shkollë pranoheshin prej moshës 10 deri 18 vjeç; pas këtij viti filluan të pranoheshin prej moshës 14 deri 18 vjeç. Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë një president i Shqipërisë, 9 shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe dhjetra ministra të të gjitha lëmive, pa folur për mjekë të shquar, shkrimtarë dhe poetë me emër, historianë, diplomatë, juristë, pilotë, oficera marine, inxhinjerë, arkitektë, mjeshtra sporti të të gjitha drejtimeve nga më të shquarit në vend; si dhe piktorë e artistë me famë, si Mentor Xhemali me plejadën e tij; janë mbi 200 personalitete shkencore të të gjitha fushave etj.
Kushdo që mbaronte shkollën Skënderbej dilte i formuar për të shkuar në Shkollën e Bashkuar të Oficerave si dhe në akademinë e Marinës dhe në atë të Aviacionit që ndodheshin në Vlorë, po ashtu dhe në shkollën e Shërbimit Informativ. Me pak fjalë, skënderbegasi, kur mbaronte Shkollën e Bashkuar të Oficerave “Enver Hoxha”(sot Akademia Ushtarake), e më pastaj, pas një periudhe si komandant reparti, kryente Akademinë Ushtarake të Shtabit të Përgjithshëm “Mehmet Shehu”(sot Kolegji i Mbrojtjes), ishte një njeri i denjë për të zënë një post të lartë shtetëror, ngaqë kishte fituar aftësitë e nevojshme për të udhëhequr e komanduar me përgjegjshmëri të lartë, përpikmëri dhe gjithë autoritet, të cilin ia jepnin dijet e gjithanshme.
Në mesin e viteve ’70, kur KM Mehmet Shehu mori edhe detyrën e Ministrit të Mbrojtjes u dha orientimi që të gjithë komandantët dhe shefat e armëve e shërbimeve të njësive taktike dhe atyre operativo-strategjike të përzgjidheshin mundësishtë nga ai kontigjent kuadrosh që kishin qenë skënderbegas.
Niveli i përgatitjes së nxënësve të saj ishte i tillë, sa që në konkurset kombëtare të shkollave të mesme, kjo shkollë merrte pjesë jashtë klasifikimit, pasi mund të zinte pa diskutim vendin e parë me çdo ekip të saj; për mos të thënë se gjithë ekipet e të rinjve të Klubit Sportiv “Partizani” (futboll, basketboll, veleiboll, not, mundje, boks, atletikë etj) dilnin nga kjo shkollë.
Nga dyert e kësaj shkolle kanë dalë 1 (një) president i Shqipërisë, 9 shefa të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë sonë dhe dhjetra ministra të të gjitha lëmive.
Nuk mund të quhet rastësi që nga pesë oficerët e Ushtrisë Shqiptare, që shkuan vullnetarë në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me funksione të larta, brenda në territorin e Kosovës dhe para se të angazhohej NATO në atë luftë, katër prej tyre ishin Skëndërbegas! Kjo përbën provën më të pakontestueshme se oficerat e dalë nga Shkolla e Mesme Ushtarake Skënderbej ishin kuadrot më të sprovuara, më idealiste dhe besnikët më të pakrahasueshëm ndaj atdheut dhe popullit shqiptar. Po ashtu dhe grup prej 12 oficerash që shkuan në Luftën e Vietnamit për të marrë përvojën e asaj lufte kishin dalë nga kjo shkollë.
Nga kjo shkollë kanë dalë mjekë të shquar si p.sh. Sami Zeka, Ali Kuqi, Kareman Harxhi, Gjergj Aleksi, Ismail Feta, Mihallaq Prifti, Shkëlqim Kuqo etj.; shkrimtarë dhe poetë me emër si Halil Qendro, Lirim Deda, Razi Brahimi, Minush Jero, Hysni Milloshi, Arben Duka, Rezo Çulli, Kujtim Halili, Bashkim Kozeli, Ibrahim Gani, Odise Kote, Halil Laze, Agim Hila, Fuat Çeliku, Çobo Skënderi, Shpend Topollai, Thanas Jani, Milianov Kallupi, Fadil Zeqiri, Novruz Dervishaj, Thanas Tane, Tonin Nikolli, Përparim Kapllani, Kujtim Boriçi, Albert Abazaj etj.; pilotë, oficerë marine, inxhinjerë; historianë si Shahin Leka, Bernard Zotaj, Vangjel Kasapi, Refik Kuca, Myslim Pasha, Proletar Hasani, Petrit Mamaj, Marenglen Kasmi, Gjergj Titani, Xhemil Çelaj, Ibrahim Pajova, Kudret Mita, Qebir Zeka, Avni Hajro, Myzafer Bonaj, Haki Kelmendi, Fatos Beqiri, Maksim Ilirjani, Pëllumb Çela, Veli Haxhiu, Kapllan Subashi, Bashkim Qeli, Bashkim Zyfi, Filip Tushe, Virgjil Janku etj.; arkitektë, mjeshtra sporti të të gjitha drejtimeve nga më të shquarit në vend, si Isa Tare, Bejkush Birçe, Perlat Musta, Neptun Bajko, Mikel Janku, etj. etj.; si dhe piktorë e artistë me famë, si Mentor Xhemali, Fatmir Haxhiu, Robert Përmeti, Skënder Selimi, Milto Vako, Novruz Yzeiri etj; janë mbi 200 personalitete shkencore të të gjitha fushave, etj.
Parë në këtë retrospektivë, do të ishte më shumë se marrëzi që, riaktivizimin e shkollës sonë të mesme ushtarake, dikush ta quaj nostalgji për sistemin shoqëror për kohën që ajo shkollë funksionoi.
* * *
Me këtë studim modest nuk kemi për qëllim të ndërtojmë një teori të re, por për një riaktivizim të kësaj shkolle kombëtare, traditë e ngjashme me shumë shtete Euroatllantike. Kuptohet që kjo detyrë i takon shoqërisë tonë të sotme, duke mësuar nga tradita Perëndimore dhe Lindore, të cilat e ruajnë me fanatizëm të mirën historike të kësaj shkollës së mesme ushtarake. Që të kemi edhe ne një ushtri sa më të denjë, që të qëndrojë krah për krah me ushtritë e aleatëve tanë, duhet të kemi edhe ne oficera të niveleve të tyre, në të gjitha drejtimet. Dhe kjo nuk arrihet kollaj. Mos funksionimi i shkollës së mesme ushtarake është njësoj sikur t’i thuash ushtrisë: Prit, mos u rrit! Prandaj ka ardhur momenti që sistemit tonë arsimor ushtarak t’i japim atë që i mungon, themelin beton-arme: patriotizmin e lartë.
Duhet ndërtuar kjo shkollë që ndjenja e dinjitetit ta shoqërojë ushtarakun tonë çdo ditë, çdo moment, në mënyrë që ata të mos ndihen më poshtë në çdo drejtim me kolegët e tyre të ushtrve të tjera të NATO-s. “Të turpërosh atdheun tënd, është njëlloj sikur ta tradhëtosh atë”, thotë Viktor Hygo. Është kjo shkollë që e ngren në nivelin më të lartë dashurinë për dije dhe për shokun, për ushtarin, për repartin, për popullin tënd, këtë dhuratë fisnike të shpirtit, e cila duhet të kultivohet duke filluar prej viteve të adoleshencës, para krijimit të dashurive të tjera për interesa të tjera të përcaktuara dhe me qëllime të tjera të veçanta, të cilat është vështirë të zëvëndësohen pas moshës 18 – 19 veçare.
Shënim:
Redaksia, diplomacia. dk nuk e merr përgjegjësinë për pikëpamjet e autorit në shkrimin e botuar!
Respekt!